|
FESTAT 28-29 NËNTORIT 1945 DHE LOJA E ENVER HOXHËS ME FJALËN DEMOKRACI Pjesa e parë
(Botuar në “Shqiptarja.com” më 28 nëntor 2017)
Njohja e qeverisë shqiptare, çfarë njoftojnë koloneli i misionit ushtarak sovjetik Sokolov dhe zëvendësdrejtuesi e Misionit Amerikan, njeriu i shërbimeve të fshehta Harry Fultz
Pjesa e parë
Pushkatohen 17 eksponentë që patën bashkëpunuar me pushtuesit, anglo-amerikanët nuk bëjnë asnjë protestë.
Festimi i 28 nëntorit 1944 me Tiranë dhe, përveç Shkodës, tërë territorin e Shqipërisë së lirë prej pushtuesve fashistë, mbetet në historinë tonë si një prej kulmimeve të mrekullive sugjestionuese që arrin të kryejë vepra çlirimtare dhe bashkëngjitur me të edhe të prapësive, demagogjia politike. Komunistët stalinistë që ishin vendosur në tribunën e festimit me në krye Enver Hoxhën, një mesoburrë me pamje shumë të hijshme dhe buzëgaz, ndërsa përpara tyre bëhej një parakalim ushtarak e civil dhe në qiell fluturonin për t’i përshëndetur avionë luftarakë anglo-amerikanë, qenë futur në mes prej përfaqësuesve të misioneve ushtarake jo vetëm të Jugosllavisë apo Bashkimit Sovjetik, por mbi të gjitha të Britanisë së Madhe dhe të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Këto lanë përshtypjen të pothuaj të sigurt se pak të ngjarë kishte që të instalohej në Shqipëri një tirani politike. Populli gëzonte çiltër dhe besonte po ashtu, për një të ardhme lirie, me tërë zemër.
Por njëzetë e tetë nëntori 1944 qe më së pari një triumf i pushtetarëve të rinj, i fitimtarëve të kuq, të cilët patën luftuar me vetëmohim kundër pushtuesve dhe kishin gjithë të drejtat ta prisnin me brohori në kryeqytet në 29 nëntor lajmin e ardhur nga Shkodra se edhe ai qytet sapo ishte çliruar.
Shumica dërmuese e shqiptarëve, me aq sa mundësi ekonomike kishin, iu ngazëllyen edhe festës së vitit të ri 1945. Në horizont nuk ishte shfaqur ndonjë re kërcënuese diktature. Kohët e fundit të këtij viti 2017 u bënë publike disa fotoe të porsanxjerra nga arkivat. Qenë të festimeve të përbashkëta që bënin në Hotel Dajti përfaqësues të pushtetit të ri me misionarët ushtarakë anglo-amerikanë.
Tre muaj e një dyzinë ditësh më pas, kur pas një gjyqi special politik në Kinema Kosova kundër gjashtëdhjetë të akuzuarve për bashkëpunim me okupatorët, 17 prej tyre në ditën e 14 prillit 1945 u pushkatuan ballë një turme të tallavitur njerëzish të vuajtur nga lufta dhe roli famëkeq i kolaboracionistëve, mjaft edhe fanatikë politikë si edhe thjesht kuriozë, as Britania e Madhe dhe as Shtetet e Bashkuara të Amerikës nuk protestuan.
Euforia e përgjithshme, sidomos ajo ndërkombëtare, se pushteti i Hoxhës duhej marrë me të mirë dhe shpresë se mund të hidhej në udhën e një regjimi të hapur sadopak demokratik, vijoi edhe në muajt pasardhës të vitit 1945, duke u rritur ditë pas dite dhe kapur majën në 28 dhe 29 nëntor.
Festa e pavarësimit dhe ajo e çlirimit këto çaste u shijuan prej krerëve komunistë si të qenë në Londër apo në Uashington. Për ta krijuar dhe ruajtur të ngrohtë këtë atmosferë dinake lirie dhe demokracie sipërfaqësore u kujdes shumë edhe propaganda, mjeshtëria e njohur e bolshevikëve. Sidomos një specialiste e vërtetë u tregua gazeta “Bashkimi”, e cila qe jo vetëm media kryesore e Enver Hoxhës dhe e njëmendësve me të, por edhe më e fuqishmja e më ndikuesja nga tërë të tjerat që ekzistonin atë kohë. E kemi fjalën këtu edhe për Radio Tiranën.
