|
NGRITJA E FLAMURIT NË DURRËS, SALI BERISHA DHE STËRGJYSHI I EDI RAMËS Pjesa V
(Botuar në “Illyria” në 9 janar 2018)
Pjesa e pestë.
Shkrimi i katërmbëdhjetë i ciklit për 550 vjetorin e vdekjes së Skënderbeut.
Në intervistën e tij në «Gazeta Shqiptare» të 6 nëntorit 2012 me titullin e bujshëm «Zbulohet Deklarata e panjohur e Pavarësisë, shpallur në Durrës më 1912», studiuesi Eqerem Zenelaj, pasi sfidoi Lef Nosin dhe të dhënat e librit të tij “Dokumenta historike për t’i shërbye histories tonë”, po ashtu tha se ky zbulim nuk qe bërë prej dijetarëve kosovarë, sepse ata nuk i lejonte regjimi jugosllav.
Pastaj lëshoi këtë “predhë”: “Nga ana tjetër, në shtetin amë, Shqipërinë e shtrenjtë, diktatura komuniste ka vrarë shumë figura kombëtare e intelektualë të shkolluar ose të ardhur nga jashtë, d.m.th nuk ka pasur qasje në arkiva të huaja. Aty-këtu, kemi pasur edhe Eqrem Çabejn, Ekrem Bej Vlorën, Selami Pulahën, Aleks Budën, por ja që kanë qenë shumë të pakët edhe nuk iu është mundësuar”.
Në vijim: “Një mik nga Vjena më tha: Profesor Zenelaj, një popull që nuk e shkruan historinë e tij vetë, ia shkruajnë armiqtë. Pra, neve na e kanë shkruar historinë shpesh armiqtë dhe na e kanë mësuar mbrapsht. Ose kemi pasur të dhëna të retushuara, ose të falsifikuara ose të pavërteta”.
Pas këtyre fjalëve, pra gjykimit se historinë tonë kombëtare e kanë shkruar armiqtë tanë dhe se historiografia jonë ka qenë me forcë rezistence, nuk ke shteg tjetër veç të dyshosh nëse Zenelaj me të vërtetë beson se për ngjarjen e Pavarësisë së Shqipërisë boja e shkrimit e përdorur deri në ato çaste kishte ardhur prej antishqiptarëve dhe që koha e shpëtimit nga kjo e keqe tepër e madhe kishte pritur një shekull të tërë për penën e Eqeremit.
Po të qe kështu deri në vitin 2012 albanologjia shqiptare, me dhjetra emra vendas dhe të huaj, për një shekull të tërë, dashje pa dashje, patën kryer një intrigë të madhe ndaj historisë së Shqipërisë dhe të të gjithë shqiptarëve. Me pak fjalë kishin kryer një komplot kundër Pavarësisë.pa
Në intervistën e tij ku bën pa u vetëpërmbajtur shpëtimtarin e nderit tonë shkencor dhe kombëtar Eqerem Zenelaj bëri edhe deklarata të tjera, të cilat provojnë, në fakt, delirin që e ka mbërthyer.
Ja disa: “Jam shumë krenar që e kam zbuluar unë këtë pas 100 vjetësh, sikurse do isha krenar ta kishte zbuluar çdo shqiptar, - kjo nuk ka rëndësi, dhe po ashtu që është zbuluar në këtë vit jubilar...”; “Unë nuk e kam parë asnjëherë Deklaratën e Pavarësisë së Vlorës...”; “Ky është dokument i saktë dhe kushdo që dëshiron ta shohë origjinalin, të shkojë në Arkivin e Vjenës në Ballhausplatz. Ai ndodhet në të njëjtën ndërtesë me qeverinë, vetëm se hyrja e Arkivit është në anën tjetër, afër Metros U3. E kërkon në këtë shifër: HHStA. Wien. P. A.Türkei, Liasse 45. Kartoni Nr. 417/Fol 9/10”; “(Dokumenti) tani është zbuluar dhe shqiptarët nuk janë fajtorë për këtë. Ju e dini se hulumtimi në arkiv është shumë i vështirë, ka shumë barriera, ka shumë mundim e sakrificë. Unë as nuk jam më i mençur e as më i dijshëm, por jam munduar të hulumtoj dhe për fat tani në gusht krejt rastësisht e zbulova pa e ditur fare që është aty, sepse unë jam shkolluar në Vjenë, Niza dhe Passau, në Vjenë jam prej 18 vitesh. Nuk e dija se ekzistonte, se po ta dija do e zbuloja që në fillim”.
