Ylli Polovina in italiano
VENDLINDJA KU JETOJ DHE PUNOJ QYTETI I DY VAJZAVE TË MIA
PUBLICITIKË

HAJRI HIMA LIBRI “AMBASADOR NĖ BALLKAN” I YLLI POLOVINES, KONTRIBUT I VYER PĖR KOHĖN
”REPUBLIKA E SHTATĖ”
“AMBASADOR NĖ BALLKAN”
“LOTĖT E SORKADHES”, botimi i dytė
LOTĖT E SORKADHES
Artikuj të tjerë .....



kërkoni në këtë faqe



S'AFËRMI
MIRËSEVINI

NGRITJA E FLAMURIT NË DURRËS, SALI BERISHA DHE STËRGJYSHI I EDI RAMËS Pjesa II


(Botuar në “Illyria” në 14 dhjetor 2017)

Pjesa e dytë.

Shkrimi i njëmbëdhjetë i ciklit për 550 vjetorin e pritshëm të vdekjes së Skënderbeut

Sali Hidri jo vetëm tek libri i tij shumë i plotësuar dhe vazhdimisht i përditësuar “Historia e Durrësit”, por edhe tek “Stefan Kaçulini”, botuar në 2004, përsërit se pas ngritjes së flamurit në qytet (zbatim i porosisë së Ismail Qemalit para nisjes për në Vlorë që të gjitha territoret ato ditë ende të papushtuara nga ushtria serbe të ngrinin menjëherë flamurin kombëtar) “pas këtij akti 22 qytetarë durrsakë patën meritën të formulonin dhe të nisnin në qytetet kryesore të vendit dhe për dijeni të konsullatave të huaja lajmin se në Durrës u shpall “indipendenca, n’emën të kombësiës tonë të shenjtë e të gjithë Shqipniës”.
Kjo, që janë 22 firmatarë, shkruhet në faqen 116 të librit dhe përsëritet në 119.
Ndërkaq Eqerem Zenelaj në dokumentin e gjetur në turqisht si mesazh të rezervuar për konsullatën austro-hungareze në Durrës, thotë se firmëtarët e tij qenë 21 vetë. Sipas Zenelajt dhe përkthyesve nga osmanishtja, ata ishin: “Përfaqësues të popullsisë së Durrësit: Myderrizi i Durrësit - Jusufi, nga ulema - Hysejn (Tartari), nga ulema - Aliu, myderriz - Jusufi, nga ulema (Muhamed Rexhepi), nga pushtetarët e çmuar - Myrteza (?), nga pushtetarët e çmuar - (?), nga pushtetarët e çmuar - Ismail Qemali, nga pushtetarët e çmuar - (Mahmud) Shefkiu, nga pushtetarët e çmuar - (?), nga pushtetarët e çmuar - Muhamedi, nga pushtetarët e çmuar - Musa Qazimi, nga pushtetarët e çmuar - Ismail Qemali, nga pushtetarët e çmuar - Hysejn Hakiu, Kryeplaku i komunitetit katolik - Filip Sereqi, nga pushtetarët e çmuar - Abdullahu, nga pushtetarët e çmuar - (?), nga pushtetarët e çmuar - Mehmed Akifi, nga pushtetarët e çmuar - Hasan (Bytyqi ose Bikiqi ?), nga pushtetarët e çmuar - Hysejn Balla, nga pushtetarët e çmuar - Bahtijar Dervishi.\"
Të gjithë emrat e sipërcituar, edhe në rastin kur nuk lexohen dot, janë të shoqëruar me firmat përkatëse. Ndoshta gabimisht prej gazetave është cituar dy herë Ismail Qemali, si i pranishëm në këtë akt. Ndërkaq historiania Ledia Dushku, një nga autorët e një pesëvëllimëshi me dokumente austro-hungareze për Shqipërinë, i botuar nga Instituti i Historisë me rastin e 100-vjetorit të pavarësimit nëpërmjet një fond të dhënë edhe prej qeverisë Berisha, i kujton Eqerem Zenelajt se në ditën e hartimit dhe të firmosjes, 26 nëntor 1912, Ismail Qemali qe larguar prej afro tri ditësh nga Durrësi dhe sapo ndodhej në Vlorë.
Sidoqoftë duke e konsideruar formalisht pjesë të listës dhe duke e hequr përsëritjen e tij, numri i përgjithshëm i firmatarëve mbetet aq sa deklaron studiuesi Zenelaj, 21.
Duke qenë se dy dokumentet nuk kanë të njëjtin tekst, e informojmë lexuesin se në ditët 26 dhe 27 nëntor grupi aktiv që ndërmerr flamurngritjen dhe shpalljen lokale të pavarësisë nga Perandoria Osmane, përbëhej nga plot 22 vetë dhe se, megjithë mospërputhjen e emrave të firmuesve mes dy mesazheve që kanë mbërritur në konsullatën austro-hungareze në Durrës, pastaj dërguar në Vjenë dhe arkivuar aty, personi mungues është ai i Kristaq Ramës, stërgjyshit të kryeministrit të sotëm Edi Rama.
