Ylli Polovina in italiano
VENDLINDJA KU JETOJ DHE PUNOJ QYTETI I DY VAJZAVE TË MIA
PUBLICITIKË

HAJRI HIMA LIBRI “AMBASADOR NË BALLKAN” I YLLI POLOVINES, KONTRIBUT I VYER PËR KOHËN
”REPUBLIKA E SHTATË”
“AMBASADOR NË BALLKAN”
“LOTËT E SORKADHES”, botimi i dytë
LOTËT E SORKADHES
Artikuj të tjerë .....



kërkoni në këtë faqe



S'AFËRMI
MIRËSEVINI

PËR GJERGJ KASTRIOTIN A JANË TË NJË MËNDJEJE DY VËLLEZËRIT NAIM DHE SAMI FRASHËRI? Pjesa II


(Botuar në “llyria” në 19 prill 2018)

Çfarë vargëzon njëri shqip tek “Istori e Skënderbeut” dhe tjetri turqisht tek enciklopedia “Kamus Al-A’lam”

Shkrimi i njëzetë e nëntë i ciklit për Vitin e Skënderbeut

Pjesa e dytë

Në pjesën e parë i parashtruam lexuesit pikëpamjen se Naim Frashëri me librin e tij “Histori e Skënderbeut” nuk qe thjesht në poet (vjershëtor, siç quheshin atëherë), por një udhëheqës politik i popullit të vet. Këto parametra i kanë pasur këtë kohë edhe dy shkrimtarë tjetër të mëdhenj: Faik Konica dhe Fan Noli.
Rrethanat këtyre të fundit u dhanë mundësi shumë më të mëdha se kolegut të tyre më të vjetë për ta ushtruar penën artistike dhe paralel me të veprimin politik.
Por çfarë mund të bënte Naim Frashëri, i cili vitet e fundit të dekadës në mbyllje të shekullit njëmijë e nëntëqind i duhej t’i kalonte në Stamboll në një ndalim të dyfishtë të lëvizjes: nga tuberkolozi i rënduar dhe masa e arrestit shtëpiak që i ishte dhënë nga autoritetet e Perandorisë Osmane.
Si edhe nga viti pengues, 1890, kur vdiq në moshën 54 vjeçare, dymbëdhjetë mote larg nga dita e bukur e ngritjes së dëshiruar të flamurit kombëtar.
Në pjesën e parë të shkrimit që po heton një diferencë ndaj Skënderbeut midis vëllezërve Naim dhe Sami, po ashtu vumë theks se “Kalendari Kombiar” (ose enciklopedia vjetore shqiptare) i motit 1901, me autorë dy rilindas të elitës, Kristo Luarasi dhe Mit’hat Frashëri, i çeli faqet e saj me një foto të Naim Frashërit sa tërë një faqe, gati si të qe pllakat propagandistik, “elektoral”.
Deri atëherë ky botim enciklopedik të njëjtin status ia pati dhënë vetëm Skënderbeut.
Në këtë përzgjedhje të botuesve pa dyshim kishte ndikuar fakti që dy vjet para se të ndërronte jetë, në 1898, Naim Frashëri pati publikuar librin e tij, poemë, “Histori e Skënderbeut”. Shënuam me këtë rast se kjo qe vepra e parë shqiptare me figurë kryesore Gjergj Kastriotin ku bashkëkombësve u bëhej thirrje të rrëmbenin armët për çlirim.
Më pas do të kishte bashkëkombës, mes tyre edhe Faik Konica, të cilët do ta qortonin rëndë Naim Frashërin për prani të shpeshtë të vargjeve pa figuracion poetik, por që ishin, sipas tij, thjesht rëndomësi bejtesh.
Në të vërtetë ato edhe sot, kur teknikat e poezikrijimit janë shtuar dhe pasuruar, mbeten vargje-trakte. Vargje për kushtrim, veprim të manjëhershëm, jo për meditim.
Vetë poema qe ngarkuar nga autori me këtë mision: të ishte një trakt thirrës për luftë të armatosur në shpëtim të ekzistencës etnike dhe kombëtare. Vetë Gjergj Kastrioti, po të ishte gjallë, do t’i gëzohej shumë kësaj mënyre paraqitjeje të jetës dhe të veprës së tij.
Dobia e asaj poeme niste që këtu: të përdorte gjuhën troç të thirrjes për t’u kryengritur.
