Ylli Polovina in italiano
VENDLINDJA KU JETOJ DHE PUNOJ QYTETI I DY VAJZAVE TË MIA
PUBLICITIKË

HAJRI HIMA LIBRI “AMBASADOR NË BALLKAN” I YLLI POLOVINES, KONTRIBUT I VYER PËR KOHËN
”REPUBLIKA E SHTATË”
“AMBASADOR NË BALLKAN”
“LOTËT E SORKADHES”, botimi i dytë
LOTËT E SORKADHES
Artikuj të tjerë .....



kërkoni në këtë faqe



S'AFËRMI
MIRËSEVINI

FESTAT 28-29 NËNTORIT 1945 DHE LOJA E ENVER HOXHËS ME FJALËN DEMOKRACI Pjesa e dytë


(Botuar në “Shqiptarja.com” më 29 nëntor 2017)

Incidenti me notën e Misionit Amerikan, intriga e censurimit nga ajo, prej qeverisë shqiptare, të fjalës “democratic”

Pjesa e dytë

Biografia e Enver Hoxhës me pesë gënjeshtra

Objektivi që Fronti Demokratik i Shqipërisë, i shpallur në gazetën “Bashkimi” të 14 nëntorit 1945, qe rradhitur si i gjashti mes tyre, titullohej “Të drejtat demokratike”. Ai thoshte: “Fronti Demokratik do që gjithë populli, përveç elementëve dhe grupeve fashiste, të ketë të drejta të plota demokratike – lirinë e fjalës, të organizimit, të shtypit dhe të konfesionit. Fronti Demokratik është për zgjedhje me votim universal, direkt dhe të fshehtë.
Që të përfitojë populli ynë me të vërtetë nga këto të drejta është e domosdoshme që mjetet materiale të pushtetit të mbeten gjithnjë në duart e masave të gjera të popullit punëtor, ashtu siç e prokllamoi dhe e sancionoi kryengritja popullore”.
(Me këtë rast shënojmë se objektivi i tetë është “Udhëheqja politike”, në të cilin shpallet se “Për të ruajtur indipendencën dhe integritetin tokësor, për të ruajtur realizimet e luftës nacional-çlirimtare dhe për të ngritur një shtet të ri demokratik në Shqipëri, Fronti Demokratik e quan të domosdoshme që udhëheqja politike e vendit t’onë të jetë në duart e forcave popullore të përfaqësuara e të lidhura në organizatat antifashiste, që formojnë Frontin Demokratik”).
Duke vijuar përshkrimin e faqes së parë të “Bashkimit” të 14 nëntorit, shënojmë se në skajin e djathtë të saj gjendet edhe rubrika e porsaçelur atë ditë, e spikatur posaçërisht, me titullin: “Cilët janë kandidatët e Frontit Demokratik”.
Poshtë tij ja edhe emri i parë i tyre: Enver Hoxha.
Këtu, ndërsa pritet sinqeritet për t’u vetëparaqitur para popullit në zgjedhjet e para të pas luftës, nuk përmbahen gënjeshtrat dhe faksifikimet e biografisë së tij. Pasi shkruhet se “Mësimet universitare i vazhdoi në fakultetet e Francës”, menjëherë shtohet: “Mungesa e bursës nuk e lejoi të mbarojë mësimet universitare”.
Dihet e kundërta: nga që mbeste në mënyrë të vijuar në kapërcimin e viteve shkollorë, pas një durimi të gjatë administrativ të Ministrisë së Arsimit në Tiranë, atij iu pre bursa.
Më tej, ja edhe pasinqeriteti i dytë: “Për disa vjet shërbeu si sekretar i Konsullatës Shqiptare në Belgjikë”. Në të vërtetë në librin e tij me kujtime “Vitet e rinisë”, publikuar në vitin 1988, vetë Hoxha këtë periudhë pune, edhe pse bën çdo dinakëri për t’ia mjegulluar çastin e fillimit dhe të mbarimit, do ta përfshinte e shumta në një mot e gjysmë.
Vijon biografia e zbukuruar e Enver Hoxhës: “Ndjenjat e tij antifashiste, antiitaliane dhe antizogiste kanë qenë të njohura që n’atë kohë ashtu si dëshmojnë artikujt e tij të shkruara në gazetat frënge me pseudonimin Lulo Malësori”. (Këta artikuj nuk u gjetën dhe nuk u provua kurrë se kishin ekzistuar).
Gënjeshtra e katërt: “----me vendosjen e tij për luftë dhe me zgjuarsinë e tij politike ka qenë gjithnjë i dalluar në rolet më kryesore dhe udhëheqës. Gjyqi ushtarak i okupatorit e dënoi me vdekje në mungesë...” (Nuk ka asnjë gjyq ushtarak italian dhe vendim të tij për dënimin me vdekje të Enver Hoxhës. Doemos ai që prej fundvjeshtës 1941 synohej për t’u arrestuar, por shumë më i kërkuari ishte Qemal Stafa).
Mashtrimi i pestë për kandidatin numër një të listës së Frontit Demokratik të Shqipërisë për zgjedhjet e 2 dhjetorit 1945: “Qe një nga organizatorët e çquar të Konferencës së Pezës...” (Vetë Hoxha në plenumin e Beratit në 23-27 nëntor 1944 pohon se ishte Miladin Popoviçi personi nxitës dhe organizues i kësaj konference, madje edhe autor i fjalimit që aty mbajti Enveri).

