|
Foto: .jpg | LIBRI I RI I YLLI POLOVINËS “POPULLI NDRYSHE”
(Botuar nè gazetèn “Illyria”, “Shqip”, “Tema”, “Dita”, “Gazeta Shqiptare”...
Pasi në vitin 2014 Ylli Polovina botoi librin “Shqiptarët, diamantët e pagdhendur”, e vijoi atë me një pjesë të re, plotësuese, çfarë këto ditë e paraqiti nëpërmjet librit “Populli ndryshe”.
Nëntitulli është ”Udhërrëfyes për të njohur shqiptarët”. Me 152 faqet e tij ky botim ka përmasat e një “libri xhepi”, shumë praktik për t’u mbajtur me vete dhe shfletuar gjatë udhëtimeve.
Në hyrje autori shpjegon se “Duke u njohur sa më mirë, me defektet dhe vlerat tona, shmangim keqkuptimet për “homo albanicus”, për fat të keq, ende të mëdha dhe shpesh të padrejta. Në fund të fundit ne jemi këta që jemi dhe as zyrat kryesore të Evropës dhe të bashkësisë së saj nuk kanë pse të na shohin si të pandreqshëm dhe as emisarët politikë të Tiranës që shkojnë e vijnë nga Brukseli, të mos justifikohen nëpërmjet idealizimit tonë”
Mes 53 temave që Polovina trajton me stil tërheqës dhe lakonik, janë edhe “Protagonizmi individualist”, “Shqiptari si Njësh”, “Vetëpërçarës më shumë se të përçarë prej të tjerëve”, “Anarkistë prej koti”, “Pa hierarki vlerash”, “Krenarë, të krekosur apo mburravecë”, “Shumëfetarizmi”, “ Pluralistë të politizuar”, “ Shumë nder, por më pak ndershmëri”, “ Punëdashës dhe... pak bujarë”, “Optimistë”, “Të sertë, të vrazhdë apo të egër?”, “Fare pak etikë”, “Paqësorë”, “Jo vëllavrasës”, “Pa dëshirë për reformim”, “Pengues të njëri-tjetrit”, “Mosdialogues”, “Emotivë”, “Vendimmarrës”, “Gojëtarë”, “Ilirë”, “Ballkanas mirëfilli”, “Euroshqiptarë”, etj..
Fragmente
Pak intrigantë, më shumë hakmarrës
Faik Konica në revistën e tij “Albania”, nr. 4, 1907, ka shkruar se “Dëshira për hakmarrje është susta më e fuqishme e shpirtit të shqiptarit”. Në rast se kjo do të qe e vërtetë aq sa të konsiderohej si motivi i parë shtytës që “homo albanicus” ka në jetë, duke qenë i pasionuar pas armëve (pushkës së tij proverbiale), në trojet e veta do të kishin shpërthyer vazhdimisht luftëra vëllavrasëse. Po ashtu do të regjistroheshin viktima pa fund.
Ndoshta mund të thuhet se ndjenjën e marrjes hak ai e ka më të eksituar se tek një italiano-jugor apo një sardenjas, më të epërme se tek një grek, por kurrë në përmasë të atillë saqë mund të pëlqeje shpagimin me vdekje. Hakmarrjen shqiptari e përdor për t’u mbrojtur, asnjëherë për të sulmuar. Me të ai më tepër baraspeshon se kërkon epërsi. Gjakmarrja është shembulli më i mirë i mospërhapjes së këtij vesi, sepse marrjen hak kërkon ta kufizojë: më vrave një, të vrava një, hajde ta mbyllim!
Hakmarrja e shtrirë në të gjithë identitetin e “homo albanicus”, po të ekzistonte, do të kish bërë kasaphanë veçanërisht në trazirat e vitit 1997. Në duart e shqiptarëve atë kohë ranë afro tetëqind mijë armë, shumica automatikë kallashnikovë. Me gjithë disa fushata çarmatosjesh, në vitin 2013 llogaritej që ende të pa mbledhura nga shteti të kishte mbi njëqind mijë të tilla. Megjithatë sërish nuk ndodhi gjë. “Homo albanicus” nuk është intrigant, nuk e ka këtë as dëshirë dhe as zotëron aftësi (bizantine) për ta përdorur, siç në mënyrë të spikatur kjo energji negative gjendet tek popujt fqinjë. Në mungesë të kësaj aftësie, përherë për të përballuar rrethanat- grackë të jetës, shqiptari këtë mungesë e kompenson me një teprim të lehtë të hakmarrjes.
……
Të bukur
Kur në 20 nëntor 1912 e përditshmja e Triestes “Il piccolo” botoi një intervistë me Ismail Qemalin, i cili pas pak orësh do të nisej për në Shqipëri të shpallte mëvetësinë e saj, në pjesën hyrëse gazetari përshkroi se ai qe “një plak i hijshëm rreth të gjashtëdhjetave”.
Profesori Ëzhen Pitar (Eugene Pitard) ka shkruar për shqiptarët se përveç që popull i lashtë dhe aspak inferior, “është një nga racat më të bukura të Evropës dhe cilësitë e tyre morale, nga më të rrallat në lindje, janë të denja për bukurinë fizike”.
Mit’hat Frashëri theksonte se bukuria fizike e shqiptarëve qe befasuese.
Jemi një biopopull do të thosha, origjinal dhe ende i pastër fizikisht, kokëfortë pas identitetit të vet dhe autopëlqimit për të mos e pleksur fort trupin e vet me të shumtët e ardhësve dhe kalimtarëve të huaj që shkelnin trojet e tij. Shqiptarët janë aq “bio”, saqë serbët, ku një pjesë nuk kanë ndonjë simpati për ne, kërkojnë dhe martohen masivisht me vajza shqiptare.
Aq shumë e kemi kultin e bukurisë fizike, saqë ai politikan që nuk është mjaft i hijshëm të mos ëndërrojë kot se do të bëhet ndonjëherë i pari i tyre. Ja pse të hijshmit, pra edhe ata jo vetëm me tipare të bukura, por edhe me shtat të lartë, na kanë qeverisur, madje edhe shtypur pa u urryer shumë prej nesh. Diktatorin më të madh, Enver Hoxhën, ne e kemi pasur më të bukurin.
Version i printueshem
Faqja paraardhese |
|
|