Ylli Polovina in italiano
VENDLINDJA KU JETOJ DHE PUNOJ QYTETI I DY VAJZAVE TË MIA
PUBLICITIKË

HAJRI HIMA LIBRI “AMBASADOR NË BALLKAN” I YLLI POLOVINES, KONTRIBUT I VYER PËR KOHËN
”REPUBLIKA E SHTATË”
“AMBASADOR NË BALLKAN”
“LOTËT E SORKADHES”, botimi i dytë
LOTËT E SORKADHES
Artikuj të tjerë .....



kërkoni në këtë faqe



S'AFËRMI
MIRËSEVINI

FLAMURIN E SHPALLJES SË PAVARËSISË E KONFISKUAN DHE E DOGJËN GREKËT


(Botuar në “Illyria” në 29 janar 2018)

Shkrimi i shtatëmbëdhjetë i ciklit për Vitin e Skënderbeut

Vumë në duke herën e shkuar se skica e faqes së parë të “Das Interessante Blatt” e 12 dhjetorit 1912 është bërë domosdoshmërisht e mbështetur mbi një foto konkrete të kryer në Vlorë mbase prej një korespodenti shtypi të huaj ose të ndonjë agjencie, të cilat këto kohë qenë mjaft të përhapura dhe aktive në shërbime të tilla.
Ato foto të tilla ua shitnin gazetave.
Në shkrimin e kaluar u përpoqëm të shpjegonim se motivi kryesor i këtij veprimi, pra i kalimit të fotos në një skicë artistike, qe jo aq fort pasojë e nevojës për ta bërë më shprehëse dhe më të mbushur me dritë këtë komunikim me lexuesin, por sepse u është dashur që me qëllim të caktuar tjetërsimi të së vërtetës, të ndërhyhej tek flamuri. Ai u manipulua: u la fusha e kuqe e tij, por shqiponja e zezë bë me një kokë.
Por kjo pamje ishte imazh i njohur i paraqitjes së ushtrisë austrohungareze. Me pak fjalë qe shenjë gjermanike.
Doemos që synimi ishte krejtësisht i qartë: të përhapte lajmin se aksioni shqiptar i pavarësimit ishte realizuar nën frymëzimin e Vjenës dhe të gjermanikëve në përgjithësi, këto çaste me forcë pushteti të dukshëm në qendër të Evropës.
Jo rastësisht më pak se dy vite më vonë personi, i cili do të emërohej për të qënë qeverisësi i parë i Shqipërisë së pranuar ndërkombëtarisht, ishte një gjerman: Princi Vilhelm Vid.
Ai do të zëvëndësonte Ismail Qemal Vlorën, pasi atë e kishin mënjanuar të tjerë në një nga intrigat më bizantime të Ballkanit. Ky i fundit as do ta kishte marrë me mend se mesazhin e parë se do të qëndronte shkurtër në krye të atdheut të vet, e pati marrë që në 12 dhjetor 1912, nga një revistë e ilustruar në mes të Vjenës.
Për të cilën, si edhe foton që ajo botoi nuk tregoi asnjë interes. Ky flamur me fushë të kuqe, por me shqiponjë të zezë me një kokë, do të braktisej nga qeveria e Vlorës dhe ajo skicë provokatore e “Das Interessante Blatt” nuk do ta shihte dritën e publikimit tek gazeta “Përlindja e Shqipërisë”, e cila në Vlorë qe organi mediatik dhe zëdhënësja zyrtare e qeverisë Ismail Qemali.
Ky do ta shmangte këtë skicë, ku pamja e tij është nga më të hijshmet dhe në thelb i interesonte përhapja, sepse nuk mund ta pranonte këtë gjymtim të rëndë të flamurit kombëtar, të cilin ai e ngriti lart në qiellin e Vlorës me duart e tij.
Cili me mirë se Ismail Qemali, ndërkohë, e dinte se ajo që valviti, ishte flamuri i Don Aladro Kastriotit.
Ndërkaq kokëkrisja e mbrapësht e të ilustruarës vjeneze, një përpjekje që nuk mund të provohet se qe ndërhyrje e Ministrisë së Jashtme Austro-Hungareze dhe e Kontit Berchtold, do të binte në kontradiktë prej raportit që konsulli austrohungarez në qytetin e Vlorës, Wenzel Lejhanec, në 29 nëntor 1912 do t’i raportonte eprorit të vet: ai flamur i ngritur dhe për të cilin patën brohoritur jo vetëm delegatët e Kuvendit të Mëvetësimit, por edhe populli i thjeshtë, qe një shqiponjë e zezë jo një por dykrerëshe në një fushë të kuqe.
