Ylli Polovina in italiano
VENDLINDJA KU JETOJ DHE PUNOJ QYTETI I DY VAJZAVE TË MIA
PUBLICITIKË

HAJRI HIMA LIBRI “AMBASADOR NĖ BALLKAN” I YLLI POLOVINES, KONTRIBUT I VYER PĖR KOHĖN
”REPUBLIKA E SHTATĖ”
“AMBASADOR NĖ BALLKAN”
“LOTĖT E SORKADHES”, botimi i dytė
LOTĖT E SORKADHES
Artikuj të tjerë .....



kërkoni në këtë faqe



S'AFËRMI
MIRËSEVINI

A E VRANË DOT ENVER HOXHËN?


(Botuar në gazetën “Panorama” në 26 dhjetor 2017)

Politikanët tanë si spiunë të huaj

Pothuaj të gjitha jetëshkrimet e politikanëve në vendin tonë e kanë bërë të domosdoshme që të kenë bashkëngjitur një variant konspirativ, pra personi në fjalë të ketë qenë agjent i spiunazheve të huaja ose së paku njeri i fuqive jo miqësore me Shqipërinë. Në të kundërt jeta e tij nuk duket hiç fare interesante, ndryshe nuk ngulitet mirë në kujtesën e njerëzve dhe prej këtej në histori..
Ismail Qemali, themeluesi i aktit të mëvetësimit tonë shtetëror, konsiderohej i lidhur me grekët. Ka edhe një variant të krijuar që në 1913 se qe bashkëkomplotist me turqit. Para ca ditësh dëgjova një bashkëkombës që edhe vëllezërit Frashëri, sidomos Samiun dhe Naimin, i bënte kompromesaxhinj me pushtetin e lartë të Stambollit.
Fan Noli, kryeministri i famshëm i një republike shqiptare demokratiko-revolucionare gjashtë mujore, konsiderohej i sovjetikëve, tjerr me shumë hamendje dhe cikërrima faktesh një histori tjetër punësh të fshehta. Ahmet Zogu prej këtij korenti konspirativ konsiderohet tërësisht njeri i serbëve, madje edhe i italianëve të ideologjisë fashiste. Mehmet Shehut nuk i është kursyer akuza se qe një agjent special dhe njëherësh, balerin, i shumë shteteve si Britania e Madhe, Bashkimi Sovjetik, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Jugosllavisë titiste.
Enver Hoxha deri tani i ka shpëtuar këtij modeli rrëfenje ndoshta sepse, sipas shijeve të thurrësve të historive konspirative, la pasoja mbi vendin dhe bashkëkombësit më tepër nga sa fantazia lejon për veprimtari subversive të një agjenti të huaj.
Sali Berisha, po ashtu, hartojnë jetëshkrime këto pena spektakolare, gjykohet se është njeri i fshehtë i Beogradit. Në fund të fundit, e lëshojnë dorën shkruesit e këtij stili, edhe Fatos Nano që kur u martua me Xhoanën, ra në kllapë të shërbimit të fshehtë grek.

