|
1939, ME URDHËRIN E SKËNDERBEUT AHMET ZOGU DEKORON VJEHRIN E TIJ
(Botuar në “Panorama” në 29 janar 2018)
Po të tregosh historinë e Sheshit “Skënderbej”, pra e sheshit kryesor të Tiranës, mund fare lehtë t’i japësh mundësi lexuesit të kuptojë thelbin e vetë shtetit shqiptar 105 vjeçar dhe të rolit të politikanëve të stërfuqishëm të vendit, të cilët pikërisht këtu kanë synuar të vënë “vulën” e pranisë së tyre në historinë kombëtare.
Nëpërmjet këtij sheshi dhe dinamikave të tij të ndryshimit nga më intensivet më të rrëmujshmet se në çdo pjesë tjetër të vendit, mund të perceptosh, përveç karakteristikave individuale të pushtetushtruesve, edhe historinë konkrete të Shqipërisë.
Një kërshëri: Pasi Tirana qe bërë kryeqytet, nëpër tërë vitet njëzetë, aty ku sot ndodhet ky shesh si edhe kordoni i ndërtesave të disa ministrive, gjendej si reliev një gropë hapësirë madhe, një lloj thellimi i terrenit, ku çdo javë mbahej dita e pazarit. Kjo zgjaste dymbëdhjetë orë rresht dhe shumica e banorëve kryenin shpenzimet më të nevojshme.
Tek Xhamia e Et’hem Beut dhe Kulla e Sahatit (banorët kësaj të fundit më shpesh atëherë i thoshin “Turra e Sahatit”) relievi paksa ngrihej si të qe maja e sipërme e një kodërze të butë.
Pikërisht në këtë vend të dukshëm prej çdo këndvështrimi përreth, herë pas here syri i tiranasit apo i çdo udhëtari, përfshi patjetër edhe diplomatë apo gazetarë të huaj, kapte siluetën e ndonjë të varuri.
Qenë kriminelë mizorë të dënuar me vdekje, por të cilëve marrja e jetës nga shteti dhe qeveria e kohës u bëhej nëpërmjet mbytjes me litar.
Në orën 10.00 të mëngjesit kufoma e të varurit hiqej dhe një turmë e madhe e grave tiranase vihej në rradhë me shpresë të përfitonte një copë të vogël nga litari mbytës, sepse besonin se ajo i ndihmonte të luftonin ethet e çdo të sëmuri.
Qeverisësi që vuri sadopak rregull qytetërimi në këtë pejsazh të frikshëm mesjetar qe Ahmet Zogu.
Në këtë shkrim do t’i rrëfejmë lexuesit se themelet e emërtimit të këtij sheshi me emrin e Gjergj Kastriot Skënderbeut janë të tij dhe kjo ka ndodhur me rastin e festës së madhe të kremtimit të 25 vjetorit të Pavarësisë, në fundnëntor 1937.
Mirëpo moti i ri pas 1937-tës, saktësisht 17 janari i 1938-tës, ishte edhe 450 vjetori i vdekjes së Skënderbeut. Por këtë ngjarje mbreti e kapërceu. Veproi kështu jo thjesht sepse ende nuk ishte krijuar traditë që, duke mos e ditur ditën e lindjes së Gjergj Kastriotit dhe për rrjedhojë shqiptarët t’ia kremtonin këtë jubile, të gjithë ritin nacionalist tashmë e kryejnë në ditëvdekjen (e shumëdokumentuar) të tij.
Ndërkohë 1938-ta do të qe dhjetëvjetori i shpalljes së Shqipërisë si mbretëri dhe kjo për Zogun kishte rëndësi mbi çdo gjë tjetër. Festimet do të bëheshin të jashtëzakonshme, tepër të bujshme, kapërcyer edhe ato të 25 vjetorit të pavarësimit.
1938-ta po ashtu do të qe edhe viti i dasmës së tij me konteshën hungareze Geraldina Apponyi.
Aeroplani i gazetës jugosllave “Vreme” që zbriti në Tiranë
Si çdo pushtetar i viseve tona Ahmet Zogu u përpoq ta përdorte shumë kapitalin atdhetar që mishëronte figura e Skënderbeut, duke u bërë deri tani, në janar 2018, më i guximshmi i llojit të tyre, sidomos me përhapjen e rafinuar të fjalëve të thëna e të shkruara, se familja e tij, pra Zogollët, rridhnin gjenealogjikisht prej asaj Kastrioti.
Ai, shumë kohë para se të ndikonte për emërtimin Skënderbej të sheshit thelbësor të kryeqytetit, jepte edhe dy dekorata me emrin e heroit kombëtar. Këto ishin “Oficer i Madh i Urdhënit të Skënderbeut” dhe “Komandar i Urdhënit të Skënderbeut”. Në fundnëntor 1936 mes shumëve dekoroi me këtë titull të fundit njërin prej arbëreshëve më kontribues, Francesco Chinigo.
