Ylli Polovina in italiano
VENDLINDJA KU JETOJ DHE PUNOJ QYTETI I DY VAJZAVE TË MIA
PUBLICITIKË

HAJRI HIMA LIBRI “AMBASADOR NË BALLKAN” I YLLI POLOVINES, KONTRIBUT I VYER PËR KOHËN
”REPUBLIKA E SHTATË”
“AMBASADOR NË BALLKAN”
“LOTËT E SORKADHES”, botimi i dytë
LOTËT E SORKADHES
Artikuj të tjerë .....



kërkoni në këtë faqe



S'AFËRMI
MIRËSEVINI

Monumenti i madh në mes të Romës


SKËNDERBEU, HERO BALLKANIK DHE EUROPIAN MË
PARË SE KOMBËTAR

(Botuar në gazetën online “Shqip” më 9 janar 2018)

Monumenti i madh në mes të Romës

Pjesa e dytë

Në ballë të piedestalit ku në rrugën “Aventino” në Romë, në mes të sheshit “Albania”, ngrihet statuja mbi kal e Gjergj Kastriotit, përkushtimi për të formulohet si “mbrojtës i paepur i qytetërimit perëndimor”.
Ky fakt nuk u bë publik asnjëherë në Shqipëri, për sa kohë qëndroi i salduar në pushtet regjimi komunist.
Nuk u popullarizua kjo gjë as pas rënies së diktaturës.
Tashmë shumë emigrantë në kryeqytetin italian apo vise të tjera të tij çdo 17 janar, ditëvdekje e Skënderbeut, shkojnë në këtë vend dhe bëjnë fotografi si kujtim. Pak nga pak e bëri rregull një ceremoni të tillë edhe ambasada shqiptare në Romë si edhe ajo pranë Selisë së Shenjtë. Me këtë rast personeli diplomatik vendos një kurorë.
Kështu pas vitit 1990 fakti që si cilësimin më kryesor ndaj Gjergj Kastriotit italianët patën përcaktuar mbrojtjen e paepur të qytetërimit perëndimor jo vetëm nuk e dinin shumë bashkëkombas, por nuk ishte sipërmarrë asnjëherë ndonjë përpjekje për t’i vënë posaçërisht dhe me hollësi në dijeni.
Për t’i informuar gjerësisht shqiptarët mbi këtë gjë nuk u prodhua asnjë dokumentar kinematografik apo reportazh televiziv, nuk u botua asnjë editorial në faqe të parë gazete. Fakti nuk u përmend posaçërisht asnjëherë në ndonjë seancë të parlamentit shqiptar apo qoftë edhe në një miting partiak.
Para vitit 1990 fshehja bëhej qëllimisht, pas këtij çasti thjesht nuk kishte asnjë pasion për ta bërë të ditur.
Në korespondencën që autori i këtij libri ka me Xhorxho Maria Kastriota Skanderbeg (Giorgio Maria Castriota Scanderbeg), pasardhësin më të fundit të Skënderbeut nga dega e Napolit, kohë më parë mori dijeni për një gjë të veçantë.
Ai, kur libri në 2007 do të dilte në gjuhën italiane, do të shoqëronte me një tekst të shkurtër parathënës botimin në italisht të librit të Ludvig Holberg, më të njohurit shkrimtar dhe njeri të letrave të kulturës daneze dhe skandinave.
Midis shumë veprave të Holbeg ishte edhe “Histori dhe bëma të ndryshme të Heronjve të Mëdhenj”.
Aty ka një kapitull të titulluar \"Princeps Epiri Giorgio Castriota, detto Scanderbeg” (“Princi i Epirit Gjergj Kastrioti, i quajturi Skënderbej”).
Xhorxho Maria Kastriota në hyrjen paraqitëse për stërgjyshin e tij që në fillim shkruan se “Vizioni pozitiv i njeriut Gjergj nuk ishte vetëm ai i epokës kur jetoi, si kështjellar e mbrojtës nga pushtimi osman në buzë të kufirit të Europës, por edhe sepse mbi të gjitha zotëronte virtutet e tij morale të drejtësisë, barazisë...”
Në mënyrën se si pasardhësi bashkëkohës i Skënderbeut e formulon cilësimin si mbrojtës i Evropës (“estremo baluardo difensivo Europeo”) në një përkthim tjetër, edhe ai i paqortueshëm, ky tekst do të merrte formën “europiani që ishte në mbrojtjen e kufirit tonë më të afërt”.
