Ylli Polovina in italiano
VENDLINDJA KU JETOJ DHE PUNOJ QYTETI I DY VAJZAVE TË MIA
PUBLICITIKË

HAJRI HIMA LIBRI “AMBASADOR NË BALLKAN” I YLLI POLOVINES, KONTRIBUT I VYER PËR KOHËN
”REPUBLIKA E SHTATË”
“AMBASADOR NË BALLKAN”
“LOTËT E SORKADHES”, botimi i dytë
LOTËT E SORKADHES
Artikuj të tjerë .....



kërkoni në këtë faqe



S'AFËRMI
MIRËSEVINI

TA KAPËSH SKËNDERBEUN “PREJ HUNDE” Pjesa I


(Botuar në “Shqiptarja.com” më 13 dhjetor 2018)

Cila ka qenë pamja e vërtetë e Skënderbeut dhe përse shumica e shtatoreve dhe e busteve të tij, e pikturave dhe personazheve artistikë, nuk ngjajnë fare me të vërtetën si qe fizikisht.

Pjesa e parë

Bruksel, statuja e shkurtuar, sepse u vodh fondi

Monumenti i parë i Skënderbeut jashtë vendit është ai i vendosur në Romë, në sheshin “Albania”. U përurua nga vetë kryeministri dhe kryefashisti italian Benito Musolini. Si siluetë skulpturale ajo shtatore është tepër imponuese edhe pse artistikisht jo fort cilësore. Ka ngurtësi klasiciste.
Megjithatë atje ndodhet edhe më i shquari përkushtim që i bëhet. Në pjedestalin e lartë ka të shkruara fjalët shumë madhështore se Gjergj Kastrioti është mbrojtës i paepur i qytetërimit perëndimor.
Sot buste dhe shtatore të tij janë vendosur në 12 qytete të rëndësishme të botës, kryeqytete veçanërisht, më së fundi edhe në Gjenevë, në Londër. Pritet shtatorja e Skënderbeut edhe në Paris, në sheshin e tij me kohë, në “Place Scanderbeg“.
Në të gjitha këto raste asnjëri prej tyre nuk përbën ndonjë shkëlqim artistik dhe kjo duhet thënë. Pra, nuk janë monumente apo buste mbresëlënës dhe joshës për vizitorët vendas.
Ka pasur shumë stil propagandistik dhe nacionalizëm sipërfaqësor, prandaj. Çfarë duket se do të vijojë edhe në shtatoret e tjera të tij, po ashtu edhe bustet.
Por kjo është e keqja më e vogël.
Pa pretenduar shumë për pamjen e fytyrës së tij, tiparet që Gjergj Kastrioti ka pasur realisht, sepse, siç do ta shohim në dy pjesët e këtij shkrimi nuk ka pasur mundësi të shumta për t’ja perceptuar prej dokumenteve shkresore, atyre rrëfimtare apo pikturave dhe skicave, tek dimensionet e shtatit të tij provat dhe logjika i japin epërsi truplartësisë. Në Bruksel, në qendër të Evropës së Bashkuar, atje ku edhe pritej më pak, ka ndodhur shkurtimi drastik i shtatit të Skënderbeut.
Publikut i është ofruar pothuaj një xhuxhmaxhuxh.
Kjo ngjau në 17 janar 1968, në ditëvjetorin e pesëqindtë të vdekjes së kryeheroit tonë kombëtar. Kjo statujë, për shkak se nën trysninë e viteve dhe të klimës qe rënuar estetikisht, 49 mote më pas, në 17 janar 2017, u ripërurua e rinovuar.
Kjo punë rigjallërimi me qëllim të mirë kushtoi plot 18 mijë euro, ku 6500 u paguan prej mërgimtarëve shqiptarë në Belgjikë dhe pjesa tjetër, 11.500, nga komuna “Skaderbeg” në Bruksel si edhe prej Fondit “Roi Baudouin”.
Kjo histori tashmë një gjysmë shekullore e shtatores së Skënderbeut në kryeqytetin belgjian dhe të vetë BE-së është e përshtatshme për subjekt libri apo dokumentari skandalistik.
Ka shumë fjalë, ende të pashuara, se mbi fatin e përmasës së shkurtuar të trupit të Gjergj Kastriotit i ka zgjatur duart tinëzisht hajdutëria.

