Ylli Polovina in italiano
VENDLINDJA KU JETOJ DHE PUNOJ QYTETI I DY VAJZAVE TË MIA
PUBLICITIKË

HAJRI HIMA LIBRI “AMBASADOR NË BALLKAN” I YLLI POLOVINES, KONTRIBUT I VYER PËR KOHËN
”REPUBLIKA E SHTATË”
“AMBASADOR NË BALLKAN”
“LOTËT E SORKADHES”, botimi i dytë
LOTËT E SORKADHES
Artikuj të tjerë .....



kërkoni në këtë faqe



S'AFËRMI
MIRËSEVINI

.gif
Foto: .gif
Ditari i Romës

(Fragment)

Mbërrin Ismail Kadare
30 maj është e dielë. Rreth mbrëmjes në Romë duhet të ketë mbërritur Ismail Kadare sëbashku me Elenën, gruan e tij. Vjen drejt për së drejti nga Parisi, sepse është i ftuar të marrë pjesë në ceremoninë e çmimit ndërkombëtar për letërsinë “Feronia”, që këtë edicion i jepet atij. Flitet nëpër rrethe miqsh se do të marrë pjesë edhe në një debat për pakicat kombëtare, që do të mbahet në Kampidolio.
Duket si një e dielë e bekuar.
Televizioni italian lajmëron me pamje se si Mis Albania 1999 në Tiranë është shpallur refugjatja kosovare 19 vjeçare Venera Mustafa.
Dhe shton fjalët e gëzuara të saj: “Kjo tregon se Shqipëria dhe Kosova jemi një”.
31 maj
Ismali Kadare boton një intervistë në “Il Messaggero”. Titulli i saj ka fjalët “Kadare: “Vuaj, nuk mund të shkruaj” dhe mbititull “Zitë e luftës paralizojnë shkrimtarin e madh shqiptar, i cili të shtunën në Romë do të marë çmimin Feronia”.
Pyetjet janë të shkurtëra.
Përgjigjet po ashtu:
“Duhet të ndalen masakrat e serbëve dhe pastaj bombardimet. Janë një gjë e tmerrshme, por të domosdoshme për të ndalur Hitlerin”, “Perëndimi beson se Millosheviçin e rrethonjë shumë njerëz besnikë. Por nuk është kështu. Jo të gjithë serbët rreshtohen nën flamurin e tij të fanatizmit dhe të vdekjes”, “Lufta më jep ndjenjën e vazhdueshme të vuajtjes dhe të pafuqishmërisë”, “Kam shkruar shumë. Tani kam ndalur. Tani jam i dëshpëruar. Shoh popullin tim që vuan, shkatërrimin dhe zinë. Dhe qëndroj si i ngrirë. Por do të kalojë, shpresoj se do të kalojë”.
Po këtë ditë Ibrahim Rugova ka bërë një vizitë mes refugjatëve kosovarë të vendosur në ish-bazën ushtarake të Komizos, në Siçili. Raiuno në mbrëmje theksoi se vizita “rrufe” e Ibrahim Rugovës ishte shoqëruar me entuziazëm në një pjese të refugjatëve, por edhe me thirrje për UÇK-në të një pjese tjetër, e cila e kundërshtonte politikën e tij. Madje Raiuno shtoi se pati edhe momente tensioni mes njerëzve dhe shoqëruesve të Rugovës.
Raiuno përcolli nga goja e Rugovës vetëm fjalët e tij të falenderimit për qeverinë dhe popullin italian. Asgjë tjetër.
Po këtë ditë është rishfaqur në tv dhe nëpër faqe gazetash studentja e bukur kosovare me emrin planetar Venera. Befasia dhe imazhi i saj mbushën pothuaj 24 orë që i rezistojnë ciklit shfarrosës së ndërrimit të shpejtë të lajmeve.
Mis Albania duket si orakull, thua paralajmëron një gëzim të ardhshëm.
1 qershor
“La Stampa” mendon se “Rugova triumfon në Komizo mes refugjatëve”. Ajo sqaron se vizita ishte vetëm një orëshe. Lideri kosovar brenda kësaj ore është futur mes turmës së rreth njëmijë kosovarëve, ka vizituar një infermieri, është takuar me autoritetet e kampit dhe ka bërë një takim të shpejtë me gazetarët.
“La Stampa” gjithashtu shkruan se njëri prej gazetarëve e kishte pyetur se çfarë do t’i përgjigjej Hashim Thaçit, i cili që nga Londra një ditë më parë, kishte thënë se “deklaratat e Rugovës nuk kanë asnjë rëndësi”. Ibrahim Rugova ishte përgjigjur: “Nuk e di cili është ky që flet, unë jam zgjedhur dy herë president i republikës e Kosovës dhe u përgjigjem vetëm atyre që më kanë votuar. Ka njerëz që kanë dëshirë më shumë të flasin se të punojnë”.
Gazeta shton se pas kësaj ore vizite Ibrahim Rugova i hipi helikopterit të Marinës detare italiane “që ngriti një re pluhuri dhe mori rrugën për në Katania”.
Kjo ditë mbarti edhe një lajm tjetër: kryeministri italian Masimo D’Alema kishte deklaruar se “Rugova është mik i vendit tonë. Për ne nuk peshon fare: jemi një vend shumë i pasur për të vënë Rugovën në kushtet që ai të punojë”.
Natë.
Në edicionet e vona të lajmeve është shfaqur në Tg1 Ibrahim Rugova dhe i ka bërë thirrje popullit kosovar që të rrijë sa më afër vendit të tij e të mos shpërndahet nëpër botë. Fjalët më kushtruese janë: “Për ca ditë është e nevojshme që refugjatët të qëndrojnë afër Kosovës, ndryshe rikthimi i tyre do të jetë i vështirë”.
Rugova gjithashtu u ka bërë thirrje kosovarëve refugjatë që të mos u besojnë skafistëve.
Pasmesnatë.
Ismail Kadare dha një intervistë në Raiuno.
Midis të tjerash ai ka deklaruar se Ibrahim Rugova mund të jetë i vlefshëm për zgjidhjen e konfliktit në Kosovë, por më së pari ai duhet të sqarojë para opinionit lidhjet që ka me Sllobodan Millosheviçin. Kadare gjithashtu tha se Ibrahim Rugova gjer tani nuk e ka kritikuar fort regjimin serb dhe vetë Millosheviçin për të dënuar krimin e tij ndaj popullit kosovar.
