|
PRILL 1968, KATËR DITË QË TRONDITËN ROMËN Pjesa I
Beteja mes antikomunistëve dhe komunistëve për të përkujtuar 500 vjetorin e vdekjes së Skënderbeut
Pjesa e parë
(Botuar në “Gazeta Shqiptare” në 6 prill 2018)
Në 1968, nën siglën “Tepër sekret”, një material i shkruar i Ministrisë së Punëve të Jashtme për Komitetin Qendror të PPSH-së, i cili titullohej “Buletin” dhe mbante numrin 46, thoshte: “Vatikani organizoi me bujë gjatë prillit ceremoni të ndryshme me rastin e 500 vjetorit të vdekjes së Gjergj Kastriotit Skënderbeut. Para arbëreshëve dhe emigrantëve reaksionarë shqiptarë mbajti një fjalim të shkurtër e demagogjik edhe vetë Papa Pavli i VI-të. Këtyre ceremonive Radio-Vatikani, Roma e “Zëri i Amerikës”, u munduan t’u japin ngjyrën “miqësore” e “dashamirëse” të “qytetit të shenjtë“ karshi popullit tonë. Bile në fjalimet e ndryshme nuk munguan të theksonin edhe shumë nga karakteristikat burrnore të popullit tonë“.
Si është e vërteta?
Çfarë pati ndodhur realisht në Romë në prill 1968, ndërsa festimet e 500-vjetorit të vdekjes së Gjergj Kastriotit gjithkund e jo vetëm në Tiranë, duke qenë se përkonin me ditën e 17 janarit, u organizuan në këtë moment të vitit. Në Tiranë një kuvend i tërë shkencor u mbajt nga 13 deri në 17 janar (Konferenca e Dytë Albanologjike). Në këtë periudhë u kryen festime masive edhe në Romë, ku u përfshinë edhe arbëreshë. Në pjesën më të madhe të tyre qe mbështetja e Ambasadës Shqiptare.
Mirëpo në Prishtinë përkujtimi me veprimtari shkencore i jubileut të Skënderbeut u zhvillua nga 9 deri në 12 maj, kurse në mbyllje të vitit 1968 do të ishte konferenca shkencore në Universitetin e Palermos (28 nëntor-1 dhjetor).
Madje përvjetori pesëshekullor do të shënohej me një konferencë me kumtesa historike mjaft cilësore edhe në qytetin e Barit. Kjo ishte e para që u krye në Itali: 21-22 tetor 1967.
Një muaj e diçka më parë tek kjo e përditshme, “Gazeta Shqiptare”, përshkruam në dy numra se si ndodhi që në festimet e këtij përvjetori të përplaseshin qeveria e Tiranës me grupet e diasporës antikomuniste në Francë, një dukuri që ra shumë në sy sepse lidhej me nderimin e emrit të Skënderbeut, por ku njëra palë përjashtonte tjetrën. Bëhej fjalë për një gjendje tensioni që zgjati një dekadë të tërë për çështjen e emërtimit të Sheshit Skënderbej në Paris.
Këtu përballë Tiranës zyrtare dhe ambasadës së saj në kryeqytetin francez, e cila ishte penguese për thirrjen e këtij sheshi me emrin e heroit tonë kombëtar, ishte një nga nismëtarët e veprës së emërtimit të tij, i shumëdituri kundërkomunist Lec Shllaku.
Por ndërsa në Paris në krye të antikomunistëve ose thjesht të mospajtuesve me sistemin shoqëror e politik të vendosur në Shqipëri, qenë disa intelektualë të emigruar dhe në bashkëveprim me ta nuk funksiononte posaçërisht ndonjë institucion i rëndësishëm i shtetit përveç kryetarit të bashkisë së Parisit Zhak Shirak, në Romë pati hyrë në veprim vetë Selia e Shenjtë, një shtet ndërkombëtar.
Ja pse kjo histori, e cila asnjëherë për lexuesin shqiptar nuk është bërë e ditur në tërë kompleksitetin dhe hollësitë e saj, përbën lëndën e këtij shkrimi, i cili edhe ky do të jetë fillimisht në dy numra të njëpasnjëshëm. I treti do t’i dorëzohet redaksisë pas një distance të paktën dyjavore.