Vdis normalisht, por unë të bëj të vrarë

Nga varianti me frymë konspirative janë mësyrë jo vetëm jeta, por edhe vdekjet e shumë prej atyre që nuk jetojnë më. Duke qenë se ndërrimjeta është ngjarje mjaft gjurmëlënëse, sidomos për ata që kanë kujtesa të shkurtëra, vdekjet me vrasje makbethiane, përmbajnë mjaft mundësi për subjekte triller, pra për t’u realizuar si rrëfime më shumë forcë tërheqëse. Me këtë rast ato u shkojnë për shtat autorëve shkrues me thekje të dukshnme për të rënë personalisht sa më tepër në sy, ata që ngdhihen e ngryshen me lakmi për protagonizëm publik. Ky pasion tjetërsimi çdo vit e më tepër po rritet dhe të lë përshtypjen se interpretuesit e stilit makbethian nuk e kanë hall të parë të vërtetën historike apo vlerësimin kombëtar më të madh të personazhit publik që rrëfejnë, por vetëdukjen e tyre. Kaq tepër zell dhe shumim të tyre ka sa që tani mund të thuhet se gati asnjëri prej politikanëve tanë më të rëndësishëm nuk ka ndërruar jetë për shkaqe natyrale. Siç lexuesi e di edhe për Gjergj Kastriotin pas vitit 1990 është hartuar një hipotezë se nuk ka vdekur prej etheve të malarjes, por prej helmimit në ushqim prej Republikës së Venedikut.
Po ashtu edhe Ismail Qemalit i qendron mbi kokë, edhe kjo e krijuar pas motit 1990, periudhës më të shkalafitur për t’ja futur kot, se ai është helmuar në ditët e qëndrimit në Peruxha, duke pritur një vendim të qeverisë italiane për t’u rifutur në një rol politik kombëtar. Sipas një varianti, vrasja, nëpërmjet helmimit me kafe, është kryer nga pala vendase, agjentët e saj. Duke qenë se infarki i zemrës atij i ra pas pirjes së kafes së mëngjesit dhe pak çaste para daljes publike në një konferencë dononcuese për shtyp, nuk e lëshon jetën e tij të qendrojë në shtratin normal as edhe varianti se helmin në kafe ia kishin hedhur dy ardhës nga Vlora, mosdashës së tij personalë.
Qemal Stafa, komunisti më i famshëm i fundviteve tridhjetë dhe i muajve deri në 5 maj 1942, kur u vra në një rrethim ndeshës me karabinierët, për konspiratorët e jetëshkrimeve iu muar jeta i kallzuar tek italianët nga vetë Enver Hoxha. Por ish e fejuara e tij ka shkuar edhe më tej. Sipas saj, Qemali e vrau veten për të mos rënë në duart e pushtuesve.
Mit’hat Frashëri ndërroi jetë në orën 09.20 të 3 tetorit 1949 në hotelin Winthrop të Nju Jorkut, ndërsa njihej për shumë vite si i tejsëmurë nga zemra. I ndodhi infarkt klasik. E ndërsa ato kohë bashkëpunëtorët dhe besnikët e tij nuk u ankuan për ndonjë vdekje të sforcuar, dekada më vonë, gazetaria shqiptare e stilit të spiunazhit i ka dhënë deri tani tre variante: vrasje nga Sigurimi Shqiptar, vrasje prej KGB-së, vrasje nga Ahmet Zogu.
Hysni Kapo, edhe pse provat mjekësore në Tiranë e deri në Paris janë tepër të bollshme për të qetësuar kërshërinë e ndezur të konspiratorëve se nuk është vrarë me anë të mjekëve (për llogari të Ramiz Alisë, thotë një rrëfenjë), gjithsesi ngulet këmbë e përsëritet pa pushim kjo e fundit.
Mehmet Shehu nuk u përjashtua dot nga e njëjta skemë: nuk u vetëvra, madje duke lënë një letër shpjeguese për gjestin, të shkruar me dorën e tij, por ngulin këmbë se e vranë, madje fillimisht me helm dhe pastaj me plumb.
Dukej sikur Enver Hoxha ishte njeriu i përjashtuar bindshëm prej një interpretimi të tillë dhe pas nëntëdhjetës ngjau në pamje të parë sikur ia hodhi këtij varianti të zhurrmshëm dhe që ka rezultat të dyshimtë çfarë mbetet në kujtesën kombëtare. Vepron si thikë me dy presa. Mjekë që e monitoronin për ditë e njëzetë e katër orë për njëzetë e katër, të cilët ndiqnin dhe shënonin çdo dinamikë të përkeqësimit shëndetësor prej sëmundjes së tij të rënduar të diabetit, kanë deklaruar një vdekje krejtësisht natyrale. Me pak fjalë Hoxha ia pati dalë që të realizohej ironia e tij e shqiptuar nëpër kongrese partie, por edhe truku i njohur propagandistik për të rritur konsensus popullor, se armiqtë “i morën të keqen”.
Mirëpo ka ca vite që kjo deklaratë e tij e bujshme del të ketë qenë një blof, ai një mburravec i pazoti për të mbrojtur kokën. Atë e paskan vrarë nga brenda familjes. Ka qenë autore e krimit, me porosi të shërbimit të fshehtë jugosllav të kohës, UDB-së, vetë e shoqja, një lloj ledi Makbethi. Duke qenë se e refuzojnë këtë interpretim resulton se bashkëpjesëmarrës të tërthortë në këtë krim janë pjesa më e shumtë e familjes dhe e pasardhësve të Enver Hoxhës: djali i madh dhe vajza.

