|
NGRITJA E FLAMURIT NË DURRËS, SALI BERISHA DHE STËRGJYSHI I EDI RAMËS Pjesa III
(Botuar në gazetën Illyria më 20 dhjetor 2017)
Pjesa e tretë.
Shkrimi i dymbëdhjetë i ciklit për 550 vjetorin e pritshëm të vdekjes së Skënderbeut.
Siç kemi spikatur në shkrimet e mëparshme të këtij cikli disa gazeta të Evropës, ku përfshihej jo vetëm vjenezja e ilustruar «Das Interesante Blatt», por edhe italiania «La Stampa», e patën publikuar lajmin e ngritjes së flamurit në Durrës jo si mëvetësim të qytetit, por si proklamim të vetë pavarësisë së shtetit shqiptar.
Kjo ndodhi para se flamuri të lartohej në Vlorë dhe pa i dhënë rëndësi ngritjes së tij, njëzetë e katër orë më herët se Durrësi, në qytetin e Elbasanit, ku shqiponja e zezë krenore në fushë të kuqe u përshfaq e para në të gjitha trojet e shqiptarëve. Para botës njihej Durrësi, jo vetëm si port me histori mbi dymijëvjeçare, apo ato kohë qendër konsullatash të huaja, por sepse në objektivat e pushtimit serb qe marrja e tij dhe kështu realizimi i daljes së tyre në Adriatikun e jugut.
Dihet, nisur prej rrethanash të tilla e sidomos ndalimit sa më të shpejtë të marrshimit ngulmues të trupave të Beogradit, flamuri kombëtar, qoftë edhe si vetëm gjest lokal, mund të ngrihej këtu dhe Ismail Qemali le ta vijonte pas kësaj rrugëtimin e tij për në Vlorë, ku do të mblidhej një kuvend nacional.
Dihet se rilindasi i shquar e synonte Vlorën dhe e kishte shpallur këtë, sepse atje kish mbështetje të fortë ai edhe vetë çështja, po ashtu qyteti-port qe i mbrojtur gjeografikisht prej agresionit serb. Ndërkohë funksiononte një kabëll nëndetar me Italinë dhe tërë kontinentin, çfarë ishte jetike për ndërkombëtarizimin e aktit të indipendencës.
Durrës plus Vlorë ka qenë një skemë e menduar prej Ismail Qemal Vlorës. Ai edhe e ka deklaruar.
E ka pohuar me gojën e vet në një fjalim që mbajti në qytetin e vendlindjes në muajin e njëmbëdhjetë të qeverisë së tij: «Unë pa fuqi, me një tok shokë të lidhur të gjithë me një mëndje, erdhëm këtu në Vlonë, jo si në vënt timi, po si në një qendër ku mund të mbarohej puna e qëllimi për të cilin ishim duke u përpjekur. Kishim ndërmënd të banim në Durrës punën që bamë këtu
»
Ja pse dokumenti që gjeti në arkivin e Vjenës studiuesi Eqerem Zenelaj ishte mjaft i dobishëm për ti dhënë reliev më të madh kësaj të vërtete, rreth të cilës pothuaj për një shekull i është bërë zhvendosje, duke e përqendruar tërë kujdesin në shkëlqimin (e merituar, gjithsesi), të Vlorës.
Periudha e quajtur socialiste, në rast se gjykohet më e kritikueshmja në këtë veprim mënjanimi, nuk ka qenë aq fort hermetike ndaj rolit të Durrësit në të gjithë ngjarjen e shpalljes së pavarësimit. Ajo e ka pohuar, edhe pse me fjalë të kursyera se «Grupi i kryesuar nga Ismail Qemali arriti në Durrës në 21 nëntor. Së bashku me patriotët durrsakë, ai vendosi të ngrinte në qytet flamurin kombëtar. Por autoritetet turke të ndihmuara nga armiku i lëvizjes kombëtare shqiptare dhespot Jakovi, arritën, ndonëse përkohërisht, ta pengonin këtë veprim».
Shënojmë se fragmenti i mësipërm nuk është marrë prej ndonjë botimi periferik, por nga vëllimi i dytë (nga tre) i librit «Historia e Shqipërisë», viti 1965. Ky publikim zyrtar është i Institutit të Historisë dhe i Gjuhësisë, i cili qe atëherë pjesë e Universitetit Shtetëror të Tiranës.
Kur në 2 dhjetor 2011 zyra e shtypit e Këshillit të Ministrave përhapi lajmin e takimit mes kryetarit të qeverisë Sali Berisha dhe Eqerem Zenelajt asgjë e gjykuar me ngut dhe ndërhyrje politike në histori, siç do të rezultonte pothuaj një mot më pas, nuk dallohej. Njoftimi ishte tepër korrekt. Komunikonte për opinionin publik: «Kryeministri Sali Berisha priti në një takim zotin Eqerem Zenelaj, Profesor i Shkencave Juridike dhe studiues i çështjes shqiptare, i cili në këtë takim shoqërohej edhe nga ambasadori shqiptar në Vjenë, Vili Minarolli».
Në vijim: «Kryeministri Berisha vlerësoi punën e tij të çmuar, i cili ka kërkuar në 17 arkiva të shteteve të ndryshme dokumente historike që ndriçojnë kontributin e figurave shqiptare në aspekte të ndryshme, të gjuhës, historisë dhe të përpjekjeve për pavarësi».
Më poshtë: «Gjatë takimit, Kryeministri Berisha theksoi se duhet të ndriçohen shumë aspekte të historisë me dokumente dhe fakte.
«Historia, u shpreh Kryeministri, është shtyllë kryesore e dijes së një kombi dhe ai duhet ta dijë atë objektivisht. Ndaj ajo duhet shkruar duke iu përmbajtur parimeve dhe metodave shkencore.
