Ylli Polovina in italiano
VENDLINDJA KU JETOJ DHE PUNOJ QYTETI I DY VAJZAVE TË MIA
PUBLICITIKË

HAJRI HIMA LIBRI “AMBASADOR NË BALLKAN” I YLLI POLOVINES, KONTRIBUT I VYER PËR KOHËN
”REPUBLIKA E SHTATË”
“AMBASADOR NË BALLKAN”
“LOTËT E SORKADHES”, botimi i dytë
LOTËT E SORKADHES
Artikuj të tjerë .....



kërkoni në këtë faqe



S'AFËRMI
MIRËSEVINI

LAJMI I SAJUAR MBI NGRITJEN E FLAMURIT DHE SHPALLJEN E PAVARËSISË NË DURRËS


(Botuar në “Illyria” në 19 nëntor 2017)

Shkrimi i nëntë i ciklit për 550 vjetorin e pritshëm të vdekjes së Skënderbeut

Përveç serbëve dhe dendur edhe grekëve, aspak entuziastë çfarë po përgatitej mes shqiptarëve për t’u pavarësuar, po ashtu pranë turqve të mëdyshtë për këtë çështje, ngelur mes një “po” dhe një “jo”-je, në përkrahje të plotë ishin dy shtete të tjerë, të fuqishëm për kohën: Austrohungaria dhe Italia. Këta e nxitnin mëvetësimin territorial të shqiptarëve dhe njëkohësisht e vigjëlonin nga shumë afër.
Një pamje e tillë del qartë në shtypin e tyre duke kulmuar që prej çastit kur Ismail Qemali dhe njerëzit e tij zbritën në Durrës e deri sa në Vlorë u ngrit flamuri dhe u formua qeveria e përkohshme.
Ja pse merr rëndësi dhe mbart mesazh të fortë çfarë vjenezja historike “Das Interessante Blatt”, shtojcë e të ilustruarës “Wiener Illustrierte”, pasqyroi në numrin e 28 nëntorit 1912. Në faqen e dytë të saj, në një mënyrë shumë të dukshme, është vendosur një foto-portret i Ismail Qemalit dhe një tekst i shkurtër shpjegues në drejtshkrimin e vjetër gjerman.
E përkthyer me ndihmën e pedagogut të gjermanishtes në Qendrën e Gjuhëve të Huaja në Akademinë Ushtarake të Republikës, autorin e mjaft librave, Gaqi Karakashin, deçitura përmban këto fjalë: “Konflikti midis Austrohungarisë dhe Serbisë. Udhëheqësi shqiptar Ismail Qemal Beu, i cili në krye të një asambleje të fisnikëve në Durrës shpalli pavarësinë e Shqipërisë”.
Në një rresht më poshtë, me gërma më të imta, shkruhet “Sipas një regjistrimi fotografik”, çfarë do të thotë se pamja e portretit të Ismail Qemal Vlorës është një foto.
Në të vërtetë të katra faqet e “Das Interessante Blatt” të 28 nëntorit 1912 janë të mbushura me foto. Janë 18 të tilla dhe të gjitha saktësohen me shkrim që janë të kësaj gjinie dokumentare.
Në ballinë të shtojcës me temë historike të “Wiener Illustrierte”, në fund të saj ku vendosen tematikat kryesore të atij botimi, lexuesit i komunikohen tre prej tyre: Lindja e një trashëgimtareje të fronit, Duka i madh pas ardhësi i fronit në Berlin; konfliki ynë me Serbinë; lufta e Ballkanit.
Në brendësi të tre faqet kanë lëndën e shkruar mbi jubileun e njëqind vjetorit të një shoqate në Vjenë, pasqyrimi me tekst, skica dhe shifra i tetë luftrave më të mëdha në Evropë duke filluar nga ajo e Krimesë (1853-1856 me 750.000 të vrarë) e deri tek ajo ruso-japoneze (1905-1906) me 200.000 të tillë.
Po ashtu ajo çfarë shkruhet në “Das Interessante Blatt” të 28 nëntorit 1912 ka të bëjë me luftime të një nënkoloneli që drejton një regjiment, më tej raportin e një oficeri austohungarez, në vazhdim paradën e madhe të flotës në Napoli, ku në revistë i merr mbreti Ferdinand me të shoqen, Elenën, pasqyrohet një mbledhje e parlamentit hungarez në Budapest, në një pamje tjetër janë disa oficerë të dekoruar në Prizren, në vijim konsulli austro-hungarez në këtë qytet, pastaj foto rreth konfliktit të perandorisë vjeneze me Serbinë. Ka edhe një pamje e tekst shënimesh për ngjarje të ndodhura në Mitrovicë (historia e një funksionari austro-hungarez, i cili u mbajt me dhunë nga organet ushtarake serbe, por më pas ai ia doli të aratisej për në Austri.
E tërë kjo mori e pamjeve ilustruese nga redaksia e “Das Interessante Blatt” shoqërohet me shënimin se ato janë “foto të reporterëve tanë”.
