Ylli Polovina in italiano
VENDLINDJA KU JETOJ DHE PUNOJ QYTETI I DY VAJZAVE TË MIA
PUBLICITIKË

HAJRI HIMA LIBRI “AMBASADOR NĖ BALLKAN” I YLLI POLOVINES, KONTRIBUT I VYER PĖR KOHĖN
”REPUBLIKA E SHTATĖ”
“AMBASADOR NĖ BALLKAN”
“LOTĖT E SORKADHES”, botimi i dytė
LOTĖT E SORKADHES
Artikuj të tjerë .....



kërkoni në këtë faqe



S'AFËRMI
MIRËSEVINI

SKËNDERBEU DHE RIZGJIMI I AMBASADORËVE SHQIPTARË NËPËR BOTË




(Botuar në gazetën online “Shqip” në 24 janar 2018)

Në 17 janar të këtij viti, në ditën e përkujtimit të 550 vjetorit të Skënderbeut dhe çeljes zyrtare të Vitit të tij, ndodhi një ngjarje, e cila duhet bërë këmbëngulje të mbesë sa më dukshëm në kujtesën e kombit. Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama i kishte bërë, nëpërmjet Protokollit të Shtetit, një ftesë për pjesëmarrje në festime njërit prej pasardhësve të Gjergj Kastriotit, Giorgio Maria Castriota Scanderbeg (Gjergj Maria Kastrioti Skënderbej), i cili jeton në Kazerta pranë Napolit.
Tekstin italisht të ftesës, hartuar dhe dërguar prej shefit të Zyrës së Protokollit të Kryeministrit, Thoma Frashëri, po ia bashkëngjitim këtij shkrimi. Ai mes të tjerash thotë se kryetari i Qeverisë do të ishte i nderuar ta ftonte në Tiranë “me rastin e 550-vjetorit të jetëhumbjes së Stërgjyshit tuaj”.
Kështu më në fund, pas një mundimi të madh për të thyer një bllokadë kontaktimi dhe njohjeje që i qe bërë për afro një gjysmë shekulli nga periudha politike e realkomunizmit, pranohej me shkrim kjo përkatësi.
Duhet thënë se pesë vite më parë një gjest të tillë emancipues e pati kryer nënkryeministri dhe ministri i Jashtëm Edmond Haxhinasto, duke e pritur në zyrën e tij Gjergj Maria Kastriotin. Ai përfaqësonte qeverinë Berisha.
Ministria e Jashtme, duhet theksuar, ka qenë në pararojë të institucioneve qendrore të Shtetit tonë, që ka ndihmuar dhe mbështetur këtë mision kombëtar.
Mospranimi dhe refuzimi kokëfortë ka qenë një e metë e madhe e dëshirës, por edhe e paaftësisë profesionale, për të kuptuar se, duke i bërë pengim pasardhësve falsë të pasardhësve të Skënderbeut, të cilët në Itali janë më të shumtë dhe njeri prej tyre kërceu deri edhe në postin e Sekretarit të Përgjithshëm të kryeministrit shumë inteligjent dhe mik i vendosur i shqiptarëve, Xhuliano Amato, u duhej hapur rrugë sa më shpejt të vërtetëve.
Një keqkuptim, më shpesh i qëllimtë, e ka vështirësuar këtë pranim historik. Siç dihet, pas vdekjes së Skënderbeut në 17 janar 1968, në fund të prillit të këtij viti bashkëshortja Donika emigroi, bashkë me të birin rreth të katërmbëdhjetave, në Itali, ku kishin dy prona të falura prej mbretit Alfons, aleatit të tij të parë, strategjik siç i thonë me gjuhën e sotme. Prej fëmijëve të Gjonit njëri mbijetoi fuqishëm dhe ky ishte duka Ferrante Castriota, sundimtar i qytezës së Galatinës. Prej fëmijëve të tij martesorë mbeti e gjallë dhe aktive Jerina, vajza, e cila u martua me një familje të spikatur fisnike të Italisë së Jugut. Sipas tërë rregullave që ka e drejta e trashëgimisë ligjore jo vetëm në Shqipëri (ku njihet vetëm ajo në gjak mashkullor), këtë çast zyrtarisht u quajt e fikur rrjedha e familjes së Skënderbeut.
