Ylli Polovina in italiano
VENDLINDJA KU JETOJ DHE PUNOJ QYTETI I DY VAJZAVE TË MIA
PUBLICITIKË

ÇFARË FSHIHET PAS MUNGESËS SË FOTOS PËR NGRITJEN E FLAMURIT NË 28 NËNTOR 1912?
AMERIKË, PSE TË DUAN KAQ SHUMË SHQIPTARËT
FLAMURI QË U NGRIT NË VLORË DHE KASTRIOTI I PESTË, ALEANDRO
22 NËNTOR 1944, QYTETI I TIVARIT: ARRATISJA E BALLIT KOMBËTAR NËPËR NJË DET TË MINUAR
PASARDHËSIT NË ITALI TË SKËNDERBEUT NË KRYE TË MBROJTJES SË PAVARËSISË SË PORSASHPALLUR
Artikuj të tjerë .....



kërkoni në këtë faqe



S'AFËRMI
MIRËSEVINI

.jpg
Foto: .jpg
Skafistët në top-sekret

(Fragmente)

Në ditët e para të janarit 1999 në Romë u bë publike
lajmi i vizitës së një delegacioni shqiptar të kryesuar nga Pandeli Majko, i cili kishte fare pak muaj që kishte marrë detyrën e kryeministrit. Tensionimi i situatës në Kosovë sigurisht që ishte një temë e ditës për politikën botërore, pa tjetër ishte temë e parë edhe për Pallatin Kixhi, selinë historike të kryetarëve të qeverive italiane. Atje, siç përflitej nga gazetat, ndiheshin të zëmëruar me kabinetin e Majkos dhe dyshonin se ai po e ndihmonte me armë Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës ose të paktën po lejonte që ajo të furnizohej nëpërmjet territorit të vet. Kjo binte ndesh me konceptet politike dhe strategjike që përpunoheshin ato çaste aty dhe që në pak fjalë shpreheshin me togfjalëshin “bojkotim i përpjekjeve të botës për paqe”. “Për kryeministrin shqiptar në Romë pothuajse një gjyq për Kosovën” e titullonte shkrimin e vet më 15 janar në “La Stampa” gazetari i saj diplomatik Mauricio Molinari. Ai, njohës shumë i mirë i qarqeve të larta politike, i parashikonte “shumë të tendosura” bisedimet mes kryeministrit Pandeli Majko dhe palës italiane. Ai po ashtu ngulte kembë se nga burime shumë të besueshme dinte që shërbimi sekret i ngarkuar për të monitorizuar Shqipërinë “e sheh me shqetësim takimin mes Majkos dhe ish-presidentit Sali Berisha (të konsideruar shumë të afërt me kosovarët), takim që pastaj e shoqëroi një deklaratë e Parlamentit të Tiranës (të kontrolluar nga socialistët) në favor të një sulmi të NATO-s kundër Serbisë dhe thirrjen e një konference ndërkombëtare për Kosovën”.
Leximi i takimit Majko-Berisha si një aleancë për të inkurajuar dhe organizuar luftën e armatosur çlirimtare në Kosovë, gjest që nuk ishte kuptuar fare kështu nga analistët shqiptarë, përbënte një rrethanë shumë vështirësuese për mbarëvajtjen e vizitës në Romë të kryetarit të qeverisë së Tiranës dhe takimin me kolegun e tij italian Masimo D’Alema. Mirëpo kjo atmosferë e nxehtë që po e paralajmëronin gazetat vendase, pritej të bëhej përvëluese me praninë e një temë të dytë në projektbocën e bisedimeve: atë të trafikut të emigracionit klandestin për në brigjet e Pulias.
Që para Vitit të Ri e sidomos duke rifilluar nga 2 janari 1999 televizioni italian, përfshi Rai-n dhe Mediaset, i kishin hapur vend të dukshëm lajmeve për zbarkimet ciklike të klandestinëve të ardhur nga Shqipëria. Kjo tendencë ishte një dukuri e re e pashfaqur më parë dhe dëshmonte se ishin ngacmuar e lenduar fort nerva kryesorë të opinionit publik vendas. Kjo gjë vihej re edhe në thekset e dukshme që telefolësit u mëshonin fakteve se skafistët sërish e kishin hedhur apo braktisur ngarkesën e tyre njerëzore në ujë, përfshi edhe fëmijët. Pastaj, theksonin gati duke klithur lajmdhenësit televizivë, trafikantët ishin larguar me shpejtësi skëterre drejt brigjeve të Vlorës. Kronika vazhdonte në të gjitha rastet me kamerat e fiksuara mbi trupat e klandestinëve të lagur dhe që dridheshin nga të ftohtit.
Në këtë aksion informativ binte në sy fakti që televizioni ishte më aktiv, i jepte kësaj teme vazhdimisht e kembëngulshëm hapësirë, ndërsa shtypi bënte ndryshe, i lëshonte shumë më pak vend.
Për të kompensuar ato çaste sado pak këtë situatë të pafavorshme dhe të renduar mediatike dhe politike të krijuar nga skafistët, për imazhin normal të Shqipërisë ndihmoi një emër shumë i njohur italian: Rafaela Karrà. Me emisionin e saj me audiencë të madhe “Carramba che fortuna”. Tamam studioja e saj në ato ditë të fillimjanarit i kërkoi bashkëpunim Ambasadës Shqiptare në Romë, të paktën të shpejtonte dokumentat për martesë të emigrantit shqiptar Orest Petro. Martesa e tij publike me italianen Simona do të ishte element i programit që do të shfaqej më 6 janar. Kështu u koordinuan me sekretarinë e studios së “Carramba che fortuna” të gjitha veprimet e sjelljes në Romë të djaloshit, ish-mësues fiskulture në qytetin e Fierit dhe i diplomuar në Tiranë. Ai prej vitesh banonte në Itali, në qytetin jugor të Kozencës. Pajisja e tij me dokumentat përkatëse për të kryer aktin zyrtar të martesës u bë jashtë proçedurave burokratike e mjaft ditë para spektaklit.
Kurorëzimi i çiftit u bë publikisht në programin “Carramba che fortuna”, më 6 janar, prej vetë kryetarit të bashkisë së Romës, Françesko Ruteli. Të nesërmen trupi diplomatik dhe ambasadori i Republikës së Shqipërisë në Romë, Leontiev Çuçi, i dërguan menjëherë një mesazh falenderimi presidentit të Rai-t, drejtorit të përgjithshëm të tij dhe vetë Rafaela Karrasë.
Fotot e çiftit italo-shqiptar mbushën të nesërmen, më 7 janar, pothuaj të gjitha gazetat më të mëdha. Jehona e ngjarjes së mirë zgjati gjer më 10 janar, rreth orës 18.00, kur në spektaklin e Raiuno “Të Dielën në...” drejtuesi i programit, Xhankarlo Magali, ftoi edhe çiftin Orest dhe Simona. Ata treguan para teleshikuesit jetën e dashurinë e tyre, ndërkohë që Magali disa herë tërhoqi vëmendjen e opinionit që të mos ngatërronte shqiptarin e ndershëm si Oresti dhe si mijra të tjerë me pak njerëz të krimit. Në një çast ai tha se drejtoria e Rai-t i dhuronte çiftit të ri shpenzimet e plota me të gjitha ceremonitë përkatëse të një jave pushimi në Kapri.