Ky oficer dogane në port, një ndër ndihmësit më kryesorë të hyrjes në Durrës dhe pastaj në tërë Shqipërinë e Mesme dhe të Veriut të abetareve të ndaluara të gjuhës shqipe, i pranishëm non stop në pritjen dhe sigurinë e Ismail Qemalit dhe në krye të të gjitha veprimtarive të kryera në qytet për shpalljen e pavarësisë, në rast se formalisht mund të ndërtojmë një listë sipas rradhës së kontributit, ndodhet më e pakta mes dhjetë të parëve.
Pra ai emër dhe firma e tij, hamendësojmë ne, nuk mund të mungonin në dokumentin që kishte gjetur Eqerem Zenelaj dhe i cili ka një shumicë të dukshme mbështetësish. E themi këtë, së pari, për shkak të një meraku: faksimilja e dokumentit e paraqitur në shtyp, veçanërisht në «Gazeta Shqiptare» të datës 7 nëntor 2012, është me pamje të prerë nga fundi, duke mos i dhënë mundësi lexuesit ta ketë të plotë listën e firmuesve.
Po ashtu paketa e plotë pesëvëllimëshe e dokumentave të botuar prej Institutit të Historisë paralelisht me kulmimin e gjestit sfidues të Zenelajt ndaj shkrimit të deri atëhershëm të historisë kombëtare, ka dëshminë e një veprimi të ngjashëm si ai në gjuhën turke, se nismëtarë të shfaqur në konsullatën austro-hungareze janë vetëm tri persona.
Për këtë nënkonsulli austro-hungarez në Durrës, Rudnay, i cili patjetër duhet të ketë qenë edhe përcjellësi në Vjenë i dokumentit në turqisht që ka gjetur Eqerem Zenelaj, pati dërguar në 27 nëntor qendrës së vet këtë telegram të koduar. Ka numrin e brendshëm 152. Thotë: “Në mbrëmjen e datës 26 duke u gdhirë data 27, tre banorë më dhanë një lajmërim të destinuar për Shkëlqesën Tuaj dhe qeverinë italiane, me të cilin njoftojnë se është bërë proklamata e pavarësisë».
Ka mjaft të ngjarë që tre banorët e paraqitur të kenë qenë përfaqësues të listës së mesazhit që ka gjetur Zenelaj. Nënkonsulli Rudnay e vlerëson atë si një lajmërim jo vetëm për kontin Berchtold, por edhe për qeverinë italiane. Pra mesazhi ka dy adresimi, jo vetëm një siç në dokumentin e Eqerem Zenelajt thuhet.
Duke mos ngulmuar domosdoshmërisht se Rudnay në telegramin e tij të shifruar për ministrin e vet të Jashtëm e ka fjalën pikërisht për çfarë zbuloi studiuesi Zenelaj pas njëqind vitesh (edhe pse ka përputhje të plotë në kohë: në mesazhin turqisht data e hartimit shënohet 26/27 nëntor 1912, në telegramin për Berchtold saktësohet se të tre personat në konsullatë u paraqitën në mbrëmjen e 27 nëntorit).
Sidoqoftë në 27 nëntor 1912, me telegramin e shifruar numër 206, ministri i Jashtëm austro-hungarez e vuri në dijeni konsullatën e vet në Romë për këtë rrethanë, pra për tre përfaqësuesit e parisë së Durrësit. Përse për këtë mesazh të atyre tre individëve kishte shqetësim të dukshëm tek konti Berchtold?
Këtë e shpjegon vetë ky në një mesazh të gjatë për ambasadorin e tyre në Romë. Daton 28 nëntor. Thotë: «Në pritjen e djeshme diplomatike, Duka i Avarnës na zuri në gojë një lajm që qeveria e tij paska marrë nga Durrësi. Sipas tij, disa shqiptarë nga paria e Durrësit e paskan proklamuar pavarësinë e Shqipërisë nën protektoratin e Austro-Hungarisë. Duka i Avarnës qenka ngarkuar prej qeverisë së tij të më pyesë nëse unë di gjë për këtë punë dhe të më lutet për ta ndaluar një shpallje të tillë prej shqiptarëve, sepse po të merret vesh një hap i tillë do të bëjë përshtypje të keqe në opinionin publik italian. Ambasadori më tha se nëse është bërë një deklaratë e tillë për pavarësinë shqiptare nën protektoratin në fjalë, atëherë qeveria e tij kërkon që shtypi ynë të shpalli në mënyrë të prerë se dëshirat që mund të shfaqin apo hapat që mund të hedhin disa anëtarë të parisë shqiptare, nuk do të ndryshojnë kurrsesi asnjë pikë nga marrëveshjet që janë bërë mes nesh dhe Italisë».
