Ylli Polovina in italiano
VENDLINDJA KU JETOJ DHE PUNOJ QYTETI I DY VAJZAVE TË MIA
PUBLICITIKË

HAJRI HIMA LIBRI “AMBASADOR NË BALLKAN” I YLLI POLOVINES, KONTRIBUT I VYER PËR KOHËN
”REPUBLIKA E SHTATË”
“AMBASADOR NË BALLKAN”
“LOTËT E SORKADHES”, botimi i dytë
LOTËT E SORKADHES
Artikuj të tjerë .....



kërkoni në këtë faqe



S'AFËRMI
MIRËSEVINI

PARIS 1978, BETEJA MES ANTIKOMUNISTËVE DHE QEVERISË KOMUNISTE SHQIPTARE PËR SHESHIN “SKËNDERBEJ”



(Botuar në “Gazeta Shqiptare” më 5 shkurt 2018)

Sfidë Tiranës zyrtare nga Lec Shllaku

Me radiogram e koduar “Tepër sekret” dhe numër 3387 të datës 26 tetor 1978 drejtuesi i Misionit të Shqipërisë pranë Kombeve të Bashkuara në Nju Jork njoftonte Ministrinë e Punëve të Jashtme në Tiranë se “Gazeta “Liria” boton një letër të Lec Shllakut që thotë se ka siguruar nga bashkia e Parisit autorizimin që një sheshi t’i vihet emri “Skënderbeu” dhe se për këtë do bëhet një ceremoni”.
Shtonte më pas: “Leci, me sa dimë, është i arratisur”.
Pastaj Misioni Shqiptar në Nju Jork, gjithnjë referuar gazetës së botuar nga një pjesë e diasporës shqiptare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, theksonte: “Ai ka ftuar “Lirinë” të marrë pjesë në ceremoni”.
Në vijim e dhëna e vendndodhjes aktuale të autorit të shkrimit qe: “Leci banon në 84 Rue de Fontaine, në Paris 16”.
Në përfundim të këtij radiogrami tepër sekret dhe mjaft të shqetësuar për çfarë po ndodhte, qenë fjalët: “Ndoshta duhet ndërhyrë që veprime të tilla autoritetet franceze të mos i bëjnë në bashkëpunim me këtë person”.

Kundërvepron Tirana

Kjo qe e dhëna e parë që po vinte në Tiranë për vendosjen e emrit të Gjergj Kastriotit të një sheshi në Paris. Nuk pati ndodhur asnjëherë më parë, qoftë në linjën e shërbimit diplomatik, qoftë edhe në atë të zbulimit politik shqiptar që punonte i kamufluar në ambasadën shqiptare në kryeqytetin francez, të merrej vesh kjo ngjarje.
Doemos në Tiranë pas kësaj qenë zënë në befasi. Diaspora antikomuniste, ajo kundër regjimit të Tiranës, me të cilën përlesheshin në vazhdimësi që pas 29 nëntorit 1944, ishte në prag të një fitoreje të saj politike, madje të bujshme.
E kishin mundur Partinë e Punës të Shqipërisë dhe vetë Enver Hoxhën me anë të Skënderbeut, kryeheroit kombëtar.
Rruga e vetme që prej këtij çasti të goditjes së bërë në piken e dobët të qeverisë së Tiranës, për këtë të fundit ishte kundërveprimi.
Të pasnesërmen, në 28 tetor 1978, me radiogramin e shifruar nr. 1409 Ministria e Punëve të Jashtme e Shqipërisë vuri në dijeni ambasadën e saj në Paris “se i arratisuri Lec Shllaku kishte mundur të siguronte autorizimin e Bashkisë së Parisit që një sheshi të tij t’i vihej emri “Skënderbej”.
Në këtë radiogram urgjent udhëzohej ambasada “të interesohej për këtë çështje dhe të ndërhynin pranë MPJ franceze për ta anulluar”.