Në faqen e parë të “Bashkimit”, ngjyer me siluetën e kuqe të një shqiponje dykrerëshe, në ditën e njëzetë e tetë të muajit u vunë fjalët “28 e 29 nëntor, dy festat më të mbëdha të historisë t’onë kombëtare”. Ato zinin me të vërtetë një hapësirë të thekshme të faqes së parë.
Ndërkaq në skajin e majtë të faqes u radhit edhe një rubrikë speciale, e titulluar “Aleatët tanë na urojnë”. Këtu u shpalosën tekstet përgëzuese për këto dy festa jo vetëm të Vjaçesllav Molotovit, por edhe të Harry Trumanit. Ky i fundit shkruante: “I ndershmi Gjeneral-Kolonel Hoxha: Më jep gëzim të madh në ditën e përvjetorit të Indipendencës Shqipëtare të zgjas urimet e sinqerta dhe dëshiroj për lumtëri Ju dhe Popullit Shqipëtar. Harry S. Truman”.
Jo vetëm këto dyzetë e tetë orë festive, por i gjithë ai nëntor 1945 pati qenë revansh fitimtar i Enver Hoxhës dhe i stalinistëve shqiptarë, i dhelpërisë dhe i shkathtësisë së tyre diplomatike. Një vit më pas, në 28-29 nëntor 1946, do të niste e tatëpjeta e demagogjisë dhe për të baraspeshuar atë shtimi i masës së dhunës. Festa do të kishte jo më aromë, por do të binte erë nga që po mbulonte një krim të tmerrshëm: kufizimin e shpejtuar dhe sa më ngutshëm heqjen e lirisë së fituar me aq shumë sakrifica gjatë luftës çlirimtare.
Qëllimi i këtij shkrimi është t’i paraqitim lexuesit këtë atmosferë me sipër hare dhe në brendësi pabesi politike, të krejt nëntorit 1945, një muaj i pazakonshëm për historinë e fatit tonë pas Luftës së Dytë Botërore.
Gazeta “Bashkimi” hap e mbyll faqet me fjalën “demokratike”
Të mërkurën, në 7 nëntor 1945, “Bashkimi” bënte të ditur, me një redaksionale, se qe dita e “28 vjetorit të Revolucionit Socialist” dhe se kjo nuk qe festë vetëm për popujt sovjetikë. Mbi si edhe në krah të këtij kryeartikulli, në qendër të kreut të faqes së parë, ishte vendosur si titulli më i dukshëm i atij edicioni grumbulli i fjalëve “Qeverija poloneze njohu Qeverinë Demokratike të Shqipërisë”. Një titull i dytë komunikonte se “Ambasadori i Polonisë në Beligrad njofton Enver Hoxhën për njohjen e Qeverisë s’onë”. Ambasadori polak në kryeqytetin e Jugosllavisë quhej Ivan Karol Vende dhe i dërgonte një letër “Kryetarit të Qeverisë Demokratike të Shqipërisë, Gjeneral-Kolonel Enver Hoxhës”.
Në krye të faqes së parë po ashtu “Bashkimi” botonte një njoftim mbi praninë e shkrimtarit të njohur sovjetik, Ilia Ehremburg, në Tiranë. Ardhja e tij ishte një surprizë jo vetëm letrare. E kishte edhe një mision politik, një pararendje.
Sërish në faqen e parë të “Bashkimit”, në gjysmën e poshtme të saj, vijonte, nga numrat e mëparshëm të gazetës, cikli i kronikave rreth fushatës elektorale për kandidatët e Frontit Demokratik në qarqet e Korçës dhe të Durrësit. Zgjedhjet për Asamblenë Kushtetuese do të mbaheshin në 2 dhjetor.