Në Beograd zgjedhje të Frontit Demokratik, pas dy javësh mbahen edhe në Shqipëri

Në “Bashkimi” të 15 nëntorit 1945, e enjte, publikohet dukshëm titulli “Triumf i demokracisë në Jugosllavi”. Në këtë shkrim thuhet se, sipas lajmeve të mara nga Beogradi një ditë më parë, rezultatet e zgjedhjeve për Frontin Demokratik të kryera të dielën patën këto përmasa: “Në Belgrad votoi 91 % e zgjedhësve të regjistruar. Nga këta 81.53 % votuan për kandidatët e Frontit në Asamblenë Federale dhe 18.17 për kutinë pa listë”.
“Kutia pa listë” qe e kandidatëve dhe e subjekteve politike jashtë Frontit, çfarë përfshinte edhe opozitën.
Datuar më 17 nëntor, për rastësi ditë e çlirimit të Tiranës prej pushtuesve gjermano-nazistë, në arkivin e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Shqipërisë, të renditur me numrin 33, ndodhet kjo shkresë e Harry Fultzit, e përkthyer nga punonjës të MPJ-së jozyrtarisht:
“I ndershmi Gjeneral-Kolonel Hoxha:
Kam nderin me ju njoftue se në mesazhin e marrun më 16 Nëntor 1945, Qeverija e ime më ka kërkue që t’Ju njoftoj se mbasi arkivat e Shqipnis jan prishur dëshiron me ba disa modifikime në provisionin e notës adresue Z. S’Uaj më 11 nëntor 1945, mbi njohjen, si vijon:
1. Qeveria e Shteteve të Bashkuara, parashtron administratës s’Uaj që t’stabilizojnë kryesisht ligjet Ndërkombëtare që vijnë mej respektue vleftsinë e traktateve që kan hye prej qeverive të mëparshme dhe që nuk kanë skadue ligjërisht, dëshiron me nis me stabilizue marëdhënjet diplomatike po sa të marrin sigurimin e kërkueme në notën më 11 Nëntor, që zgjedhjet të bahen lirisht dhe liria e raporteve prej korrespondencave të shtypit.
2. Në pranimin e përkohshme të përgjigjes s’Uaj e vërteton vleftsin e traktateve në fuqi ndërmjet Shteteve të Bashkuara dhe të Shqipëris qe kanë ken më 7 prill 1939, edhe asht në kuptim se Qeveria e Shteteve Bashkuara pret të marr sigurime në lidhje me statuen e këtyre instrumentave (traktateve) sama shpejt që të jet e mundur mbasi të dërgohen kopjet në Tiranë.
Jam informue gjithashtu prej qeveris s’ime se kopjet e traktateve (Item Nr.8) të kërkuara në kët çështje jan tuj u pregatit mej transmentue edhe posa të vinë do t’jau dorzojmë me nji heri.
Pranoni Zoti Gjeneral-Kolonel Hoxha....
H.T.F.”
Në 18 nëntor 1945 “Bashkimi” ka botuar fjalimin një dite më parë të Enver Hoxhës me rastin e përvjetorit të çlirimit të kryeqytetit. Mes të tjerash në të kumtohet për opinionin publik se “Anglija dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës nuk e harruan aleaten e vogël Shqipërin dhe me notat e tyre që i drejtuan Qeveris sonë ata shprehin vendimin e tyre, që kanë marrë për ta njohur (Brohoritje për Aleatët e Mëdhenj) dhe për të vendosur marrëdhëniet diplomatike me ne, ata kërkojnë nga Qeverija e jonë sigurimin që zgjedhjet të bëhen të lira dhe të fshehta, që korespodentët e huaj të kenë liri të hyjnë në Shqipëri për të parë zhvillimin e zgjedhjeve, dhe që shtypi të vazhdojë të jetë i lirë. Këto kondita qeverija jonë i ka plotësuar dhe me rigorozitetin më të madh do të observojë zbatimin e tyre pse ashty e lyp interesi i madh i popullit tonë (duartrokitje)”.