Siç e shihni, tek konti Berchtold numri «tre» është zëvendësuar me «disa», çfarë mund të jetë shprehës i njëllojtë i masës së parë, por edhe i dy e më shumë fishit të saj.
(Shënojmë se raporti për çfarë kishin shkruar dhe paraqitur tre durrsakët e parisë së qytetit, kontit Berchtold i mbërriti kur sapo ky pati përfunduar bisedën me Dukën e Avernës (Xhuzepe Averna), ambasadorin italian në Vjenë që prej vitit 1904).
I padiktuar si dokument origjinal deri edhe nga grupi më i fundit i punës i historianëve të Institutit në arkivin shtetëror të Vjenës (çfarë mund edhe të ndodhë) prej vetë Ministrit të Jashtëm dhe diplomacisë austro-hungareze në dosjet përkatëse, me të cilat është punuar, nuk ka asnjë përfillje për atë të interceptuar nga Eqerem Zenelaj. Berchtold apo tërë arkivi zyrtar i Ministrisë së Jashtme të perandorisë nuk shkruan, flet apo trasmenton me shifër ose tekst të hapët lëndë materiale tjetër të ardhur nga Durrësi për një shpallje zyrtare të pavarësisë këtu, madje me prani të vetë Ismail Qemalit.
Ja përse, pa mohuar në parim që studiuesi i pasionuar i temës së kombëtarizmit, Eqerem Zenelaj, e ka dëshmi reale dokumentin e vet, zhurrmimi i madh rreth gjetjes së tij si provë kyçe se pavarësia e Shqipërisë është shpallur më së pari në Durrës dhe në Vlorë ka vijuar më pas, si një përsëritje më e madhe përforcuese, më së pari nga studiuesi personalisht dhe në sinkron me të edhe prej kryeministrit Sali Berisha, ka gjasë të ketë pasur një shtysë të fortë interesi politik kundër Edi Ramës, shefit të opozitës dhe stërnipit të Kristaq Ramës, i cili, duam apo nuk duam, zotëron nga familja e vet një thesar biografik shumë pozitiv për prestigjin e tij si politikan i gjeneratës së katërt të saj. Rezulton që stërgjyshi të jetë firmatar i shpalljes së pavarësisë lokale të Durrësit dhe në një farë mënyre pararendës i asaj nacionale në Vlorë.
A mos për të mos i dhënë konkurentit politik stimul elektoral ka ndodhur vetëdijshëm censurimi nga lista e firmuesve e emrit të Kristaq Ramës?
Mundet që këtë ta ketë kryer vetë Zenelaj (kjo duket më e besueshme), se Sali Berisha. Ky, shpresojmë, po t’i paraqitej një dokument origjinal me nënshkrues edhe stërgjyshin e Edi Ramës, do ta kishte parë më shumë të udhës ta shmangte bujën që i bëri çfarë kishte zbuluar Eqeremi. Apo nën shtysën e ngutjes, karakteristikë e dukshme e temperamentit të tij, ra pa dashje në një gropë blofimi, të cilën do ta spikatim më qartë në shkrimin pasues.
Apo të dy, Eqerem Zenelaj dhe Sali Berisha në sipërmarrjen e tyre për ta përdorur dokumentin në turqisht, pa i lënë prova të kapshme bashkëpunimi njëri-tjetrit, janë marrë vesh «me valë»?

(Vijon)

Ylli Polovina

Tiranë, më 11 dhjetor 2017


Version i printueshem
Faqja paraardhese

LIBRAT

Libra të tjerë .....

LIBRI I FUNDIT
Image Title Here




LIBRA TË TJERË
Kontakt: ylli@yllipolovina.com © 2007-2017 yllipolovina.com Webmaster: taulant@topciu.com