|
Pasardhësit Kastrioti në Napoli dhe në Leçe
SKËNDERBEU, HERO BALLKANIK DHE EUROPIAN MË
PARË SE KOMBËTAR
(Botuar në gazetën online “Shqip” më 11 janar 2018)
Pasardhësit Kastrioti në Napoli dhe në Leçe
Pjesa e tretë
Ndërkohë i njëjti episod si me Xhorxho Maria Kastriota Skanderbeg ishte përsëritur katër vite më parë me pasardhësin e Gjergj Kastriot Skënderbeut në degën e Leçes.
Sërish ishte i njëjti botues, Konstanco D’Agostino, i cili nxiti dhe publikoi më 2003 librin e shkrimtarit italian, gjykatësit të njohur Xhenaro Françone (Gennaro Francione). Ai titullohej “Skënderbeu, një hero modern”. Në vitin 2005 ky u përkthye edhe në gjuhën shqipe.
Botimi italisht, sigurisht më pas edhe ai shqip, kanë një parathënie të shkruar nga vëllezërit Alesandro e Xhulio Kastriota Skanderbeg. Në të, një faqe e gjysëm e tëra, duke vlerësuar botimin e atij libri, gjenden edhe këto mendime të tyre: “...kontribuon kështu në përhapjen e historisë shqiptare në Itali, duke shprehur një mirënjohje modeste, por shumë kuptimplote për atë që ka bërë populli shqiptar, edhe pse shumë shekuj më parë për ruajtjen e stabilitetit politik në Itali dhe për mbrojtjen e vlerave të kulturës perëndimore”.
Në këtë parathënie ndodhen edhe fjalët: “Libri i Françones ndihmon në këtë lexim të Historisë midis dy popujve, në një moment kaq delikat, në të cilin Vendi i Shqiponjave troket në portat e Bashkimit Evropian me shpresë të gjejë njerëz dhe institucione të frymëzuara nga i njëjti shpirt solidariteti. Ky shpirt ishte thelbi i vërtetë i aksionit ushtarak të Skënderbeut, i drejtuar me efektshmëri prej tij për të përballuar pushtimin otoman të Shqipërisë dhe të të gjithë Evropës”.
Ndërkohë që kjo parathënie i ishte dorëzuar botuesit dhe ky pas disa ditësh librin do ta dërgonte për botim në një nga shtypshkronjat e Romës, për nevoja të njohjes sa më të gjërë publike të krijimit të tij Xhenaro Françone i bëri një intervistë të gjatë Alesandros.
Atë e përhapi menjëherë jo vetëm në disa lista interneti, por ajo u mor dhe u vendos dukshëm në website-n e arbëreshëve të Italisë, Arbitalia.
Mes të tjerash në atë bisedë stërnipi i Skënderbeut interpreton se aleancat e stërgjyshit të tij dhe heroit kombëtar të shqiptarëve e kishin një motivim kryesor. Ai ishte politik dhe fetar. Kishte të bënte me aleancën e madhe antiotomane. Sipas Alesandros “Si të mos sjellim ndërmend që Skënderbeu ishte një njeri i largpamjeve të mëdha? Aksioni i tij interpretohet vetëm duke u vendosur në një projekt politik me frymëzim evropian. Ai pa dyshim ishte një diplomat shumë i rafinuar, i zhdërvjellët për të mbajtur një rrjet të ngjeshur aleancash strategjike me fuqitë më të mëdha të Evropës së kohës së tij, nga Mbretëria e Napolit te Papati, nga Sinjoria e Venedikut te Dukati i Milanos. Sipërmarrjet e Skënderbeut, për bollëkun e të cilave janë dëshmitare arkivat më të rëndësishme publike italiane dhe e gjithë bibliografia e pafund për të, janë pjesë e paçmuar e historisë evropiane të shekullit të XV”.
Nga prilli 2003 deri në fund të vitit 2007, në hapësirën jo pak të shkurtër nga botimi i librit “Skënderbeu, një hero modern” të Xhenaro Françones deri tek “Histori dhe bëma të ndryshme të Heronjve të Mëdhenj” e Ludvig Holbergut, asnjë prej përfaqësuesve të degës së Kastriotëve të Leçes nuk ishte takuar me ndonjë prej asaj të Napolit.
As kishin biseduar në telefon. As kishin shkëmbyer një letër apo në internet ndonjë mesazh me email.
Por ishin takuar idetë e tyre. Ishin përputhur në një. Ishte tërësisht e njëllojtë siguria e tyre për dimensionin e dukshëm evropian të Gjergj Kastriotit dhe për misionin e tij të kryer me devotshmëri e bindje të plotë për mbrojtjen e kontinentit amë dhe të qytetërimit të tij.
Për aspak rastësi, por bindje e rrënjosur thellësisht në mendësinë e pasardhësve të Skënderbeut, edhe vetë struktura e përgjigjeve të dy degëve asnjëherë takuar, ishte e njëjtë. Të ngjashme në përmbajtje si dy pika ujë ato nuk i bëri aspak ndonjë ndërhyrje e botuesit D’Agostino. Si “dy pika ujë” ato nuk i bëri as niveli intelektual i Kastriotëve, sepse nisur nga fakti që njëri prej tyre ishte mjek shkencëtar, tjetri gjykatës me emër dhe Xhorxho Maria Kastriota drejtues i një dege banke, duhej të ndodhte pangjashmëria. Jo të njëllojta opinionet e Kastriotëve të degës së Napolit dhe të Leçes mbetën vetëm në stilin e të shkruarit.
Si dy pika ujë i bëri e vërteta që ata njihnin: stërgjyshi i tyre ishte një evropian i madh.
Duke mos qënë nismëtarë as shqiptarët në trojet e tyre amtare dhe as ata të shpërngulur përtej detit në emigracion, fjalët se Gjergj Kastrioti Skënderbeu ishte një mbrojtës i paepur i qytetërimit evropian, i kishin menduar, gjetur, formuluar dhe shkruar vetë italianët.
Dhe këtë gjë nuk e kishin bërë në ndonjë qytet periferik, siç përshembëll mund të ishte Bari apo Leçe, atje ku janë edhe gjurmët më të dukshme të veprimeve luftarake të Skënderbeut apo edhe shenjat e pronave të tij të falura nga mbreti Ferdinand i Napolit.
Këto fjalë të pazakonshme, ky përcaktim, madje ky titull “Mbrojtës i Qytetërimit Evropian”, nuk ishin gdhendur në një qytet të madh historik si Napoli, ku për shumë kohë në oborrin mbretëror jetoi Donika Kastrioti dhe djali i saj dhe ku vijoi pandërprerë dega më aktive e pasardhësve të Skënderbeut.
“Mbrojtës i paepur i qytetërimit evropian” ishin skalitur në mes të Romës, njërit prej qyteteve më të famshëm të botës. Në historinë e saj ajo është thirrur “Caput mundi” (“Qendra e botës”). Për shkak të numurit të lartë të vizitorëve të huaj Roma edhe tani është “Caput mundi” e turizmit global.
Ylli Polovina
Tiranë, më 4 janar 2018
Version i printueshem
Faqja paraardhese |
|
|