2 qershor
Ora 23,30. Ismail Kadare jep një intervistë në Raidue.
Ai dënoi “mbytjen” që dhuna serbe po i bën një populli të tërë, i cili është popull i lashtë dhe si të gjithë popujt ka të drejtën e të jetuarit i lirë në këtë botë.
3 qershor
Njoftohet se Sllobodan Millosheviçi pranoi planin e paqes të bashkësisë ndërkombëtare. Të gjithë thonë e shkruajnë se “Millosheviçi u gjunjëzua” dhe se “ai është dorëzuar për të mbijetuar”.
Pasdite Ismail Kadare foli rreth një orë në RadioRai, kanali i parë. Në shumicën e kohës programi ishte hartuar me përgjigje ndaj pyetjeve të dëgjuesve. Në të gjithë këtë emision Kadare theksoi fjalët barbari për dhunën serbe, u shpreh kundër pjesëmarrjes së ushtarëve rusë në kontigjentin e forcave paqeruajtëse ndërkombëtare si edhe nguli kembë se bashkëjetesë brenda një shteti federativ nuk mund të ketë më mes shqiptarëve dhe serbëve. Në fund të emisionit u lajmërua se të nesërmen do të kishte të transmentuar në RadioRai një mesazh të tij të përmbledhur.
4 qershor
Ky mesazh u përcoll sot në mëngjez
Po sot “Corriere della Sera” boton një intervistë të Ismail Kadaresë. Ajo publikohet me titullin “Për Kosovën ëndërroj një protektorat. Por pa rusët, ata janë shumë miq me serbët”.
Bien në sy përgjigjet:
“Serbët nuk kanë të drejtë morale të administrojnë Kosovën”, “Eshtë e drejtë naturale e shqiptarëve të jetojnë sëbashku”, “Nuk kam asnjë dëshirë të takoj Rugovën. Mbetem me mendjen se politika e tetë vjetëve e Rugovës ishte një faliment dhe radikalizoi UÇK-në”.
5 qershor
Eshtë e shtunë. Pasdite në kështjellën Ducale të Fiano Romano, në periferi të kryeqytetit italian, Ismail Kadaresë do t’i dorëzohet çmimi ndërkombëtar për letërsinë “Feronia”.
Ndërkohë “Corriere della Sera” ka botuar një intervistë të Ibrahim Rugovës.
Në hyrjen e saj përshkruhet familja e Ibrahim Rugovës në kopshtin e vilës, ku jeton, në Romë. Pranë fëmijëve janë edhe Ibrahim Rugova dhe nënministri i Jashtëm italian Umberto Ranieri, të cilët luajnë me ta.
Pastaj nis intervista:
Gazetarja A. A.: Presidenti Rugova, çfarë provuat kur kur morët vesh se Sllobodan Millosheviçi kishte pranuar marrëveshjen e NATO-s?
Ibrahim Rugova: Mendova se është një shenjë e mirë. Por nuk mjafton. Duhet vepruar menjëherë. Duhen zbatuar menjëherë marrëveshjet. NATO duhet të hyjë menjëherë në Kosovë. Forcat ndërkombëtare duhet të garantojnë paqen: duhet përgatitur shpejt rikthimi. Duhet të jemi të sigurtë që serbët nuk na mashtrojnë. Ka ndodhur. Nuk besoj tek ta.
A,A.: Që të përgatitësh rikthimin çfarë do të thotë për ju?
Rugova: Do të thotë që të rigjesh të gjithë emigrantët politikë të shpërndarë: janë në Gjermani, në Zvicër, në Skandinavi, në Britaninë e Madhe, në Maqedoni, ndokush në Francë. Kush e di në janë gjallë që të gjithë.
A.A.: Çfarë roli mendoni se do të keni tani në rikushtetimin dhe rindërtimin e Kosovës suaj?
Rugova: Unë jam president i zgjedhur në mënyrë të rregullt.
A.A.: A nuk mendon se diçka mund të kenë ngjarë në udhëheqjen tuaj? Se afrimi juaj me Millosheviçin mund t’ju krijojë edhe shqetësim? Ju jeni parë t’i shtrëngoni dorën publikisht diktatorit serb?
Rugova: Kam qënë në kampet e refugjatëve në Komizo dhe në Maqedoni, askush nuk ma ka kujtuar këtë shtrengim dore. Të gjithë e kanë kuptuar se u bë nga nevoja. Që isha peng. Tani duhet të mendoj që të kthehen të gjithë emigrantët në atdhe. Për të ndërtuar gjithçka: strukturat politike, ekonomike, kulturore, sociale. Pastaj do të bëhen zgjedhjet e tjera: do të vendosë populli në se jam akoma një president. Duhet të jenë kosovarët ata që do të vendosin për të ardhmen e vendit, pas tre vjetësh të forcave ndërkombëtare duhet bërë një referendum. Unë nuk dua të shpall pavarësinë. Me një referendum do të jenë kosovarët që do të vendosin të rrinë me serbët apo me shqiptarët. Ose të paktën me italianët: italianët janë një popull i madh.
A.A.: Shkrimtari shqiptar Ismail Kadare është në Romë si edhe ju këto ditë. Por ai ka deklaruar se nuk ka asnjë dëshirë për t’ju takuar. Sepse ju kurrë nuk i dënuat masakrat e Millosheviçit dhe nuk mund të konsideroheni një udhëheqës i shqiptarëve. Çfarë përgjigje do të jepnit?
Rugova: E njoh Kadarenë prej shumë vitesh. Jemi miq të vjetër. Eshtë një shkrimtar i zoti, kam shkruar edhe artikuj për të, jam një kritik letrar. Por tani jam edhe një president: ai si intelektual ka plotësisht të drejtë të më kritikojë. Eshtë njerëzore. Por nuk kam dëshirë të bëj polemikë. Aq më tepër për nivelin ku më vuri ai. Them vetëm se sot do të shkoj në Tiranë: më ka ftuar Sali Berisha. Do të vizitoj refugjatët dhe do të takoj politikanët e Shqipërisë.