Gabim përkthimi apo...?

Të nesërmen, në 19 nëntor, një dokument i ruajtur në arkivin e MPJ të Shqipërisë, i nisur nga Fultz me numrin rendor 34, me përkthim jo zyrtar, thotë:
“I ndershmi Gjeneral-Kolonel Hoxha:
Dyke lexuar tekstin e notës së Shteteve të Bashkuara drejtuar juve mbi njohjen e Qeverisë s’Uaj sikundër të botua në fletoren “BASHKIMI” datë 17 Nëntor 1945, e gjeta një fjalë me rëndësi të lënë jashtë. Ky mund të ketë shpëtuar jasht nga përkthimi i tekstit anglisht në gjuhën shqipe ose mund të jetë gabim shtypi”.
Vazhdimi më tej: “Teksti i notës që iu dorëzua Z. S’Uaj në pjesën përkatëse thotë kështu: (Teksti anglisht: “...that all democratic indiduals and groups in Albania shall enjoi freedom of speech and dhe right lawfully to present and suport their candidates....”). Ndërkaq “BASHKIMI” thotë si vijon: “....dhe prandaj kërkon sigurime që.... të gjithë individët dhe grupet në Shqipëri të gëzojnë lirinë e fjalës dhe të drejtën e plotë ligjore për të paraqitur dhe përkrahur kandidatët e tyre” kështu, që nga sa duket, lihet jashtë kuptimi i fjalës “democratic”, që figuron n’anglisht”.
Duket qartë që nuk është një përkthyes i thjeshtë ai që ka bërë përdhunimin e tekstit, sepse shqipërimi i asaj fraze ishte teknikisht fare i thjeshtë. Termi “e drejta demokratike” është zëvëndësuar me “të drejtën ligjore”, sipas një koncepti totalitar ku ligji barasvlerësohet me demokracinë, çfarë nuk është e vërtetë. Edhe tiranitë prodhojnë ligje, shpesh që të gjitha antidemokratike.
Ka mjaft të ngjarë që përveç mendësisë bolshevike (besojmë jo të përkthyesit, por të porositësit të shqipërimit si edhe atij që do ta jepte dokumentin për ta shpërndarë në shtyp), tërë ky shtrëmbërim duhet të jetë kryer posaçërisht. Mundet me prapamendimin për ta bërë Shtëpinë e Bardhë bashkëpërgjegjëse në lojën politike të pushtetit të ri të Tiranës në justifikimin e diktaturës që po dinakërisht po instalohej.
Kjo ishte grackë, prandaj edhe përfaqësia e SHBA në kryeqytetin shqiptar, pas botimit në “Bashkimi dhe bërjes fakt i kryer të intrigës, ngul këmbë fort të sqarohet gjithçka për tërë opinionin publik.
Shpjegon nota e Harry Fultz: “Lënja e kuptimit të fjalës “democratic” prej botimit të tekstit të notës së Shteteve të Bashkuara në gjuhën shqipe, dhe besoj se dhe Ju bashkoni me mua, e shtrembëron shumë kuptimin e kësaj fraze të posaçme dhe i epet popullit Shqiptarë një ide e gabuar mbi positën e Qeveris s’eme në këtë çështja me randësi.
Dhe po ta’theksoj Z. S’Uaj kët mungesë në versionin shqipë të notës së Shteteve të Bashkuara si asht botue për nji konsiderim t’Uajin në çdo mënyrë që mund t’a shifni të përshtatun.
I Juaj me respekte
H.T.F.”

