|
MISTERI I PAMJES SË VËRTETË TË SKËNDERBEUT Pjesa II
(Botuar në “Shqiptarja.com” më 14dhjetor 2018)
Dhe çfarë ndodhi në Leçe të Italisë në mars 2013. Gjetja e skicave të portreteve të djalit të vetëm Gjon dhe të nipit Fereante.
Pjesa e dytë
A mori me vete Donika, kur emigroi në Itali, ndonjë pamje të të shoqit?
Nuk mund t’i afrohemi sadopak një lloj rezultati për pamjen reale të fytyrës dhe shtatit të Skënderbeut pa vëzhguar, si hipotezë, që ai ka qenë i “fotografuar”, pra i skicuar apo i pikturuar më parë se kjo të ndodhte në vizitat e tij në Itali.
Kalaja e Petrelës (përballë këshjellës së luftës, Krujës), ku ndodhej rezidenca e familjes Kastrioti, ishte tepër e përshtatshme të bujte udhëtarë e vizitorë të rëndësishëm nga Ballkani dhe eurokontinenti. Pse jo edhe piktorë.
Ndërkohë ne duam të besojmë, edhe pse pa e provuar dot, se kur Donika bashkë me të birin, Gjonin trembëdhjetëvjeçar, dhe disa vejusha, dy muaj pas vdekjes së të shoqit i hipi në portin e Durrësit galerës së dërguar posaçërisht nga mbreti Ferdinand i Napolit për të shkuar atje, me vete medoemos që pati marrë disa kujtime të familjes.
Askush nuk e di se çfarë konkretisht, sepse asnjë dokument nuk ka mbetur, por logjika ka të drejtë të funksionojë edhe sipas rregullit “nuk ka asnjë fakt, por ka siguri që ka ndodhur”.
Gjer tani flitet se që nga pasvdekja e Skënderbeut kanë mbetur e janë ruajtur dy libra të tij si edhe armët e luftës, të famshmet që ruhen në Vjenë. “Libri i Lutjeve”, i hamëndësuar se ka qënë dhuratë nga mbreti i Napolit, ishte sëbashku librin e Artit Ushtarak.
Përderisa morën edhe këto dy libra, ata, Donika dhe Gjoni, patjetër nuk e kanë lënë në Petrelë, Krujë apo Lezhë, doemos as në Shkodër, qytete këto të lira nga pushtimit turk, një pikturë apo skicë të Skënderbeut. Ky veprim ishte si ta dëshironin ta kishin të gjallë. Me pak fjalë, në rast se duhet të ketë ekzistuar një fiksim artistik i pamjes së Gjergj Kastriotit, do të qe e pakuptimtë e kundërta, lënia në vendin e përfshirë në luftë dhe pasiguri. Në fund të fundit ata dy po largoheshin pa ditur se një ditë do të riktheheshin patjetër, edhe pse një shpresë e madhe të ndodhte kjo e fundit e kishin dhe i mbajti të gjallë deri sa ndërruan jetë përtej brigjeve të Adriatikut, madje Donika në Spanjë.
Në kronikat italiane të kohës apo edhe në rrethin e ngushtë të mbretit Ferdinand të Napolit nuk është folur, për sa deri tani janë parë dokumentet, për ndonjë portret të Skënderbeut të ardhur nga Shqipëria. Po të kishte ndodhur kjo, ai krijim do të bëhej fillesa artistike e shumimit në Itali të vizatimeve të tjera të pamjes së Gjergj Kastriotit.
Apo ka qenë krijim i rëndomtë dhe kur Donika hyri në trualllin italian atje ndërkaq ishte bërë të paktën dy vite të shkuara, midis funddhjetorit 1466 dhe fillim marsit 1467 një pikturë e Skënderbeut, tepër cilësore. E ardhura nuk mund ta zëvendësonte, qoftë edhe për faktin se e pati zënë vendin e saj, njohur dhe pranuar.
Këtu hapet vend për të futur emrin e një piktori rilindas italian: Gentile Bellini (Xhentile Belini).