Në fundmars 1939 Zogu kreu një gjest mjaft të zhdërvjellët diplomatikisht në favor edhe të interesave të tij. Me dekoratat “Komandar i Urdhënit të Skënderbeut” ai vlerësoi Milatin Zvetovskin, por edhe Stojadinoviçin, të cilët qenë drejtues të gazetave të mëdha jugosllave “Vreme” dhe Samouprava”.
Në të vërtetë që të dy, aq më shumë i dyti, i cili qe vëlla i kryeministrit Milan Stojadinoviç, patën ndikuar në zbutjen e raporteve mes dy vendeve dhe në një lloj frenimi të shkrimeve dashakeqe për shqiptarët.
Ndërkohë Milatin Zvetovski kishte ardhur në Tiranë, për të marrë pjesë në festimet e 25-vjetorit të Pavarësisë, me aeroplanin e gazetës “Vreme” dhe i pati premtuar ambasadorit tonë në Beograd, Tahir Shtylla, se do të rikthehej aty me të njëjtën mënyrë, pra me avion, për të qenë pjesëmarrës në dasmën e Zogut.
E mbajti fjalën, ja edhe dekorata me emrin e Skënderbeut! Ndërkohë ndodhnin edhe ngjarje të tilla si vjedhja e një dekorate të Skënderbeut në mjediset e brendshme të Legatës Mbretërore Shqiptare në Romë.
Ishte 14 nëntori 1935 kur në zyrën e Ministrit të Jashtëm në Tiranë Fuad Asllani mbërriti nga kryeqyteti italian një reportim, sipas të cilit “të shtunën e kaluar, në orën 2 të mëngjesit, banesa e Legatës pësoj një vjedhje nga njerëz të panjohur. Fatmirësisht, i kuptuam shpejt, kështu që, ata, s’mundën të marrin veç se disa tesha personale...dhe dekoratën që na kishit përcjellë me shkresën nr. 1020...”
Kjo dekoratë ishte “Komandar i Urdhënit të Skënderbeut”.
Në 7 dhjetor të atij viti, 1935, pra pas më pak se një muaji, tek ministri Fuad Asllani, mbërriti nga Roma informacioni se hajdutët ishin kapur prej policisë italiane. Megjithatë nga plaçkat e vjedhura, përfshi edhe dekoratën, Legata thoshte se asgjë nuk iu gjet. I patën shitur dhe për këtë arsye duhej të konsideroheshin të humbura përgjithmonë.
Kryqëzimi në mes të Tiranës i rrugëve “Musolini”, Shëtitores “Zog I” dhe Sheshit “Skënderbej”
Rikthehemi tek kremtimi i 25-vjetori i Vetëqeverimit, çfarë, duhet thënë, përbën në historinë tonë të shekullit të shkuar e deri tani një nga ceremonitë shtetërore më të organizuara.
Është ky çast kur merr emrin e famshëm të Skënderbeut sheshi qendror i Tiranës, për t’u pasuruar më vonë, në vitet e qeverimit të Enver Hoxhës, me monumentin e tij aq shumë të bukur. Ndryshimi drastik ai do ta pësonte në kohën e tanishme me kryeministër Edi Ramën dhe kryebashkiak Arjan Veliaj.
Duke ndjekur në këtë shkrim vetëm linjën si në fundnëntor 1938 Ahmet Zogu i përdori dekorimet me titullin simbol të Gjergj Kastriotit, e informojmë lexuesin që para se të ndodhte emërtimi i sheshit me emrin Skënderbej, në Tiranë, pa mbërritur ende në motin 1930, një nga rrugët më të njohura dhe më të mëdha, ajo që nga populli dje dhe po ashtu sot thirret “Rruga e Kavajës”, mori emrin “Musolini”.
Pas kësaj, shëtitores në qendër, e cila jo vetëm në vështrim të parë por edhe konkretisht perceptohet sikur përfshin edhe vetë sheshin, iu vu emri i vetë mbretit, “Zog I”.
Vetëm pas Benito Musolinit dhe Ahmet Zogut (madje edhe një rruge me emrin e kryeministrit të kohës, Koço Kota) i erdhi radha dhe e drejta historike për pothuaj të njëjtin status Gjergj Kastriot Skënderbeut.
Do të merrte edhe ai një copë emërtese nga kryeqyteti i shqiptarëve, edhe pse nuk duket e qartë nëse përmasat e mëdha të korridorit rrugor që shkonte drejt Kavajës dhe për rrjedhojë drejt jugut të vendit (Benito Musolini) dhe qindra metërshit që kalonte me statusin e bulevardit mes për mes Tiranës (Ahmet Zogu), qenë dytësore apo parësore, vartëse apo eprore, në raport me sheshin lidhës (Skënderbeu).