Justifikohet Enver Hoxha: gabim pa dashje i përkthimit

Në arkivin e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Shqipërisë gjendet edhe një shkresë e daktilografuar, pa datë. Ka numrin protokollar 77/IV. Thotë:
“I ndershmi Zotni
Jam dakord me Zotnin e juaj për çështjen e fjalës Demokratik, që është haruar të vihet në përkthimin e notës inglish. Për këtë gjë kam dhënë urdhër që ta korrektojnë me një shënim të veçantë në gazetë.
Gabimi ka rjedhur se është shtypur përkthimi shqip që më kini dërguar Zotnijs e juaj bashkangjitur me notën inglisht, dhe ku është harruar të vihet fjala demokratik, kurse në tekstin inglisht egziston.
Mbetem me nderime të shquara....”
Sipas një përkthimi jo zyrtar, në 22 nëntor 1945 Harry Fultz me shkresën Nr. 35, ka hartuar dhe dërguar këtë notë:
“I ndershmi Gjeneral-Kolonel Hoxha:
Kam nderin t’Ju njoftoj marrjen e letrës s’Uaj më datë 21 Nëntor 1945 që do të marrish hapa për korregjimin e fjalës lanun jasht “demokratic” si ishte shkruar në tekstin shqip të notës së Shteteve të Bashkuara mbi njohjen. Veprimi që Ju paraqitni për të ndrequr kët gabim asht shumë i kënaqur dhe ju falenderoj për kët. Mbasi se teksti i shtypun do të ket shënim historik, asht me randësi që shënimi të korregjohet.
Në trajtimin e përkthimit me maqinë shkrimit në tekstin Anglisht si kjo, ne e gjejmë të kufizuar fasilitetin dhe shumë herësh nuk mund të priten gabimet e të lënuna jasht me përkthime. Ju falënderoj për kortezin dhe bashk punimin t’Uaj në kët çështje.
Mbetem i sinqerti i Juaj
H.T.F.
Zavëndës Përfaqësuesi Amerikan”.
Një ditë më pas, në 23 nëntor, Enver Hoxha i përgjigjet: “I ndershmi Zotni, Kam nderin ti përgjigje letrës së Zotnisë s’Uajmë datë 17 Nëndor dhe ju lutem të kini mirësinë t’i transmentoni qeveris s’uaj sa vijon:
“Në lidhje me modifikimet që i bëni notës që na drejtuat në 16 nëndor 1945 përsa i përket pikës ku bëhet fjalë për traktatet, kam nderin të përcaktoj pikëpamjen e Qeveris s’eme mbi këtë çështje.
“Qeverija Demokratike e Shqipërisë është kurdoherë e disponuar të veprojë mbi çështjet e traktateve që ka lidhur Shqipëria me Shtetet e tjera brënda ligjit që ka marë Kongresi i përfaqësuesve të Popullit në Përmet më 24 maj 1944 i cili shprehet si ma poshtë: “Të rishikohen të gjitha marrëveshjet me Shtetet e huaja lidhjet ekonomike dhe politike që janë bërë nga Qeveria e Zogut në dam të popullit shqiptar, të prishen dhe të bëhen marrëveshje të reja”. Ne kujtojmë se një gjë e tillë është në përputhje të plotë me ligjet ndërkombëtare dhe me rrethanat e krijuara pas kësaj lufte të përbotshme anti fashiste. Nga ana tjetër ne shpresojmë që këjo çështje të mos bëhet një vonesë për shkëmbimin e marrëveshjeve diplomatike mes dy vendeve t’ona, marëdhënie që do të shpejtojnë përsëtepërmi rishqyrtimin e traktateve që mund të ekzistojnë nër mes Shteteve të Bashkuara dhe Shqipërisë.