Nipi i shkathët dhe i vrazhdë
Në emigrim Donika shkoi kur ishte dyzetë vjeçe dhe aty jetoi gjatë, kapërceu shekullin. Në Mbretërinë e Napolit ajo qëndroi pranë Oborrit dhe kishte ndikim të madh. Këtu është bërë edhe vizatimi i pamjes së saj.
Do të pranonte ajo që kishte një portret të saj dhe asnjë për të shoqin mjaft të nderuar në vendin ku qenë vendosur pas vdekjes së tij?
Donika dhe Gjoni jo vetëm e kanë gjetur Skënderbeun të pikturuar në trojet italiane, por edhe të ngjashëm me pamjen reale të tij. Po ta kishin vërejtur pangjashmërinë do ta kishin refuzuar e madje luftuar të mos popullarizohej ajo pamje.
Nxjerrim në pah se edhe vizatimi i pamjes së Donikës është tepër real. Ajo jetoi në shërbim të vetë mbretit Ferdinand dhe të mbretëreshave, si kryedamë, zonja numër një, me pak fjalë qe pothuaj pjesëtare e familjes së tyre, prandaj edhe krijimi artistik i pamjes së saj ka qenë rreptësisht siç ishte në të vërtetë.
Në rrethe të larta nuk lejohej tjetërsim i personave të rëndësishëm dhe historikë. Thjesht mund të theksohej më fort një tipar karakteristik, i cili në të vërtetë duhej të ekzistonte.
Kur bëjmë fjalë, siç u shprehëm në shkrimin e mëparshëm, se themeli i shqyrtimit të pamjes reale të Gjergj Kastriotit ishte dhe mbetet gravura e vendosur në 1508 në krye të librit për të, hartuar prej Marin Barletit, kemi parasysh se kishte ndodhur e njëjta gjë edhe me Donikën.
Edhe pse vizatimi i portretit të bashkëshortes së Skënderbeut duhet të jetë bërë rreth viteve tetëdhjetë të shekullit të pesëmbëdhjetë, pra dy dekada pasi iu bë atij, Gjergjit, (në fund të 1466-tës apo fillim të 1467-tës), po t’i vendosim për thjesht krahasim pranë njëri-tjetrit, qoftë edhe si bashkëshortë, dëshmojnë ngjashmëri në teknikën e vizatimit dhe të interpretimit artistik, të vërtetësisë po ashtu, pse jo.
Pak çaste para se të botohej libri i Marin Barletit i nipi i shkathët i Gjergj Kastriotit, duka Ferrante, i cili e pati nxitur prej kohësh, bashkë me të jëmën, këtë krijim dhe pastaj botim, qe pothuaj në moshën pesëdhjetë e pesë vjeçare. Burrë i rrahur me vaj e uthull.
Si edhe e jëma, përsa kohë ajo qe gjallë, as duka Ferrante nuk mund të lejonte të publikohej një pamje false e gjyshit të tij.
Ca më tepër që ai edhe vetë ngjante fizikisht fort me të.
Edhe pse, duhet thënë, ishte ca si tepër mizor dhe vendasit, atje ku sundoi, në Galatina, e kanë quajtur “boia”, pra “xhelat”.
Odise Paskali, realizuesi më profesionist i pamjeve artistike të Skënderbeut
Në librin e tij “Gjurmë jete” të botuar në vitin 1986 pranon se në krijimin e tij skulturor për Gjergj Kastriotin, më popullori deri tani, është mbështetur shumë te vizatimi që ndodhet në librin e Marin Barletit.
Ai shkruan se “Këtu spikatin disa të dhëna që ruhen, sado të ndryshuara, në pjesën më të madhe të portreteve të mëvonshëm, siç janë paraqitja në profilin e djathtë, prerja gjysmë bust, forma e qylafit, e hundës, e mustaqeve, e mjekrës, e pjesëve të veshjes. Nuk është e mundur të dokumentohe deri ku i përgjigjen këto të dhëna origjinalit, mbasi nuk njihet ndonjë portret i punuar më të gjallë të heroit, por mund të konstatohet se dy karakteristika: ajo e trupit të madh dhe e ashtit të fortë, janë të dhëna të sigurta për fizikun e Gjergj Kastriotit, të dhëna që përkojnë si me dëshmitë e historisë, ashtu edhe me ato të legjendës”.