Këtë intervistë të zhurrmshme dhe dukshëm vetëlavdëruese, botuar në “GSH” të 6 nëntorit 2012, patjetër e kanë lexuar në Kryeministri. Të paktën këtë gjë e kanë bërë këshilltarët e Sali Berishës, ata që i përgatitnin pasqyrën ditore të shtypit dhe sidomos personi i cili duhej të ndiqte këtë temë të veprimtarisë së kryeministrit. Ajo kishte një vit që dëshmohej aktive dhe nën vëmendjen e ndjeshme të tij.
Berisha ishte i prirë të bënte një “scoop” dokumentar të madh për 100-vjetorin, sepse siç kemi rrëfyer në shkrimet e mëparshme mjedise bashkëpunuese afër tij përhapnin lajmin se atij i kishte rënë në dorë vetë origjinali i kartës së shpalljes dhe firmosjes së saj. Këtë sihariq do ta njoftonte si surprizë në 28 nëntor.
Teksa përfolej kjo këshilltarët rreth tij duhet të jenë ndjerë të dyzuar sesi shefi i tyre po anohej nga e kundërta: të bënte lajm me një dokument që provonte se shpallja e Pavarësisë nuk qe kryer në Vlorë, por në Durrës.
Megjithatë le të ndjekim kronologjinë. Çfarë ndodhi pas dhënies së kësaj interviste, e cila pritej ta kishte vënë në shqetësim Kryeministrin për ngutjen e interpretimit të Eqerem Zenelajt, krejtësisht të pakëshilluar dhe verifikuar me institucione dhe rrethe shkencore të profilit të historishkrimit?
Në 26 nëntor, në orët e para të pasdites, Kryeministria në faqen e saj internetike publikoi këtë lajm:“Kryeministri Sali Berisha ishte i pranishëm sot në çeljen e ekspozitës “Figurat kombëtare shqiptare në veprat e artistëve evropianë”, e autorit Eqerem Zenelaj. Në këtë ekspozitë, e organizuar nën kujdesin e Kryeministrit Sali Berisha, paraqiten 210 eksponate të nxjerra nga 17 arkiva të huaja evropiane, nëpërmjet të cilave portretet e shqiptarëve më të shquar të kohërave vijnë në penelin e piktorëve dhe artistëve të mëdhenj evropianë”.
Në vazhdim: “Duke shprehur vlerësimet e tij për këtë ekspozitë, Kryeministri Berisha theksoi se ky 100 vjetor ka qenë një leksion i madh për shqiptarët, për historinë e tyre, për të njohur më mirë vlerat e saj dhe gabimet e së shkuarës”.
Më pas: “Prof. Eqerem Zenelaj i ka përmbledhur punimet e kësaj ekspozite në një album, një kopje të të cilit ia dhuroi Kryeministrit Berisha”.
Vijimi i menjëhershëm i lajmit zyrtar: “Në përshëndetjen e tij, Kryeministri Berisha u shpreh: “Dëshiroj të shpreh falënderimin, mirënjohjen dhe respektin tim më të madh për punën e shkëlqyer që Prof. Eqerem Zenelaj ka bërë për shumë vite në arkivat e huaja më të lidhura me jetën shqiptare dhe ia ka dalë të mbledhë këtu, të na paraqesë sot, në një moment kulmor të kombit shqiptar, siç është 100 vjetori i pavarësisë së vendit, portretet e shqiptarëve më të shquar të kohërave, nga koha e Skënderbeut e deri më sot, në penelin e piktorëve dhe artistëve të mëdhenj të vendeve të ndryshme”.
