|
LEGJENDARIZIMI FALS I MARIGO POZIOS SI QËNDISTARE E FLAMURIT QË NGRITI ISMAIL QEMALI NË VLORË
Shkrimi i tetëmbëdhjetë i ciklit për Vitin e Skënderbeut
(Botuar në “Illyria” në 8 shkurt 2018)
Kur Eqerem bej Vlora do të shkruante “Kujtimet” e tij, moti 1963 dhe pjesërisht ai pasardhës, 1964, kur një vdekje e papritur ja këputi çdo vazhdimësi njërës prej dëshmive më të rëndësishme dhe kyçe të rrjedhës së vërtetë të historisë tonë kombëtare për të paktën tetë dekada, ai e dinte sigurisht që prefektura e Vlorës, në mënyrë të pavarur prej tij, ndërsa qe shef i Legatës Mbretërore Shqiptare në Athinë, hetoi dhe doli në përfundimin e palëkundur se flamuri që u ngrit nga Ismail Qemali ishte dhuratë e falsit pasardhës të Skënderbeut, Don Aladro Kastriota.
Por ajo që pati ndodhur në shkurt 1930, letërkëmbimi intensiv midis dy ministrive, asaj të Brendshme dhe të Jashtme, pastaj një urdhër-porosie të kryeministrit Koço Kota dhe një parashtrese të Ministrit të Jashtëm për vetë Eqeremin, nuk u shkruajtën në asnjë radhë në librin e tij memorialistik. Ai u mjaftua me rrëfimin e episodit si ndodhi që flamuri-dhuratë i Aladros ra në dorë të Ismail Qemal Vlorës dhe u ngrit në pasditen e vonë të 28 nëntorit 1912.
Sigurisht Eqerem bej Vlora nuk i ka dhënë rëndësi asaj që pati ngjarë në shkurt 1930, sepse qe i sigurt se flamuri i pavarësimit kishte atë pronësi që dihej dhe kjo ishte çështje e padiskutueshme. Të paktën në fund të viteve njëzetë dhe në saponisjen e dekadës së tretë të shekullit.
Kështu, pra që ishte i Aladro Kastriotit, ka menduar jo vetëm popullsia e gjallëruar e qytetit-port por edhe kryeqendër e pavarësimit, administrata e Vlorës po ashtu, nëpunësia, por edhe inteligjenca e klasa politike e kohës në të tërë vendin dhe trojet etnike.
Zbehja e këtij elementi, detaji, realiteti, ka ndodhur nëpër vitet e mëpasshëm.
Fakti që kryeministri i vendit ishte figurë kryesore në tërë këtë operacion të gjetjes së flamurit të Aladros dhe të vendosjes së tij pa asnjë hezitim në Muzeun Kombëtar, tregon se atë kohë nuk ndjehej ndonjë paragjykim për autorësinë e një pasardhësi të stisur të Skënderbeut në kryengjarjen më simbolike të historisë së Shqipërisë.
Me pak fjalë, në rast se Eqerem bej Vlora do të dëshmonte jo konfiskimin e flamurit nga grekët dhe po prej tyre djegjen e tij, pra në rast se do të deklaronte që ai ekzistonte dhe me këtë rast do ta dorëzonte, patjetër do të vendosej në Muzeun Kombëtar dhe patjetër edhe do të ruhej deri në ditët e sotme.
Në fund të fundit ai qe valvitur në ditën e shenjtë të Indipendencës dhe po ashtu ishte një flamur i pranuar për dy-tri dekada të tëra prej rilindasve, arbëreshëve dhe kolonive shqiptare jashtë vendit, nga të mëdhenjtë arbër si Xhuzepe Skiro apo Anselmo Lorechio. Ai flamur i nderur më pas në qiellin e Vlorës ishte përhapur gjithkund nëpërmjet revistës “Albania” nga gjigandi i mendimit dhe i veprimit Faik Konica, ngritur madje disa muaj më parë nga ngjarja e paharueshme e Vlorës, në zemër të Mirditës, prej një shqiptari të Italisë, nga i shumënjohuri Terenc Toçi.
Tek “Kujtimet” e tij Eqerem bej Vlora, në fund të faqes ku tregon episodin e valvitjes së flamurit të Don Aladro Kastriotit, ka këtë shënim: “E zgjata ca historinë e ngritjes së flamurit sepse në vitet e fundit kanë qarkulluar variante krejt të pavërteta dhe unë dëshiroj që ngjarja e saktë të përshkruhet e të mbetet njëherë e përgjithmonë”.
Ndërkaq fundi i shkurtit 1930 e ndan në dy “kohë” historinë e flamurit të ngritur në ditëshpalljen e Mëvetësimit. Prej fundnëntorit 1912 e deri funddimri 1930 pjesa e parë dhe me fillimin e pranverës 1930 e dyta.
Lajmi se flamuri që u ngrit, nuk ekzistonte më dhe nuk pati humbur, por qe zhdukur me djegie, hapi udhë për shpërdoruesit e të vërtetave, për përfituesit dhe të konvertuarit si kryepatriotë.
Që prej këtij çasti, përderisa nuk ekzistonte më prova materiale, ata nuk i pengonte më asgjë të shpallnin se në Vlorë qe ngritur flamuri i tyre.
