Ylli Polovina in italiano
VENDLINDJA KU JETOJ DHE PUNOJ QYTETI I DY VAJZAVE TË MIA
PUBLICITIKË

HAJRI HIMA LIBRI “AMBASADOR NË BALLKAN” I YLLI POLOVINES, KONTRIBUT I VYER PËR KOHËN
”REPUBLIKA E SHTATË”
“AMBASADOR NË BALLKAN”
“LOTËT E SORKADHES”, botimi i dytë
LOTËT E SORKADHES
Artikuj të tjerë .....



kërkoni në këtë faqe



S'AFËRMI
MIRËSEVINI

1968, BETEJA ANTIKOMUNISTË KOMUNISTË PËR SKËNDERBEUN Pjesa II


Katër ditë prilli që tronditën Romën

(Botuar në “Gazeta Shqiptare” në 13 prill 2018)

Pjesa e dytë

Në shkrimin e ditës së djeshme vumë në dukje të lexuesit se, ndërsa antikomunistët dhe kundërshtarët e regjimit politik në Shqipëri, mes tyre edhe prej bashkëkombësve që nuk e kishin lajtmotiv të jetës këtë synim, veçanërisht arbëreshë, nën statusin e pelegrinit fetar katolik, nisën në 24 prill 1968 një cikël katërditor veprimtarish në përkujtim të 500-vjetorit të vdekjes së Skënderbeut.
Ndërkaq ambasada shqiptare në Romë ishte e mobilizuar për ta neutralizuar dhe sfiduar këtë aksion të tyre, i cili për disa udhëheqës të saj qe posaçërisht i ndërgjegjshëm si antikomunist.
Kështu dje përshkruam, duke e provuar me një dokument nga arkivi i Ministrisë së Punëve të Jashtme, se në 24 prill, po atë ditë kur pati nisur veprimtaria e të emigruarve, një e tyre pjesë politikë, dhe e arbëreshëve, me rastin e të nesërmes, 25 prillit, Ditës së Rezistencës Italiane, të cilën ai popull e quan më së shumti Dita e Çlirimit nga diktatura fashiste e Musolinit dhe e pushtimit nazist, u mbajt një konferencë mbi Luftën Nacional-Çlirimtare në Shqipëri.
Ju lutem, duke lexuar këto radhë fiksojeni këtë detaj: në këtë aktivitet të inkurajuar nga Ambasada qe folur mbi temën “Republika Popullore e Shqipërisë, fener driçues i socializmit në Evropë”.
Në raportin e vet për Tiranën përfaqësia diplomatike shqiptare do të theksonte se fjalën kryesore e kishte mbajtur sekretari i Shoqatës së Miqësisë Itali-Shqipëri, Aldo Pulieze (Aldo Pugliese). Në fund të veprimtarisë, ku pjesëmarrësit thuhej se qenë “rreth 100 veta”, ishin shfaqur dy dokumentarë të Kinostudios “Shqipëria e Re”: “Poema e 20 mijëve” dhe “Ditë të gëzuara”.
(Pikërisht në 24 prill, siç njoftonte Ambasada, në qytetin e Barit, në librarinë “Cravezzo”, qe hapur edhe një ekspozitë filatelike shqiptare, e cila kishte pasur sukses real dhe për të pati shkruar edhe shtypi lokal italian).
Por përse ambasada theksonte, në raportin e saj për Ministrinë e Punëve të Jashtme në Tiranë, si temë themelore të aktivitetit rolin e Shqipërisë si fener ndriçues i socializmit në Evropë?
Do t’ua zbulojmë këtë “sekret” gradualisht, në vijim të këtij cikli, por tani le t’i marrim gjerat me rradhë, sipas rreshtimit të tyre natyrshëm kronologjik, logjik po ashtu.

Cili është Aldo Pulieze?