Gazetari arbëresh shpjegon
Në 11 dhjetor 2003, gazetari arbëresh Okio Tiberio (Ochio Tiberio), i së djathtës radikale, i bëri një intervistë Arkimandritit Eleuterio Françesko Fortino (Eleuterio Francesco Fortino), i cili që prej 21 majit 1987 në Vatikan ishte me funksionin e Nënsekretarit të Këshillit Papal për Unitetin e të Krishterëve.
Duke qenë arbëresh dhe vëlla i studiuesit dhe profesorit në Universitetin Orientale të Napolit, shefit të Katedrës Shqipe, Italo Fortinos, kleriku i lartë deri sa ndërroi jetë në 22 shtator 2010, për një dekadë rresht, punoi për frymën bashkuese mes Selisë së Shenjtë dhe Kishës Ortodokse. Për këtë mision të realizuar suksesshëm, në vitin 2007, mori çmimin “Trëndafili i Artë“. Në 2009 iu gëzua edhe një çmimi që e mbuloi me haré: “Arbëria”.
Informojmë lexuesin se Nënsekretar në shtetin e Vatikanit është një lloj posti zyrtar i përafërt me atë të një ministri.
Gjatë intervistës pyetjes së gazetarit Tiberio “Ju gjatë vitit 1968 keni qenë sekretar i përgjithshëm për festimet e 500-vjetorit të vdekjes së Gjergj Kastriot Skënderbeut. Çfarë kujtime ruani?”, Arkimandriti iu përgjigj: “Ishte me të vërtetë një ngjarje e jashtëzakonshme. Përfshiu të gjithë diasporën shqiptare. Them diasporën, por pati ndikim edhe në Shqipëri. Festimet u organizuan nga një Komitet Qendror në të cilin unë isha sekretar... President i tij ishte avokati Xhenaro Kasiani (Gennaro Cassiani) dhe nënpresident profesor Xhovani Lala Komneni (Giovanni Lala Comneno). Bashkë me ta qenë rreshtuar edhe mjaft personalitete të shquar arbëreshë dhe shqiptarë...Komiteti për festimet ia doli të realizojë në Romë një pjesëmarrje entuziaste dhe vëllazërore të shumë italo-shqiptarëve dhe të shqiptarëve të shpërndarë nëpër botë, të lidhur fort me kujtimin e Heroit tonë Kombëtar Gjergj Skënderbe. E përkujtuam me dinjitet shpirtin e tij të bashkimit dhe të jetës e luftës që bëri në mbrojtje të Shqipërisë apo të Perëndimit të krishterë”.
Xhenaro Kasiani, nënvizojmë për lexuesin, ka qenë një katolik dhe antifashist i njohur, për tri dekada deputet dhe tri herë ministër i shtetit italian. Ai kishte lindur në qytezën arbëreshe Specano Shqiptare (Spezzano Albanese).
Sipas Arkimandritit Eleuterio Françesko Fortino, “Festimet e jashtëzakonshme romane u zhvilluan nga 24 deri në 26 prill 1968 dhe përbëheshin prej një cikli veprimtarish. Në fillim u organizua një kuvend në Sheshin e Shën Pjetrit në Vatikan, me pjesëmarrës nga krahinat italiane të Molises, të Bazilikatës së Kalabrisë, prej Sicilisë si edhe nga vende të tjera të botës (Kanada, SHBA, Australi).
Po ashtu u krye një pritje nga Papa, Shenjtëria e Tij Pali (Paolo) VI.
Në vijim në Sallën e Madhe të Institutit Papal Lindor u mbajt një mbledhje përkujtimore. Më tej u bë një lutje në kishën Basilica e San Pietro në Vatikan. Pas kësaj u zhvillua një homazh para monumentit të Gjergj Kastriotit në Piazza Albania. Më në fund u bë një pelegrinazh në Xhenacano (Genazzano), Viterbo, pranë Romës. Në kishën e qytetit është vendosur ikona e madhe e “Zonjës së Shkodrës”.