Mirëpo paralel me Orestin dhe Simonën në masmedian italiane kishin nisur të shfaqeshin lajmet për gomone e klandestinë të ardhur rishtaz nga Shqipëria. Më 7 dhe 8 janar për valën e re të zbarkimeve televizionet punuan me ritëm të plotë gjer pasmesnate. U përcollën të gjitha imazhet e mundshme të mbërritjeve të reja ilegale e sidomos u evidentua arrestimi i tre skafistëve shqiptarë. Në edicionin e lajmeve Tg5, televizion shumë i njohur i Silvio Berluskonit, që në paraqitjen e titullit të këtij lajmi, u tha se “klandestinët dëshmojnë që policia e Tiranës nuk i pengon”.
Më 9 janar “La Repubblica” botoi me gërma të zeza artikullin “Zbarkime të reja në Pulia, “Do të mbërrijnë 4 mijë”. Zbarkimi i katër mijë shqiptarëve tek italianët e thjeshtë shkaktoi të dridhura, edhe pse lihej të kuptohej se pritej të ishin refugjatë nga Kosova dhe jo thjesht klandestinë. Jo pak mornica mizëroi njoftimi edhe tek ata që përgatitnin takimin në Romë mes Masimo D’Alemës dhe Pandeli Majkos. Pallatit Kixhi i mjaftonte që, në përputhje me ç’mendohej në kryeqytetin italian, kryeministrit në moshë fare të re, të ardhur nga Shqipëria, t’i bëhej një presion i matur për të mos ndërhyrë në çështjen e Kosovës si edhe një tjetër për ndërhyrje energjike kundër trafikut të klandestinëve.
Shqiptimi në një nga edicionet teleinformative më të ndjekura të vendit të akuzës se “klandestinët dëshmojnë që policia e Tiranës nuk i pengon” ishte fare pak përballë peshës traumatizuese që shkaktonte në opinion dhe sigurisht edhe në politikën italiane, lajmi i befasishëm se zbarkimet nga Shqipëria nuk do të ishin më disa dhjetra apo me një e dyqindsha. Bëhej fjalë për një valë biblike.
Çdo përpjekje që u bë për të verifikuar se cili ishte burimi i parë i lajmit rrënqethës, në të vërtetë kob që u risillte italianëve në kujtesë zbarkimet e viteve 90 e 91, nuk dha rezultat. Ai kishte humbur, duke u shpërndarë pa kujdes në disa agjensi informative vendase. I vetmi shteg për ta gjurmuar ishte intuita dhe një hamendje: autore e përhapjes së këtij lajmi-virus mund të ishte agjensia shtetërore e lajmeve në Beograd, si edhe një varg strukturash përforcuese që ajo kishte nëpër Evropë. Ata punonin përditë për prodhimin e kundërinformacionit me qëllim neutralizimin, devijimin apo minimizimin e fushatës gjigandeske të Shteteve të Bashkuara dhe të Evropës Perëndimore për të hedhur dritë mbi dhunën që po ushtronin trupat speciale serbe kundër popullsisë civile shqiptare të Kosovës. I quajturi zbarkim i pritshëm i katërmijë klandestinëve nuk synonte vetëm të turbullonte opinionin publik dhe politikën italiane, por edhe atë të disa vendeve evropiane, të cilat ishin të lakmuara dhe po aq të shqetësuara nga emigracioni ilegal. Kundërlajmi kishte për objektiv edhe provokimin e shpërqëndrimit të vëmendjes nga Kosova në Shqipëri, atje ku njerëzit e Sllobodan Millosheviçit mendonin se funksiononte prapavija e mbështetjes së luftës së armatosur të kosovarëve.
Mirëpo ngjarjet me kohë kishin marrë rrugë tjetër dhe njoftimit për të quajturin zbarkim masiv nga brigjet shqiptare nuk i shërbeu asnjë ingranazh i makinës së madhe informative italiane. Ajo përhapi një kumt tjetër, i cili kishte forcë të mjaftueshme të mbërthente fluturimthi vëmendjen e vendasve. Ai kishte për burim kundërveprimin e shpejtë të qeverisë shqiptare: “Tani ka një lajm të ri për luftën kundër emigracionit klandestin: policia italiane bashkë me atë shqiptare mund të sekuestrojnë motoskafet e përdorura për trafik. Këtë gjë e lajmëroi dje zëdhënësi i kryeministrit Pandeli Majko gjatë takimit që ky po dje pati në Tiranë me një delegacion politikanësh italianë të Polit të Lirisë”. Më pas njoftimi elektronik i teletekstit vijonte “Qeveria shqiptare bëri të ditur se pas pak ditësh do të miratohet ligji që lejon sekuestrimin e barkave...gjë që ishte parashikuar në marrëveshjet e firmosura mes Shqipërisë dhe Italisë. Kështu Roma dhe Tirana shpresojnë të rritin pengesat përballë invazionit të refugjatëve. Që po vazhdon...”.
Më 10 dhe 11 janar lajm nuk u bë vala e zbarkimeve, por e kundërta: “Pushojnë papritur zbarkimet”. Ritmikisht e pa lënë të pazënë asnjë edicion informativ masmedia italiane vuri re se një natë më parë, pra duke u gdhirë e diela, në brigjet pulieze e më tej nuk pati asnjë zbarkim. Gazetarët e shpjeguan ngjarjen e papritur me hipotezën se kjo kishte ndodhur për arsye të luftës së nisur mes kontrabandistëve të cigareve dhe atyre të gomoneve. Sipas hamendjeve të tyre ishin të parët që bllokuan të dytët, duke qënë se, sipas specialistëve, kontrabanda e cigareve dhe mafia e tyre mbetej shumë më e pasur dhe më e fuqishme. Pra, në një farë mënyre, po bëhej luftë për rindarjen ilegale të bregdetit italian, ku ky trafik zbarkonte.