Ju lutem pranoni....
Kryeministri i Shqipërisë, Gjeneral-Kolonel Enver Hoxha”.
Ndërkaq në 26 nëntor 1945 “Bashkimi” nëpërmjet titujve kryesorë në ballë të faqes së parë “Si ngrihet Shqipëria e Re”, bën të ditur se “Kryeministri u jep tapitë e tokave bujqve të Myzeqesë”. Po ashtu Ministria Botore kishte inaguruar ngritjen e urave të mëdha, kurse në Shkodër qe inaguruar spitali civil.
Gjithnjë sipas një përkthimi të bërë nga punonjës të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Shqipërisë, po këtë ditë të 26 nëntorit agjencia e lajmeve Reuter në Londër përhapte për tërë botën këtë lajm: “Fushata elektorale shqiptare po zhvillohet tani fuqimisht, sipas korrespodentit të fletores “Daily Telegraph” në Shqipëri. Zgjedhjet janë caktuar për të Djelën që vjen dhe korrespodenti thotë se “është e mundshme që të adoptohet sistemi jugosllav, që të vihet një kuti për ata që dëshirojnë të shprehin mos-aprovimin e programit të përgjithshëm të Qeverisë.
Pa pasur eksperincë të më parëshme mbi sistemet demokratike, populli shqiptar është hedhur brenda një viti nga sistemi feudal në një sistem politik shumë të përparuar, ndërsa jeton akoma nga pikëpamje ekonomike në mesjetë.
Shqipërija ka një regjim (sistem) të një partie, të Frontit Kombëtar, të një qënieje të krijuar rishtaz. Opozita e vetme e saj është një qënieje jopolitike, e përbërë nga çeta guerrilash, të cilat po rrijnë të pamvarura, më të shumtën në malet e veriut.
Thelbi i fortë por i paorganizuar i njerëzve moderatë nga pikëpamja e mendimit thonë se shtyrja e zgjedhjeve është e nevojshme për të lejuar ndërtimin e një partie përparimtare dhe konstruktive të opozitës.
Por Fronti Kombëtar përkrahet nga shumica e njerëzve me opinion liberal, në të gjithë vendin. Ka një influencë të fortë komuniste, por programi i përgjithshëm i Frontit nuk është posaçërisht komunist. Ky mund të përcaktohet më mirë si një program laburist i moderuar, i mbështetur mbi barazinë shoqërore dhe reformën agrare.
Programi i Reformës Agrare do të krijojë të tërë një klasë të re pronarësh katundarë, të cilët janë tani përkrahësit solidarë të Frontit Kombëtar”.
Në edicionin e 28 nëntort 1945 të gazetës “Bashkimi” me kryetitullin e madh për të dy festat, atë të pavarësimit dhe të çlirimit, ndodhen tre portrete: ai i Skënderbeut, i Ismail Qemalit dhe i Enver Hoxhës. Redaksionalja me titullin “Indipendenca e Shqipërisë një realitet i madh historik” është shkruar prej Lame Kodrës (Sejfulla Malëshovës).
Në qendër të saj publikohet në dy kolona të gjera mesazhi i Enver Hoxhës. Vetëm në kolonën e parë fjala “demokratik”, në emërtim të pushtetit të ri, përdoret shtatë herë.