Rritje e tensionit përplasës në prag të Ditës së Flamurit

Mbetet shumë e pashpjegueshme se si ndodhi që Tirana e mori vesh nga “Liria”, pra prej Nju Jorkut, çfarë sfide në fushën patriotike po i bënte në Paris, në “syrin e botës”, diaspora antikomuniste shqiptare jo vetëm e këtij qyteti dhe e tërë shtetit të Francës, e Belgjikës po ashtu, e cila bashkëpunonte intensivisht, por edhe ajo më e madhja e vendosur në supershtetin e SHBA-ve.
Këtë herë kuptuan se me imazhin e Gjergj Kastriotit kundërkomunistët po mobilizonin kundër tyre gjithë bashkësinë, në fakt tepër të përçarë politikisht, të të emigruarve shqiptarë që nuk e donin regjimin e Tiranës. Skënderbeu, gjykonin, mund tua forconte unitetin.
Kur Lec Shllaku e pati publikuar lajmin se kishin siguruar zyrtarisht të drejtën që një sheshi të Parisit t’i vihej emri zulmmadh i Skënderbeut, qe fundtetori i motit 1978. Ndërkaq vendimi i Bashkisë së kryeqytetit francez (i Këshillit Bashkiak) bërë mbi propozimin e Komisionit të tij Kulturor, qe i 10 korrikut. Ishte marrë, ndoshta për një simbolikë të rastësishme, në përvjetorin e 100-të të Lidhjes së Prizrenit. Më pas, në betejën me Tiranën zyrtare, antikomunistët këtë hollësi do ta mëshonin fort, si një element tjetër ngadhënjimtar mbi regjimin. Por nuk dhanë kurrë një provë se kombinimi ishte një aftësi organizimi i tyre.
Megjithatë siç të lë pa gojë se si asnjëri nga informatorët e njësisë së zbulimit politik të shtetit të Enver Hoxhës nuk e kishte interceptuar këtë lajm sfidues, të habit edhe ritmi i plogët i dhënies së tij nga pala kundërshtare. Sigurisht, për ta shmangur sa më tepër një përplasje me ambasadën dhe kokëfortësinë e faktit se Franca nën lëkurë ruante një lloj tolerance ndaj Hoxhës si kryetar shteti me kulturë filofranceze, nismëtarët e marrjes së autorizimit patjetër kanë zbatuar një lloj mosdërdëllitjeje të tepërt.
Në kuadrin e shkurtimit të kohës për ambasadën që të kundërvepronte, Lec Shllaku e shpallit publikisht, me anë të një letre dërguar emigracionit kundërkomunist në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, në mes të tetorit dhe këta do ta botonin, siç bënë, në rastin më të parë. Patjetër edhe si një inkurajim për festën e madhe të një muaji më pas: 28 Nëntorit.
Por ndërkaq përhapje të lajmit për sigurimin zyrtar të së drejtës që në një shesh të Parisit, atje ku në vendimin e Bashkisë së Parisit thuhej se territori quhej “Villa Lumiere”, do të emërtohej një shesh me emrin e Skënderbeut, e kreu edhe veprimtari antikomunist shumë i njohur Isa Ndreu, krahu i djathtë i Lec Shllakut (ose edhe e anasjella, sepse qenë një çift i pandashëm, dy shpirta e dy mendje në një).
Ky jetonte në Firence dhe qe botuesi dhe financuesi i revistës “Koha Jonë”, një e ilustruar me cilësi të lartë teknike si edhe profesionalisht e mbushur me analiza mjaft të kualifikuara. “Koha Jonë” qe media shqiptare e shkruar në emigracion më elitë e kohës (Për këtë ishte meritë e Lecit, intelektual dhe albanolog i vlerave të larta).
Isa Ndreu në “Koha Jonë” ditëve të para të tetorit 1978, ka shumë të ngjarë ende pa e publikuar lajmin në “Liria” Lec Shllaku, botoi një shkrim të tij, në të cilin mes të tjerash thuhej: “Edhe në Paris, në Kryeqytetin e Francës, do të kemi “SHESHIN SKËNDERBEG”. Vendimi u muer prej Këshillit Bashkijak, i cili më datë 10 korrik 1978 dha pëlqimin e vet dhe vendosi që Sheshi AZ/19 të pagëzohet me emrin e Heroit tonë Kombëtar. Për të mbërri në këtë përfundim, që ka gëzue të gjithë Shqiptarët, janë dashtë gati dhjetë vjet, historikun e të cilit do ta botojmë në një vëllim të veçantë ma vonë”.
Në vijim: “Nga letra që zoti Lec Shllaku, iu ka drejtue bashkëatdhetarëve, kuptohet se si janë zhvillue bisedimet dhe korrespodenca në mes Bashkisë dhe tij, dhe sa vullnet të mirë dhe durim i asht dashtë bashkëatdhetarit tonë, deri sa ia ka arrijtë qëllimit: me përjetësue kujtimin e Skënderbeut në Paris”.