Kremtimet e 25-vjetorit të Pavarësisë, ftohen edhe 86 arbëreshë, arvanitas, të emigruar në SHBA, Rumani, Turqi, Bullgari....
Sidoqoftë festimi i 25 vjetorit të shpalljes së Pavarësisë ishte një rast i mirë për t’i vënë gjërat në vendin e duhur, gjithnjë sipas rëndësisë së gjurmës së tyre historike.
Si veproi Zogu?
Në Arkivin e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Shqipërisë paketa dokumentare për këtë ngjarje është tepër e plotë, prandaj edhe këshillimin po e bëjmë me të.
Komisioni Ministerial, nën drejtimin e vetë kryeministrit Koço Kota, posaçërisht për këtë kremtim e bëri mbledhjen e tij të dytë dhe vendimtare në një sallon të Ministrisë së Punëve të Jashtme në 28 shtator 1937, në orën 4.00 të pasdites. Komisioni përbëhej edhe nga ministri i Drejtësisë Thoma Orolloga, i Punëve të Jashtme Ekrem Libohova dhe ai i Arsimit Faik Shatku.
Në mbledhje u vendos t’u bëhej thirrje diasporës shqiptare jashtë vendit për të marrë pjesë në ngjarje. Kështu u caktua që nga arbëreshët e Italisë të ftoheshin 16 vetë, burra dhe gra, që të gjithë të veshur me kostume kombëtare. Po kaq do të merrnin pjesë edhe nga arvanitasit në Greqi, edhe këta reciprokisht të dy sekseve dhe me konstume popullore.
Gjashtëmbëdhjetë do të vinin nga kolonia shqiptare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe po kaq nga ajo e Rumanisë. Prej Bullgarisë dhe Egjiptit do të ftoheshin nga 6 vetë, 10 nga kolonia shqiptare në Turqi. Ky, pra 86 bashkëkombës të emigruar, do të ishte edhe numri maksimal, të cilit Qeveria Mbretërore i garantonte banimin.
Në këtë mbledhje u vendos edhe për tërë programin e veprimtarisë.
Më së pari: ditët e pushimit zyrtar do të qenë pesë, duke nisur nga 24 nëntori.
Shkruhet në këtë program po ashtu: “Ditën e parë të kremtimit, ora në 8,30 të mëngjesit do të hidhen njëzet’ e një topa si lajmërim i fillimit të kremtimit. Krismën e topavet do t’a shoqërojnë kambanat e kishavet dhe muezinët e xhamivet. Po këtë orë do të fluturojnë mbi Kryeqytet aeroplanat”.
Në vijim, numri 5 i programimit: “Nalt Madhnia e Tij Mbreti do t’i drejtojë një mesazh popullit shqiptar, me shkresë ose gojarisht me radio”.
Ndërkohë nga ballkoni i bashkisë do të mbante një fjalim kryetari i Parlamentit Pandeli Vangjeli. Banda muzikore do të qe e pranishme jo vetëm në këtë miting me kryesisht nxënës shkollash, por edhe në njëzetë e katër orëshet pasuese.
Dita e parë, siç do të përsëritej në tërë pasditet e kremtimit, në orën 15.00, do të kishte edhe shfaqje muzikore dhe koreografike, një ekspozitë të Rilindjes Kombëtare gjithashtu. Kjo e fundit do të përurohej në mjediset e një shkollë të rrugës Koço Kota.
Çdo ditë do të hidheshin fishekzjarre.
Sheshit në qendër të Tiranës i vihet emri i Skënderbeut, por monumentin aty do ta vendosë Enver Hoxha
Numri rendor 11 i programit për 25 vjetorin e Pavarësisë ka këtë tekst: “Ora më 10 të mëngjesit të ditës së dytë të kremtimit do të zhvillohet cereminia e pagëzimit të sheshit para Bashkisë së Kryeqytetit me emrin Sheshi i Skënderbeut, dhe në vendin e posaçëm do të ngrihet Monumenti i këtij Heroi Kombëtar, do zbulohet shtylla komemorative që do të jetë e vumun n’atë vend”.
Ahmet Zogu këtë kremtim do të firmoste dekretin për dekorimin me shenjën e lartë nderuese “Oficer i Madh i Urdhënit të Skënderbeut” edhe për drejtorin e Zyrës Shqiptare në Vjenë, Leo Alexander Freundlich dhe “Komandar i Urdhënit të Skënderbeut” për albanologun e shumënjohur Norbert Jokl.
Por nuk do të harronte një vit më pas edhe një përdorim tjetër të prestigjit të Gjergj Kastriotit: do të dekoronte me “Oficerin e Madh të Urdhënit të Skënderbeut” vjehrin e tij, kontin Antoine Louis Apponyi.
Kjo dekoratë do t’i dorëzohej në 2 janar 1939, drejt për së drejti në ambiente të qeverisë.
Ylli Polovina
Tiranë, më 8 janar 2018
Version i printueshem
Faqja paraardhese |
|
|