Të enjten, në 9 nëntor 1945, gazeta “Bashkimi” njoftonte m tituj të mëdhenj në krye të faqes së parë: “Nga fushata elektorale. Emrat e kandidatëve të Frontit priten kudo me gëzim të madh”. Kronika sillej prej qarkut të Korçës. Në të djathtë, përveç lajmit “Urdhër i Marinës së Kuqe”, në të cilin përshkruhej një deklaratë e flotës luftarake të Ushtrisë së Kuqe për rolin e madh të saj në mposhtjen e Gjermanisë hitleriane, shumë dukshëm gjendet një redaksionale. Titullohet “Katër vjetori i themelimit të Partisë Komuniste”. Në të ajo quhet Parti e Punëtorëve dhe e Fshatarëve dhe se themelimi i saj “ishte një ngjarje e shënuar kjo për popullin t’onë, një e këthyer në historinë e këtij populli dhe një shtytje e madhe në rrugën e lirisë dhe të përparimit”.
Në vijim: “Se populli shqiptar nuk mund të shkonte përpara në rrugën e nderit dhe të lavdisë, në rrugën e lirisë dhe të demokracisë, pa një parti të fortë të shtresave më përparimtare dhe më demokratike të popullit t’onë”.
Më tej: “Gati të gjitha Partitë dhe grupet e vjetra politike që kishin egzistuar gjer atëhere në Shqipëri ndoqnë rrugën e kompromisit dhe të tradhëtisë. Shumica e njerëzve dhe e krerëve që kishin në krye, u bënë vegla qorre të feudalizmit dhe të fashizmit...”
Redaksionalja e gjatë e përdor edhe disa herë të tjera fjalën demokraci si frut të meritave të PKSH-së.
Pranë titullit të gazetës, si më të spikaturin e faqes së parë, “Bashkimi” i 9 nëntorit 1945 ka njoftimin “Për njohjen e Qeverisë s’onë”. Thuhet në të: “Nju Jork, 7 nëntor-Pakicat shqiptare që ndodhen në qytetet e ndryshme të Amerikës kanë dërguar në Uashington nga një përfaqësonjës. Të gjithë këta përfaqësonjës do t’i paraqitin Shtëpisë së Bardhë një memorandum për njohjen e Qeverisë Demokratike Shqiptare”.
Nuk i numëron dot, se janë si thneglat, sa herë e konsumon faqja e parë e “Bashkimit” termin “demokratik”.
Koloneli Sokolov njofton njohjen nga Bashkimi Sovjetik të qeverisë shqiptare
E datuar në 8 nëntor 1945, ditën e përvjetorit të pestë të themelimit të Partisë Komuniste Shqiptare, në Arkivin e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Shqipërisë, ndodhet një dokument i shkruar poshtë fletës me dorë, ndërsa sipër ka këtë tekst të përkthyer prej gjuhës ruse: “Komunikatë: Sot, në ora 8 në mëngjez, Kryeministri i Shqipërisë z. Gjeneral Kolonel Enver Hoxha priti n’audiencë Shefin e Misionit Ushtarak Sovjetik, Z. Kolonel Sokolov i cili paraqiti këtë notë:
I ndershmi Zoti Kryeministër,
I ngarkuar nga qeveria Sovjetike, kam nderin t’ju komunikoj:
“Qeveria Sovjetike gjatë këtyre vjetëve të luftës kundër okupatorëve gjermanë dhe italianë, ka ndjekur me vrejtje dhe me simpathi luftën e tij. Me këtë luftë, populli shqiptar dha edhe ay kontributin e tij për triumfin e aleatve mbi armikun e përbashkët. Qeveria provizore Shqiptare ka pasur suksese me rëndësi në rindërtimin e Shtetit Demokratik në Shqipëri.
Duke pasur parasysh këtë notë dhe dëshirën me vendet e tjera demokratike për të siguruar paqen dhe sigurinë, Qeveria Sovjetike vendosi të lidhij marëdhënje diplomatike me Shqipërinë dhe të shkëmbejë përfaqësues diplomatikë.
Marr këtë rast të shfaq nderimet e mia të larta. Sokolof”
E datuar në fund të tekstit sërish 8 nëntor 1945, gjendet bashkëngjitur edhe një dokument tjetër, i cili thotë: “Qeveria Demokratike e Shqipërisë vendosi të lidhë marëdhënie diplomatike me Bashkimin Sovjetik.
Sot, ora më 9, u mblodh Këshilli Ministerial dhe, passi mori njoftim me kënaqësi vendosi të lidhë me njëherë marëdhënje diplomatike”.