E financuan ndershmërisht 543 bashkëkombës

Ajo statujë shkurtabiqe u dëshirua sinqerisht nga mërgata shqiptare në Belgjikë dhe, siç thamë më sipër, u vendos në komunën ”Skaderbeg” të Brukselit, ku jetojnë edhe më shumë bashkëkombës se në pjesë të tjera të këtij qyteti. Në piedestal në tri gjuhë, frëngjisht, hollandisht dhe shqip shtatorja ka fjalët “Skënderbeut, heroit kombëtar të shqiptarëve, mbrojtësit të atdheut dhe civilizimit europian”.
Në atë 17 janar 1968 në përurim qenë të pranishëm një ministër belg, disa senatorë dhe deputetë vendas, një ambasador, kryetari i komunës “Skaderbeg” e të tjerë.
Busti kushtoi 729.681 franga. Ato u mblodhën të dhuruara prej 348 mërgimtarëve në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, 147 të tjerë nga Belgjika, 17 nga Gjermania, 9 vinin prej Italisë, 9 të tjerë nga Franca, 5 prej Suedisë, 4 nga Anglia dhe nga një shqiptar që banonin në Spanjë, në Norvegji, në Turqi dhe në Austri.
Pra financues gjithsej qenë 543 bashkëkombës, një kontribut ky shumë i çmuar dhe një gjest tepër i nderuar.
E informojmë lexuesin se vlerësimin artistik të Skënderbeut (shtatulët) e kreu Albert Perodin, drejtor i Galerisë së Arteve të Bukura në Bruksel.
Ishte ky i cili gjeti skulptorin vendas, ndërkohë që u bë e ditur se artisti belgjian punoi nën mbikëqyrjen e piktorit tonë të famshëm dhe shumë të dashur, Ibrahim Kodra.

Nga Brukseli në Tiranë: çfarë thonë Ben Blushi dhe Fatos Lubonja

Shënojmë gjithashtu se edhe pse krijuesi në pamjen e fytyrës dhe kokës i ka qëndruar sadopak besnik imazhit më të mirë të imagjinuar të Skënderbeut, shkurtësia e skajshme e shtatit me kalimin e kohës nuk e bëri statujën ndikuese jo vetëm artistikisht, por mbi të gjitha në mendësinë e zemrën e shqiptarëve dhe të miqve të tyre.
Edhe pse krijuesi, patjetër dashamir, i hodhi mbi supe edhe një pelerinë fisnikërie, duke e bërë sa mundi të ngjante princ e luftëtar bashkë, madje i treti në fytyrë edhe siluetën e një mendimi të thellë, tek shkurtimi i rëndë që i ka bërë trupit, doli padrejtësisht nga e vërteta.
Nuk përfilli dy prej kodeve fizikë themelorë të Gjergj Kastriotit, për të cilat bien të një mendje të gjitha gjurmët dhe shenjat historike që prej shekullit të pesëmbëdhjetë flasin për të: shtatin e lartë dhe ashtin e fortë.
Skënderbeu qe kockëmadh, aspak strukturë fizike e brishtë.
Por cili nuk e di, tek e sheh statujën në Bruksel, përse ka ndodhur ai shkurtim i siluetës së Gjergj Kastriotit, mendon se kjo ka të bëjë me kritere artistike moderniste të kohës. Arsyeton se në vitet gjashtëdhjetë të shekullit të shkuar, pra kur mori jetë kjo krijesë skulpturore, arti nuk qe shumë i bindur nëse dimensionet reale fizike të figurave historike ishin patjetër shprehësja më kryesore e individualitetit ekstra dhe e rëndësisë së tyre publike dhe shoqërore.
Vetë në qendër të Evropës më të shquarit e kronikës së saj historike, duke nisur nga Napoleon Bonoparti, kanë qenë kryesisht të shkurtër.
Veç e vërteta e statujës që nuk duket aq fort si monument, është dyfish e mbrapsht, sepse fondi i dhënë dhe i grumbulluar shpirtgjerësisht u shpërdor.
Për ta justifikuar këtë kosto të rëndë u dha shpjegimi se bronxi ishte blerë në gjendje të lëngët. Për rrjedhojë paratë e dhuruara mjaftuan për vetëm gjysmën e nevojshme. Si pasojë u ndërhy tek shtati dhe në thelb vetë imazhi i veprës monumentale të Skënderbeut u shkurtua dhe u mpak në mënyrë të rëndë.
Do të ishim shumë të lumtur që e tërë kjo histori hajnie të mos qe e vërtetë, por një statujë shtatlartë e Gjergj Kastriotit në Bruksel do ta kish mbyllur me kohë këtë fjalënajë.
Do të ishim sidoqoftë të kënaqur që kjo e pavërtetë historike të mbyllej këtu, por nuk na u shfaq ai fat. Shkurtimi i qëllimtë i shtatit të Skënderbeut, përshkrimi i tij si një shtatanik fizik, nisi të lulëzojë në Shqipëri. Më i spikaturi për këtë do të qe një intelektual dhe politikan modern, po ashtu edhe shkrimtar: Ben Blushi.
Kështu çështja u bë vërtet serioze, sepse, në mënyrë të habitshme u bashkërendua me një platformë tjetër riinterpretimi të Gjergj Kastriotit. Publicisti, analisti dhe një nga qëndrestarët më të mëdhenj të së kaluarës diktatoriale, Fatos Lubonja, do të ngrinte deri në qiell furtunën e akuzës publike se shoqëria shqiptare e kishte mitizuar idhullin e saj, pra e pati shtrëmbëruar duke ia zmadhuar përmasat e vlerës historike.
Tani, këtë 17 janar 2018, ndërsa kujtojmë 550-vjetorin e Skënderbeut, le të bëjmë një sprovë mbi realizmin dhe vërtetësinë e këtyre dy ”defekteve” që i janë bashkëngjitur imazhit të tij.