Në mbrëmjen e 5 qershorit një pjesë e trupit diplomatik e Ambasadës Shqiptare në Romë, me në krye ambasadorin, do të shoqëronin bashkëshortët Kadare në udhëtimin e tyre drejt kështjellës Ducale të Fiano Romano, ku shkrimtari i shquar do të merrte çmimin ndërkombëtar për letërsinë “Feronia”.
Pas mesnatës do të ishte rikthimi në Romë dhe përshendetja e ndarjes me të dhe me Elenën.
Të nesërmen ata do të largoheshin.

Në një nga ditët e qëndrimit të Ismail Kadaresë në Romë, poeti Visar Zhiti, diplomat që mbulonte kulturën në ambasadë, pyeti: “Thua ka njerëz që e ruajnë jetën e Ismail Kadaresë këtu në Romë?”
“Përse mendon kështu?”
“Sepse e shoh që lëviz i vetëm nëpër rrugë, ndërsa jep intervista pa pushim dhe i ka shumë të ashpëra kundër Millosheviçit”.
Në të vërtetë në kryeqytetin italian, si edhe në gjithë vendin, ishte njoftuar në publik se kishte patur disa përpjekje të agjentëve të Beogradit për veprime subversive. Edhe në ambasadën tonë një të dielë ja kishte behur policia italiane, sepse ishte sinjalizuar për vendosjen e një bombe në mjediset e saj. Pas një kontrolli të imtë nuk u gjet asnjë lloj eksplozivi.
E vetmja përgjigje që mund t’i jepej poetit Zhiti, i cili ishte dhe mik i Kadaresë, mbetej parafabrikati qetësues “Sigurisht që jetën e tij e ruajnë, por kjo duket se bëhet tepër fshehurisht”.
Megjithatë mund edhe të mos ishte fare kështu. Ai atë javë romane në hotel rrinte me Elenën, por nëpër studiot e radiotelevizioneve shkonte i vetëm.
Siguria e jetës, në të kundërt, ishte tepër e madhe për Ibrahim Rugovën.
Ismail Kadareja erdhi në Romë me një avion të linjës civile, Ibrahim Rugova, edhe pse formimin dhe aksionin politik e ka të një “pëllumbi”, erdhi me një aeroplan “Skifteri” të shërbimeve sekrete italiane. I pari mbërriti pas një njoftimi që ishte bërë publik javë më parë, i dyti në mënyrën më sekrete që mund të organizojnë grupe të vogla qeverisësish në krye shtetesh të mëdhenj e të fuqishëm. Nga aeroporti publik i Fiumiçinos çiftin Kadare e mori vetëm një makinë e organizatorëve të çmimit letrar “Feronia”, kurse 16 njerëzit e Rugovës, me të në krye, në pjesën ushtarake të aeroportit Çampino e pritnin trupat speciale të sigurisë, ndërkohë që në ajër e kishin shoqëruar njëherësh avionë të NATO-s dhe një qëndër radari shumë e sofistikuar, i cili mund të kapte fluturimin e një plumbi kuturu e të ftohtë që mund të endej nëpër ajër e jo më një avion “armik” apo predhë raketore. Dhe me shpejtësinë e një gjysme sekonde mund të urdhëronte shkatërrimin e sigurtë të rrezikut për jetën e Ibrahim Rugovës.
Ismail Kadarenë në pesëdhjetë minuta udhëtim drejt kryeqytetit e shoqëroi vetëm trafiku i madh e i rrëmujshëm, që ikën e vjen si lumë nga Fiumiçino. Ibrahim Rugovën snajperë të vendosur në pikëkalimet më të larta dhe më të fshehta të vrapimit një gjysëm orësh nga Çampino. Në roje, madje, kishte në disa kthesa edhe autoblinda.
Kadare dhe gruaja e tij u strehuan në hotelin, që i kishin zënë organizatorët. Atje hynin e delnin vazhdimisht njerëz, siç mund të ndodhë vetëm në një hotel në Romë, ku të huajt nuk mungojnë asnjëherë. Rugova u dërgua menjëherë në një nga vilat më të bukura të kryeqytetit italian, kopshti i së cilës zhytej në aromë lulesh dhe hije pemësh e ku nuk mungonin edhe karriget lëkundëse.
Tek i pari mund të gjendej ngjitur edhe një emigrant letrar, edhe një gazetar italian. Intervistat bëheshin në klubin më të parë, shëtitjet e lira ku të dëshironte dashamirësi i tij. Ishte e pamundur t’i afroheshe dhjetë metra mureve anësore apo hyrjes së vilës Algardi. Edhe me telefon nuk ja delje dot. Në se një gazetar kërkonte një intervistë me politikanin kosovar, kërkesën ai duhej ta arshivonte në ministrinë e Jashtme italiane dhe kjo ja përcillte sekretarit Adnan Merovci. Më pas kërkesa bënte rrugën për tek Rugova.
Siguria e liderit kosovar ishte problemi dhe ankthi i të gjithëve. Po përse ndodhte kështu? Çfarë mund t’i ndodhte atij dhe nga kush i kërcënohej jeta?