Më 12 janar do të ngjante një e papritur që do ta përmbyste radikalisht atë përmirësim të përkohshëm të gjendjes. Ishin fikur lajmet për zbarkimet e ardhura nga brigjet e Vlorës, kur një vlonjat emërnjohur edhe përtej detit do të tërmetonte sërish. Në orën 17.10 të 11 janarit studioja e lajmeve e Tg5 mori në telefon Ambasadën dhe pyeti se çfarë dinin për një anketë të revistës “Diario” që do të delte të nesërmen. Sipas një shkrimi të saj të bujshëm, ende të pashpërndarë për opinionin, Zani Çaushi gjatë muajit dhjetor, me leje apo dokumenta të siguruara nga qeveria shqiptare, kishte lënë vendin e tij dhe hyrë në Itali me qëllim organizimin e bandave të armatosura. Tg5 i u shpjegua ngulshëm se kjo ishte një gënjeshtër bajate dhe madje për momentin kur bëhej, jo më pak se një provokacion. “Zani Çaushi”, iu tha, “është i burgosur në repartin 313 në Tiranë dhe asnjëherë nuk ka dalë nga dyert e tij veç për seanca gjyqësore, ku vetëm në dhjetor ka bërë disa”.
“Diario” prej shumë kohësh nuk kishte hyrë në vëmëndjen e opinionit vendas, madje jeta e revistës kishte patur mjaft trazime dhe rënie drastike të lexuesve. Deri në tetor 1997 ajo ishte e lidhur me gazetën e majtë “L’Unita”, organ i ndikuar nga Partia Demokratike e së Majtës, forcë kryesore politike ato çaste në pushtet dhe e drejtuar nga Masimo D’Alema. Më pas u nda prej saj dhe ndërsa publikonte artikullin e bujshëm ishte zotëruar nga një grup botuesish të quajtur të pavarur, me qendër Milanon.
Me shpalljen e pritshme të këtij lajmi diversiv dy ditë para se në Romë të vinte kryeministri Pandeli Majko nuk kishte më dyshim se dikush po përpiqej të vinte në lëvizje e devijonte për interesat e veta vëmendjen e masmedias vendase. Nga përvoja e disa ndodhive të tilla rezultonte herë pas here që nxitësi të gjendej në mjedise italiane, por kur binte fjala për akuza kundër qeverisë së Tiranës, hetimi i burimeve të lajmeve të shtrembëruara apo fals të çonte edhe në mjedise të caktuara politike në kryeqytetin shqiptar. Efekti negativ për imazhin e Shqipërisë i “scoop”-it të revistës “Diario” ishte fare i papërfillshëm nëse sajimi i saj qarkullonte e mbetej brenda opinionit të vendit tonë, veç bëhej ortek rënimtar kur kapërxente kufirin. Në rastin konkret ndërsa lajmeve për zbarkimet e njëpasnjëshme të skafeve që vinin me vërtik nga Vlora, nuk kishe çfarë t’u bëje, sepse përbënin një realitet, lajmit të fundit, mjaft të rrezikshëm për detonimin e marrëdhënieve mes dy vendeve, mund t’i dilej para për ta denoncuar.
Dhe në të vërtetë Tirana reagoi rrufeshëm, pa mbërritur ende edicionet kryesore informative të orës 20.00. Atë mbrëmje të 11 janarit Rai në të gjitha edicionet informative nuk dha asnjë njoftim të drejtpërdrejtë për Shqipërinë, ca më pak për të ashtuquajturën hyrje të Myrteza Çaushit në Romë. Heshti edhe sherbimi i tij i teletekstit. Lajmin nga Shqipëria e transmentoi në orën 20.05 vetëm Tg5, por fjalët e para të tij dukeshin të zakonshme: ishte thjesht përsëritja e një të vërtete të njohur, u përcoll fakti se edhe një natë më parë në brigjet italiane nuk kishte zbarkime dhe se kjo ndodhte për arsyen se mafien e klandestinëve e kishte bllokuar ajo italo-malazeze e cigareve. Ndërsa këtë gjë po e shpjegonte para kamerës një njeri që nuk e tregonte fytyrën, telefolësi kaloi menjëherë e gati në mënyrë të befasishme në dhënien e lajmit për Çaushin.
Madje spikeri ishte i sigurtë se ky i fundit Vitin e Ri kishte qënë në Itali. Fjalët e shqiptuara kishin ton të lartë e gati thirrës: “...Një muaj më parë kishte zbarkuar edhe një klandestin i bujshëm, Myrteza Çaushi, ose më mirë i quajturi Zani, kryetar i një bande shqiptare që gjatë revoltës së vitit 1997 bënte ligjin në Vlorë (këtë çast u dhanë sekuencat ku Zani tregohej gjysëm lakuriq e duke qëlluar në ajër me një mitroloz kundërajror). Mund ta shihni tani (u transmentuan sekuenca të filmuara) tek shoqëron ish-kryeministrin Prodi gjatë vizitës së tij në Shqipëri apo tek shkon të votojë i veshur me smoking (vijoi sekuenca e Zanit tek votonte në Vlorë në 1997). Në një anketë që do të botohet nesër në “Il Diario” zbulohet se Zani, tani nën një proçes gjyqësor, gjatë pushimeve të Vitit të Ri është parë në Romë. Qëllimi i vizitës së tij të shpejtë: organizimi i bandave të shpërndarësve të drogës dhe shfrytëzuesve shqiptarë të prostitucionit e shndërruar në një organizatë të fuqishme kriminale. Emigrantë shqiptarë në kryeqytetin italian betohen se e kanë parë Zanin në Romë, por të gjitha burimet e shërbimeve sekrete italiane e përgënjeshtrojnë këtë gjë. Ministria shqiptare e Drejtësisë thotë se Zani është mbyllur në burgun 313 në Tiranë. Por a është e vërtetë?”
Rreth këtij lajmi reagoi të nesërmen edhe një pjesë e shtypit italian. “La Stampa” botoi shkrimin e shkurtër “Zani në Romë? Tirana përgënjeshtron”. Mbititulli kishte fjalët “Banditi i Vlorës është në burg”. Në të u fol se një anketë e botuar në “Diario” thotë se Myrteza Çaushi ka qënë në Romë. Një deputet i rëndësishëm roman i partisë opozitare të Forca Italia, nënvizonte e përditshmja e madhe italiane, kishte reaguar menjëherë e pati thënë: “Në rast se lajmi është i vërtetë bëhet fjalë për një fakt të rëndë, të cilin autoritetet është mirë ta verifikojnë se nuk duam që Roma të bëhet një “qytet i hapur” për ata që predikojnë dhunën”. Më pas në shkrim citohej ministri shqiptar i Drejtësisë, i cili e kishte përgënjeshtruar: “Zani është i mbyllur në qelinë e tij të burgut të Tiranës dhe e vetmi rast që ka lëvizur është ai i transferimit të tij në spitalin e burgut për motive shëndetësore”.
Në mëngjezin e 12 janarit ishte “La Repubblica” ajo që shkruante më gjatë.
Artikulli “Banditi Zani në Romë për të koordinuar mafien”, përveç një deklarate të drejtorit të përgjithshëm të burgjeve shqiptare se Zani më 31 dhjetor 1998 kishte qënë në spitalin e burgut, në “Diario” shfaqej deputeti i opozitës dhe ish-ministri shqiptar i drejtësisë Spartak Ngjela, i cili nuk ishte i bindur “që Zani nuk ka qënë në Romë”. Gazeta nënvizonte se Ngjela ishte eksponent politik i një partie të afërt me Berishën dhe sipas tij “Zani është i lirë të dalë e të hyjë në burg sa herë të dëshirojë”. Madje Ngjela i pati thënë gazetarit se “Zani është krahu i armatosur i socialistëve”.