Pastaj Kryeministri, gjithnjë sipas njoftimit zyrtar, pasi nxorri në pah kontributin e shqiptarëve në historinë e Evropës, u ndal posaçërisht në këtë gjykim të tij: “Profesor Eqerem Zenelaj, ju falënderoj me shumë mirënjohje për këtë dhuratë të shkëlqyer që ju i bëni sot Muzeut tonë Kombëtar, duke e pasuruar atë me vepra të një rëndësie historike të veçantë. Ju falënderoj miqësisht për albumin që më dhuruat. Ju uroj shumë suksese në punën tuaj të ardhshme. Pak ditë më parë do të më sillte në zyrë dokumentin e shpalljes së pavarësisë në Durrës. Historianë të traditës hoxhiste, pa menduar, automatikisht u shprehën se nuk ekziston, në një kohë kur dokumenti ekzistonte më të gjitha vulat dhe firmat e atyre që shpallën në Durrës pavarësinë”.
Këtë deklaratë të tij disa media afër qeverisë e formuluan në formën “Kryeministri Berisha tha se shqiptarët duhet të njihen me historinë reale dhe jo me atë të kohës së diktaturës. Sipas tij, historianët e asaj kohe fshehën shumë të vërteta historike, dhe një nga këto ishte dhe dokumenti i shpalljes së Pavarësisë së Durrësit”.
Kështu blofin historik të Eqerem Zenelaj Sali Berisha e shndërroi edhe në blof politik. Madje ndër më të mëdhenjtë të pas vitit 1990.
Hamendja se në këtë grackë e joshi studiuesi i ngutur për lavdi nuk mund të funksionojë dot pa pjesën tjetër, dëshirën e Kryeministrit që ta përkrahte këtë zell dhe gafë të bashkëkombësit që i pati dalë në krahë për luftën propagandistike kundër komunizmit (çfarë donte të thoshte ndaj opozitës së Partisë Socialiste dhe drejtuesit të saj Edi Rama).
Pas këtij gjesti, dëshmi se sa shumë mund të lajthitë politizimi i historisë dhe interpretimi i saj me mjete propogande dhe i shtyrë nga interesa të luftës së brendshme për pushtet, krejt të panevojshme këto edhe në atë të shquar kremtim, 100-Vjetori i Shtetit Shqiptar, Sali Berisha humbi shumë dhe ndërkohë rivali i tij, Edi Rama, fitoi (përfitoi).
Sepse u zgjuan rrëfyes dokumentarë që provonin se në firmatarët e deklaratës lokale të ngritjes së flamurit në Durrës qe edhe stërgjyshi i tij, Kristaq Rama.
Pastaj u hetua edhe më mirë se më parë që \"Wiener Bilder\" e 8 dhjetorit 1912 në të 32 faqet e saj nuk kishte asnjë foto të Ismail Qemal Vlorës, por e deklaruara gabim nga Zenelaj ekzistonte vetëm në edicionin e një jave më herët, të 1 dhjetorit 1912.
Atje foto e Ismail Qemalit majtas kishte atë të shefit të shtabit të ushtrisë gjermane Helmut fon Moltke, i cili pati organizuar para një jave një konferencë në Berlin me shefin e shtabit të ushtrisë austro-hungareze, kurse në të djathtë ndodhej një gjeneral. Diçitura thoshte: “Konflikti austriako-serb”.
Sipas studiuesit dhe përkthyesit të gjermanishtes Gaqi Karakashi “poshtë fotos së majtë flitet për pushtimet serbe të krahinave shqiptare dhe masakrat e kryera”.
Rikujtojmë lexuesin se në shkrimet e mëparshme kemi pasur rastin të botonim pamje të shtojcës kulturore të «Wiener Bilder», «Das intressante Blatt», ku në botimin e përjavshëm të 28 nëntorit 1912, ishte vendosur po ajo foto që shfaqet tek gazeta mëmë tri ditë më pas. Po ashtu qe po i njëjti tekst: “Konflikti midis Austrohungarisë dhe Serbisë. Udhëheqësi shqiptar Ismail Qemal Beu, i cili në krye të një asambleje të fisnikëve në Durrës shpalli pavarësinë e Shqipërisë”.
Prandaj mjaft, e lëmë pas këtë shteg tematik dhe i rikthehemi skicës së paraqitjes së ngritjes së flamurit kombëtar në Vlorë, publikuar në “Das Interessante Blatt” në edicioninn e 12 dhjetorit 1912.
Prej këtu t’i riadresohemi objektivit tonë: Cili qe flamuri që ngriti Ismail Qemal Vlora?
(Vijon)
Ylli Polovina
Tiranë, më 10 janar 2018
Version i printueshem
Faqja paraardhese |
|
|