Gazetares gjermane të “Der Spiegel”, e cila kaloi me të në Prishtinë disa ditë i rrethuar nga policia serbe, Ibrahim Rugova i thoshte se nuk mund ta pranonte largimin nga Kosova, përsa kohë që autoritetet e Serbisë “nuk më kanë dhënë garanci për paprekshmërinë e jetës dhe të familjes sime”. Ishin çastet kur 650 mijë bashkëkombas të tij iknin nëpër pyje, shtëpitë u digjeshin, dyqanet u plaçkiteshin, gra e fëmijë serbë të armatosur i digjnin me flakëhedhëse apo i mbytnin nëpër puse. Shtatëqind mijë të tjerë bashkëkombas kishin lënë Kosovën dhe shpërthenin në ngashërim sapo hynin në Shqipëri, Maqedoni apo Malin e Zi. Kishin shpëtuar jetën, megjithëse babai nuk dinte ku e kishte djalin, motra motrën, vëllai vëllanë, gjyshi nipërit e mbesat, vogëlushët nënën e tyre. I pritnin kampingjet dhe rroba e presuar dhe e lagësht e çadrave. Të gjithë ata ishin qytetarë të republikës së tij, ku përsëriste pa u lodhur se ishte president. Ishin nënshtetas të atij vendi, sepse si në një shtet të vërtetë kishin shkuar me gëzim dhe shpresë dy herë në kutitë e votimit dhe, si ta kishin një hero të dalë nga legjenda, kishin qënë 99 përqind me të. E kishin ngritur në krahë e mbi shpatulla, e kishin brohoritur dhe i kishin thënë njeri-tjetrit: Ja, ky është kryetari ynë i shtetit, jo serbi i urryer Millosheviç.
Dhe që nga ai çast i kishin besuar atij fatin e tyre. Që nga ai çast edhe ai thoshte në takime “populli im”.
Mirëpo presidentit të tij i kishte mbetur BMV e policisë serbe në atë udhëtim poshtërrues drejt Beogradit që të dallonte se rrugët e vendit e të popullit të tij ishin të shkreta, shtëpitë të rënuara e të djegura, fushat të braktisura. E pastaj të mund të lëshonte ulërimën “Unë jam një president pa popull”.
Këtë britmë e kishte përsëritur edhe në Itali, që në fjalët e para të shkembyera me autoritet vendase: “Unë kam humbur popullin tim”.
Dhe njeriu më normal, edhe ai më i edukuari, edhe ai që e do thellë në shpirt profesorin i nderuar dhe padyshim atdhedashës, i vjen të lëshojë kujën e t’i thotë m’u në sy: Profesor, jeni president, jo prift që ju ka humbur grigja e bindur e meshës së të dielës! Kosova nuk është kishë për të predikuar moral, por vend, popull, histori, truall i përgjakur, vuajtje e kengë e dhimbshme, breza të sakrifikuar për një ditë të bardhë lirie, mijra të vdekur dhunshëm. Kosova është komb, është shtet, është republikë, ka qeveri, ka parlament, ju ka Ju!
Kosova kërkon burrë shteti!
Askush nuk qorton përse pas hipjes në pushtet në Tiranë të koalicionit të qëndrës dhe të së majtës, për plot një vit e gjysëm para se të nisnin bombardimet e NATO-s, Ibrahim Rugova nuk shkoi në Shqipëri. Por nuk mund të konsiderohet veprim i arsyeshëm dhe ca më pak i justitikueshëm mosshkuarja e tij gjatë periudhës së aksionit luftarak të NATO-s, kur atje iku si refugjate një e treta e popullit të tij. Akoma më pak e pranueshme ishte vijimi i këtij gjesti edhe kur ishte i lirë në Itali e udhëtonte nëpër botë. Shkoi deri edhe në Shkup, ndenji një orë edhe me refugjatët e vendit të vet në Komizo të Italisë, por tek mbi katërqind mijët e strehuar në Shqipëri nuk shkeli.
Gjithnjë tha se “do të shkonte nesër”, “pas disa ditëve”, “nga mezi i javës së vjen”, por sillte si pengesë “çështje të sigurisë”, “duhen helikopterë”, “sa të qetësohet gjendja”.
Kështu populli i tij u masakrua në Kosovë, ai nuk shkoi, filloi dëbimi i tij i madh dhe pastrimi etnik, sërish nuk shkoi, filloi e mbaruan shtatëdhjetë e dy ditët e bombardimeve të NATO-s, ai nuk vajti.
Populli i tij iku nga Kosova dhe erdhi, në një nga eksodet më biblike dhe më tragjike të tij dhe ai nuk ishte mes tij. Duket tepër e largët ai tregim gorkian se si një prijës i një populli, gjatë shtegtimit të tij për të dalë nga mbytja në një kënetë, i gjendur në errësirën e një pylli e nate të pafund, shqeu gjoksin dhe nxorri zemrën. Ajo lëshoi dritë dhe ai e mbajti atë mbi pëllëmbën e vet për t’i treguar rrugën e shpëtimit njerëzve. Kur dolën nga këneta, pylli dhe nata e populli i tij qante e qeshte nga gëzimi i shpëtimit, zemra e tij u fik dhe ai ra mbi lëndinë, vdiq.