Paraditen e 12 janarit radio dhe televizioni italian ranë në heshtje të plotë. Pseudolajmi për Zani Çaushin ishte dëbuar e shkrirë si bora në diell.
Po këtë ditë, pa mbërritur ende dreka, Ambasadën Shqiptare në Romë e mori në telefon studioja e programit “Porta a Porta”, e drejtuar nga gazetari i njohur Bruno Vespa. E vunë në dijeni se në orën 21.00 në program do të debatohej për mikrokriminalitetin në Itali, midis tyre edhe për atë shqiptar. Studioja kërkonte nga “vendi i shqiponjave” një grup emigrantësh të rregullt, prej të cilëve dy-tre vetë do të flitnin, kurse pjesa tjetër do të rrinin si spektatorë.
U muarrën me shpejtësi të gjitha masat dhe grupi në orën 21.00 ishte nën kamerat dhe projektorët e studios, por për fat të keq atyre nuk iu dha mundësia për të folur. Jo njëherë Vespa e të tjerë, të rrëmbyer nga ritmi i debatit dhe të papriturat që ndodhnin përgjatë tij, nuk i qendronin shumë besnikë skenareve të përgatitur më parë.
Megjithatë ajo që bënte ato ditë përshtypje më shumë ishte jo vetëm se si masmedia italiane tregonte vëmendje ngulëkëmbëse për valën e zbarkimeve të klandestinëve, por edhe përgjithësisht për mikrokriminalitetin shqiptar në territorin italian. Trondiste fakti se Shqipëria mbahej e varur në axhendën urgjente të makinës së stërmadhe informative apeninase njëherësh për Kosovën, për gjoja një diversion të Myrteza Çaushit, për zbarkimet në brigjet e Pulies dhe për mikrokriminalitetin. Një vënieje të tillë në shenjë ishte peshërendë për imazhin e vendit tonë dhe jo e përballueshme për strukturat e brishta të shtetit shqiptar. Nuk dukej se ishte e favorshme edhe për situatën e brendshme delikate, kur përballë ngjarjeve që po ndodhnin në Kosovë, kërkohej jo vetëm kompaktësim i mirëkuptimit mes partive të ndryshme politike, por edhe forcim i rendit publik. Ishte e provuar disa herë se masmedia italiane, tepër e ndjekur përtej Adriatikut, ndikonte edhe në nivelin e qendrueshmërinë së Shqipërisë.
Nuk duhej hequr nga vëmendja po ashtu se e gjithë kjo bëhej vetëm pak ditë para se në Romë të bënte vizitën e tij Pandeli Majko. Ishte i gjallëruar dyshimi se pas këtij rëndimi kritikash kundër Tiranës kishte edhe influencë të disa qarqeve gazetareske, të cilat të lidhura me nostalgji të vjetra me sllavët, tani që kishte nisur dueli i tyre me shqiptarët përgjonin çdo rast për të mëshuar tej mase çdo lajm negativ që vinte nga Shqipëria. Ky koordinim i furisë mediatike me pragvizitën e kryeministrit shqiptar mund të vinte edhe nga segmente të caktuara të administratës apo stafeve të ngushta të politikanëve të veçantë italianë që kishin për parim rritjen e efektit të epërsisë së Romës mbi Tiranën.