Komiteti Shqiptar për Marrëdhëniet Kulturore dhe Miqësore me Botën e Jashtme në një informacion të tij drejtuar aparatit të Komitetit Qendror të Partisë së Punës, për gjashtëmujorin e parë të vitit 1968 ka veçuar edhe këtë deklaratë të sekretarit të Shoqatës së Miqësisë Itali-Shqipëri, Aldo Puliezes.
Sipas saj, “Për ne, arbëreshët, pasardhës të atyre kreshnikëve që morën udhën e mërgimit pas pushtimit otoman të Shqipërisë e që ruajtën të paprekur gjatë shekujve dashurinë për atdheun dhe që aq shumë dëshiruan për të parë një ditë të lirë e të lumtur, për ne pra, ishte veçanërisht prekëse të shihnim për së afërmi atë shkallë të lartë të unitetit politik e moral që ka arritur populli shqiptar, rezultatet e mëdha në fushën ekonomike, shoqërore, kulturore dhe artistike, besimin e thellë që ka burri dhe gruaja shqiptare në një të ardhme akoma më të ndritshme. Dhe kjo që është bërë sot realitet, është ëndërra e aq brezave të shkuara”.
Kjo deklaratë e Puljezes qe bërë në fund të janarit të 1968, kur në Tiranë pati përfunduar cikli kryesor i festimeve të 500-vjetorit të Skënderbeut. Ai ishte ftuar për të marrë pjesë në to bashkë me senatorin italian Luca de Luca (si edhe me një të tretë: Gabriele Romoli).
Nga autoritetet e larta të Tiranës kjo dërgatë treshe u konsiderua “delegacion i arbëreshëve”, duke lënë të kuptohej se përveç misionit kulturor mbante paralelisht edhe një funksion politik.
Aldo Pulieze, kalabrez, qe komunist i krahut stalinist, pra aspak në përputhje me vijën politike zyrtare të PKI, e cila ishte distancuar prej diktatorit sovjetik.

Po Luka de Luka kush është?

Në 5 maj, tetë ditë pas mbylljes së veprimtarisë katërditore të jo pak antikomunistëve shqiptarë të emigruar dhe të arbëreshëve, u mblodh në Romë këshilli drejtues i Shoqatës së Miqësisë Itali-Shqipëri. Kordoni i aktiviteteve me vatër inkurajimi dhe mbështetjeje Vatikanin, për të cilat do të paraqitim të dhëna të plota në vijim të këtij cikli shkrimesh, e kishte vënë këtë organizatë pro Tiranës zyrtare në vështirësi dhe ajo po lëvizte për t’i shpëtuar rënies drastike të ndikimit mbi bashkësinë arbërore në Itali.
Mbledhja e shpejtë, pothuaj rrufe, për të mobilizuar forcat dhe sfiduar kundërkomunistët, kishte për objektiv kryesor “Program-planin e punës për vitin në vazhdim”. Po ashtu në të u zgjodh kryesia e Shoqatës “duke zgjedhur si president të sajën senatorin Luca de Luca”.
“Gjatë mbledhjes, thotë një raport i Komitetit Shqiptar për Marrëdhënie Kulturore dhe Miqësore me Botën e Jashtme drejtuar aparatit të KQ të PPSH-së, pati diskutime, propozime për shtimin e aktivitetit të shoqatës”.
Pastaj: “Në mbasdite të po asaj date u bë inaugurimi i lokalit të ri të shoqatës. Me këtë rast në sallat e godinës u hap një ekspozitë e madhe fotografike mbi jetën e Skënderbeut, manifestimet që u zhvilluan në Shqipëri me rastin e 500 vjetorit të Skënderbeut, Konferencën e Dytë Albanologjike si edhe rezultatet e arritura në Shqipëri gjatë vitit 1967. Ekspozita u shikua nga shumë njerëz dhe u pëlqeu shumë.
Me rastin e mësipërm u çfaq edhe filmi artistik “Skënderbeu”.
Në një informacion tjetër të Komitetit Shqiptar për Marrëdhënie Kulturore dhe Miqësore me Botën e Jashtme gjejmë këto të dhëna për Luka de Luka. Sipas tij, “është senator. Ka qenë në Partinë Komuniste revizioniste italiane. Ka pasur gjithnjë lidhje me Ambasadën tonë në Romë dhe në vitin 1962, pas marrjes së materialeve tona, ka filluar të mbajë qëndrim antirevizionist. Në 1966 ka prerë hapët çdo marrëdhënie me partinë revizioniste, duke u larguar prej saj. Është arbëresh dhe personalitet i njohur. Nuk ka hyrë në PK (marksiste-leniniste)”.
Por a është e saktë kjo pamje rreth profilit politik të këtij senatori, i cili qe tashmë drejtuesi numër një i Shoqatës Itali-Shqipëri?
Eksponent i Partisë Komuniste Italiane, senator në tre legjislatura, në vitin 1966 ai ishte përjashtuar për “padinjitet politik dhe moral”. Arsyeja përse PKI mori këtë masë të fortë ndaj tij qe pasojë e një deklarate të bërë prej Luka de Luka-s kur natën e 1 prillit 1965 u vra para shtëpisë së vet me shtatë të shtëna revolveri Luixhi Silipo, gazetar dhe bashkëdrejtor i të përjavshmes “Kalabria nesër” (Calabria domani”), po ashtu edhe një nga drejtuesit e Partisë Komuniste Italiane për Kalabrinë (inspektor rajonal i PKI).
Aldo Pulieze, pra sekretari i Shoqatës Itali-Shqipëri, ishte mik i të vrarit si edhe koleg i afërt në parti i Luca de Luca-s. Pra Shoqatën e drejtonin dy komunistë radikalë kalabrezë me marrëdhënie shumë të afërta.
Krimi i vrasjes së Silipos, siç rezultoi prej hetimeve gjer sa u arkivua, nuk ishte me sfond të qartë politik, por Luka de Luka, i cili qe personi i fundit që pati takuar viktimën, në 6 shtator 1966 deklaroi se vrasësi ishte “një shok nga brenda Partisë”. Në verifikimet e mëvonshme u ravijëzua se mbi këtë ngjarje mund të kishte dorë edhe një eksponent i Partisë Komuniste Çekosllovake, Dragutin, i cili në kohën kur u bë deklarata që fajësonte struktura të PKI, në shtator 1966, pati qëndruar për ca kohë në Kalabri.
Prej tërë kësaj historie një gjë doli e dukshme: Luka de Luka pati akuzuar si shtytës së vrasjes së Luixhi Silipos krahun “revizionist” të Partisë Komuniste Italiane në Kalabri, pra sipas tij, ishte vrarë në mënyrë mafioze një stalinist.
Me pak fjalë për lexuesin ka interes të drejtpërdrejtë ky fakt: kryetari i Shoqatës së Miqësisë Itali-Shqipëri nuk qe vetëlarguar nga PKI, sepse e dënonte kursin e saj “revizionist”, çfarë pëlqehej në Tiranë, por ishte një i përjashtuar prej saj.