Kishte një zemër që pushoi së rrahuri edhe Fehmi Agani. Edhe ai ishte profesor, edhe ai thirrej nga bota “i moderuar”. Ishte figura e dytë politike dhe shtetare e Kosovës, plak i urtë e i mënçur, lis tetëdhjetëvjeçar.
Nuk kaluan as tre-katër ditë që Ibrahim Rugova kishte mbërritur në Romë mes përkujdesjes së qeverive të botës, përfshi edhe atë të qeverisë së Sllobodan Millosheviçit, kur erdhi lajmi se profesor Agani ishte gjetur kufomë në periferi të Prishtinës. Lajmet thoshin se pikërisht katër ditë më parë ai ishte kapur nga policia serbe në një tren refugjatësh, i cili shkonte drejt Maqedonisë.
Janë pothuaj të njëjtat orë që ndajnë fatet e dy profesorëve, e të dy të moderuarve, e kryetarit të Lidhjes Demokratike dhe e nënkryetarit të saj.
Në të njëjtat orë njeri nisej drejt Romës e vilës, tjetri drejt vdekjes dhe dheut.
Vrasja e Fehmi Aganit nga policia sekrete serbe ka të ngjarë të jetë bërë ndërsa Ibrahim Rugova jepte konferencën e tij të shtypit, i rrethuar nga vemendja e kurioziteti i turmës së madhe të gazetarëve.
Kur filluan të transmentoheshin pamjet e para nga lajmi i kobshëm dhe në ekran Agani ishte një thes i mushamajtë që po futej apo po nxirrej nga një derë e prapme e një spitali apo morgu, Rugova ishte duke u qetësuar në vilën e tij të siguruar me roje pëllëmbë për pëllëmbë.