Enver Hoxha si një vrasje në familje?

Në një shoqëri të hapur e të lirë për të folur edhe kjo rrëfenjë e fatit të diktatorit ka çdo të drejtë të qarkullojë, aq më tepër e nismuar jo prej ish-të burgosurve politikë, aspak nga ata që Hoxha u mori jetën dhe i mundoi burgjeve, as prej antikomunistëve. Një variant të tillë nuk e vuri në lëvizje asnjëherë Beogradi pastitist, ai millosheviçian apo i kohës së sotme proevropiane.
Nuk doli asnjëherë nga Moska, ndaj të cilës Enver Hoxha, ishte herë pas here më i ashpër se kundër Uashingtonit. Nuk u hodh në veprim një skenar i tillë as prej qarqeve shovene vorioepirote.
Për çdo arsye që ta kenë vdekur para kohe dhe me cilët bashkëpunëtorë të jashtëm të familjes është kryer vrasja e Hoxhës, në historinë e Shqipërisë, në rast se i hapim rrugë besimi këtij varianti, mbetet më tronditësi episod se edhe vetë kasaphana që kreu diktatura ndaj mospajtuesve me të. Duhet thënë që këtë fat të Enver Hoxhës me vrasje nga brenda shtëpisë nuk e ka pasur as Hitleri dhe as Musolini, të cilët ikën në atë botë dhunshëm, por me në krah, të vendosura për vetëflijim, të dashurat e tyre (me status gruaje).
Secili, po ashtu mund të mendojë lirisht nëse pas këtij intrigimi me vrasje në shtrat të shtëpisë prej bashkëshortes së tij Enver Hoxha rezulton njeri i dështuar apo ngadhënjimtar, përfitues në reputacion publik apo tërësisht i humbur.
Por gjithsesi nuk është ky kendi i dobishëm për temën e këtij shkrimi. Që e vranë një djalë të sjellshëm nga Gjirokastra, i cili për etje të pushtetit të vet u shndërrua në një tiran, nuk e zë meraku njeri dhe askush për këtë, mendoj, nuk ka shpërthyer në dënesa. “Mirë ja bënë!”, do ta gjykojnë jo vetëm ata që vuajtën prej tij. Nexhmije Hoxha, do të thonë jo pak në të ardhmen, e mbushur plot me fajet e saj, e paska bërë më në fund një punë të mirë.
Nuk duam ta ngasim më tej këtë shteg arsyetimi, por të mbetemi tek problemi, të cilin duam të nxjerrim në pah: tek lehtësia që me mungesë të dukshme provash, të shkohet deri kaq në qëllimin për të kriminalizuar vdekjet e shumë prej personazheve publikë të trojeve tona, duke e paraqitur Shqipërinë në çdo kohë një seksion të ferrit dantesk.
Qëndruam një çast më shumë tek Enver Hoxha sepse në rastin e tij, të përsëritur këto ditë, është mbërritur kulmi i këtij pasioni protagonizmi dhe në fund të fundit një ndalje të tij duhet të ketë: ose të paraqiten prova të pakundështueshme dhe për pasojë të bëhet padi në një gjykatë ndaj të shoqes së tij apo mjekut personal, ose vetëpërmbajtje e gojës.