Ndërkohë a qenë të gjithë “reaksionarë” pjesëmarrësit e veprimtarisë së Romës?

Dijetari shkodran i emigruar në Itali dhe pedagog në Universitetin e Palermos, Karl Gurakuqi, i cili është edhe autori i një përshkrimi të hollësishëm të kësaj veprimtarie, mes të tjerash, tek informon për pjesëmarrësit më të spikatur, ndihet i emocionuar tek përshkruan sjelljen e një njeriu të madh në moshë, i cili mezi ecën dhe shumicën e kohës i ka sytë të përlotur. Thotë se i ka mbetur fare pak jetë dhe kjo që po shihte në buzë të fikjes së saj, e lumturonte.
Ky qe shqiptari kosovar i emigruar në Bruksel, Tahir Zemaj.
Ishte një antikomunist mjaft i njohur, luftëtar kundër pushtimit serb të Kosovës, 17 vjeçar sekretar personal i Bajram Currit, anëtar i Komitetit “Mbrojtja Kombëtare e Kosovës”, në 1924 punonjës në Ministrinë e Financave të Shqipërisë, të drejtuar prej Luigj Gurakuqit, bashkëluftëtar në “Shpellën e Dragobisë” me Currin dhe pas kësaj i dënuar me vdekje në litar nga Ahmet Zogu. I kapur prej njerëzve të këtij të fundit, por i arratisur nga burgu, Tahiri emigroi. U rikthye në Kosovë në 1941 dhe u bë flamurtar i idesë së Shqipërisë Etnike, duke u cilësuar edhe si njëri nga udhëheqësit e Lidhjes së Dytë të Prizrenit. Ky pozicion ia bëri të nevojshme bashkërendimin me gjermanët në veprime ushtarake kundër komunistëve jugosllavë të Titos, të cilët i konsideronte rrezikun më të madh kombëtar. Nga fundi i vitit 1944, me triumfin e bolshevizmit, Tahir Zemaj rimori udhën e emigrantit politik. Në 1964 pati botuar në Bruksel librin “Lidhja e Dytë e Prizrenit dhe lufta heroike e popullit për mbrojtjen e Kosovës”.
Tre mote më pas nga ajo prani e tij e mallëngjyer në Romë Tahir Zemaj do të ndërronte jetë.
Ndërkaq mes të pranishmëve të aktivitetit katërditor të fundprillit 1968 për 500 vjetorin e vdekjes së Skënderbeut ishte, siç e bëmë të ditur në shkrimin e djeshëm, edhe Nelo Drizari, gjatë Luftës së Dytë Botërore shef i Seksionit Shqiptar në SHBA i OWI (Zyra e Informacioneve të Luftës), nëpërmjet të cilës ngriti e drejtoi për vite me radhë seksionin shqip të radios \"Zëri i Amerikës\".
Por a ishte një antikomunist i mirëfilltë ky autor i shquar fjalorësh që emigrantët shqiptarë të mësonin gjuhën amerikane si, më kryesorja, edhe i një libri mjaft origjinal për Gjergj Kastriotin (\"Skënderbeu - Jeta e tij, korespondenca, oratoria, fitoret dhe filozofia\", botuar atë vit, 1968?
Për të krijuar një përshtypje më të plotë se sa ndodhej tek ky personalitet përmasa antikomuniste, po ju paraqitim një kabllogram të deshifruar, i cili në 4 qershor të vitit 1968, pra afro dyzetë ditë pas veprimtarive të Romës, prej Misionit Shqiptar pranë Kombeve të Bashkuara në Nju Jork, i është dërguar Ministrisë së Punëve të Jashtme në Tiranë.
Duke mos ekspozuar diplomatin raportues dhe disa të dhëna të tjera teknike, teksti i këtij mesazhi sekret përmban këto fjalë: “Erdhi për vizitë në mision Nelo Drizari që kohët e fundit ka bërë librin e Skënderbeut. Tha se donte të shkruante një libër për përparimet e vendit tonë dhe se për këtë donte të shkonte në Shqipëri. I dhamë materiale dhe do t’i dërgojmë në të ardhmen. Foli mirë për vendin tonë dhe shante ballistët”.