Siç shihet edicioni i të dielës së fundit të muajit nëntor 1912, ajo ditë kur në Vlorë do të ngrihej flamuri kombëtar me një shqiponjë dykrerëshe mbi një fushë të kuqe, me siguri të premten, 26 nëntor, i bërë gati për shtyp, ka qenë i tëri me një lëndë informuese krejtësisht larg çështjes shqiptare. Po të kishte të tilla do t’u hapte vend të dukshëm, sepse qenë për gjermanishtfolësit si edhe vetë Evropën të nivelit për t’u spikatur. Pa lajme rreth çështjes shqiptare do të qe edhe numri i një jave më herët i “Das Interessante Blatt”, ai i 21 nëntorit 1912. Në fund të fundit nuk mund të qe ndryshe: lufta ballkanike ende nuk e kish përfshirë dhe trazuar të gjithë territorin e shqipfolësve.
Lajmi mbi shpalljen e pavarësimit të Shqipërisë në edicionin e 28 nëntorit, i bërë i dukshëm për lexuesin nëpërmjet fotos së Ismail Qemal Vlorës, është marrë vesh (përafërsisht) në 25 nëntor dhe redaksia është ngutur ta vendosë.
Por ai nuk është i vërtetë, është i sajuar. Njoftimi i prerë se shpallja e pavarësisë së Shqipërisë ishte kryer në Durrës, pra qe një punë e mbyllur dhe ngritja e flamujve kombëtarë të këtij vendi nëpër qytetet e tjera ishte derivat i saj, përputhej me interesat imediate të austro-hungarezëve dhe italianëve. Ata bënin trysni të pengonin marrshimin e ushtrisë serbe përgjatë lumit Shkumbin dhe daljen e tyre në qytet-portin shumë strategjik të Durrësit.
Kështu lajmi u shpik dhe në të vërtetë nuk gjeti pasqyrim vetëm tek “Das Interessante Blatt”, por gjithkund nëpër shtypin austro-hungarez, gjermanfolës, doli edhe përtej.
Në numrin e saj të 28 nëntorit gazeta e përditshme italiane “La Stampa” njoftonte që në faqen e parë, me germat më të mëdha të mundshme: “Serbët hyjnë në Durrës ndërkohë që Shqipëria shpall pavarësinë e saj”. Pastaj, në vijim, poshtë, në kryelajmin e asaj faqeje të parë, titulluar “Serbët në Durrës”, thuhet se Agjencia Italiane e Lajmeve Stefani nëpërmjet korespodentit të saj në Beograd dhe po ashtu prej të vetëve nga një burim tjetër, Londrës, njoftojnë nëpërmjet telegrafit se gazetat vendase mes sllavëve dhe britanikëve bëjnë të ditur se serbët kanë hyrë në Durrës.
Anglezët këtë ngjarje e formulojnë jo hyrje, por “pushtim i djeshëm nga serbët”.
Ndërkohë në “La Stampa” menjëherë pas këtij kryelajmi të shkurtër rreshtohet një tjetër: “Shpallja e autonomisë shqiptare”.
Këtë herë gazeta italiane bën të ditur se ky njoftim i ka ardhur jo nga Beogradi, Londra apo Berlini, por drejt për së drejti nga Kostandinopoli, pra prej Stambollit.
Ky lajm thoshte se “Pavarësia e Shqipërisë u shpall në Durrës dhe në Vlorë. Në Durrës në godinën qeveritare u ngrit flamuri shqiptar dhe u ulën gjithë flamujt turq që deri ato çaste ndodheshin në port. Pas kësaj nëpunësit turq nxituan të njohin regjimin e ri. Popullsia ka kërkuar mbrojtjen e Italisë, Austro-Hungarisë dhe të Francës”.
Çfarë pati ndodhur realisht në qytetin-port të Durrësit, ku lajmet nëpër kontinent njoftonin se aty ishte ngritur flamuri shqiptar dhe duhet thënë se kujtesa jonë kombëtare, si edhe në rastin e ngritjes së tij kryesore në Vlorë, nuk zotëron asnjë imazh, foto apo skicë të ngjarjes. Si të qenë ndodhi të ngjara në një pyll apo majë mali të humbur dhe jo në mes të dy qyteteve portualë me hyrje e dalje të shumta vendasish të mirëqenë ekonomikisht dhe udhëtarësh të huaj. Në Durrës dhe në Vlorë kishte gjithashu edhe konsullata të disa shteteve të tjerë.
E habitshme është se për ngritjen e flamurit dhe foton përkatëse ka edhe këtu, në Durrës, një tjetër histori triller, të cilën do ta rrëfejmë në shkrimet e ardhshme. Ca më tepër do ta bëjmë këtë sepse e ashtuquajtura shpallje e pavarësisë së Shqipërisë në qytetin-port, ku zbriti Ismail Qemali me të tijtë në 21 nëntor 1912, është e shoqëruar me “rënien në grackë” të Sali Berishës, kryeministrit tonë që organizoi festimet e 100-vjetorit të Shtetit Shqiptar në 28 nëntor 2012.
Ai nuk e ka ditur, sigurisht, si edhe shumë të tjerë, se në ngjarjen që prej shtypit dhe zyrave të larta austro-hungareze u sajua si shpallje e pavarësimit shqiptar, ndodhet edhe emri Kristaq Rama, i cili është stërgjyshi i kryeministrit aktual në Tiranë, Edi Ramës.

(Vijon)

Ylli Polovina

Tiranë, më 14 nëntor 2017


Version i printueshem
Faqja paraardhese

LIBRAT

Libra të tjerë .....

LIBRI I FUNDIT
Image Title Here




LIBRA TË TJERË
Kontakt: ylli@yllipolovina.com © 2007-2017 yllipolovina.com Webmaster: taulant@topciu.com