Pyetjes së Okio Tiberios për ndonjë prani të pasardhësve të Skënderbeut në festimet e 500 vjetorit të vdekjes së Heroit, Arkimandriti Fortino iu përgjegj me fjalët “Grupet arbëreshe qenë me në krye Ferdinando Kastriota Skanderbeg, baron i Fosaçekës dhe i Kasteluços, si edhe prej djalit të tij Xhorxho”.
Gazetari, kurioz të dinte se si qe shprehur, gjatë takimit me grupin përfaqësues të komitetit të festimeve, Pali VI, mësoi se “Ajo çfarë tha Papa do të mbetet përherë në zemrat tona. Na ngriti peshë duke thënë “Shumë të dashur bij të Shqipërisë, mirëseardhja jonë speciale sot është për ju, të mbledhur pranë kësaj selie Apostolike, të cilën mund ta konsideroni shtëpinë tuaj atërore, për të kujtuar Pesëqind Vjetorin e Gjergj Kastriot Skënderbeut, Hero i Kombit tuaj dhe i emrit të të Krishterit. Ju shohim e ju takojmë me shumë dëshirë: në fakt e dimë që shpirti me të cilin po festoni këtë datë përkujtimore, është vetë tradita e etnisë tuaj, e cila mbi të gjitha i ka sublime Besën dhe Besnikërinë për të tëra angazhimet e mara, atë të Nderit ose të ndjenjës së ndershme të Burrnisë, të cilat janë virtyte të mëdha...”
Kur Tiberio gjatë intervistës tha se “Dimë që komiteti organizativ i shpërndau ftesat për të gjithë shqiptarët që e identifikonin veten me dëshirën për të kujtuar këtë përvjetor, pra që ishin të të gjitha qëndrimeve politike”, Eleuterio Françesko Fortino shtoi që kjo ishte shumë e vërtetë. Ata i patën dërguar ftesa edhe qeverisë së Tiranës si edhe ambasadës shqiptare në Romë, në rrugën Asmara. “Por nuk morëm asnjë përgjigje”, shpjegoi Arkimandriti. “Qëndrimi i regjimit të Enver Hoxhës ishte, mbase, i kuptueshëm në momentin që Heroi ynë Kombëtar po festohej veçanërisht si Atlet i Krishtit dhe si Mbrojtës i Qytetërimit Perëndimor...”
Pjesëmarrësit “reaksionarë”
Këto festime do të qenë katër ditë të plota, duke u shndërruar në histori si ngjarja më e madhe nderuese për Skënderbeun jashtë vendit në atë 500-vjetor. .
Sipas programit, e para veprimtari e këtyre katër ditëve do të qe ceremonia fetare në “Shën Pjetër”. Ishte ora 10.00 e paradites së 24 prillit 1968 kur pjesëmarrësit u mblodhën në sheshin e Vatikanit, atje ku e kishin paracaktuar: tek Obelisku.
Pak kohë më parë grumbujt e vajzave arbëreshe me kostume popullore që binin shumë në sy mes banorëve të Romës, si edhe gjithë të tjerët mund t’i dalloje lehtë nëpër rrugët e kryeqytetit italian, sidomos kur hynë në të gjerën udhë Via della Conciliazione që të çon drejt për së drejti në Shën Pjetër.
Të ardhur nga qytete dhe qyteza të ndryshme të Italisë, por edhe prej Francës, Gjermanisë, Belgjikës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, ku kishte diaspora të fuqishme antikomuniste, që të gjithë e ndjenin veten pelegrinë fetarë. Ceremonitë dhe aktivitetet do të qenë të gjitha të frymëzuara nga profili katolik i veprës së Skënderbeut, më saktë prej misionit të tij një çerek shekullor në mbrojtje të Evropës së Krishterë Perëndimore.
Ky qe koncepti themelor i atyre katër ditëve. Pelegrinët ardhës, adhurues të këtij roli të Gjergj Kastriotit, e shpallnin hapët që patën mbërritur në Romë nga “Bota e Lirë”.
Duhet të saktësojmë me këtë rast se Vatikani, edhe pse bënte kujdes diplomatik në raportet me vendet i ish-kampit socialist, po ashtu tregonte maturi për të mos i ashpërsonte me vend dhe pa vend deklarimet politike ndaj tyre, ishte në thelbin e vet qartësisht antikomunist.