Sidoqoftë atë pasdite të 12 janarit, edhe pse vagëllimthi, rinisi cikli i lajmeve me sens pozitiv. Protagonistët ishin skafistët. Teletekstet e Rai-t dhe të Mediaset-it në orën 21.02 nxuarrën mbi ekran gërmat elektronike: “Shqipëri: Ligj kundër gomoneve për të kufizuar trafikun e klandestinëve”. Lajmi vijonte: “Tiranë: Një komision parlamentar shqiptar aprovoi ligjin për kufizimin e gomoneve, njërit prej instrumentave për të luftuar trafikun e klandestinëve. Pasnesër teksti do të kalojë në parlament për miratimin përfundimtar. “Komisioni ka bërë ligjin më të ashpër-tha kryetari-por të mos kemi iluzione. E vetmja rrugë për të mbyllur trafikun e klandestinëve është liberalizimi i hyrjes së shqiptarëve në Itali dhe Greqi”.
Në orën 21.18 ky lajm në teletekstin e Rai-t pësoi një ndryshim shumë të shpejtë. Mbi të u ndërhy. Varianti i ri e në thelb për të njëjtën ngjarje përmbante edhe një shprehje të re: “Një nga ndryshimet e bëra nga komisioni dhe më kuptimploti është ai i lidhur me shpejtësinë maksimale për barkat, duke e ulur nga 40 në 20 milje në orë”. Ndërkohë ishin zhdukur fjalët e kryeparlamentarit shqiptar për nevojën e liberalizimit të hyrjes së shqiptarëve në Itali dhe Greqi.
Megjithatë u bë e qartë për të gjithë se miratimi i ligjit të ri antiskafist ishte edhe “dhurata” me të cilën kryeministri shqiptar po vinte në Itali. Në një farë mënyre ishte edhe “kushti” që ishte vënë tërthorazi dhe në kanale diplomatike që të realizohej e funksiononte mirë takimi D’Alema-Majko. Por ndërkohë ishte po ashtu edhe kundërmasa e shpejtë e kryeministrit të majtë shqiptar për të ndikuar në zbutjen e kritikave italiane ndaj qeverisë së tij. Gjesti i ngutshëm i Tiranës zyrtare duhej ta fikte njëherësh zjarrin e hedhur ndaj saj si edhe kundër Masimo D’Alemës nga opozita e vendit të vet. Ngjarjet që po zhvilloheshin në Kosovë nuk i lejonin asnjerës palë në Romë dhe në Tiranë komoditetin për t’i patur duart të zëna me çështjen e trafiqeve të klandestinëve, ndërsa nën zë flitej se për fat të keq do t’i kishin shumë shpejt të përveshura gjer në bryl për përballimin e një vale të madhe refugjatësh kosovarë.

