|
Populli ndryshe apo Diamantë të pagdhendur?
(Letër personale, 28 janar 2018)
E nisa nga titulli, pasi më pëlqen më shumë i dyti, ndonëse me të drejtë ju e keni plotësuar nën të me \"Udhërrëfyes për shqiptarët\", gjithashtu shumë e gjetur. Madje nuk kam parë deri tani ndonjë libër me këtë titull (udhërrëfyes për italianët, bullgarët etj).
Në libër e gjen veten çdo bashkëkombas, sidomos sot kur gëlonë diskutimet mbi gjendjen politike, ekonomike dhe morale tonën. Shumë syresh e nxijnë realitetin, ngjallin pesimizëm të skajshëm, shumë pak frymëzojnë për mirë.
E di që je ndihmuar shumë nga burimet e deritanishme (Rilindasit, Konica, Mit-hati, Ҫabej, Kadare, etj) por edhe për këtë nuk është e lehtë të qëmtosh,. Mund ta bëje ti që ke shkruar edhe më parë, që ke tërë atë horizont njohurish dhe aftësish letrare.
Libri është një sprovë e vërtetë filozofike, psikologjike, sociale, historike. Ai ngërthen një larmi konceptesh, kategorish sociale, temash. Dhe e gjitha kjo brenda vëllimit të një libri xhepi! Sa vështirë ta bësh atë!
Duke lexuar përmbajtjen, të miratoj në shumicën e saj. Kur i referohesh \"Mosmarrëveshjes\" së Kadaresë, më vjen ndërmend dhe \"Marrëveshja\" e Sabri Maxhunit- Novosellës. Ky e kundërshton të parin, duke përmendur plot e përplot marrëveshje që shqiptarët kanë lidhë ndër vedi edhe para Skënderbeut edhe në vijimësi, kur e kanë dashur interesat e kombit. Unë i jap të drejtë atij. Sepse kujtoj jo vetëm Lidhjen e Lezhës, por dhjetëra kryengritje gjatë pushtimit otoman deri në ato të fillim - shekullit XX kur ato tubuan deri në 60 mijë luftëtarë, por edhe ato të viteve 20 e më pas.
Shoqëritë patriotike dhe partitë politike u përqafuan edhe nga shqiptarët, për të cilët Fishta thosh se është e vështirë t\'i mbledhësh. Kjo karakteristikë, individualizmi, u është rrënjosur fort të huajve. Më thosh miku im, Astrit Leka, me banim në Gjenevë se autoritetet e atyshme nuk besonin se mund t\'i mblidhte bashkë në shesh disa mijëra shqiptarë të Zvicrës. Por Astriti i mblodhi dhe i mbledh çdo vit në sheshin pranë bustit të Skënderbeut pranë liqenit të Gjenevës dhe jo larg zyrave të OKB atje.
Njëjtë ndodh në Gubbio të Umbrias ku ndodhet një mauzele i thjeshtë i ish mbretit Gent, çdo vit aty mblidhen dhe japin shfaqje shqiptarët që banojnë në Itali.
Varfëria dhe zhgënjimi nga drejtuesit qeveritarë i bën, mbase, ata në Shqipëri e Kosovë të mblidhen vetëm në raste protestash të opozitës që nganjëherë bëhen të dhunshme, por indiferentë në votime.
Shumë vetë shprehen se shumë virtute të shenjta si besa, respekti ndaj femrës, mikpritja etj janë bjerrë. Por kjo mbase është vetëm në dukje. Shqiptarët nuk shtiren, sikurse bëjnë të huajt, nuk e kanë atë politesën franceze, por ama janë mirënjohës dhe besnikë. Më thosh, para shumë vitesh, një profesoreshë polake për studentët tanë atje, që në përgjithësi ishin të çrregullt në studim dhe sjellje në konvikt: Më dha fjalën filani se nuk do e përsëriste më një gjest dhune dhe vërtet e mbajti, gjë që ma vërtetoi atë që kisha lexuar për shqiptarët!
I dashur Ylli, të falemnderoj shumë për këtë libër të çmuar. Në se do përkthehet në gjuhë të tjera, ai nuk ka nevojë \"të mpaket\".
Përqafime, Bardhyli
Version i printueshem
Faqja paraardhese |
|
|