Mirëpo pikërisht këtu ndodhi edhe ajo, të cilën mund ta quajmë një mrekulli. Duka Ferrante lindi disa fëmijë të tjerë jashtëmartesorë, por të cilët i trajtoi me tituj fisnikërie, dhënie pronash dhe prikash, i mbante në krah dhe i delegonte. Kjo atë kohë qe dukuri e përhapur dhe e lejuar, sepse edhe mbreti i Napolit, Ferrante, ishte bir jashtë martese i Alfonsit dhe për disa kohë Papa, i cili pati të drejtën e dhënies së titullit të Mbretit, hezitoi. Pra Kastriotët e rinj jashtëmartesorë, në këtë moment liberal, morën autoritet dhe çdo të drejtë përfaqësimi të derës dhe stërgjyshit të tyre.
Për fat nipi i Skënderbeut, duka Ferrante (pati marrë emrin e mbretit të Napolit) lindi shumë djem dhe nëpër dekada e madje shekuj, këta sërish shumuan mjaft meshkuj. Më në fund në fillim të shekullit të shkuar të paktën dy prej këtyre degëve nuk u fikën dhe qenë aktivë. Degën e Napolit, të cilën e përfaqëson Gjergji Maria Castrioti, e ka njohur qeveria italiane dhe institucioni i tij i pranimit të titujve të fisnikërisë që afro një shekull e një çerek më parë. Filipo, pasardhësi i atyre i çasteve, i dërgoi telegram urimi për shpalljen e Pavarësisë Ismail Qemalit, ai dhe të tjerë Kastriotë qenë shumë aktivë në të gjitha veprimtaritë e mbrojtjes së Shqipërisë së porsalindur. Ahmet Zogu i ftoi Kastriotët e Napolit dhe i priti për festën e pavarësimit si edhe martesën e tij. Komunistët e ardhur në pushtet menjëherë kanë ngurrim t’i kontaktojnë dhe gjer në vitin 1957, ku kemi gjetur një dokument, i citojnë si miq të vendit, pastaj i blokuan. Arsyet nuk i shpjeguan kurrë, por ky qe një rast i favorshëm për antikomunistët atdhetarë dhe të ditur si Ernest Koliqi në Romë dhe Lec Shllaku në Paris që t’i mbajnë afër.
Pas rënies së diktaturës i pari që i rinxorri në vemendjen e opinionit tonë publik qe regjisori i Televizionit Shqiptar Namik Ajazi, i cili bëri një dokumentar nga trashëgimtarët e degës së Napolit. Ndërkaq në fillim të vitit 1998 e vijojnë njëkohshëm këtë interesim botuesi i vogël italian Kostanco D’Agostino si edhe një studjues, i cili ka shkruar posaçërisht dy libra të plotë shpjegues.
Ndërkohë në Tiranë u reshtuan në këtë nismë edhe intelektualë të tjerë, media veçanërisht, drejtoritë e Arkivave të Shtetit dhe e Muzeut Kombëtar, në një rast dëshmoi hapje të emancipuar edhe Akademia e Shkencave...Dhe siç shkruam në krye të këtij shkrimi shkëlqimi i takon Ministrisë së Punëve të Jashtme, mes tyre edhe emrave të ambasadorëve Pandeli Pasko, Pëllumb Xhufi, Flamur Gashi, Roland Bimo dhe Llesh Kola.
Në mbështetje të kësaj tradite, në Itali, si provë vijimësie pozitive, po ju bashkëngjisim një foto të ambasadores së tanishme Anila Bitri Lani, bërë këtë 19 janar para monumentit të heroit tonë kombëtar në Piazza Albania në Romë, me Paolën, njëra nga tre përfaqësuesit pasardhës të Skënderbeut në degën e Leçes.
Pra, duke besuar se një lloj thelbi të kësaj historie të ngatërruar, ia përcollëm lexuesit, ky 2018, Viti i Skënderbeut, do të mund t’i frymëzojë kudo ambasadorët tanë nëpër botë që të përcjellin këtë kumt të madh: Shqipëria njohu pasardhësit e Gjergj Kastriotit, të cilët edhe pse janë pasardhës natyralë, pra vetëm në gjak dhe jo në të drejta trashëgimie prone, posti dhe titulli (të cilën e deklarojnë edhe vetë), përfaqësojnë një trashëgimi dhe pasuri të madhe historike dhe kulturore.

Ylli Polovina

Tiranë, më 23 janar 2018

Version i printueshem
Faqja paraardhese

LIBRAT

Libra të tjerë .....

LIBRI I FUNDIT
Image Title Here




LIBRA TË TJERË
Kontakt: ylli@yllipolovina.com © 2007-2017 yllipolovina.com Webmaster: taulant@topciu.com