Më 2 prill, pikërisht atë ditë që media e botës përhapte imazhet e takimit Rugova-Millosheviç, agjensitë e lajmeve njoftonin se në një intervistë të botuar në gazetën franceze “Liberation”, “shkrimtari i shquar shqiptar Ismail Kadare i bënte thirrje botës për të mbrojtur popullin e tij nga fashizmi serb”. Sipas lajmit Kadare kishte thënë se ai nuk e donte luftën, por në këtë rast ajo ishte “një e keqe e nevojshme”.
Pak ditë më parë, më 24 shkurt, ai kishte shkruar në dy ndër gazetat më me autoritet të Evropës perëndimore: “Lufta e popullit të Kosovës për çlirim nuk është një aventurë primitive kaçakësh ballkanas për t’u kujtuar pastaj në ndonjë kengë fshati, por bën pjesë në emancipimin dhe kulturën e lirisë të krejt qytetërimit evropian”.
Janë fjalë që mund t’i gjejë vetëm ai, që mund t’i vendosë pranë njëra-tjetrës vetëm ai, që mund t’i ngjizë sëbashku vetëm ai, që mund t’i lartojë si lapidar vetëm ai.
Gjer këtu Ismail Kadare nuk erdhi as rastësisht, as pas ndonjë reflektimi apo më keq, pendimi se deri ato çaste kishte qëndruar mënjanë asaj që po ndodhte. Ai nuk i shqiptoi fjalët “Lufta e popullit të Kosovës për çlirim ...bën pjesë në emancipimin dhe kulturën e lirisë të krejt qytetërimit evropian” sepse ishte nën emocion apo nën dhimbje e pas ca kohe edhe emocioni do t’i kalonte, edhe dhimbja do t’i fashitej. Kadare shkruajti ashtu jo sepse ishte nën presionin e ngjarjeve të fundit. As sepse ishte person i rëndësishëm publik shqiptar dhe nuk mund të rrinte dot pa u shprehur. As nga që tashmë ishte shkrimtar me famë botërore dhe, po të heshtëte, do ta qortonin lexuesit e shumtë apo biografët e tij të nesërm do të gërmonin dhe nëpër faqe librash do të zbulonin para brezave të ardhshëm këtë gropë ujëzezë të indiferencës së tij. Ismail Kadare tha “lufta e popullit të Kosovës për çlirim nuk është një aventurë kaçakësh ballkanas për t’u kujtuar pastaj në ndonjë kengë fshati” jo sepse nga Parisi malli për etninë është mundues e nostalgjia për të përvëluese. As se nga dy apo tre mijë kilometra larg drama e saj duket më kthjelltas dhe tragjedia më uluritëse.
Kadare ka një jetë të tërë që ecën nëpër këtë vargmal fjalësh e veprash të tij.
Që nga libri i tij i parë poetik, që nga “Endërrimet”.
Që nga libri i tij i parë në prozë, që nga “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”.
Që nga libri i tij i parë analitik “Autobiografia e popullit në vargje”.
Që nga letra e parë që ai i ka bërë një presidenti amerikan, më 12 shtator 1991. Sapo kishte mbërritur në Paris, pas asaj ikjeje sfiduese ndaj Tiranës zyrtare, e cila edhe njëherë tjetër po dëshmonte se dëshironte ta mbante popullin e vet prapa popujve të tjerë të lindjes ish-komuniste, të cilët kishin përmbysur diktaturën. Në letrën drejtuar Xhorxh Bushit është edhe ky fragment prej orakulli: “Ndonëse nuk do të doja ta mbyllja këtë letër me një gjë të zymtë, s’mund të rri pa ju thënë se shqiptarët e Kosovës i kanë bërë një thirrje për ndihmë gjithë botës, një masakër e përgjakshme po përgatitet kundër tyre”.
I përkthyer në shumë gjuhë të botës dhe i kërkuar gjithandej, ndërsa udhëtonte mbi qiejt e kontinentit, në ikje e kthim të pandërprerë, nën krahun e avionit ai do të ndiqte me sy rrafshultën e madhe të Kosovës dhe do të hidhte në letër brengën e saj. Mbijetesën e saj. Luftën e saj titanike.
Ndërkohë në gjithfarë lloj zyrash e baresh të vendit të vet ziliqarët do të rrufitnin kafe, apati, vepra të dështuara e do të pështynin dyshime se “po i drejtohet temës historike për t’iu larguar përgjegjësisë së ditës”.
Por ajo ikje në histori paska qënë rendja e tij ngazëllyese tek paraardhësit e popullit të vet, udhëtim vetmitar, i gjatë dhe i mundimshëm, për të zbuluar atje visaret e harruara nga zhurrma boshe e mendjemadhe e propogandës zyrtare të ditës. Kishte lënë pas mbledhjet e zbardhëta të parlamentit me vetëm një parti, fytyrat e ngrira të tribunave qeveritare, akullin e fjalimeve mbi sallat e plenumeve të Partisë së Punës, portretet kolektive të “udhëheqjes” dhe duartrokitjet e shfrenuara për ta. Kishte ikur, madje ja kishte dhënë vrapit për t’i lënë të gjitha këto pas shpine e për të trokitur në portat e mëdha e të drunjta të oborreve princërore, për të parë dasmat në kështjella të përndritura e të varura në horizont si të ishin vazhdim i yllësive. Kishte ikur për ca kohë për të takuar duart e buta të arbëresheve që vraponin mbi kuaj të shpejtë dhe gërshetat u a shthurrte era dhelëse, për të prekur nga afër djemtë shqiptarë biondë, bij të një race ende të padhunuar nga kryqëzimi me valën njërëzore përmbytëse të ushtrisë dhe administratës aziatike të Portës së Lartë.
Ajo ikje e largët nëpër historinë e Shqipërisë ishte thirrja që atij i bënte etnia e vet, sepse tashmë e dinte që tek Ismail Kadareja kishte një pinjoll jo të zakonshëm të brezave të saj. Ajo ishte grishja e saj intime, ishin fjalët magjepëse “Eja, eja, eja! Ti do të mahnitesh nga ajo që gjendet thellë historisë së popullit tend, para se në këtë botë të delte Jezu Krishti dhe njerëzit ta ndanin kohën në para dhe pas tij. Eja dhe mësoje, nga duart e tua nëpër faqet e librave thesari mahnitës i mbijetimit të shqiptarëve do të rrezëllijë si një grumbull me gurë të çmuar!”
Ikja e shkrimtarit nëpër histori ishte thirrja që atij i bënte gjaku. I lindur në një qytet të ndërtuar plot fantazi në buzë të kufirit jugor, ai ishte edhe vetë një dëshmitar i luftës së kombit të tij për të përballur pushtimet e njerëzve me një gjuhë krejt e ndryshme nga e tij.
Vrapimi nëpër historinë e kombit do ta pajiste Ismail Kadarenë me antikorpe, me të cilat vepra e tij do të shndërrohej në një kala që nuk mundej të rrëzohej kurrë. Do të ishte kështjella, ku do të jetonin përjetshëm Kostandini dhe Doruntina, Gjergj Elez Alia dhe Muji e Halili, Skenderbeu dhe Lekë Dukagjini, Ali Pashë Tepelena dhe Naim Frashëri, ku në bedena do të rrinte Ismail Qemali e Barjam Curri, do të ngrihej nga dheu, ku ia krehnin flokët ujrat nëntokësore, kosovari Shpend Brezftohti, i vrarë nga tanket serbe në demonstratat e vitit 1981.
Si një sfidë personazhet e librave të tij lëvizin në një hapësirë që shkon përtej kufijve të vitit të pabesë 1913. Krijesa gati të bëra prej ajri e qielli të kaltër, ato ecin nëpër Prishtinë apo Ulqin, kalojnë nëpër rrugët e buzëliqenit të Janinës apo ngjiten në kalanë e Ali Pashait. Atje lindin e vdesin, klithin të qarën e parë të ardhjes në jetë dhe thonë fjalën e fundit të ikjes nga ajo.
Mërgimi i tij në histori ishte edhe arratisje nga bastardimi që po i bëhej ngjarjeve të ditës, ku heroizohej sakrifikimi absurd i një populli, i cili e deshte shumë jetën dhe gëzimin e saj, ku mitizohej rëndomësia dhe i thurrej kengë asaj që nuk meritonte as t’i hidhje sytë. Kadare shkoi tek tremijë vjetët e jetës së kombit të tij për t’i shpëtuar sundimit torturonjës të vetëm tre-katër viteve lufte çlirimtare apo dyzetë viteve të një shoqërie që hiqej më e mira e tridhjetë shekujve.
Historia e shqiptarëve ishte strehimi i tij i sigurtë nga bombardimi i fjalëve boshe të regjimit, ishte edhe gurra ku ai freskonte frymëzimin, merrte zmeraldë figurash, subjektesh, ngjarjesh, personazhesh.
Ishte edhe shpëtimi nga shkatërrimi fatal që do t’i ndodhte veprës së tij, e cila, duke u lidhur me një regjim të vdekshëm, do të vdiste bashkë me të.
Ikja ishte edhe protesta e tij.
Kështu historia dhe kombi u bënë ideali dhe fati i tij.
Fat edhe sepse në këtë shtegtim të gjatë nëpër histori ai takoi Kosovën.


