|
PRODHOHET NË ITALI LËNGSHEGA “CASTRIOTA SCANDERBEG”
Intermexo
Shkrimi i njëzetë e gjashtë i ciklit për Vitin e Skënderbeut
(Botuar në “Illyria” në 30 mars 2018)
Një nga pasardhësit realë të Skënderbeut në Itali, mjeku radiolog Aleksandër Kastrioti (Alessandro Castriota), paraqiti ditë më parë në internet, saktësisht në rrjetin social FB, një lëng shege që e prodhonte ferma e tij e përbashkët me të vëllanë, gjykatësin Xhulio (Giulio).
Këtij lëngu bio i kishin vënë emrin Castriota Scanderbeg, siç edhe kemi mundësinë ta shihni në dy fotot shoqëruese të këtij shkrimi.
Kur tre javë më parë doktor Aleksandrit iu luta të më dërgonte një informacion më të plotë për këtë nismë të vëllezërve Kastrioti, sigurisht qëllimbukur për të popullarizuar në Leçe edhe me shumë Skënderbeun hero shqiptar, ai më ktheu menjëherë përgjigjen: “Caro Ylli, é una spremuta di melagrana ottenuta dai frutti delle nostre piantagioni. Ë un prodotto artigianale e genuino, 100% melagrana, senza aggiunte di conservanti o altro. Gli impianti di melograno sono presso la nostra (mia e di Giulio) azienda agricola denominata \\\"Samali \\\", in territorio di Leverano, Copertino e Nardò, a circa 20 Km da Lecce verso il mare di S.Isidoro. La tenuta Samali é di proprietà della famiglia ininterrottamente dal 1589. Produciamo anche un ottimo olio extravergine di oliva, e olive da mensa in salamoia. Un abbraccio, Alessandro).
Shqip kjo do të thotë përfërsisht se ky lëng është krijuar me shegët e plantacionit të tyre, pa i shtuar asnjë konservues apo bërë marifete të tjera kimike. Pra është një prodhim krejtësisht artizanal dhe i pastër biologjikisht, me pak fjalë njëqind për qind shegë. Pajisjet e prodhimit i kanë në fermën e tyre bujqësore “Samali”, e cila ndodhet në territorin e Leveranos, të Kopertinos dhe të Nardos, larg rreth 20 kilometra nga Leçe, përherë në drejtim të detit të Shën Izidoros.
Aleksandër Kastrioti shpjegon po ashtu se ferma “Samali” është pronë e familjes së tyre Kastrioti pa asnjë ndërprerje që prej motit 1589. Ai e mbyll mesazhin e tij shpjegues se ata prodhojnë edhe një vaj ulliri shumë të mirë, në Itali dhe në botë i njohur me emrin “Ekstra Verxhine”.
Me këtë rast të paraqitjes për lexuesit e gazetës “Illyria” të lengshegës “Castriota Scanderbeg”, por edhe për arsye se nëpër ciklin në vijim tërë këtë vit do të informojmë rreth pasardhësve të Gjergj Kastriotut në Itali, po ndalemi një çast tek episodi i njohjes së autorit të këtij rrëfimi me Aleksandër Kastriotin.
Kjo ndodhi pesëmbëdhjetë mote të shkuara.
Para se në Romë të takohesha për herë të parë me të në 7 janar 2003, paradite, patëm bërë së bashku një bisedë telefonike. Kjo ndodhi pothuaj rastësisht. Isha në zyrën e botuesit Kostanco D’Agostino (Costanzo D’Agostino) kur ai nxori celularin dhe formoi me të shpejtë një numër. U kuptua që në fjalët e para se përtej valës fonike qe një pinjoll i Skënderbeut. Deri ato çaste pata njohur vetëm njërin prej tyre, të quajtur Lorenco.
Pastaj D’Agostino mbylli telefonin dhe më bëri ftesën për t’u takuar me Alaksandron. Kështu pas pak u nisëm drejt pasardhësit të Skënderbeut. Punonte në Institutin Santa Luçia, në periferinë jugperëndimore të Romës.