Le ta fillojmë rikrijimin e pamjes së Skënderbeut që nga hunda

Në rast se nuk e ke këtë imazh sa më të afërt me të vërtetën, nuk mundesh kurrë ta ndjesh të plotë adhurimin. Ka të ngjarë të shprehësh ndjenjë për një pamje tjetër njeriu, false, fytyrë të kllonuar.
Me Skënderbeun dhe pamjen e tij të jashtme ne shqiptarët jemi në gjendje padije të madhe, por edhe përtacie për ta mbushur këtë gropë informacioni që kemi. Ne me një mburravecllëk të mezi mbajtur fshehur kujtojmë se dimë gjithçka për të.
Portreti i Gjergj Kastriotit, për shkaqe të forta të mungesës dokumentare, nuk mund të na detyrojë të heqim dorë nga ndërtimi i një “identikiti” të tij. Kjo sot bëhet edhe me teknologji moderne elektronike, e kryejnë edhe programe të ndryshme internetike. Secili njeri mund t’i hyjë kësaj pune, doemos edhe shqiptar, për çështjen që po analizojmë.
Por edhe duke qendruar duarjashtë interpretimeve dhe parashikimeve me aparatura inteligjente, edhe më forcën e logjikës tonë njerëzore diçka mund të bëjmë.
Po e nisim një sprovë modeste.
E vetmja shenjë e sigurtë që konfirmon një lloj ngjashmërie të vizatimeve të portreteve të Skënderbeut me të vërtetën e mundshme ka të bëjë vetëm me një tipar të spikatur të fytyrës: hundën.
Tek Gjergj Kastrioti ajo ka qënë me shumë kurriz.
Nuk e dimë si e ka pasur i jati, Gjoni. Nuk ka asnjë portret të vizatuar apo të shpjeguar me shkrim të tij.
Mundet që hundën me shpinë Skënderbeu ta ketë trashëguar nga e jëma, Vojsava, por edhe kjo gjë nuk vërtetohet dot për shkak të të njëjtës mungesë: nuk ka portrete të saj.
Po ashtu nuk ekzistojnë as pamje të vizatuara apo të shpjeguara të tre vëllezërve të Gjergj Kastriotit dhe të pesë motrave.
Me pak fjalë hunda me kurriz na ka mbetur në dorë vetëm tek pamjet e Skënderbeut. Kështu jemi të shtrënguar ta kapim atë “prej hunde”.
Shpesh në të folurën tonë popullore kjo hundë me kurriz thirret “hundë kërrutë”, por edhe “hundëshqiponjë”, gjithnjë për shkak të afërisë së saj me pamjen e sqepit të këtij shpendi simbolik përfaqësues i shqiptarëve.
Po a mjafton vetëm hunda për të rindërtuar një pamje reale të heroit kombëtar shqiptar?
Do të ishte qesharake një përgjigje sipas të cilës sidoqoftë kjo ishte një bazë apo një themel. Një hundë, qoftë edhe e tipit “me kurriz”, asgjë nuk është. Me të mund të fantazosh miliona pamje, madje dhjetë herë më shumë nga sa mbi këtë glob janë të gjithë shqiptarët.
Do të rikthehemi në këtë temë gjatë pjesës së dytë të këtij shkrimi hulumtues mbi pamjen reale të fytyrës së Skëndebeut.