Më 13 janar parlamenti shqiptar bëri një mbledhje të jashtzakonshme. Shtysa e tij, sipas fjalëve që qarkullonin nëpër korridoret e Kuvendit Popullor, ishte kryeministri Pandeli Majko, i cili sipas të gjithë vëzhguesve politikë dëshironte të shkonte në Romë të nesërmen për t’u takuar me Masimo D’Alemën me nën sqetull dosjen me ligjin për kontrollin e skafeve. Të nesërmen e kësaj mbledhjeje, ndërsa kreu i qeverisë ende nuk i kishte hipur avionit special Çarter, të vënë në dispozicion nga pala italiane e që do të ulej në aeroportin roman të Çampinos, një ndër të përditshmet më të mëdha të vendit, “Gazeta Shqiptare”, shkruante ftohtësisht se “Lufta ndaj klandestinëve është edhe një nga kërkesat e Qeverisë italiane ndaj asaj shqiptare, duke kushtëzuar kështu edhe mbështetjen politike dhe ekonomike për shqiptarët e varfër”.
Por në parlament atë 13 janar jo çdo gjë kishte shkuar qetësisht, edhe pse Majko kishte mohuar çdo zë që përfliste se ligji po kalonte me ngut për shkak se për të kishte bërë presion Roma dhe se ai në të vërtetë ishte edhe kushti kryesor i realizimit të takimit të tij me D’Alemën. Sapo nënkryetari i parlamentit e deklaroi seancën të hapur shpërtheu debati. Dy deputetë me autoritet në opinion ngulën kembë se ajo seancë parlamentare po zhvillohej duke shkelur Kushtetutën. Sipas argumentimit të tyre ligjor Kuvendi mund të mblidhej vetëm pas tre javësh nga fillimi i vitit. Drejtuesi i seancës shpjegoi se po sipas Kushtetutës parlamenti mund të mblidhej në sesion të jashtzakonshëm në rast se këtë gjë e propozonte Kryeministri i vendit, Presidenti apo një e pesta e deputetëve. Atëhere dy parlamentarët e revoltuar replikuan e u përgjegjën se ligji i gomoneve mund të miratohej edhe para Vitit të Ri, po ashtu mundej të votohej edhe vetëm një javë më pas. Për ta asgjë nuk do të ndryshonte përveç faktit se ligji po kalonte me nxitim, në një seancë në mënyrë absurde të jashtzakonshme, vetëm e vetëm që kryeministri Majko t’i dorëzonte solemnisht në Romë një dhuratë politike homologut të tij italian. “Nuk mund të ulet kështu dinjiteti i parlamentit!” shqiptoi njeri nga dy deputetët kritikuesë. Ky, pasi kishte thënë këto fjalë peshërenda, deklaratën e tij e vijoi me një gjest edhe më kategorik: braktisi sallën në mënyrë demonstrative. Pas tij u largua edhe deputeti tjetër, i cili ishte edhe botuesi i “Koha Jonë” e zotërues i disa medieve elektronike.
Por atë ditë salla e parlamentit kishte edhe një rebel tjetër, ky me autoritet më të madh se dy të mëparshmit. Ishte Sabri Godo, vetë kryetari i Komisionit të Jashtëm të parlamentit. Godo kishte lënë të kuptohej se kishte patur shkelje të Kushtetutës, por nuk u largua nga seanca e Kuvendit. Bëri publikisht gjestin tjetër të fortë: nuk mori pjesë në votimin me ligjin antiskafist.
Megjithatë atë 13 janar ngulëkembja e Pandeli Majkos fitoi. Për ligjin e ri votuan në favor 79 deputetë të shumicës si edhe një prej opozitës. Seanca e jashtzakonshme e parlamentit shqiptar zgjati vetëm tre orë.
Vetëm pak orë më pas, me një stil që nuk ishte i zakonshëm për Presidentin e Republikës Rexhep Meidani, ligji i ri u dekretua edhe prej tij, duke u bërë veprues po brenda asaj dite të sforcuar: 13 janarit.
Ose një gjysmë dite më parë se kryeministri të nisej për në Romë.