(Shënojmë për lexuesin se jo vetëm autori i këtyre rradhëve, por një bashkësi e ndjeshme në numër e studiuesve skënderologë, mbrojnë pikëpamjen se ka ekzistuar një fiksim në portret i pamjes së Skënderbeut që kur ai ishte në jetë).
Me këtë rast kemi në dorë mundësinë për të bërë edhe një arsyetim logjik në mbështetje të pohimit të artistit të madh Paskali, se portreti i publikuar te libri i Marin Barletit është ai më afër të vërtetës.
Pajtohemi me këtë sepse ai përputhet me çfarë kanë pohuar disa ambasadorë në Romë në kapërcyell të viteve 1466-1467, kur ai qe atje tre muaj për një vizitë pune tek Papa.
Po ashtu ai ka një ngjashmëri shumë të dukshme me pamjen me ngjyra që herë pas here i adresohet si autor piktorit të shumënjohur italian të Rilindjes, pothuaj bashkëkohës me Gjergj Kastriotin, Gentile Bellini (Xhentile Belini”, si edhe me pamjen që ndodhet në hyrje të bujtinës ku në Romë ai qëndroi tre muaj në vizitën e punës për në Vatikan tek Papa.
Ka shumë arsye të qëndrojmë dhe t’i besojmë si pikë referimi, për të dalë në një përfytyrim të pamjes reale të Skënderbeut, këtyre tre pamjeve e patjetër asaj në hyrje të librit të Marin Barletit.
Ndërkohë në rastin e besimit se pamja e Skënderbeut te Marin Barleti është një vërtetësi reale, atëhere kemi të drejtë të themi se çdo imazh tjetër i tij i mëpasshëm i pambështetur mbi të është gjysmërealitet dhe gjysmëfantazi. Madje ka më shumë të pavërtetë.
Kjo do të thotë po ashtu se pamja e princit shqiptar e shpërndarë dhe e njohur nëpër Evropë i ngjan shumë pak Gjergj Kastriotit real.
Po ashtu edhe pjesa dërmuese e krijimeve artistike të tij të vendosur në Shqipëri apo edhe Kosovë.
Ai në sheshin qëndror të Tiranës mund të konsiderohet më “korrekti” i mundur, ai që ndodhet në Krujë, qendrën historike të luftës së tij, jo aq fort i vërtetë.
Në kujtimet e tij Odise Paskali shënon se “Të gjitha portretet e tjera që s’kanë lidhje me këtë prototip, nuk janë fryt studimi, por rutine nga ana e ilustratorëve. Ndeshemi disa herë me interpretime pa farë baze, si në rastet kur e paraqesin Skënderbeun të shkurtër, të dobët, hundështypur, stolisur me kurorë dafine ose me tipare të një sulltani ose të një jeniçeri, a të një konti faqebutë, duke arritur gjer në personifikimin e Lekës së Madh në mjedisin e oborrit të Babilonisë”.
Zbulimi i bujshëm në Leçe
Po a mund të krijohet një imazh i vërtetë vetëm me të dhënat se Skënderbeu e kishte trupin të madh, ashtin të fortë dhe hundën kërrute, siç edhe mjeshtri i shquar Odise Paskali pati vënë në dukje?
Vetë ai në “Gjurmë jete” shkruan: “Në pjesën më të madhe të portreteve që rrjedhin nga ky prototip ruhen, ose më mirë duket se merren parasysh, këto karakteristika themelore. Veçse një hollësi është, për mendimin tim, e një rëndësie kapitale për ikonografinë e Skënderbeut dhe duhet patur parasysh: portreti në Historinë e Barletit e paraqet Skënderbenë me vetitë kryesore që përmendëm më lart dhe me një veçanti të tillë: është me flokë fare të shkurtër, kokërruar. Kjo veçanti figurative, pranë përshkrimit dhe botimit gati bashkëkohës me ngjarjet historike, ka rëndësi të madhe për të caktuar ikonografinë e Skënderbeut dhe jo vetëm për anën e saj fizionomike, por edhe për pasurimin e personalitetit të tij historik”.