Udhës D’Agostino më tha: “A e di se Aleksandri më ka kërkuar një fjalor italisht-shqip për të mësuar gjuhën e stërgjyshit të tij dhe unë ja dërgova?”
Në ambasadë kishim shumë kopje të një botimi të tillë, “Vocabolario albanese-italiano” (“Fjalor shqiptaro-italian”), me autorë arbëreshët Karmen Masolini (Carmen Massolini) dhe Ubaldo Butafava (Ubaldo Buttafava). Qe publikuar në Romë në vitin 1978, me një tekst hyrës të hartuesve të tij, i cili niste me frazën “Është kënaqësi e madhe që japim në shtyp këtë vepër si dëshmi e ndjenjës së thellë të miqësisë që na lidh me popullin shqiptar dhe me tokën e tij”.
Në ato dyzetë radhë të shënimit hyrës Masolini dhe Butafava shkruanin se “Pasuria e madhe kulturore e popullit të Gj. K. Skënderbeut, veçanërisht në folklor e në art, në përgjithësi, si dhe në traditat më fisnike, është akoma pak e njohur në Itali”. Kostanco D’Agostino i pati dhënë Aleksandrit pikërisht njërën prej kopjeve të këtij fjalori me në krye këto mesazhe.
Më në fund u shfaq Instituti Santa Luçia. Ishte një kompleks ndërtesash moderne, ku tre kate ndodheshin nën tokë. Studioja e Aleksandrit gjendej në këtë pjesë të Institutit. Kur nëpërmjet ashensorëve plot punonjës me bluza të bardha që hipnin e zbrisnin, shkuam tek ai dhe u takuam, biseda zgjati më shumë se një orë.
“Lidhja e fortë me tokën e gjyshërve tanë ka qënë për ne, të paktën deri tani, u shpreh Aleksandri, një fakt intim, i cili ka trazuar dhe emocionuar gjithnjë dhe vetëm ndërgjegjet tona. Dhe që nuk ka pasur asnjëherë dhe nuk do të ketë kurrë asnjë formë shpalljeje dhe manifestimi të hapur. Në të vërtetë ne jemi italianë që prej një gjysmë mijëvjeçari dhe duke qenë të tillë do të ishte shumë false të paraqiteshim përballë shqiptarëve si bashkëkombës të tyre”.
Në të njëjtën kohë Aleksandër Kastrioti shpjegoi se “arsyet e lidhjes së fortë me tokën e të parëve tanë nuk duhen kërkuar në faktorë përkatësie të përbashkët jete dhe përvoje”. Marrëdhëniet mes familjes Kastrioti dhe Shqipërisë ai i vlerësonte si vlerë kulturore dhe historike, por jo politike.
Kur u ndamë dhe morëm sërish shkallët për t’u ngritur në mbitokë Aleksandri na përcolli deri sa dolëm nga labirintet e laboratorëve dhe në ndarje shenjën karakteristike me tundjen e dorës e bëri me mjaft emocion. Pastaj shqiptoi fort “Forza Albania!”
Këtë episod po e mbyllim këtu, sepse me Aleksandrin dhe të tjerët pasardhës të kryeheroit tonë kombëtar do të rindihemi në shkrimet e ardhshëm.
Duke e vijuar këtë cikël për Vitin e Skënderbeut dhe njekohësisht “intermexon”, javës tjetër tema do të jetë një kalendar për Skënderbeun, i porsakrijuar dhe i publikuar nga piktori Spiro Vllahu. Në vitin 1976 ai u burgos për arsye politike dhe në kampin e Belshit, brenda telave me gjemba, u caktua nga komanda të shërbente në bibliotekën e të burgosurve me At Zef Pëllumbin.
Ky në vitet 1992-1994 shërbeu edhe në kishën e Ishmit dhe prej andej herë pas here shkonte në Kepin e Rodonit. Atje Skënderbeu ka lënë një shenjë.
Ylli Polovina
Tiranë, më 26 mars 2018
Version i printueshem
Faqja paraardhese |
|
|