Në javën e qëndrimit të tij në Romë Ismail Kadare i dha një intervistë gazetës në shqip “Bota Shqiptare”, e cila e botoi në numurin e saj të parë të 1 korrikut 1999. Duke i uruar asaj fat shkrimtari gjatë gjithë intervistës i ndenji ngulur idesë se shqiptarët emigrantë në Itali nuk kishin përse ndiheshin se vinin nga një vend jo normal dhe lutej, gati u binte në gjunjë lexuesve bashkëkombas, që të ndiheshin sa më të lidhur shpirtërisht me vendin e tyre. Në një çast polemike me tipin e sharlatanit, që kërkon të çlirohet e të shpëtojë nga fama e trazuar e Shqipërisë dhe me të shkelur në brigjet e vendit tjetër nis e shan vendin e vet, ai shkruante “Je i lirë të mos e duash vendin tend, por jo të tallesh me të, vetëm nga që dikur i përkisje. Nuk kërkohet patriotizëm (meqë kjo fjalë i acaron disa njerëz), por besnikëri ndaj vendit. Besnikëria është ndjenja më natyrale dhe më e shendetshme e njeriut”.

Në mes të javës së qëndrimit në kryeqytetin italian, në një pasdite që e mbante diellin mbi Romë me dritë të butë e ledhatuese, në Sheshin Kampidolio u mblodhën mjaft shqiptarë për të mirseardhur dhe nderuar shkrimtarin e tyre të madh dhe kolegët e tij të ftuar në veprimtarinë e çmimit “Feronia”. Midis tyre në podium u ul edhe Ismail Kadareja. Ndërsa të ftuarit merrnin simbolikisht fjalën, në pushimet e vogla mes ndërrimit të tyre artistë shqiptarë luanin në piano, violinë apo deklamonin vargje.
Kur i erdhi rradha Kadaresë ai u çua në kembë. Parafolësit e tij kishin përmendur fraza për ankthin e shpirtit njerëzor, për horizonte që vijnë dhe ikin, për qiej që thithen prej kozmosit dhe planete të çmendur që bien prej tij, për paqen e përjetshme të yllësive, për njeriun e dëshpëruar e të lodhur, i cili vazhdimisht është i prirur të kërkojë paqen. Paqe, paqe, paqe. Fjalët e poetëve dhe shkrimtarëve që vinin nga vende të afërt e të largët, pothuaj ishin lutje, përdëllime, bëlbëzime.
Kadare ishte ngritur në kembë. Ai është trupimët, por shqiptarëve të mbledhur në atë shesh të famshëm historik të Romës, iu duk sikur u ngrit një reliev bjeshke.
U lëkund pak. Fare pak, thua një vullkan llave po i shpërthente në gjoks dhe duhej ta përmbante mes brinjëve. Pastaj nisi të flasë. Tha se në këtë botë asnjë popull nuk është i tepërt. Asnjë popull nuk ështe i tepërt, përsëriti, e nuk mund të lejohet që një popull të mbytë një tjetër. Një krim i madh, vijoi, po ndodh, populli serb kërkon të mbysë popullin shqiptar të Kosovës.
Në Sheshin Kampidolio kishte rënë papritmas një heshtje aq e thellë sa dukej sikur edhe pëshpërimat e lëshuara shurdhazi e shkujdesur në rradhët e fundit të pjesëmarrësve, kishin ngrirë në ajër pa mbërritur dot për ku ishin nisur.
Më pyeti një zonjë italiane, shqiptoi Ismail Kadare me zërin e tij të plotë, se duke shpjeguar krimin që po ndodhte në Kosovë, kisha përdorur me tepri fjalën “barbari”. Iu përgjegja se nuk kisha gjetur dot fjalë më të saktë për të përcaktuar gjëmën që po kryhej nga dhuna serbe ndaj popullit shqiptar. As nëpër fjalorët e zakonshëm nuk kam gjetur dot se si mund të shprehet ajo që po ndodh para syve të botës. Zonjë e nderuar, për të shprehur atë krim, që po kryhet kundër popullit tim, duhet krijuar një fjalë e re, ku “barbari” do të duket si një përkëdhelje.
Dhe pastaj iu drejtua sheshit të mbushur me njerëz: Edhe një familje të shpërngulësh nga një apartament është një dramë e tërë dhe jo më një popull.
Pastaj: Lufta nuk është gjë për t’u dashur apo për t’i ngritur himn. Edhe unë jam për paqen, por për një paqe jo në kurriz të shqiptarëve.
U ul.
I hodhën mbi trupin e imtë brohoritje të pafund.
Më pas rinisi cikli metaforik dhe përgjumës i fjalëve të shkrimtarëve të ardhur nga bota: mjegullnaja të mbushura me akull kishin vërshuar në zemrat e njerëzve, pjedisetale të gjymtuar të historisë, kengë të trishta nëpër muzgje që zgjatin sa një gjithë një shekull, citime fragmentesh në prozë e vargje nga librat e tyre.
Gjer sa erdhi rradha e profesorit të Universiteit “La Sapienza”, Gnisho Nishit. Ai sapo ishte kthyer nga një vizitë në Beograd. Nishi është profesor i talentuar dhe mjaft komunikues me studentët e vet, autor i mjaft librave për përdorimin e metodës krahasuese në letërsi.
Ai nisi të përtypë fjalë të thërrmuara dhe gjysmë të shurdhëta se asnjë popull nuk po mbyste popullin shqiptar të Kosovës, se nuk kishte ndodhur ndonjë krim, se NATO kishte sulmuar një shtet sovran, se ai kishte mjaft respekt për kombin shqiptar...
Një fishkëllimë kishte mpirë ajrin mbi shesh. Një ish-burgosur për tridhjetë vjet nga regjimi komunist në Shqipëri, pasi kishte futur dy gishtat në gojë si në fëmininë e vet, pati lëshuar tingullin sfidues. Ai ishte njëherësh përbuzje dhe thirrje.
Si të kishin qënë marrë vesh brenda një sekonde të gjithë shqiptarët u ngritën dhe nisën të iknin. Stolat e karriget e shumta pothuaj u zbrazën. Shqiptarët u grumbulluan në fund të sheshit dhe u bënë atje grumbull, të zymtë e të zëmëruar. U ngrit nga podiumi edhe Ismail Kadareja dhe shkoi e u fut mes bashkëkombasve të tij.
Tani të gjithë kishin bërë një piedestal. Ishin murrosur në një lapidar.
Drejtuesi kryesor i veprimtarisë “Feronia”, tepër i tronditur, i nisi sheshit të shkretuar në qëndër dhe të mbushur me protestë në fund, fjalë të turbullta ndjese dhe gjeti mundimshëm një frazë, e cila e bëri profesor Nishin të ndihej përgjegjës për dëmin që i kishte shkaktuar aktivitetit.
Atëhere ishte Nishi që la presidiumin dhe iu drejtua fundit të sheshit. Rreth tij u grumbulluan pesë-gjashtë përkrahës të tij.
Ishin shqiptarët që menjëherë lanë fundin e sheshit dhe u ulën nëpër stola e karrige. “Piaca Kampidolio”, siç e shqiptojnë me krenari italianët, u mbush sërish.
U kthye me hap të ngadaltë në podium edhe Ismail Kadareja. Veprimtaria rihyri ftohtë në ullinë e vet të ndërprerë nga sfida e shqiptarëve. Pasi diskutuan dy poetë të ftuar shkrimtari shqiptar kërkoi të merrte fjalën sërish. U ngrit në kembë e përsëri foli për Kosovën. Por kësaj rradhe, tek rifliste për krimin dhe barbarinë serbe, hapi një pauzë të vogël mes fjalës së tij tingëllimtare dhe duke iu drejtuar Nishit vetmitar tha: ka një njeri që po tharton buzët andej nga fundi.
Kishte rënë muzgu dhe ngjyra gri e ndërtesave gati dymijëvjeçare të Sheshit Kampidolio u përpi dhe u tret me të një qielli në vishnjë dhe, sikur të vinte nga brenda palëve të tij, i dhanë një flamuri të madh të Bashkimit Evropian që varej mbi shesh, një përndritje të ëndërrt.
Ishte si një dritë që vinte prej thellësisë së shekujve, ndoshta nga vetë balladat shqiptare.