................

Më 13 janar të vitit 2000 udhëtonin drejt Brindisit dy avokatë italianë. Quheshin Xhuzepe Bafa dhe Françesko Perrota. I pari ishte një arbëresh i njohur, të paktën që atë çast kur studioja e tij në Kozenca mori përsipër mbrojtjen e palës shqiptare në ngjarjen e tragjedisë së Otrantos, ndodhur të Premten e Shenjtë të vitit 1997, 28 mars, ku u mbytën në përplasje me
anijen ushtarake italiane \\\\\\\"Sibilla\\\\\\\" mbi tetëdhjetë shqiptarë të hipur në anijen \\\\\\\"Kateri i Radës\\\\\\\". Xhuzepe dhe kolegu i tij Françesko shkonin për të marrë pjesë në seancën gjyqësore të rradhës.
Në teletekst thuhej se në aksident ishte plagosur edhe Mikelanxhelo Ruso, bashkëpunëtor i dy avokatëve.
Lajmi nuk u transmentua me fjalë apo figurë nga asnjë edicion kryesor lajmesh të televizionit italian, përfshi tre rrjetet kryesore kombëtare.
Në gazetat e asaj dite ishte e para \\\\\\\"La Repubblica\\\\\\\" që në rubrikën \\\\\\\"Shkurt\\\\\\\" e publikonte ngjarjen me titullin Taranto, 2 avokatët humbasin jetën\\\\\\\". Në mbititull rrinte dyfjalëshi që e kategorizonte ngjarjen si \\\\\\\"Aksident rrugor\\\\\\\". Në të njoftohej po ashtu se, ndërsa ishin nisur nga Kozenca, incidenti u kishte ndodhur një ditë më parë në superstradën Taranto-Grotalie.
Mes heshtjes së përgjithshme, e fundit që hapte një copëz hapësire sa për dy rradhë, ishte \\\\\\\"Il Messaggero\\\\\\\". Edhe ajo në rubrikën e saj informative \\\\\\\"Shkurt\\\\\\\".
(Por nuk heshtëte një gazetë e afërt me mjediset e djathta, \\\\\\\"La Nazione\\\\\\\". Me qëndër në Firence, ajo pak çaste se të humbte jetën avokati Xhuzepe Bafa dhe bashkëpunëtorët e tij, i kishte botuar këtij një intervistë. Ngjarjes tronditëse ajo i jepte titullin më gërmëmadh të faqes së saj të parë: \\\\\\\"Mallkimi i Sibilës\\\\\\\".
Pas këtyre fjalëve rënqethëse thërriste si kujë nëntitulli \\\\\\\"Vdes avokati i shqiptarëve. E kishte deklaruar \\\\\\\"Kam frikë për jetën time\\\\\\\".
Në brendësi të gazetës një treçerek faqe speciale për ngjarjen përsëriste që në krye të artikullit fjalët e dhimbshme \\\\\\\"Di sekrete, kam frikë\\\\\\\": vdes njeriu i çështjes Sibila\\\\\\\".
Ndërsa ishte në jetë, vetëm njëzetë e katër orë më parë se makina, që nxitonte drejt Brindisit të delte papritur nga rruga dhe të përplasej, Xhuzepe Bafa, kryetar i Urdhërit të Avokatëve të qytetit të Kozencës, i kishte shqiptuar intervistuesit se kishte frikë mos e vrisnin!
Arbëreshi kishte deklaruar se anija italiane \\\\\\\"Sibilla\\\\\\\" atë natë të lemerishme të 28 marsit 1997 kishte shkelur ligjet ndërkombëtare detare dhe i ishte afruar më shumë nga sa i lejohej anijes shqiptare. Madje pati thënë se njerëzit e anijes ushtarake italiane as që ishin munduar të shpëtonin shqiptarët që po mbyteshin. Vetëm pak nga ata që ishin mbi kuvertë ja dolën fizikisht dhe notuan drejt luftanijes.
Në rradhët e fundit, në një përpjekje për të qënë edhe brenda por edhe duarjashtë këtij denoncimi shungullues, gazetari me emrin Xhovani Morandi shkruante se familjet e viktimave ishin shprehur me fjalët e dëshpëruara \\\\\\\"Bafa ishte e vetmja edhe e fundit shpresë jonë...Tani le të jenë të kënaqur\\\\\\\". Ai vetë mendonte se incidenti i daljes nga rruga dhe i përplasjes kishte ndodhur ose nga asfalti i lagur prej shiut të asaj dite ose thjesht nga shpejtësia e madhe me të cilën po e ngitnin makinën.