“Sekreti” strategjik që përdori për vetëshpëtim

Kundër Ahmet Zogut janë kryer dhe dëshmuar bindshëm të paktën dy atentate fizike: ai në shkallët e Parlamentit në 24 shkurt 1924 si edhe tjetri para Operas së Vjenës në 20 shkurt 1931. Në të dy rastet Zogu luftoi vetë me armë për t’u mbrojtur. Ai qe trim dhe luftonte në këmbë.
Atentatet e tjera mbetën në gjendjen e komplotit të parealizuar ose të zbuluar nga vetë Zogu apo besnikët e tij. Kur në 1957 Ministria e Brendshme, me propozim të këshilltarëve sovjetikë, planifikoi vrasjen e mbretit në mërgim në Paris, Enver Hoxha e ndaloi vendosmërisht.
Por as Hoxha nuk qe frikacak, ishte trim i padyshimtë. Askush nuk ja del dot për t’u bërë i pari i vendit pa mos iu tulatur qerpiku. Kush trëmbet në këtë rivalitetet të tërbuar del matanë.
Gjithsesi ndryshe nga Ahmet Zogu Enver Hoxha ishte edhe më shumë konspirator, ndoshta më i madhi që kemi pasur. Duke qenë një tiran i shkathët për ta siguruar jetën e tij jo aq nëpërmjet truprojave, disa brezave të mbrojtjes personale, vetë sistemit diktatorial të shtrirë gjithkund, përveç Sigurimit të Shtetit edhe me Sigurim Partie, po ashtu edhe lidhje informative vetiake, por nëpërmjet ndërtimit të raporteve të tilla me rrethana dhe fuqi ndërkombëtare, të cilat nuk e dëshironin, për interesat e tyre të çastit, vdekjen e parakohshme të tij.
Gjatë luftës kur qe ende njëri prej komunistëve të parë dhe në shtabin e tyre udhëheqës jo shefi i tyre, italianët kërkonin më shumë të kapnin Qemal Stafën. Deri tani nuk dokumentohet se e kishin në kërkim me përparësi. Kur u bë drejtues i PKSH-së dhe i krahut të saj të armatosur, Ushtrisë Nacionalçlirimtare, u strehua në vende malore dhe sidomos në zona të çliruara. Bashkë me të tjerë bashkëpunëtorë, përfshi edhe jugosllavë apo anglezë, zotëronin një njësit të madh për siguri fizike.
Sidoqoftë dy herë u rrezikua: njëherë prej një të shtëne të qëllimshme, e cila në vend të vriste atë, plagosi misionarin ushtarak amerikan Tom Stefani dhe kur, gjatë fillim dimrit 1944, me dhelpërinë e kërkesës së një dërgate gjermane për një kompromis me partizanët, pararoja e një njësiti special diversionist të tyre (një oficer i mirë armatosur) mbërriti deri në paradhomë të Shtabit të Përgjithshëm, por u neutralizua menjëherë.
Pas lufte Enver Hoxha nuk ka treguar në libër-kujtimet e tij ndonjë episod atentati. Propoganda thjesht ka bërë zhurrmë për plane të tilla të Koçi Xoxes, të sovjetikëve gjatë ditëve të Mbledhjes së Moskës, prej Mehmet Shehut dhe CIA-s (vrasje me helmim), nga grupi i Xhevdet Mustafës apo prej të arratisurit Abdyl Banushi. Të gjitha këto kanë qenë sajime false, bërë për arsye politike.
Enver Hoxha u shpëtoi të gjithëve sepse e bëri veten dhe bashkë me të Shqipërinë, sidomos pas 1960-tës, qendër të një ekuilibri për të mos e trazuar. Ai nuk u anësua as me sovjetikët dhe as me anglo-amerikanët, edhe pse rrezik real konsideroi deri sa ndërroi jetë të parët. Përveç Shtëpisë së Bardhë edhe Moska pëlqente më shumë të mos e lëvizte këtë lojtar të shkathët diplomatikisht që, edhe pse vetë nuk ja doli të hyjë në vendin shumë strategjik të shqiptarëve dhe prej andej të kontrollonte Mesdheun dhe tërë pjesën jugore të Evropës Perëndimore, nuk vendosej aty NATO.
Enver Hoxhën, na pëlqen apo jo, e kanë mbajtur në këmbë, që kur ish relativisht mirë me shëndet e deri sa ai iu rënua, fuqitë e mëdha të kohës, dy superfuqitë.
Nuk e donin, por u nevojitej.

Ylli Polovina

Tiranë, më 16 dhjetor 2017








Version i printueshem
Faqja paraardhese

LIBRAT

Libra të tjerë .....

LIBRI I FUNDIT
Image Title Here




LIBRA TË TJERË
Kontakt: ylli@yllipolovina.com © 2007-2017 yllipolovina.com Webmaster: taulant@topciu.com