Bashkëlidhur me këto dy shkresa është në frëngjisht edhe një njoftim i ATA, Agjencisë Shqiptare të Lajmeve, i cili në fund të çdo fjalie të trasmentuar përdor fjalën “stop”. Ai komunikon: “Tiranë:-10/XI/45. Sot, në tetë të mëngjezit... etj, etj”.
Sipas kësaj Agjencie, Këshilli i Ministrave qe mbledhur në 10 nëntor dhe pati vendosur lidhjen e marrëdhënieve diplomatike midis dy vendeve.
10 nëntori ishte e shtunë, kurse data 8 përkon doemos me të enjten. Ndërkaq “Bashkimi” e lajmëron njohjen sovjetike në edicionin e saj të së shtunës, duke vendosur në krye të faqes së parë titullin germëmadh: “Bashkimi Sovjetik njohu Qeverinë Demokratike të Shqipërisë”.
Lajmi është i shoqëruar me tekstin e dokumenteve që cituam në fillim të këtij shkrimi, po ashtu me një redaksionale si edhe portret të Enver Hoxhës. Ky është me uniformë ushtarake. Në skajin e sipërm të faqes së parë, fort dukshëm veç me germa dy herë më të vogla se ato që njoftonin njohjen diplomatike sovjetike, thuhej: “Ora e fundit: Dhe Anglia dhe Sht.Bashkuara të Amerikës njohin qeverinë t’onë”.
Ky edicion i “Bashkimit” i 10 nëntorit 1945 ishte me të vërtetë një “bombë” politike dhe mediatike spektakolare. Enver Hoxha ishte në sukses të plotë.
Harry Fultz shpall zyrtarisht se SHBA “dëshiron të vendosë marrëdhënie normale diplomatike me Qeverinë e Shqipërisë”
Në arkivin e Ministrisë së Punëve të Jashtme e gjen pa ndonjë mundim të madh korrespodencën mes të dy palëve, qeverisë amerikane dhe asaj shqiptare.
E datuar në 10 nëntor 1945 dhe e firmosur prej zëvendëspërfaqësuesit të Misionit të SHBA në Tiranë, Harry T. Fultz, me numrin 30, ndodhet kjo shkresë në anglisht, e papërkthyer: “I dashur Gjeneral-Kolonel Hoxha...kam nderin t’Ju njoftoj që pas konsultimit me përfaqësues e qeverive respektive të Britanisë së Madhe dhe të Bashkimit të Republikave Sovjetike, dëshirojmë të vendosim marrëdhënie normale diplomatike me Qeverinë e Shqipërisë.
Kjo njohje do të akordohet me kushte specifike...”
Këtu vihet në dukje se një lëndë e posaçme mbi këtë vendim i është dhënë shtypit.
Ndërkaq me datë po këtë ditë, 10 nëntor 1945, me Nr. 843, gjendet edhe nota e ardhur prej Departamentit të Shtetit në Uashington. Dy ditë më vonë, me adresim për shtypin shqiptar dhe të huaj, e firmosur nga Fultz, renditur me numrin rendor 31, ja edhe njoftimi zyrtar, i përkthyer:
“12 nëntor 1945,
I ndershëm Zoti Gjeneral-Kolonel Hoxha
Qeverija e Shteteve të Bashkuara, mbasi e shqyrtojë kërkesën e autoriteteve Shqiptare për një njohje, më ngarkojë t’ju njoftoj gadishmërinë e sajë të hyjë në marrëdhënie diplomatike me regjimin e tanishëm të Shqipërisë.
Duke vendosur marrëdhënie zyrtare me Qeverinë Shqiptare, Qeverija e Shteteve të Bashkuara dëshiron të veprojë në pajtim me detyrimet dhe parimet për të cilat është angazhuar në deklaratën e Krimesë në lidhje me Evropën e çliruar dhe prandaj kërkon sigurinë që zgjedhjet e arthme për Asamblenë Kushtetonjëse të zhvillohen mbi baza me të vërtetë të lira, me vota të fshehta dhe pa kërcënime apo frikësime; që të gjithë individujt dhe grupet në Shqipëri të gëzojnë lirinë e fjalës dhe të drejtën e plotë ligjore për të paraqitur dhe përkrahur kandidatët e tyre; dhe që korespondentët e shtypit të huaj të lejohen të hyjnë në Shqipëri të vëzhgojnë dhe të raportojnë lirisht mbi zgjedhjet dhe mbi veprimtaritë e Asamblesë Kushtetonjëse.