I pret vetë Papa Pali VI

Rikthehemi në rrjedhën e veprimtarive katërditore të Romës, të kryera në përputhje dhe bashkëpunim me Vatikanin.
Pa shkuar ora 11.00 e paradites së 24 prillit pelegrinët festues të 500 vjetorit të Skënderbeut ishin para altarit të Kishës së Shën Pjetrit, ku nisi Mesha Pontifikale, të kënduarit ritual për herë të parë shqip në atë faltore shumë të madhe të Krishtërimit. Gjatë ceremonisë u përdor riti bizantin. Këtë e kryen tre Prelatë: Imzot Perniciaro (peshkop i arbëreshëve të Siçilisë), Imzot Gjon Starnati (peshkop i porsaemëruar si Administrator Apostolik i Ungrës së Kalabrisë) dhe Imzot Theodor Minìshi (Arqimandrit Ordinar i Grottaferrata-s afër Romës).
Për të ndjekur ritin pjesëmarësve u ishte shpërndarë nga Rrethi Italo-Arbëresh “Besa” një libërth liturgjie me tërë tekstin në arbërisht dhe përkrah në gjuhën italiane.
Pasditen e 24 prillit, në orën 17.00, pelegrinët festues të 500-vjetorit të Skënderbeut u mblodhën në sallën “Aula Magna” të Institutit Papal. Pasi fillimisht përuruan një ekspozitë ikonografike për Gjergj Kastriotin, kontribut i Institutit të Studimeve Shqiptare në Universitetin “La Sapienza” të Romës me në krye Ernest Koliqin, ndoqën një konferencë ku foli Profesor Zef Valentini, autor i gjashtë vëllimeve për historinë mesjetare të Shqipërisë. Bashkëngjitur këtij shkrimi ka një foto që dëshmon grupin drejtues të kësaj veprimtarie shkencore (kryesohej nga Rozolin Petrotta, president i Qendrës Ndërkombëtare për Studimet Shqiptare pranë Universitetit të Palermos; Ernest Koliqi; Antonio Korteze, përfaqësues i Komitetit për kremtimet e Romës dhe Karl Gurakuqi).
Kulmimi i ngjarjes do të ndodhte të nesërmen, në 25 prill paradite, kur pelegrinët e festës së Skënderbeut i priti vetë Pali VI. Pas fjalës së tij, e cila u bë menjëherë publike në italisht dhe shqip të nesërmen, në 26 prill, duke u botuar në faqen e parë të gazetës së Vatikanit “L\'Osservatore Romano”, Papa nisi t’u japë pejsëmarrësve dorën për t’ja puthur. Ishte i këtij çasti episodi i dhurimit që iu bë nga studiuesi arbëresh Zef Skiroi i librit “Këngët popullore shqiptare”.
Pasdite gjindja e madhe e festuesve do të drejtohej për tek Sheshi Albania, ku që prej vitit 1940 ndodhet një monument i madh i Skënderbeut. Këtu, shumica që nuk e dinin, do të ndeshnin me një surprizë.

Ylli Polovina

Tiranë, më 22 mars 2018





























Version i printueshem
Faqja paraardhese

LIBRAT

Libra të tjerë .....

LIBRI I FUNDIT
Image Title Here




LIBRA TË TJERË
Kontakt: ylli@yllipolovina.com © 2007-2017 yllipolovina.com Webmaster: taulant@topciu.com