Ylli Polovina in italiano
VENDLINDJA KU JETOJ DHE PUNOJ QYTETI I DY VAJZAVE TË MIA
PUBLICITIKË

HAJRI HIMA LIBRI “AMBASADOR NË BALLKAN” I YLLI POLOVINES, KONTRIBUT I VYER PËR KOHËN
”REPUBLIKA E SHTATË”
“AMBASADOR NË BALLKAN”
“LOTËT E SORKADHES”, botimi i dytë
LOTËT E SORKADHES
Artikuj të tjerë .....



kërkoni në këtë faqe



S'AFËRMI
MIRËSEVINI

Populli ndryshe Udhërrëfyes për të njohur shqiptarët (Zylyftar Hoxha)


(Botuar në gazetën “Dita” në 21 janar 2018)

Nga pasqyra e lëndës

Shqiptari si Njësh, jo kolektivist
Vetëpërçarës më shumë se të përçarë prej të tjerëve
Solidarë pasivë, anarkistë prej koti
Krenarë, të krekosur apo mburravecë!?...
Pa dëshirë të dukshme për të njohur vetveten
Shumë nder, por më pak ndershmëri
Mikpritës, sepse janë mikpëlqyes
Punëdashës dhe...pak bujarë
Konfliktualë herë pas here
Pak intrigantë, më shumë hakmarrës
Kafenexhinj, jetojnë në një shoqëri kuturu
Jo të varfër, por të varfëruar
Të zgjuar? Megjithatë, jo të mençur
Familja, shteti i vërtetë i shqiptarëve
Artistikë së brendshmi, krijues së jashtmi
Gojëtarë, të bukur; femra shqiptare, një surprizë
Ballkanas mirëfilli, arbëreshë të përjetshëm
Euroshqiptari i sotëm
Zylyftar Hoxha

Këto ditë doli nga shtypi libri “Populli ndryshe” i publicistit dhe studiuesit të njohur Ylli Polovina. Ky libër vjen si një “mbushje”, si një plotësim i librit të tij “Shqiptarët, diamantët e pagdhendur” të botuar katër vjet më parë, ku siç dihet, duke iu referuar shumë autorëve të huaj dhe vendës, ai bën një tipizim të shqiptarit. Por siç ndodh shpesh, që, pasi del libri, shumë autorë, pasi ndeshen me fakte dhe dokumente të reja edhe më bindëse dhe më të forta, bëhen pishman që janë “shpejtuar”.
Natyrisht edhe Yllit kështu i ka ndodhur, ndaj ai me sinqeritet i drejtohet lexuesit nëpërmjet parathënies: “Pa dashje, kërkoj ndjesë, bëra një gabim. Harrova për t’u këshilluar dhe cituar në librin tim librin e Mit’hat Frashërit, “Shqiptarët”, shkruar në Lozanë të Zvicrës në 1919. Ky botim më ra në dorë vonë, ndërsa imi qe ndërkohë publikuar, pendim që mbetet njëra prej arsyeve përse i hyra shkrimit të këtij udhërrëfyesi”.
Dhe puna nxjerr punën. Libri i ri, nuk është shtojcë e të parit, por është një libër xhepi, me një koncept të ri, më të thellë, më të qartë për shqiptarin ( “homo albanicus).
Tashmë, pothuaj katër mote më pas nga botimi “Shqiptarët, diamantët e pagdhendur”, ky libër i ri, me format xhepi, është një udhërrëfyes për të njohur veten e sidomos të për të na njohur sadopak të huajt, udhëtarë e turistë që vijnë shpesh e të shumtë, sipërmarrës ekonomikë dhe gazetarë, diplomatë me qëndrim në Tiranë, pse jo edhe të tjerë, të cilët mund të jenë thjesht kuriozë.
Nëpërmjet këtij libri praktik njohja sa më e mirë për identitetin e shqiptarit mund të shkojë më lehtë tek lexues të kombësive dhe popujve të tjerë, pranë të cilëve tashmë jetojnë dhe punojnë qindra mijëra prej nesh, një diasporë pothuaj sa një e treta e etnisë që ka mbetur në trojet e saj të vjetra.
Duke u njohur sa më mirë, me defektet dhe vlerat tona, shmangim keqkuptimet për “homo albanicus”, për fat të keq, ende të mëdha dhe shpesh të padrejta. Në fund të fundit ne jemi këta që jemi dhe as zyrat kryesore të Evropës dhe të bashkësisë së saj nuk kanë pse të na shohin si të pandreqshëm dhe as emisarët politikë të Tiranës që shkojnë e vijnë nga Brukseli, të mos justifikohen nëpërmjet idealizimit tonë.
Doemos me këtë libër do të kini në dorë një zhvillim të variantit të publikuar në 2014, një plotësim dhe pasurim të dukshëm. Një rikrijim.

SHQIPTARI

Identikit i shpejtë i “homo albanicus” dhe...