Naim Frashëri tek “Histori e Skënderbeut” ia ka dalë t’i bëjë të gjitha: poezi dhe trakt. Po përpiqemi t’ua ilustrojmë këtë me ndonjë fragment, të cilin shqiptarët kanë dymbëdhjetë dekada që e mësojnë përmendësh dhe e përcjellin si lajmotiv nacional nga brezi në brez. Në një nga 22 pjesët përbërëse të poemës, tek “Kthimi i Skënderbeut në Krujë”, këto vargje janë kulmime të harmonizimit të nivelit shumë të mirë artistik me atë të arrirë politik: “Krujë, o qytet i bekuar,/ prite, prite Skënderbenë!/ Po vjen si pëllumb i shkruar/ të shpëtojë mëmëdhenë./ Shqiptarët t\'i shpëtojë/ nga zgjedh\' e keqe e Turqisë/ edhe ty të të nderojë,/që je kreu i Shqipërisë./ Ka pas trima shqipëtarë,/ që s\'u trembej syri kurrë,/ në zemër të tij ka zjarrë,/ është i urtë e trim, e burrë./ Mirë se erdhe, o verë/ që na prure mirësinë, /dhe për shumë vjet të tjerë/ e zbukurofsh Shqipërinë!/... O moj vash\' e Shqipërisë,/ që më rri duke mejtuar,/ pa i zhvish rrobat e zisë,/ arriti dit\' e uruar./ Zbardhi fusha, ndriti mali,/ nga armët e trimërisë, /hingëllin e s\'mbahej kali, /që sill mbretnë e Shqipërisë”.
Përveç pathosit thellësisht të brëndshëm asgjë të fryrë nuk ka në këto vargje, asgjë të tepruar dhe të mitizuar, kurrgjë propagandistike dhe të gënjeshtërt, nuk përbëjnë asnjë truk për demagogji. Gjithçka është në përmasë reale, e vetëndjerë normalisht dhe krejt e sinqertë.
Po ku e ka përdorur Naim Frashëri “manipulimin” e imazhit të Skënderbeut dhe të veprës së tij çlirimtare? Mbase tek cilësitë personale tërësisht të idealizuara të tij.
Për vjershëtorin luftëtar politik Gjergj Kastrioti personifikon të gjitha vlerat më të mira njerëzore. Ai është trim, mendje urtë, strateg, prijës dhe udhëheqës, ka karakter të thjeshtë dhe human. Ai është po ashtu fisnik, njeri heroik dhe person i ndershëm.
Ka pak të ngjarë që shumë nga këto cilësi Skënderbeu të mos i ketë pasur. Vepra e tij e rezistencës një çerek shekullore para superfuqisë më të madhe të kohës provoi se qe kurajoz, strateg në betejat me armë dhe shumë diplomat në ato që kryheshin ndërmjet kancelerive të huaja. Po ashtu Gjergj Kastriotit iu desh të ishte karakter i drejtpërdrejtë me mbështetësit dhe luftëtarët e tij.
Po i rrëzojmë për një çast cilësitë e tjera, të shumëtheksuara prej Naimit. Po anojmë nga hamendja se Skënderbeu nuk qe fisnik dhe as fort i ndershëm. Ky që po bëjmë në favor të një analize sa më të paanshme, është guxim i madh, sepse përveç historisë së marrjes së pronave të disa fisnikëve të tjerë, Muzakëve veçanërisht, asnjë provë tjetër nuk ka se Gjergj Kastrioti ishte përvetësues. Ndërkohë atij i duhej t’i bashkonte të gjitha trojet dhe pasuritë shqiptare në një dorë, jo thjesht se vetëm kështu do të bëhej për herë të parë në mënyrë të sigurt shteti shqiptar, por edhe sepse nuk ekzistonte rrugë tjetër për t’i bërë qëndresë trupave të fuqishme osmane.
Ndërkohë një varg i poemës “Histori e Skënderbeut” thotë për të: “Ishte mbret i bukurisë, si dielli epte dritë…”
Ka kohë që në këtë pikë kanë gjetur “thembër Akili” disa jo të paktë revizionistë (“demitizues”) të Gjergj Kastriotit. E kanë bërë shumë të shkurtër dhe randokop (xhuxh trupngjeshur), me një hundë të shëmtuar dhe faqe thatime, me shumë mjekër dhe pak flokë, me tike nervore të lëvizjes të buzëve, shumë rrallë njeri i qeshur...
Gënjejnë jo vetëm sepse nuk kanë prova për t’i dhënë këtë pamje të jashtme, por janë edhe të qëllimshëm nga që i përtohen punës më të lehtë: të shohin çfarë kanë shkruar vetë kronistët osmanë, të cilët nuk e donin aspak Skënderbeun. Këto që po bëjmë të ditur më poshtë i gjen, referuar studiuesve përkatës, edhe në shtypin shqiptar.
Kështu Hoxha Sadedini tek vepra e tij “Tacut-tevarih” (“Kurora e historive”) shkruan se “Sundimtari shqiptar kishte një djalë të pashëm që quhej Iskender, figura trupore e të cilit të frymëzonte dashurinë, ndërsa fytyra e tij tërheqëse ishte shprehëse e bukurisë dhe e hirësisë së tij. Ai e dërgoi Iskenderin në kryeqytet për të konfirmuar nënshtrimin e tij ndaj sulltanit”.