Mes Bashkisë së Parisit dhe Ministrisë së Jashtme Franceze

Pas radiogramit të shifruar të Ministrisë së Punëve të Jashtme drejtuar ambasadës në Paris, bërë në 28 tetor, në datën 31, me radiogram 1491 ambasadori shqiptar ktheu këtë përgjigje: “Tuajit numër 3409. Morrëm kontakt me MPJ për problemin e emërtimit në Paris të “Sheshit Skënderbeg”. Më thanë se nuk kanë dijeni dhe çështjen do ta shikojnë. Na thanë se mund ta bënit kërkesën edhe me notë, por meqë erdhët vetë, po mbajmë shënim dhe do t’u njoftojme”.
Por ditët kalonin dhe në Tiranë prej përfaqësisë së tyre diplomatike në Parisit nuk vinte asnjë njoftim për reagimin e Ministrisë së Punëve të Jashtme të vendit. Shënohej se ende nuk u kishin dhënë një përgjigje. Këtë gjendje pa rrugëdalje e sqaroi më në fund radiogrami që iu dërgua Tiranës nga ambasadori. Ishte 23 nëntor.
Mbante numrin 1592.
Në të komunikohej: “Lidhur me tuajin Nr. 3409. Me që deri sot nuk na u dha përgjigje nga MPJ franceze përsa i përket ceremonisë për dhënien e emrit të Skënderbeut një sheshi të Parisit me inisiativën e të arratisurve dhe të bashkisë së Parisit, sot Idajeti shkoi përsëri në MPJ për të marrë përgjigje. I thanë se do të përgjigjen sot ose nesër, por lanë të kuptohet se në disa raste bashkia e Parisit vetëvepron. Në këtë situatë mendoj të kërkoj vetë takim me drejtorin politik dhe të shtroj çështjen duke kërkuar që kjo ceremoni të mos bëhet, sepse Skënderbeu është hero i popullit shqiptar dhe jo i një grushti të arratisurish. Pres gjegje shpejt sepse nga disa të dhëna del se ceremonia mund mund të bëhet në 28 nëntor”.
E firmosur nga nënministri i Jashtëm Ksenofon Nushi mbi këtë radiogram u shënua me shkrim dore ky udhëzim: Nr 3784, tuajit 1592. “Dakord të shkoni në Ministrinë e Jashtme juve vetë”.
Radiogramin me këtë porosi MPJ e Tiranës, regjistruar me numrin 3784, ia nisi Dhimitër Lamanit në Paris. E udhëzonte që ai personalisht të merrte takim në MPJ franceze “dhe ta ngrinte edhe njëherë këtë çështje”.
Në 27 nëntor 1978 ambasadori njoftonte eprorët: “Në mungesë të drejtorit mora takim të shtunën me zv.drejtorin e MPJ, z. Bochat, dhe i shtrova çështjen e emrit të sheshit Skënderbe, duke kërkuar që të anullohet çdo veprim me “kriminelët e arratisur”. Ai tha se ju keni të drejtë dhe se do të përpiqeshin si ministri pranë bashkisë, por pa na garantuar asgjë se bashkitë janë të pavarura. Na tha se do na përgjigjeshin sa më shpejt si qendron puna. Sot e hënë Bochati më komunikoi se në 28 nëntor nuk do të bëhet asnjë ceremeni nga bashkia e Parisit dhe kjo është e konfirmuar. Njëkohësisht si më sugjeroi që të marrim pas disa ditësh me bashkinë për të parë mundësinë për bashkëveprim për emërtimin e ndonjë sheshi me emrin e Skënderbeut. Unë mendoj se anullimi është si efekt i ndërhyrjes tonë dhe më tutje do të shohim mundësinë tjetër”.