Shtëpia e Bardhë korrigjon qendrimin e saj dhe hë për hë nuk e njeh qeverinë shqiptare

Në 1 dhjetor 1945, sapo patën përfunduar festimet e 28-20 nëntorit dhe njëzetë e katër orë para mbajtjes së zgjedhjeve për Asamblenë Kushtetuese në Shqipëri me kandidatë të Frontit Demokratik, Misioni Amerikan në Tiranë, me shkresën nr 38, në një përkthim jozyrtar të MPJ-së, komunikonte:
“I dashur Gjeneral Kolonel Hoxha:
Në lidhje me notën e këtij Misioni Nr. 33 datë 17 nëntor 1945 dhe përgjegjen e juaj kësaj note më datë 23 Nandor 1945 përsa i përket konfirmimit të traktateve ndërmjet Shteteve të Bashkuara dhe Shqipërisë, unë kam nderin me ju bamun me dijtë se unë kam marrun instruksion nga Qeveria eme për me Ju komunikue mesazhin qi vijon:
“Qeveria e Shteteve të Bashkuara është përpjekur me shpejtue vendosjen e marëdhënjeve diplomatike me regjimin e tashëm Shqiptar, prandaj, tue marrun parasysh shkatërimin e arkivave shqiptare, modifikoi kërkesën e saj origjinale që të konfirmohesh vleftshmënija e traktateve dhe marëveshjeve në fuqi ndërmjet shteteve të Bashkuara dhe Shqipërisë më 7 prill 1939 dhe kërkoi vetëm konfirmimin të teksteve të traktateve të veçantë ose të parimit të konsakruar në drejtësi ndërkombëtare në bazë të cilit respektohet validiteti i vazhdueshëm i traktateve që janë konkluduar nga qeveri të mëparshme dhe të cilat nuk kanë marrun fund legalisht.
Traktatet dhe marrëveshjet ndërmjet Shteteve të Bashkuara dhe Shqipërisë jo vetëm që nuk përfshijnë detyrime kontraktuale të randa me karakter ose në dam të popullit shqiptar por janë në realitet konsistent me nji bazë për marrjen nga ana e Shqipërisë të nji vëndi me përgjegjësi në gjinin e familjes së kombeve. Mund të shënohet në ktë rast se me gjith se traktatet në fjalë kanë qënë inoperative për arsye të rrethanave të shkaktueme nga lufta, detyrimet që rrjedhin nga këto traktate janë të nji natyre që nuk mund të çvlerësohen nga lufta.
Në rast se disa nene në marrëveshjet ekzistente ndërmjet Shteteve të Bashkuara dhe Shqipërisë, ose vetë marrëveshje të veçanta, në opinionin e autoriteteve shqiptare lypin modifikim, pezullim deri në përfundim të marrëveshjeve të reja, ose dhanjen fund legalisht nga rrethanat ose për arësye tjera legjitime, kjo qeveri beson se të tilla hapa duhet të merren me pëlqim të përbashkët si rezultat negociatash ose lajmërimi në vend të nji veprimi të njianshëm repudimi. Rishikimi ose mbarimi i një marrëveshjeje, në rast se kryhet në bazë të drejtësisë ndërkombëtare të zakonshme do të përfshinte natyrisht njoftjen a priori se marrëveshtja ekziston dhe asht tash në fuqi.