Sidomos në rastin e qeverisë së Shqipërisë kjo qe një prirje shumë e theksuar.
Organizatorët e atyre katër ditëve në përkujtim të 500 vjetorit të vdekjes së Skënderbeut, e kishin deklaruar që të ftuarit i patën zgjedhur “pa dallim partije dhe krahine”, por, siç do ta shohim në vijim, kjo nuk qe tërë e vërteta.
Në orën 10.00 masa e madhe e ardhësve, ku jo pak dukeshin të mallëngjyer, ndonjë qe edhe i përlotur, nga Obelisku u drejtua tek Kisha e Shën Pjetrit, në të cilën do të mbahej një meshë për kryeheroin shqiptar, por njëkohësisht edhe Atletin e Krishtit. Pikërisht kur mbërritën këtu dhe zunë vend, u panë në rreshtat e para Ferdinand Kastrioti Skënderbej (Ferdinando Castriota-Scanderbeg) me të shoqen dhe motrën e tij. Pasardhësi i Skënderbeut me banim në Napoli pati marrë me vete edhe të birin e tij, Gjergjin (Giorgio). Pjesëmarrësit e thërritnin “Princ”.
Ndodhej po ashtu Dhimitër Berati, të cilit i drejtoheshin me titullin “Shkëlqesi”. Ai qe një ndër firmëtarët e Deklaratës së Pavarësisë si edhe drejtori i parë i gazetës së qeverisë së Ismail Qemalit, “Përlindja e Shqipëries”.
Pranë tij rrinte Nexhat Peshkëpia, përfaqësues i Komiteti “Shqipnija e Lirë” me qendër në New York. Atij i drejtoheshin me titullin “Profesor”.
Në krye të vendosjes së pjesëmarrësve në kishë ishte edhe deputeti arbëresh e njëkohësisht personaliteti i spikatur në Universitetin e Palemos, Rozolin Petrota. Qe bashkë me të shoqen dhe të birin. Këtë e thërritnin Turi.
Ndodheshin po ashtu studiuesi italian më kontribues për historinë mesjetare të Shqipërisë, At Zef Valentini.
Kryetari i Komitetit Qendror organizues, Xhovani Lala-Komneni, të cilit i drejtoheshin me fjalët nderuese “Profesor-Doktor”, ishte i pranishëm me në krah bashkëshorten.
Dallohej dukshëm mes figurave më të rëndësishme të festuesve Zef Serreqi, të cilin e quanin me titullin i dikurshëm të periudhës së Ahmet Zogut, “Gjenerali”.
Qenë në rreshtat e para të meshës që do të mbahej në Kishën e Shen Pjetrit, edhe figura të ditura si Renato Markiano (Renato Marchiano), Profesor Agostino Matarelo (Agostino Mattarello). Ishte i dallueshëm dhe fort i nderuar prej pjesëmarrësve Profesor Xhuzepe Skirò i Riu (Giuseppe Schirò jr).
Tërhiqte vëmendjen me gjallërinë dhe autoritetin e tij njëri prej organizatorëve të të gjithë veprimtarive kushtuar Skënderbeut në Itali në atë 500-vjetor, njëkohësisht edhe antikomunist i paepur: Profesor Ernest Koliqi. Ai ndodhej aty bashkë me të shoqen.
Qe e pranishme në rreshtat e para të pelegrinëve zonja Dudush Vrioni (Këlcyra), e shoqja e Ali Këlcyrës, ndërsa ky mungonte sepse pati ndërruar jetë.
Nuk mungonin po ashtu edhe Namik Resuli, të cilin e thërritnin “Profesor”. Në krah kishte të shoqen dhe të bijën. Ndodheshin aty edhe Nikolla D’Alena (Nicola d\'Alena) me bashkëshorten, Rrok Nallbani, të cilit ende i shtonin gradën e dikurshme ushtarake, “Major”.