Lajmi më tej informonte se «Studiuesi Zenelaj po përgatit një ekspozitë për 100 vjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë me temë Figurat shqiptare në veprat e artistëve evropianë, e cila do të organizohet nën kujdesin e Kryeministrit Berisha».
Po ashtu thoshte: «Kryeministri e quajti këtë punë të studiuesit si të shkëlqyer, pasi ka renditur figura të ndritura në panteonin e kombit».
Ja edhe fragmenti përmbyllës: «Prof. Eqerem Zenelaj vlerësoi kontributin e Kryeministrit Berisha në çrrënjosjen e komunizmit në Shqipëri, në mbështetjen e pavarësinë e Kosovës dhe në progresin e Shqipërisë në rrugën e zhvillimit».
Sigurisht njoftimi i zyrës së shtypit të Këshillit të Ministrave mund të quhej i plotë pa këtë pjesë të fundit, e cila duket si një marrëveshje politike. Në rast se gjithsesi në lajmin publik për takimin duhej vendosur diçka nga komplimentat e Zenelajt për rolin e Sali Berishës në progresin e Shqipërisë në rrugën e zhvillimit, do të ish gjest i drejtë. Por, le të themi, se edhe vlerësimi tjetër, ai për mbështetjen në pavarësimin e Kosovës është real.
Ai që është i papërshtatshëm në këtë lajm zyrtar ndodhet tek vlerësimi i kontributit të Sali Berishës për çrrënjohjen e komunizmit. Në këtë drejtim nuk rezulton, sipas vetë deklarimeve të tij të kohës si edhe të viteve më pas, se Blloku ja ka mbathur nga Shqipëria dhe roli i tij historik udhëheqës, por se ai është aktiv dhe ndikues më shumë se kurrë.
Veç edhe ky argument, pra që beteja antikomuniste vetëm me propagandë dhe mjete ideologjike doli një bumerang, mjafton për ta lënë mënjanë këtë gjuhë lavdërimesh. Të mos harrojmë se në jetën politike të përditshme me termin «çrrënjohje së komunizmit» atëherë kuptohej lufta kundër opozitës socialiste, ato çaste e drejtuar nga Edi Rama.
Rikujtojmë për lexuesin e këtyre rradhëve, por që nuk ka mundur të njihet me dy pjesët e mëparshme, se stërgjyshi i kryesocialistit, Kristaq Rama, ka qenë një nga 22 qytetarët vendas që kanë firmosur aktin e ngritjes së flamurit kombëtar në Durrës.
Shënojmë, në vazhdim të analizës tonë, se gjithsesi ajo çfarë qe vënë nga zyra e shtypit në gojë të kryeministrit ishte mjaft e kujdesshme, tepër e matur. Çudi si një nga gazetat më të mëdha të vendit, kur e botoi këtë lajm, e titulloi «Kryeministri Sali Berisha «nën ethet» e ndryshimit të historisë».
Çfarë dinin në atë fillim dhjetori 2011 gazetarët e të përditshmes së njohur. Vështirë të besohet se parandjenin një «të fshehtë» kryeministrore, e cila u përhap në rrethe të ngushta pranë Sali Berishës. Sipas saj, ai ja kishte dalë arritjes së një ngjarjeje të jashtëzakonshme: pati shtënë në dorë deklaratën origjinale të shpalljes së pavarësisë dhe këtë sihariq të vërtetë do të njoftonte si surprizë gjatë festimeve të 100-vjetorit.
Sidoqoftë pas takimit Berisha-Zenelaj, ritheksojmë aspak gjest i gabuar për një qeverisës dhe politikan të vijës së parë, madje qe mjaft i dobishëm, ndërsa morëm vesh se ekspozita e tij me figura të rëndësishme kombëtare të vlerësuara nga Evropa do të realizohej jo vetëm me financimin e shtetit, por edhe nën kujdesin e vetë kryeministrit, studiuesi Eqerem Zenelaj u rishfaq para opinionit publik shqiptar në 29 tetor 2012.
Lajmin e përhapi zyra e shtypit e Këshillit të Ministrave dhe media «NacionalAlbania» e trasmentoi atë nën titullin «Zenelaj i dorëzon Berishës Deklaratën origjinale të Pavarësisë». Njoftimi thoshte se kryeministri kishte pritur Eqerem Zenelaj, i cili qe studiues i historisë. Bashkë me të ishte edhe Zeni Ballazhi, «piktor, autor i logos së 100-vjetorit të Pavarësisë».
Ja edhe fraza që lyp vëmendjen tonë: «Prof. Zenelaj, i cili ka vite që hulumton në arkiva të ndryshme për aspekte të çështjes shqiptare, kryesisht të periudhës së pavarësisë, i dorëzoi Kryeministrit deklaratën e pavarësisë, të hartuar në Durrës në 26-27 nëntor 1912 dhe të shpallur në Vlorë më 28 nëntor 1912. Kryeministri Berisha i shprehu mirënjohjen dhe falënderimet më të përzemërta Prof. Zenelajt, për këtë dokument të çmuar të kësaj periudhe të ndritur të historisë, që e pasurojnë edhe më shumë arkivin tonë».
Dy javë më pas, ditën e martë të 6 nëntorit 2012 « Gazeta Shqiptare» botoi një intervistë me Eqerem Zenelaj, të cilën e titulloi «Zbulohet Deklarata e panjohur e Pavarësisë, shpallur në Durrës më 1912»
Pjesa hyrëse e intervistës fillonte me thirrmën «Një zbulim epokal!»
Vijon
Ylli Polovina
Tiranë, më 17 dhjetor 2017
Version i printueshem
Faqja paraardhese |
|
|