Xhorxho Maria Kastriota Skanderbeg në ato pak radhë të parathënies së tij për librin e Ludvig Holberg nuk harron të vërë në dukje se vepra e Gjergj Kastriotit është faqe e Historisë së Evropës. E ka shkruar vetë me gërmë të madhe fjalën “Histori”, duke dëshmuar se ndihet kryelartë me përkatësinë në kontinentin amë.
Siç mes nesh gjenden euroskeptikë, ka edhe eurokrenarë.
Besimi se Evropa (pra BE) do të bëhet një ditë një bashkim i fortë thirret prej anglishtes në gjuhën e studjuesve Eurohope (Euroshpresa). Xhorxho Maria Kastriota Skanderbeg është njëri prej këtyre besuesve.
I vjen kjo ndjenjë prej traditës mbi pesëshekullore të prejardhjes nga stërgjyshi i tij me emër të mirë në eurokontinent, apo sepse tashmë po kaq kohë brezat e Kastriotëve janë italianë dhe për rrjedhojë edhe mirëfilli evropianë, ka më pak rëndësi se vetë fakti. Logjika e rrjedhës së ngjarjeve të bën të mendosh se jo vetëm Gjoni, djali i vetëm i Skënderbeut dhe nëna e tij Donika, kur fare pak kohë pas vdekjes së Gjergj Kastriotit kapërcyen detin dhe shkuan në Itali, nuk u bënë evropianë ketu.
Ata që në Shqipëri ndiheshin të tillë.
Gjatë gjithë rezistencës antiosmane edhe vetë Skënderbeu ndihej evropian, sepse gjesti i tij për t’u bërë mburoja e kontinentit nuk vinte nga nevoja apo thjesht loja e aleancave, por nga vetë përkatësia historike dhe kulturore. Kastriotët, siç edhe i gjithë populli dhe elita e tij e kohës, ndiheshin dhe ishin evropianë. Kur ra mbi Ballkan vala e madhe e pushtimit osman, të gjithë në këtë gadishull ishin të tillë.
Madje atëherë ndiheshin evropianë edhe më shumë se sot, kur kanë kapërcyer jo pa trauma dhe ndonjë pasojë tjetërsimi të një kalvari të tërë sundimi oriental.
Kastriotët erdhën në Itali si evropianë dhe këtu gjeneratat e trungut të tyre familjar vetëm e konsoliduan këtë ndjenjë përkatësie.
Ja përse Xhorxho Maria Kastriota Skanderbeg e dallon dhe e vlerëson me përparësi vlerën e veprës së stërgjyshit të tij si mbrojtës të qytetërimit evropian. Është si të thotë që Skënderbeu me rezistencën e tij nuk mbrojti vetëm zemrën e eurokontinentit, hapësirën e tij gjeografike dhe Krishtërimin, por edhe rrënjët e tij personale, traditën dhe qytetërimin familjar si Kastriotë.
Gjergji para se të bëhej mburojë e Evropës, mbronte qytetërimin e popullit të vet. Vetëm kështu mund të shpjegohet theksi që Xhorxho Maria i vë dukshëm kësaj lidhjeje.
Në pesë rreshtat e kapitullit të fundit të tekstit hyrës për librin e Ludvig Holberg ai shkruan: “Në emrin tim dhe në përfaqësim të të gjithë familjes time, këtij botimi i uroj suksesin më të madh, duke besuar po ashtu se do të përbëjë edhe një urë ndërmjet Evropës së vjetër dhe asaj të re, ku me të drejtë në këtë të fundit pret të gjejë vendin e vet edhe Atdheu i Stërgjyshit tim të madh, Shqipëria”.

(Vijon)

Ylli Polovina


Version i printueshem
Faqja paraardhese

LIBRAT

Libra të tjerë .....

LIBRI I FUNDIT
Image Title Here




LIBRA TË TJERË
Kontakt: ylli@yllipolovina.com © 2007-2017 yllipolovina.com Webmaster: taulant@topciu.com