Cikli i katër shkrimeve të \\\\\\\"La Nazione\\\\\\\" u mbyll më 17 janar. I fundit mbartëte me vete titullin e thekshëm \\\\\\\"Çështja Sibila, provat nuk kthehen\\\\\\\". Në të vihej në dukje se prokurori i Brindisit Leonardo Leone De Kastris ngulte kembë se provat materiale të admiraliatit italian ishin të çensuruara dhe në to ishte ndërhyrë. Kështu ai deklaronte se nga një cikël fotosh të një filmi dy prej tyre ishin prerë, se po ashtu ishte ndërhyrë në pjesën e filmuar të ngjarjes, të cilën e kishte kryer një marinar i Sibilës. Gjithnjë sipas prokurorit të Brindisit De Kastris në film ishin lënë vetëm 6 sekonda pamje dhe më pas, në shirit, kishte vetëm errësirë.
Ndërhyrje prej zyrave të admiraliatit, i përgjigjej ai gazetës \\\\\\\"La Nazione\\\\\\\", ishte kryer edhe në regjistrimet e zërave e urdhërave të dhëna para, gjatë dhe pas incidentit. \\\\\\\"Zërat më parë ishin të pastër dhe më vonë u janë futur zhurrma\\\\\\\", deklaronte prokurori.
Po kështu autori i shkrimit, Morandi, ngulte kembë se sipas Leonardo Leone De Kastris të dy admiralët që u muarrën në pyetje kishin prirjen për t\\\\\\\'iu shmangur përgjigjeve të drejt për drejta dhe se përjashtonin përgjegjësinë e tyre.
Gazetari shtonte se kishte ndodhur edhe një fakt tjetër, të cilën për nga rëndësia e zbardhjes së tragjedisë së Otrantos të 28 marsit 1997, e konsideronte me vlerën e \\\\\\\"perle\\\\\\\". De Kastris i pohonte se admirali Bateli në ditët pas mbytjes kishte mbledhur oficerët që ishin në çentralin operativ ditën e incidentit dhe u kishte dhënë direktivat se si duhej të vepronin më pas.
Por ndoshta \\\\\\\"perla\\\\\\\" ishte zbuluar një ditë më parë, 16 janar, kur në \\\\\\\"La Nazione\\\\\\\" kapiteni i marinës italiane Anxhelo Luka Fosko kishte pohuar atë që për tre vjet me rradhë asnjë oficer i lartë italian nuk donte ta shqiptonte dhe për të cilën gjë dyshohej: anija italiane Sibila kishte marrë urdhër t\\\\\\\'i afrohej Katerit të Radës deri në takim fizik. Kjo donte të thoshte \\\\\\\"gjer në përplasje\\\\\\\").

Version i printueshem
Faqja paraardhese

Kontakt: ylli@yllipolovina.com © 2007-2017 yllipolovina.com Webmaster: taulant@topciu.com