Qeverija e Shteteve të Bashkuara gjithashtu dëshëron që autoritetet Shqiptare të konfirmojnë që traktatet dhe marëveshjet që ishin në fuqi midis Shteteve të Bashkuara t’Amerikës dhe Shqipërisë më 7 prill 1939 të mbeten në fuqi. Qeverija e Shteteve të Bashkuara nga ana e vet konfirmon vleftësinë e vazhdimit të fuqive t’atyre instrumentave.
Me t’i marë këto sigurime të kërkuara do të jetë gati të bëjë shkëmbimin e përfaqësonjësve diplomatikë.
Gjithashtu jam i porositur t’ju këshilloj se proponimi i tanishëm i Qeverisë së Shteteve të Bashkuara për sa i takon vendosjes së marrëdhënieve diplomatike nuk duhet të pandehet se paragjykon konsiderimin, në ndonjë datë të mëvonshme, të çështjeve të tjera me karakter ndërkombëtar që prekin Shqipërinë...”
Fiksoni në kujtesë një hollësi: frazën “që të gjithë individujt dhe grupet në Shqipëri të gëzojnë lirinë e fjalës dhe të drejtën e plotë ligjore për të paraqitur dhe përkrahur kandidatët e tyre”-
Ju njohim, por ...
Enver Hoxha u përgjigj Harry Fultzit të nesërmen, në 13 nëntor. Shkresa në origjinal përmban rendimin Nr.77/2. Thotë fjalë për fjalë: “Kam nderin të vërtetoj marjen e notës së Zotnis s’uaj në lidhje me njohnen e Qeveris s’onë Demokratike prej Qeveris së Shteteve të Bashkuara.
Që të mund të kthej përgjigjen nga ana e Qeveris s’eme do t’ju jem shumë mirënjohës, po të më dërgoni sa më shpejt që të jetë e mundur nga një kopje të instrumentave të traktateve ose marrëveshjeve që mund të jenë lidhur që nga data 7 prill 1939 nër mes Qeverive të ndryshme Shqiptare dhe Qeveris së Shteteve të Bashkuara t’Amerikës. Këtë gjë e kërkoj pse shumica e arshivës së Ministrisë së Jashtme të Shqipëris është djegur nga lufta dhe grabitur nga okupatori...”
Në 14 nëntor 1945 në arkivin e Ministrisë së Punëve të Jashtme ndodhet edhe kjo shkresë tjetër e Enver Hoxhës:
“I ndershmi Zotni,
Kam nderin t’i përgjigjem notës së Zotnis s’uaj që më drejtuat më datë 12 nëntor 1945 në lidhje me njohjen e Qeverisë Demokratike të Shqipërisë dhe ju lutem të kini mirësinë t’i transmentoni Qeverisë se Zotnis s’uaj sa vijon:
“Qeveria Demokratike e Shqipërisë e bazuar në parimet demokratike, të cilat Asambletë përfaqësonjëse të popullit i kanë konsakruar në ligjë, i ka mbrojtur dhe do t’i mbrojë këto parime me të gjitha forcat e saj pse këto janë të lidhura ngushtë me ekzistencën e vet.
Ligjet tona Demokratike u kanë siguruar njerëzve të Shqipërisë të gjitha liritë dhe të drejtat që mund të gëzojë një njeri në vendin më Demokratik. Ligja për zgjedhjet e Asamblesë Kushtetonjëse, ligjë nga më demokratiket, ka parashikuar dhe u ka siguruar të gjitha liritë dhe të drejtat individëve ose grupeve antifashiste dhe Qeverija e jonë duke u mbështetur dhe duke i zbatuar përpikshmërisht këto ligje u dha mundësinë të gjithëve, individë ose grup, të marrin pjesë direkte në këtë evenimet historik të vendit tonë duke zgjedhur dhe duke u zgjedhur. Fshehsija dhe lirija e votës do të observohet me rigorozitetin më të madh. Liri e shtypit ka qenë dhe do të jetë një nga parimet themeltare të demokracisë sonë.
