Ylli Polovina in italiano
VENDLINDJA KU JETOJ DHE PUNOJ QYTETI I DY VAJZAVE TË MIA
PUBLICITIKË

HAJRI HIMA LIBRI “AMBASADOR NË BALLKAN” I YLLI POLOVINES, KONTRIBUT I VYER PËR KOHËN
”REPUBLIKA E SHTATË”
“AMBASADOR NË BALLKAN”
“LOTËT E SORKADHES”, botimi i dytë
LOTËT E SORKADHES
Artikuj të tjerë .....



kërkoni në këtë faqe



S'AFËRMI
MIRËSEVINI

SKËNDERBEU, HERO BALLKANIK DHE EUROPIAN MË PARË SE KOMBËTAR


(Botuar në gazetën online “Shqip” më 8 janar 2018)

Një portret i Gjergj Kastriotit në Muzeun e Athinës

Pjesa e parë

Në një shkrim të tij të marsit 2005, ndërsa një vit më pas në moshën 69 vjeçare do të ndërronte jetë, shkrimtari Anastas Kondo tregonte një ngjarje që e kishte befasuar.
Ajo i kishte ndodhur në Athinë, në Muzeun e Historisë së Greqisë.
Në një nga sallat e tij, ndërsa nuk kishte parë të ekspozuar asgjë që pohonte ndonjë kontribut të shqiptarëve në historinë e vendit e sidomos të shtetit të pavarur helen, Kondo kishte ndeshur një portret të Gjergj Kastriotit.
Ndërsa ciceronia pas pyetjes për të shpjeguar diçka pati ngritur supet me padije, punonjësja shkencore e Muzeut, Evthimia Papasporu Karadhimitru i kishte paraqitur menjëherë të dhënat rreth portretit: “Numri i regjistrimit të objektit muzeal është 789. Objekti: Portret i Gjergj Kastriot Skënderbeut. Përmasat, 0.60 x 0.50 m. Pikturë kavaleti me bojëra vaji në kanavacë. Është dhuruar nga Dhim. K. Vasiliu. Ka hyrë në muze në janar të vitit 1891”.
Ndërkohë Anastas Kondo vuri re se në pjesën e sipërme djathtas të portretit ishte në latinisht mbishkrimi “GEORGIOUS CASTRIOTI VS SCANDERBECUS”.
Për dhuruesin e tij Muzeu nuk kishte asnjë të dhënë.
Kështu Dhimitër K. Vasiliu mund të ishte edhe një grek i pasur me kulturë, siç edhe ndonjë arvanitas i përgjëruar për atdheun e tij të vjetër. Sipas Kondos portreti ishte “punuar me dorë të sigurtë mjeshtri, i hedhur në kanavacë me bojra vaji, me mjekër të bardhë në gri, me beretën e njohur ala fiorentine të aristokracisë evropiano-perëndimore të Mesjetës, me sytë e thellë dhe hundën si të shqiponjës...”.
Dhe shkrimtari në atë shkrim ngulte këmbë se një portret të tillë dhjetë vite më parë në qytetin e Shkodrës e ruante familja Curani.
Sipas tij, portreti i Shkodrës me atë të Athinës ishin “binjakë”.
Ndryshonin vetëm në përmasat e tyre. Që të dy po ashtu ngjasonin me atë të Donatelos, të ruajtur në Galerinë Medici të Firences.
Kondo me këtë rast shkruante se “duke i njohur mirë dy portretet, atë të Shkodrës dhe tani edhe të Athinës, kam krijuar përshtypjen se në gjysmën e parë të shekullit të kaluar (XIX), kur Ballkani po i tregonte munxët Turqisë, në prag të Rilindjes Ballkanike, ndërkohë që u krijuan shtetet e para të pavarura, ka të ngjarë të ketë patur një ikonografi të tërë të Skënderbeut. Si me thënë një Skënderbejadë. Në ka hero të luftrave çlirimtare antiturke që i mungon aurola e shenjtit të Ballkanit, është ai”.
Kështu Anastas Kondo në një mënyrë të drejtpërdrejtë paraqet idenë se Gjergj Kastrioti ka qënë një hero ballkanik, jo vetëm kur ishte gjallë dhe kreu veprën e tij, por edhe më pas.
Për të ai ka qënë hero i krijimit të shteteve të pavarura të Ballkanit.
Në një farë mënyre këtë ndjesi pati kur ai, duke dalë nga Muzeu i shoqëruar prej punonjëses shkencore Karadhimitru, i bëri asaj pyetjen “Zonja ime, po çdo Skënderbeu në Muzeun e Historisë së Greqisë?”
Sipas Kondos, “Ajo nuk u habit. As hutim nuk pati, por shpejt e pamëdyshje,.... kur unë i papërgatitur prisja të më tregojë se Skënderbeu patjetër është vorioepiriot, ...se vetë Skënderbeu në të djeshmen e largët e pat pohuar “se sipas kronikave tona jemi epiriotë”, zonja greke ma kthen “Si ç’do në muzeun tonë? Po Skënderbeu është mik i madh i Greqisë dhe pioneri i lirisë së Ballkanit. Ai qe i pari, që ndezi luftën kundër Turqisë”.

(Vijon)

Ylli Polovina


Version i printueshem
Faqja paraardhese

LIBRAT

Libra të tjerë .....

LIBRI I FUNDIT
Image Title Here




LIBRA TË TJERË
Kontakt: ylli@yllipolovina.com © 2007-2017 yllipolovina.com Webmaster: taulant@topciu.com