Qenë gjithashtu Vehbi Frashëri me Ragip Frashërin, Ismail Vërlaci, eksponenti i njohur i Ballit Kombëtar Vasil Andoni, gjendeshin Zef Pali, Sulejman Meço, Ahmet Bej Resuli, Nexhmedin Vrioni, Ekrem Telhaj, Ismail Sefe, Seit Demneri me të shoqen, ardhur nga Australia, Nikollë Shkoza, Gaspër Serreqi, farmacisti i njohur Ismail Boçari, Nos Qirjaku, Albert Akshia, Omer Fortuzi, Asllan Zeneli, Tomazo Plesha (Tommaso Plescia) me bashkëshorten, Ndue Gjomarkaj (ky thirrej me titullin “Kapiten”). Qe bashkë me të shoqen.
Ishin të pranishëm gjithashtu Albino Greko (Albino Greco), drejtor i Revistës “Zgjimi”, Abaz Ermenji gjithkund i thirrur me titullin “Profesor”, dijetari Martin Camaj, albanolog në Gjermani, pedagogu i letërsisë shqipe në Universitetin e Romës, Xhuzepe Gradilone (Giuseppe Gradilone), piktorët e njohur Ibrahim Kodra dhe Lin Delija. Po ashtu qe Lec Shllaku i ardhur nga Franca dhe Prof. Nino Guxeta (Nino Guzetta) nga Palermo.
Nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës ishte pjesëmarrës dukshëm i nderuar prej njerëzve përreth kryetari i Shoqatës “Vatra”, Antony Athanas. Qe me bashkëshorten Esther. Po ashtu ndodhej aty edhe kryetari i nderit i shoqatës, Christo Thanas, botuesi i gazetës “Dielli” të “Vatra”, Peter Chicos me të shoqen Nicolina, autori i njohur i një libri të suksesshëm për Skënderbeun, Nelo Drizari...
Nuk mungonin shumë priftërinj shqiptarë: Don Prenk Ndrevashaj, At Daniel Gjeqaj, At Jak Marlekaj, At Ambroz Martini, At Paulin Margjokaj, At Vinqenc Malaj...
Ndërsa mbahej mesha për Gjergj Kastriotin në vëndet e para të ceremonisë kishin zënë vend krerët e Vatikanit, “Ndritësit e Tyre Kardinal MaksimiIian de Fiirstenberg, Prefekt i Kongregacionit të Shenjtë për Kishën Lindore dhe Pietro Agagianian, Prefekt i Kongregacionit të Shenjtë për Unjillizimin e Popujve.
Kundërvepron Ambasada Shqiptare me një veprimtari mbi Luftën Nacional-Çlirimtare
Një nga pjesëmarrësit nëpërmjet kujtimeve të tij të botuar në 1968 në një broshurë të Universitetit të Palermos, duke ndjekur meshën për Skënderbeun në Kishën e Shen Pjetrit (e quajtur edhe kryekisha e Vatikanit), do të linte pas këto fjalë: “Gjysmëterri i Kishës, fjollat e tymit të kemit (thimjamës), meloditë bizantine, na bànë të tresim në mendime: mendja e jonë fluturonte atje larg në Shqipni: na u përfytyrojshin kishat e rrënueme e të djeguna, shërbtorët e Perëndisë të përndjekun, të vramë, të pushkatuem, të kalbun nëpër burgje, të tallun e të nëpërkàmbun, të shamë e të pështymë, të dëbuem nga shtëpijat e kuvendet. Na dilshin përpara vuejtjet e të pafajshëmvet, lotët e nànavet të mbetuna pà djelm...”
Ndërkohë këtë paradite të 24 prillit 1968 Ambasada Shqiptare në Romë nuk rrinte duarkryq. Ajo kishte nxitur dhe organizuar një veprimtari tjetër, të inkuadruar posaçërisht në një ngjarje shumë të madhe dhe të dashur për popullin italian: 25 prillin, ditëçlirimin e tij nga diktatura fashiste e Benito Musolinit dhe trupat naziste të Adolf Hitlerit.
E informonte ajo Ministrinë e Punëve të Jashtme në Tiranë: “Në datën 24 prill, me rastin e Ditës së Rezistencës, u mbajt një konferencë mbi Luftën Nacional-Çlirimtare në Shqipëri dhe u fol mbi temën (R.P. e Shqipërisë, fener driçues i socializmit në Evropë)...”
(Vijon)
Ylli Polovina
Version i printueshem
Faqja paraardhese |
|
|