Nuk mund të pretendojmë të hyjmë në të fshehtat e mëdha të zanatit kur një skulptor a piktor e konsideron thelbësore të dhënën se Gjergj Kastrioti është i qethur shkurt. Sigurisht një hollësi e tillë e ndihmon për të vënë themelin, konturet e një ikonografie për një individ shumë të njohur. Por a mundet me katër të dhëna (trup i madh, asht i fortë, hundë kërrutë dhe kokërruar) të sigurohet një portret i vërtetë i çdo njeriu, mes tyre edhe i Skënderbeut, ikonës kryesore që kanë shqiptarët?
E megjithatë një rrethanë e re, të cilën mjeshtri i madh Odise Paskali nuk mundi dot, për shkak të ndërrimit jetë, ta provonte na jep një ndihmë të tërthortë, por të sigurt.
Kjo ka të bëjë me portretet e të birit dhe nipit të Skënderbeut, Dukës Gjon dhe Dukës Ferrante (Ferdinando) Castriota.
Në fillim të marsit 2013 në Galatina të krahinës së Puljes u bë një zbulim i papritur, tepër i gëzueshëm për historiografinë skënderbejane: u gjetën skica në akuarel të pamjes së Gjon Kastriotit dhe një pikturë portreti e djalit të tij trashëgimtar, Ferrantes.
Këtë autori i këtyre rradhëve me një shkrim në “Gazeta Shqiptare” të 10 prillit 2013, e bëri menjëherë të ditur.
Po e rrëfejmë atë, sepse është tepër mbresëlënëse, por edhe kthjelluese në përpjekjen tonë, krahas shumë të tjerëve, për t’iu avitur sa më qartë pamjes së vërtetë fizike të Gjergj Kastriotit dhe me këtë rast t’i shpëtojmë heroizimit të tij vulgar me muskuj të ngërdheshur që nga kembët deri tek maja e kokës.
Pati qenë studiuesi i njohur italian i pasardhësve të Gjergj Kastriotit në Itali, Prof. Xhankarlo Valone (Giancarlo Vallone), i cili në fund të marsit 2013 më dërgoi këtë mesazh: “Dua të të jap një lajm: një miku im i mirë gjeti në një muze vizatime të shekullit të tetëmbëdhjetë, të bëra mbi bazën e pikturave antike, për fat të keq të humbura, të cilat ruajnë pamjet e dy dukëve të Galatinës të familjes Kastrioti Skënderbeu, fytyrat e të cilëve deri tani nuk njiheshin. Bëhet fjalë për Gjon Kastriot Skënderbeun, djali i heroit, dhe ai i Ferrante Kastriot Skënderbeut, i biri i Gjonit dhe nipi i Gjergjit”.
Profesor Valone është vërtet një shkencëtar dhe mjaft i përkorë në tratimin e fakteve historike. Duke qenë vetë me një kulturë juridike të thellë, ai i ka ato të shenjta. Pa dyshim që gjithçka qe saktësisht dhe në mënyrë të sigurt ashtu siç bënte të ditur ai.
Ishte një zbulim i madh për vazhdimësinë e jetës së familjes së Skënderbeut në emigrim politik në Itali menjëherë pas vdekjes së tij.
E informojmë lexuesin se familja Kastrioti në Itali, dhuruar nga mbreti Alfons i Napolit, i jati i Ferdinandit, kishte të dhuruara si prona dy qyteza. Po ashtu lexuesi duhet të dijë se i biri i vetëm i Skënderbeut, duka Gjon, në Itali u martua me një bijë nga familje mbretërore serbe e Llazar Brankoviçit, Jerinën, e cila qe me prejardhje perandorake bizantine.
Ai jo vetëm për këtë arsye ishte me emër të ndjerë. Gjoni qe protagonist i njohur në jetën e Mbretërisë së Napolit sidomos në mbrojtjen e saj dhe të trojeve të krishtera italiane nga ushtria osmano-myslimane e kohës, e cila që nga Vlora sulmoi dhe pushtoi Otranton.
Mendohej se ai duhej patjetër ta kishte, të paktën, një portret të pikturuar, por deri në fillim të marsit 2013 ky mungonte.
Por ja më në fund u gjet.
(Vijon)
Ylli Polovina
Version i printueshem
Faqja paraardhese |
|
|