Lejhanec, përderisa e jep këtë hollësi një ditë më pas, duke qenë se nuk ishte mes popullit manifestues dhe kjo nuk përjashton të ketë qenë i pranishëm ndonjë prej punonjësve të tij, ka të ngjarë që të ketë parë foton e bërë, e cila pastaj mori rrugën e Vjenës.
Konsulli austro-hungarez patjetër ka parë flamurin që Don Aladro Castriota i pati dhuruar në Paris Eqerem bej Vlorës dhe të cilin deri atëherë, për më shumë se një dyzinë vitesh Faik Konica e kishte promovuar dhe përhapur nëpër faqet e revistës së tij “Albania”.
Vetë Aladro në motin 1908 e pati bërë akoma më shumë të njohur nëpërmjet një postcarde.
Këtë përkatësi nënkupton, por duke iu shmangur përmendjes konkrete të emrit të të zotit, edhe Ismail Qemali në “Kujtimet” e tij.
Po ashtu në mënyrë jo të drejtpërdrejtë Koli Xoxe në librin e tij të botuar në 1983, “Ismail Qemali”, spikat të njëjtin detaj shumëkuptimësh të shpallësit të pavarësisë: se të mërkurën e 28 nëntorit, pasdite në ora 16.00, kryetari i Kuvendi Ismail Qemali, Luigj Gurakuqi në cilësinë e sekretarit të parë të tij, etj., “të rrethuar nga një turmë e madhe njerëzish shkuan për të marrë pjesë në ngritjen e flamurit që u bë mbi shtëpinë e tij. “U ngrit flamuri i Skënderbeut” shkruan Ismaili. Pas ngritjes së flamurit entuziazmi nuk u ndërpre. Pati fjalime”.
Që në Vlorë është ngritur flamuri i dhuruar Eqerem bej Vlorës nga Juan Pedro Aladro y Kastriota, e vërteton fuqishëm një paketë dokumentare, të cilën autori i këtij cikli shkrimesh e ka gjetur para më shumë se dhjetë vitesh në Arkivin e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Shqipërisë.
Shkresa e parë daton 10 shkurt 1930 dhe është një letër, në të cilën Ministrisë së Punëve të Jashtme drejtohet nga Ministria e Punëve të Brendshme.
Thotë: “Mbështetur mbi hetimet e bamuna të prefekturës së Vlorës... na rezulton se i pari flamur që është ngritur në 28 nëntor 1912 ndodhet në duart e zotit Eqerem Vlora, ministri ynë në Athinë. Por mbasi flamuri duhet të ndodhet në Muzeun Kombëtar, lutemi t’i shkruhet zotit Vlora për dorëzimin e tij të këtushëm. Përfundimi pritet.
Kryeministri Koço Kota”.
Pas kësaj shkrese fillon procedura. Një e dytë, e hartuar nga Drejtoria Politike e Ministrisë së Punëve të Jashtme, i komunikon eprorit të dikasterit: “Mbi flamurin e parë që është ngritur në Vlorë në 28, zoti ministër, nga drejtoria politike, ministri i brendshëm me një shkresë na bën të ditur se...(vijon me pak fjalë përmbajtja e shkresës së Ministrisë së Punëve të Brendshme)...kërkohet ndihma e Eqerem Vlorës”.
Në datën 18 shkurt Eqerem bej Vlorës në Athinë iu dërgua kërkesa e mësipërme. Në 27 shkurt 1930, është formuluar një shkresë tjetër, ajo me numër 123/1. Nisej nga Legata Mbretnore e Shqipërisë në Athinë, Greqi.
Në të shkruhej: “Zoti ministër, me të marrë shkresën e zotërisë Tuaj nr. 784/1, datë 18 vazhdues, vrapoj t’ju jap shpjegimet e urdhnuar mbi çështjen e flamurit të parë kombëtar që u ngrit në Vlorë në 28.12.1912.
Falenderoj zotninë tuaj pikë së pari që duke pasur besim tek ndjenjat e mia patriotike m’u drejtuat për të marrë shpjegim mbi shenjën e shenjtë të lirimit kombëtar dhe eventualisht për t’jua siguruar brezave të ardhshëm duke e ruajtur në muzeun e shtetit.