Historiani Solkzade i shekullit XVII në librin e vet “Fihrist Shahan” thotë se “Pamja fizike e këtij njeriu të bukur të çlodhëte sytë, kurse fytyra e tij tërheqëse të jepte një kënaqës të madhe”.
Ndërkaq asnjë kronist dhe historian turk në përmbi një gjysmë shekulli nuk është lëkundur nga platforma e qartë e opinionit se Skënderbeu qe një mosmirënjohës ndaj Sulltanit, se ishte një kupëpërmbysës dhe po ashtu tradhëtar.
Nuk do të qëndrojmë këtu, tek bukëshkalësia e Gjergj Kastriotit ndaj Sulltanit, sepse historikisht ka ngjarë e kundërta: qe ky, i cili ia mohoi trashëgiminë mbi pronat e të atit, Gjonit, ndërsa Skënderbeu po i shërbente tërësisht. Doemos i rrezikuar të quhej prej shqiptarëve si mosmirënjohës ndaj tyre.
Tradhëtar i Perandorisë ai nuk ishte, sepse emërtimi tradhëtar ekziston vetëm në kushtet e marrëdhënieve me popullin tënd të origjinës. Vetëm shqiptarët kishin të drejtë të ia jepnin këtë emërtim, askush tjetër, ca më pak person.
Pikërisht në këtë mospërputhje mes asaj çfarë thoshte dhe shkruante Stambolli dhe si ishte e vërteta, nis e dallohet një mospërputhje mes asaj që këndon në vargje Naim Frashëri dhe çfarë hedh në rreshtat e një enciklopedie turke i vëllai i tij shumë i ditur Sami, hartuesi i librit të parë platformë shoqërore si duhet të qe në të ardhmen, pas çlirimit nga sundimi osman, Shqipëria e pavarur.
Tek vepra e tij enciklopedike “Kamus Al-A’lam” për lexuesin turk dhe gjithkënd tjetër në Perandori që përdorte këtë gjuhë, tek zëri për Skënderbeun ekziston ky shpjegim: \"Emri origjinal i tij është Xhorxh ose Gjergj Kastrioti. Eshtë i biri i Jan (Gjon) Kastriotit i cili, në kohën e pushtimeve osmane në Rumeli, ishte princ në krahinën e Krujës, d.m.th. të Akca Hisarit në Shqipëri. Ai ka lindur më 1404, e sipas një varianti tjetër më 1414 pas erës së re. Kur Sulltan Murati II e kishte drejtuar forcën ushtarake kah Arnautllëku, babai i këtij, biografia e të cilit po shkruhet këtu, sadoqë i ishte nenshtruar atij, padishahu i sipërpërmendur, për të siguruar këtë nënshtrim, i pat marrë peng katër djemtë e Gjon Kastriotit dhe i pat dërguar në Edrene. Skëndërbeu ishte më i vogli. Meqë ishte jashtëzakonisht i zgjuar dhe i guximshëm fitoi simpatinë dhe dashurinë e padishahut, i cili e quajti Skënder në gjasim me Lekën e Madh, i cili i takonte të njëjtës racë me të. Qe edukuar bashkë me princin Sulltan Mehmet Hanin II. Kur u rrit u emërua sanxhak-be në Sërbi, në Sham dhe në shumë vende të tjera dhe si i tillë shërbeu në ushtrinë e Perandorisë Osmane. Në luftrat që ndodhën pat treguar trimëri, guxim dhe shkathtësi të jashtëzakonshme ushtarake. Ishte aq i fortë dhe trim saqë kur dilte në dyluftim në praninë e padishahut të tij kundër shumë pehlivanëve, që vinin nga vende të ndryshme për të provuar forcën dhe fuqinë e tyre, asnjëherë nuk humbte. Kur i vdiq babai, territori në krye të të cilit ishte ai, iu aneksua shtetit Osman ashtu që në Akca Hisar (Krujë) u dërgua një muhafiz, ndërkaq, Skëndërbeu në atë kohë gjendej në ekspeditën ushtarake në Sham. Kur u kthye u njoftua se i kishin vdekur tre vëllezërit. Skëndërbeu e parashikonte që pas vdekjes së të atit, njëri nga vëllezërit e tij ose ai vetë të emërohej si princ i krahinës së trashëguar. Mosarritja e këtij qëllimi, në njërën anë, dhe vdekja e vëllezërve, nga ana tjetër, e hidhëroi, prandaj kërkonte rastin e volitshëm për të ikur...”

(Vijon)

Ylli Polovina

Tiranë, më 16 prill 2018



Version i printueshem
Faqja paraardhese

LIBRAT

Libra të tjerë .....

LIBRI I FUNDIT
Image Title Here




LIBRA TË TJERË
Kontakt: ylli@yllipolovina.com © 2007-2017 yllipolovina.com Webmaster: taulant@topciu.com