Qeverija jonë që nuk ka penguar kurrë hyrjen në vendin tonë të korespodentëve të huaj, por që kurdoherë ka pranuar kërkesat e tyre dhe iu ka dhënë të gjitha lehtësitë me kënaqësi do të vazhdojë t’i lejojë të vinë të shofin zhvillimin e zgjedhjeve dhe të konstatojnë “de visi” se sa me skrupulozitet observohen ligjet tona demokratike dhe se qeverija e jonë është garancia më e sigurt për t’i mbrojtur dhe për t’i vënë në zbatim këto ligje.
Përsa i përket traktateve ose marrëveshjeve që mund të jenë lidhur në mes Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Shqipërisë para datës së 7 prillit 1939, referohemi letrës që ju kemi drejtuar më 13 nëntor 1945 me anën e të cilës ju kërkojmë të na dërgoni kopjet e instrumentave të këtyre traktateve ose marrëveshjeve për të shikuar brendinë e tyre me qenë se shumica e arshivave të Ministrisë Punve të Jashtme të Shqipërisë është djegur ose grabitur nga okupatori. Por ne shpresojmë se kjo nuk do të sjellë ndonjë vonesë në vendosjen e marrëdhënieve diplomatike, kështu që Qeverija e jonë të marrë shpejt në shqyrtim të gjitha marrëveshjet që munt të ekzistojnë në mes dy vendeve t’ona.
Duke i pasur si themele të shëndosha të gjitha këto parime demokratike, dhe duke i mbrojtur dhe zbatuar përpikmërisht me gjitha forcat e veta, Qeverija e jonë shpreson se Qeverija e Shteteve të Bashkuara t’Amerikës do të vendosë sa më parë marëdhëniet diplomatike me Qeverinë t’onë marëdhënie që do të forcojnë edhe ca më shumë miqësinë që ekziston në mes të dy popujve tanë, dhe populli shqiptar që, pa rezerva dha gjithë ç’kishte për kauzën e Aleatëve, do të mari të drejtën e fituar me gjakun e tij që derdhi gjatë luftës së përbashkët për liri e demokraci. Ju sigurojmë gjithashtu se populli Shqiptar, ashtu si ka qenë i pari në luftë është dhe do të jetë kurdoheë në radhë të parë për të mbrojtur paqen dhe indipendencën dhe integritetin tokësor të vendit të tij...”
Harry Fultz iu përgjigj Hoxhës të nesërmen, në 14 nëntor. Shkresa mban numrin 32. Në arkimin e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Shqipërisë ky dokument ka shënimin se përkthimi është jo zyrtar:
“I ndershmi Gjeneral-Kolonel Hoxha:
Dëshiroj me ju njoftua marrjen e letrës s’Uaj po të kësaj date në përgjigjen e komunikimit të Qeverisë së Shteteve të Bashkuara në kërkesën e autoriteteve shqiptare për njohjen e Regjimit Shqiptar që ekziston. Asht marë në shenjim se kopjet e traktateve që janë lidhur ndërmjet Shqipris dhe Shteteve të Bashkuara para 7 prillit 1939 nuk ekzistojnë. Mbi këtë i kam dërguar telegram Uashingtonit për kopjet e traktateve që lidhen me situatën e tashme. Në këtë telegram unë kam kërkue që t’i dërgojnë kopjet në mënyrë ma të shpejt që të jetë e mundur.
Posa të marr informata mbi progresin që t’Ju përgjigjem kërkesës s’Uaj, kishëm me ken i gëzuar të uaj dërgoj...”
Pikërisht këtë ditë të 14 nëntorit “Bashkimi” njofton me germa të mëdha në krye të faqes së parë se “U çpall Programi i Frontit Demokratik të Shqipërisë”. Nëntitulli përdor fjalët “Në krye të programit: Mprojtja e Indipendencës dhe e integritetit tokësor të Shqipërisë”.
Më tej shpallen objektivat kryesore.
Çfarë thotë ai me numër gjashtë dhe temë “Të drejtat demokratike”?
(Vijon)
Ylli Polovina
Version i printueshem
Faqja paraardhese |
|
|