Kjo gjendje nuk i pengonte edhe ata që nuk dëshironin aspak të gënjenin dhe të hynin në historinë kombëtare me ndonjë manovër falsifikimi. Hipotezat e tyre të sinqerta i paraqitën si fakte reale, siç është historia e hyrjes fshehtazi në Vlorë nëpërmjet Korfuzit, i një flamuri të madh me thekë të rëndë e ardhur nga kolonia shqiptare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Ata që këto çaste boshllëku dhe luajtën dinakërisht dhe me pasinqeritet qenë një lob korçar. Në shkrimet e mëparshme ne e kemi çekur këtë temë dhe kemi paraqitur disa fakte. Tani është radha të shtojmë një tjetër.
Kjo është historia me gjysmë të vërteta që mbështillet si bosht rreth bashkëkombëses së vyer, por me gjeste atdhetare të vetëzmadhura, si edhe bëmë e fryrë nga mbështetësit e qytetit të saj: Marigo Bosio.
Në “Kujtimet” e tij gjysmë të përfunduara në 1964, kur shkruan për historinë e flamurit të ngritur prej Ismail Qemalit, Eqerem bej Vlora këmbëngul në ironinë e tij se Marigosë i pëlqente t’i zmadhonte veprat e saj patriotike. Ai me siguri e ka pasur fjalën se korçarja me banim në Vlorë në çështjen e autorësisë së flamurit të ngritur në 28 nëntor 1912, pari marrë revan.
Ndërsa në fillim të marsit 1930 përfundoi periudha e sigurisë se flamuri historik qe i Don Aladro Kastriotit dhe vitet e mëpasshëm pak nga pak, sa të humbiste nga kujtesa kjo e vërtetë, depërtoi legjendarizimi i Marigo Posios, kaloi në plan të dytë e vërteta se ajo veprën e bukur të qendisjes dhe shumimit të flamurëve me fushë të kuqe dhe shqiponjë të zezë dy krerëshe e ka në mbrëmjen e natën e 28 nëntorit 1912, asnjë orë më parë.
Kjo nuk është pak sepse Vlora e 28 nëntorit nuk kishte asnjë flamur. Marigoja me shoqet e saj bëri që në 29 nëntor simboli kombëtar të dilte në rrugë, të priste Isa Boletinin dhe trimat e tij si edhe të vendosej, në emër të shtetit të ri shqiptar, mbi godinat e administratës së mëparshme osmane.
Ja edhe ndërhyrja (diversioni) më i fortë në këtë drejtim, prej ku edhe fabula e flamurit që ngriti Ismail Qemali ishte qendisur prej Marigosë. Daton 17 janar 1937. Këtë ditë në faqen 3 gazeta “Drita” publikoi një letër të Kristo Floqit, të titulluar “Hartuesja e flamurit që valoj në Vlorë për shpalljen e pavarësisë tonë”. Fjalët e para të saj qenë: “I ndershim Z. Drejtor. Ju lutem, kini mirësinë të botoni ne të ndershmen fletoren tuaj sa pasojnë poshtë mbi çështjen e flamurit që valoj ne Vlorë për shpalljen e pavarësisë kombëtare nga ana e të pavdekurit Ismail Qemal bej Vlorës. Në Nr 4 të fletores s’uaj, në faqen e tretë, pashë një artikull të mikut veteran z. P. Poges, i cili tregon hollësisht peripecitë e ngrehjes së flamurit dhe mënyrën me të cilën u hartua flamurë liriprurës si dhe atë që e hartoj. Z. Poga me të drejtë të plotë thotë se: flamuri që valoj atë ditë nuk ishte ajy flamur qe u suall nga Amerika, i qëndisur me sërmë e me xhufka të mëndafshta, që me aq këmbëngulje ka pretenduar z. Kol Rodhja duke dashur të bind popullin shqiptar se ay ish flamur i Independencës e jo tjetër, kur se të gjithë e dijnë si dhe unë vetë ja shpjegova e me në të gazetës z. Kol Rodhes se atë flamur vetë unë ja dorëzova z. Llambi Bimblit në Vlorë kur u nisë me shokët për në Korçë, mbasi e ruante deri atë ditë e ndjera kunata ime Marigo Pozio, që e kishte sjellë prej Korfuzit me rrezikun e saj në Vlorë të dorëzuar prej disa atdhetarëve që kishin ardhur nga Amerika të hidheshin në Shqipëri...”
Nënvizojmë: korçari Kristo Floqi, njeri kulture dhe pushteti politik, ndërsa nxjerr si protagoniste, autore dhe “pronare” të flamurit të ngritur në 28 Nëntor 1912 Marigonë, pranon se atë e ka kunatë.
Por kunatë atë e ka edhe kryeministri Koço Kota.
Marigo mbiemrin e vajzërisë e kishte Poçi dhe me origjinë familjare nga Voskopoja, pati lindur në Korçë. Ajo kishte dy motra: Uraninë, e cila u martua me Kristo Floqin dhe Angjeliqin, e cila pati lidhur kurorë me Koço Kotën.
(Vijon)
Ylli Polovina
Tiranë, më 6 shkurt 2018
Version i printueshem
Faqja paraardhese |
|
|