Ka një shkrimtar të madh Gjermania, në prag të vitit dymijë bërë nobelist: Gynter Gras. I deziluzionuar nga problemet e dala pas bashkimit mes dy pjesëve të vendit të tij, ndarë përdhunshëm nga lufta e dytë botërore, është shprehur “Unë jam atdhetari pa atdhe”.
Shkrimtarit të madh shqiptar, çdo vit kandidat për Nobel, ndoshta do t’i shkonte “unë jam atdhetari më në fund me atdhe”.
“Nuk mund të shkruaj” i ishte përgjigjur ai gazetarit roman, kur ky e pyeti se çfarë kishte ndër duar. Ishin ditë të bombardimeve të NATO-s dhe kur Kosovën e kishte përfshirë vala e flakëve dhe e masakrimit të shqiptarëve. “Nuk mund të shkruaj”. Për një shkrimtar kjo është e ngjashme me dëshpërimin e një njeriu që kalon një dhimbje aq të madhe sa thotë “nuk mund të fus dot gjë në gojë”.
Kur kishte pyetur një koleg, për fat të keq nga Prishtina, përse nuk demaskonte në veprat e tij krimin serb, ky i fundit ishte përgjigjur shkujdesur dhe euforik: letërsia qëndron më lartë se krimi.
Pas kësaj Kadare ç’mund të bënte tjetër gjë se veç të buzëqeshte hidhur!
Letërsia më e madhore në botë, ajo shekspiriane, e kishte patur këtë mbijetim madhështor pikërisht se kishte denoncuar krimin.
Ismail Kadare e kishte denoncuar krimin serb jo në fillim të vitit 1999, as një vit më parë. E kishte bërë përherë. Ndoshta duke mbërritur një lartësi drithëruese tek kryevepra e tij “Kryshqit janë të ngrirë”, përshkrimi shekspirian i periudhës së protestave shqiptare të vitit 1981 dhe të aksionit serb të “diferencimit”, një pastrimi etnik të zi dhe të bardhë. I zi se vdiste shqiptarë nëpër burgje dhe i shtypte me zinxhira tankesh në rrugë. I bardhë se i pushonte masivisht nga puna.
Kadare gjithnjë kishte klithur kundër krimit. Më 2 qershor agjensia italiane e lajmeve ANSA i kishte marrë një intervistë shkrimtarit të porsaardhur në Romë dhe kishte marrë prej tij përgjigjen “Duhet vepruar me urgjencë dhe efikasitet, nuk mundet të humbet kohë, nuk duhet vonuar për të bërë filozofi, ndërkohë që viktimat thërrasin”.
Ndërkohë që viktimat thërrasin!
Përse nuk denoncon Ibrahim Rugova krimin serb, vinin breshëri pyetjet kembëngulëse, kërkesat dëshpëruese, dyshimet e ankthshme. Përse? Përse? Përse?
Dhe zëmëroheshin e dërgonin ultimatume: Rugova, në se je presidenti ynë denonco krimet serbe, denonco pastrimin etnik, denonco Sllobodan Millosheviçin!
Ndërsa Ibrahim Rugova nuk e bëri “Akuzoj”, këtë akt e kreu Ismail Kadare.



Version i printueshem
Faqja paraardhese

LIBRAT

Libra të tjerë .....

LIBRI I FUNDIT
Image Title Here




LIBRA TË TJERË
Kontakt: ylli@yllipolovina.com © 2007-2017 yllipolovina.com Webmaster: taulant@topciu.com