Tue marrun parasysh konsideracionet e rreshtueme ma sipër, Qeveria e Shteteve të Bashkuara nuk e ndjen veten t’aftë me proçedue me vendosjen e marrëdhanjeve dipllomatike me autoritetet ekzistente shqiptare deri sa ajo të mos ketë marrë sigurimet e kërkuara mbi status-in e traktateve dhe marrëveshjeve ndërmjet Shteteve të Bashkuara dhe Shqipërisë në fuqi më 7 prill 1939. Ndërkaq kjo qeveri shpreson se ju keni me i shqyrtue kto instrumente të ndryshme, kopjet e të cilave kanë me u vue në dispozicion t’uajë aq shpejt sa të jet praktike, dhe mandej keni me dhanë nji përgjigje në nji kuptim favorabël ndërmjet Misionit Amerikan informal në Tiranë në rastin të për të volitshëm për ju”.
Juaji sinqerisht J.E. Jacobs, Përfaqësuesi Amerikan”.
Po këtë ditë të 1 dhjetorit agjencia Reuter, gjithnjë sipas përkthimit të bërë në MPJ, njoftonte: “Mbi Shqipërinë”, Londër, nga Ernest Bock. Pas Jugosllavisë edhe Shqipërija pritet t’introduksojë shtetin republikan, porsa Asambleja e re Kushtetonjëse që do të zgjidhet ditën e djelë, do të mblidhet në Tiranë. Nuk do të ketë opozitë kundrejt programit të “Frontit Demokratik”, i cili, sipas sekretarit të tij Behar Shtylla, kërkon formimin e një “Republike Demokratike Përparimtare”.
Mbreti Zog, që tani banon në Londër, akuzohet nga Fronti Demokratik se i hapi rrugën akupacjonit italian. Sistemi i lëvizjes prej të cilës doli Fronti Demokratik Shqiptar të Rezistencës pason atë të Jugosllavisë. Kishte grupe të së djathtës dhe të majtës që u bashkuan në shtatorin e vitit 1942.
Zgjedhjet në Shqipëri do të jenë të lira dhe duke qenë e kënaqur për këtë qeverija britanike tani është e përgatitur t’a njohë qeverinë e tanishme të Shqipërisë dhe të shkëmbejë me të përfaqësonjës diplomatikë.
Shtylla deklaroi se “ne nuk kemi ndërmend të hyjmë në ndonjë bllok ballkanik. Dëshira e jonë është të kemi marrëdhënie miqësore me vendet demokratike të Ballkanit”.
Problemi kryesor i jashtëm i Shqipërisë është ky i marrëdhënieve të saj me Greqin, e cila bën kërkesa për Shqipërin jugore. “Por është Shqipërija Jugore”, deklaroi Sekretari, “që është vendlindja e Lëvizjes së Rezistencës dhe sqena e luftës më të rreptë kundra invandonjësit. Tetë nga dymbëdhjetë pjesëtarët e qeverisë shqiptare janë prej andej e njëri prej tyre është greku Manol Konomi, ministër i Drejtësisë. Minoriteti grek atje, që arrin në 35 mijë vetë, ka të drejta të plota civile”.
Në 2 dhjetor u mbajtën zgjedhjet dhe të nesërmen “Bashkimi”, duke mos shkruar asnjë rradhë për tërheqjen e Shtëpisë së Bardhë për njohjen njohjen e qeverisë shqiptare, bënte të ditura rezultatet e para: “U paraqitën në votime rreth 92 % të zgjedhësve. Votuan për Frontin afro 95 %”.
Kishte fituar manovra e përdorimit të fjalës “demokraci”.

Ylli Polovina

Tiranë, më 25 nëntor 2017









Version i printueshem
Faqja paraardhese

LIBRAT

Libra të tjerë .....

LIBRI I FUNDIT
Image Title Here




LIBRA TË TJERË
Kontakt: ylli@yllipolovina.com © 2007-2017 yllipolovina.com Webmaster: taulant@topciu.com