Sipas çfarë kanë shkruar të huajt*), një pamje e shpejtë e shqiptarit rezulton kështu: trupmezatar në jug të trojeve të tij e shtatlartë në veri; i fortë fizikisht; tradicionalisht i bardhë; plot vitalitet; energjimadh, por më së shumti këtë fuqi e harxhon pa largpamje; mjaft i shkathët për t’iu përshtatur mjedisit gjeografik dhe atij historik; ka kultin e mikut; është natyrë intuitive, po ashtu temperament i zhurmshëm; i ngjan vetja sikur është krijuar nga Zoti që ta dinë të gjithë që ekziston dhe duhet ta përfillin; zakonisht fjalën e fundit e thotë të parën, etikën e sjelljes publike e nënvlerëson; natyrë vetëmburrëse; kryeneç; vetjak shembullor; ndjek rrugën e shkurtër; ëndërron pak; ka pasion të veçantë për armën; e adhuron fjalën; pëlqen dhe beson imponimin, jo marrëveshjen; është në mosmarrëveshje të gjatë me shtetin e tij; dëshiron jetë të mirë; natyrë mjaft optimiste; zakonisht jeton me të shkuarën; si merita të para shqiptari nuk rreshton vlerat profesionale, por ato atdhetare; ka paaftësi alarmante për dialog dhe komunikimi me të është problematik; qeveris pak dhe sundon shumë; ka pak sedër sociale, por atë personale e ka me bollëk, shumë të lëndueshme.
Jo më kot Rëné Pinon, shkrimtar, historian dhe analist, në vitin 1911 shkruante se “Vetëm shqiptari, nga tërë popujt e Evropës, ka përshkruar historinë dhe ka mbetur i ngjashëm me vetveten”.
“Homo albanicus” me të vërtetë është një person ndryshe nga sa nëpër glob të ka rënë rasti të shohësh.

...një siluetë antropologjike e tij e portretizim i tillë është kryer prej një qendre të huaj kërkimore, e cila, çuditërisht, edhe pse aktive nëpër shtigjet e internetit, përpiqet të mos lërë shenjë identiteti që në të vërtetë është.
Sipas saj, lëkura e parashqiptarëve qe si një membranë e ngjeshur dhe e përthyeshme, e ngjashme me të një gjarpri. Janë si copëza, shkruan ajo, që lidhen në mënyrë të përsosur me njëra-tjetrën, duke u bërë kështu një masë e vazhdueshme dhe e njëllojshme, e pandashme.
Sytë e tyre, vijon, pothuaj përherë qenë të zinj, me bebëzën gati të padallueshme. Mjaft rrallë ata kanë ngjyrën gri, blu të errët apo edhe gështenjë.
Ky portretizim shkon më tej, kur qendra e huaj studimore tepër misterioze thotë se trupi i një parashqiptari ishte shtatulët dhe i hajthëm, me këmbë pak më të shkurtra se përmasa e zakonshme e çdo qenie njerëzore. Muskujt i kishin jo shumë të zhvilluar si në vëllim ashtu edhe në dendësinë fibrore. Ajo vëren se kjo karakteristikë e fundit dallohet edhe tek shpejtësia e veprimit të tij, tek forca e rezistencës, tek aftësia për të koordinuar.
Me gjithë këtë, vëzhgon kjo qendër e huaj, këta zotëronin një aftësi të madhe ndjeshmërie me anë të senseve, e cila qe shumë e mirë në të gjitha drejtimet. Sipas saj, ata kishin si dhunti aftësinë për të reaguar mjaft shpejt. Po ashtu zotëronin një karakteristikë të përbashkët: përshtatjen e shkëlqyer me mjedisin armiqësor, duke filluar me temperaturat, sasinë e oksigjenit, qëndresën ndaj helmimeve.
Ndërkaq Zhak Burkar (Jacques Bourcart), me vite jete periudhën 1891-1965, mendon se antropologjikisht “Shqiptarët janë hiperbracefalë, me një shtat shumë më të lartë nga mesatarja, ata vijnë në Evropë pas skocezëve. Flokët dhe sytë e zinj janë karakteristike për një shumicë të gjerë, lëkura e lëbyrtë, e zeshkët, mjekra dhe mustaqet të rralla, muskulatura e hollë. Hunda përgjithësisht e drejtë, mjaft herë e kërrutë, koka relativisht e vogël. Këto cilësi i përqasin shumë me malazezët, me boshnjakët dhe me hercegovinasit, madje edhe me popullsitë greke që jetojnë në perëndim të Pindit”.
Profesori Ëzhen Pitar (Eugene Pitard), i shumënjohur si mik i palodhur i shqiptarëve, ka përshkruar këtë pamje antropologjike të “homo albanicus”: “...shumë mund të thuhet se toskët, sidomos ata të fushave, janë me trup më të shkurtër se gegët, tipa leshverdhë, sytë e çelët janë më të shpeshtë; ndoshta kanë mbetur këtu gjurmë të pushtuesve sllavë, si edhe përzierje me popullsitë rumune përherë shtegtare”.
Ndërkohë dijetari bashkëkombës, Ibrahim Kelmendi, që në vitet pesëdhjetë të shekullit të shkuar u përpoq të përhapë në vendet e Perëndimit një imazh karakteristik të parashqiptarit, konkludon se ata qenë shtatlartë, me muskulaturë të pakët, me inteligjencë të dukshme, plot energji dhe luftëtarë mjaft të mirë. Flokët dhe sytë zakonisht i kishin të zinj.
*) Pjesë nga libri “Populli ndryshe”




Version i printueshem
Faqja paraardhese

LIBRAT

Libra të tjerë .....

LIBRI I FUNDIT
Image Title Here




LIBRA TË TJERË
Kontakt: ylli@yllipolovina.com © 2007-2017 yllipolovina.com Webmaster: taulant@topciu.com