Mjerisht ajo dëshira me të cilën me gjithë shpirt marrë pjesë nuk do të mund të përmbushet.
Marrë lejen t’ju bezdis pak duke treguar të gjithë ngjarjen që jam në dijeni mbi të parin flamur kombëtar që në mos u gjendtë qy të paktën të mbetet në arshivat e shtetit shqiptar historia e flamurit të parë shqiptar që u ngrit zyrtarisht në Shqipëri”.
Më tej Eqerem bej Vlora shpjegon rrethanat: “Në vjeshtë të vitit 1909 gjendesha në Paris. Këtu pata rastin të piqem me të ndyerin Don Aladro, i cili me ndjenjën e lavdërushme filoshqiptare që kish ndiqte edhe fantazinë e mbretërimit tija në Shqipërie. Bashkë me mua ishte edhe Eqerem bej Libohova ... Me rastin e një gostie që na dha Don Aladro na fali të dyve nga një flamur kombëtar dhe na tha që sigurisht këta flamurë do të ngrihen një ditë në Shqipninë e lirë”.
Në vazhdim: “Flamurin që më përkiste mua e ruajta dhe e mbajta përherë me vedi. Në 1912 (gusht), kur sa erdha në Shqipërie e prura dhe e mbajta mbi krye të shtratit tim, kurse në vjeshtë 1912 dualën andartët e Greqisë në Himarë. Shkova ne vetëdashësit e Labërisë, me ato të Malësisë, për t’u bërë ballë, kështu nuk u gjenda dot në Vlorë në 28 nëntor 1912. Atë ditë u kërkua për t’u ngrit një flamur, por duke qenë se nuk kishte në Vlorë njeri flamur kombëtar zoti Hydai Myftiu, sot mësonjës në shkollën italiane në Vlorë, vrapoi dhe e mori nga shtëpia ime.
Qy flamuri, pasi u përdor për disa ditë, iu dorëzua zonjës së Mehmet Ali Pashëa të Delvinë, e cila banonte ato kohë në shtëpinë time.
Kur u këtheva nga lufta flamurin e gjeta prapë mbi shtratin tim dhe aty e lashë, por më 1914 sikurse hynë rebelat e Shqipërisë së Mesme në Vlorë, zonja në fjalë iku nga Vlora për në Delvinë dhe flamurin e mori me vete me qëllim që të mos poshtërrohesh. Vetë ato kohë gjeta çfarë na duhesh dhe më pas shkova në Itali”.
Shpjegon po ashtu Eqerem bej Vlora: “Më 1914-15 sundimi i qeverisë vorioepiote u shtrëngua rreptësisht në Delvinë, zonja me gjithë familjen e saj u detyrua të shkojë në Kosovë.
Marr vesh, sipas hetimeve private që bëra, se flamuri mbeti brenda në një kasë së bashku me disa akte personale të fëminisë në shtëpinë e Mehmet Ali Pashës në Delvinë. Qeveria vorioepirote e Delvinës me rastin e një kërkimi që ka bërë në shtëpinë e lartpërmendur e paska konfiskuar këtë flamur dhe e paska djegur”.
Ja edhe fraza e mbylljes së këtij raportimi tronditës për të tërë historinë tonë kombëtare: “Mjerisht në është se hetimet e mia korespondojnë me të vërtetën, flamuri nuk ekziston më. Pa dyshim që ky idhnim është i përgjithshëm, por është veçanërisht një fatkeqësi për mua që sot nuk mundem të kem lumturinë t’i dhuroj kujtimit të përhershëm shenjën e lirimit të atdheut.
Besoj se do të jetë mirë, sa për vërtetim të thënieve të mia, të pyetet zoti Hydai në Vlorë, zonja e Mehmet Ali Pashës në Delvinë, zoti Haki Alizoti në Tiranë dhe zoti Avni Delvina në Sarandë.
Këta e dinë rrjedhën e çështjes.
Pranoni, zoti Ministër, me këtë rast, nderimet e mia ma të nalta dhe më të çmuara!”
Bashkë me emrin firma e Eqerem bej Vlorës nga ana kaligrafike është shumë e bukur, e hovshme, ngjan si të jetë valvitja e flamurit të munguar.

(Vijon)

Ylli Polovina


Version i printueshem
Faqja paraardhese

LIBRAT

Libra të tjerë .....

LIBRI I FUNDIT
Image Title Here




LIBRA TË TJERË
Kontakt: ylli@yllipolovina.com © 2007-2017 yllipolovina.com Webmaster: taulant@topciu.com