Lajmi diversiv i radios “Zëri i Amerikës”

Në 2 dhjetor 1978, ambasadës së Parisit i mbërriti nga Ksenofon Nushi radiogrami: “Radio “Zëri i Amerikës” njoftoi se me rastin e 28 Nëntorit “Kolonia Shqiptare” me Lec Shllakun në krye mundi të sigurojë lejen nga Shiraku dhe Komisioni Kulturor i Bashkisë së Parisit për të pagëzuar me emrin e Skënderbeut një shesh të Parisit. Ndërhyni përsëri dhe sqaroni çështjen. Presim”.
Dy ditë më pas, në 4 dhjetor 1978, me radiogramin nr 1866, MPJ në Tiranë informohej nga ambasadori Lamani se “Lidhur me çështjen e venies së emrit të një sheshi në Paris siç ju kemi njoftuar me ndërhyrjen tonë pranë MPJ dhe të kësaj pranë Bashkisë, kjo u anullua. Ne kontrolluam vendin dhe ky shesh është një qoshe e prapambetur e Parisit ku do të ishte shumë keq të vihej emri i heroit tonë përveç anës tjetër që kjo ishte inisiativë e larove që sillen në këto anë”.
Në vijim: “Jemi të mendimit që në një kohë oportune ne të marrim kontakt vetë me Bashkinë e Parisit dhe të kërkojmë vënien e emrit “Skënderbe” të ndonjë sheshi apo rruge të denjë për këtë emër dhe kjo të bëhet me ne që përfaqësojmë vendin tonë në Francë. Lutemi na njoftoni dhe presim mendimin tuaj”.
Pesë ditë më vonë, në 9 dhjetor 1978, ambasadori i përgjigjej Tiranës: “Tuajit Nr. 3859. Nga të dhënat e nga kontaktet tona dhe nga verifikimi edhe njëherë në vend rezulton se nuk është bërë asnjë ceremoni lidhur me “Skënderbenë”. Pra lajmi i dhënë është fallco dhe i bërë me qëllim për të larë faqen përpara njerëzve që janë mashtruar dhe të cilëve mund t’u kenë marrë edhe para. Vetë lajmi siç e pamë në axhanset ishte i dyshimtë”.


(Historia e betejës mes antikomunistëve të emigracionit politik shqiptar në Perëndim, veçanërisht atij të vendosur në Francë, dhe qeverisë komuniste të Tiranës zyrtare është tepër e gjatë në kohë dhe shkon prej vitit 1968 deri dy dekada më pas, ku një kulm tjetër e ka në motet 1980-1982, periudhë kur u krye ceremonia e vendosjes së emrit “Skënderbej” një sheshi të Parisit.
Vazhdimin dhe plotësimin e kësaj historie për lexuesin autori i këtyre rradhëve do ta përmbushë së shpejti, por duke e mbyllur këtë pjesë të tërë intrigës së porsarrëfyer, ngul këmbë të saktësojë dy rrethana:
As Lec Shllaku dhe as Isa Ndreu nuk qenë të arratisur. I pari kishte ndjekur studimet e larta në Firence për pedagogji dhe në të njëjtën kohë i dyti po në këtë qytet për filozofi. U diplomuan me rezultate të shkëlqyera universitare. Çlirimi i Shqipërisë i gjeti në Itali dhe ata, thjesht duke parë veprimet e regjimit të ri si edhe përndjekjeve që po u bënte familjeve të tyre, nuk u rikthyen më.
Personi i ambasadës që u ngarkua të shkonte në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Franës për të komunikuar qëndrimin zyrtar të qeverisë shqiptare ishte konsulli Idajet Hoxha, punonjës me kontribut për rritjen e kontakteve kulturore mes Shqipërisë dhe Francës, shtimit të veprimtarive artistike dhe botimit të librave të autorëve shqiptarë. Ai qe njëkohësisht edhe zbulues politik. Krahas dokumentave nga Arkivi i Ministrisë së Punëve të Jashtme të Shqipërisë, me burim atë, sepse jeton dhe kujtesën e ka në gjendje shumë të kthjellët, do të kemi rast më vonë të plotësojmë pamjen e kësaj ngjarjeje historike).

Ylli Polovina

Tiranë, më 27 janar 2018

Version i printueshem
Faqja paraardhese

LIBRAT

Libra të tjerë .....

LIBRI I FUNDIT
Image Title Here




LIBRA TË TJERË
Kontakt: ylli@yllipolovina.com © 2007-2017 yllipolovina.com Webmaster: taulant@topciu.com