Pse na ndihmon shumë Marin Barleti

Duk kapërcyer më tej bëjmë një pyetje: Cilat janë tiparet e tjera të fytyrës së Gjergj Kastriotit, po ashtu edhe të shtatit të tij, pra imazhit real?
Si ishte balli i Gjergjit, si i kishte mollëzat e faqeve, vetullat, buzët, mjekrën, anëtemthin, pjerrësinë e veshëve, fikthin në grykë?
Asgjë nuk dihet.
Si e kishte të gjithë siluetën e fytyrës apo formën e kokës? Nuk dihet asgjë edhe për këto.
Si e kishte vështrimin, ngjyrën e syve?
Zero të dhëna.
Si e ka patur buzëgazin, të qeshurën, përlotjen e dhimbjen, shprehjen e dashurisë e të gëzimit?
Asgjë nuk ka mbetur, fshirë gjithçka.
Dimë, prej Betejës së Beratit, ku u mund për herë të parë dhe të fundit nga turqit, kur e kapte ndonjë zemërim i madh Skënderbeu kafshonte buzën e poshtme deri në gjakosje.
Mes kësaj mjegulle të plotë bashkëkombasit njohin atë që u është servirur nëpër buste e monumente. Kështu, pa e tepruar, ne shqiptarët në sheshet e kopertinat e librave për Skënderbeun, në pulla poste dhe në faqe monedhash letër, në minibuste apo etiketat e konjakut me emrin e tij, kudo ku silueta e tij gjendet, për fat të keq nuk kemi fytyrën e vërtetë të heroit tonë.
Kjo mund të duket më tepër se çudi, pse jo edhe një qëndrim i papranueshëm. Është një shkujdesje e pafalshme, e cila u hap udhë matrapazëve të gënjeshtrave.
Asnjë nuk e përfytyron dot, përshembëll po të pyesësh çdo shqiptar, pse ai nuk e përfytyron Gjergj Kastriotin siç ky e ka pamjen në kopertinën e librit të Marin Barletit \\\"De vita et Gestis Scanderbeghi, Epirotarum Principis”, çfarë është publikuar të paktën në disa botime shkollore.
Atje u duket shumë i dobët, tepër i moshuar, mjaft paqësor, fort shpatull ngushtë. Mirëpo ajo pamje është më e afërta me të vërtetën, të paktën kur Skënderbeu qe rreth të gjashtëdhjetave.
Sepse pa dyshim që mes asaj e cila u vizatua bardhë e zi nga piktori, i cili e pa realisht dhe e preku, të paktën në 1466, kur ndodhej për një vizitë pune në Romë, tek Selia e Shenjtë e Vatikanit, sërish ekziston edhe një rrezik tjetër largimi nga e vërteta.
Tek e vizatonte pesë e me shumë njëqindvjeçarë më parë, për ta mbartur tek ballina e brendshme e librit të Marin Barletit për Gjergj Kastriotin nuk e di kush, sa larg ka shkuar aftësia e piktorit dhe fantazia e koncepti i tij për krijimin. Nuk e hamendësojmë tamam sa ka lënë në fytyrën e Skënderbeut nga ato tipare që realisht kishte dhe sa ka shtuar për hir të rregullave profesionale të harmonisë apo kodeve artistike të kohës.
Nuk kemi njohuri po ashtu sa kanë ndikuar në atë portret dëshirat apo trillet e tij personale.
E megjithatë ai skicim i pamjes së tij vlen për t’u mbështetur në rindërtimin e një imazhi të tij real. Duam apo nuk duam do të mbështetemi këtu.

(Vijon)

Ylli Polovina

Version i printueshem
Faqja paraardhese

LIBRAT

Libra të tjerë .....

LIBRI I FUNDIT
Image Title Here




LIBRA TË TJERË
Kontakt: ylli@yllipolovina.com © 2007-2017 yllipolovina.com Webmaster: taulant@topciu.com