Ylli Polovina in italiano
VENDLINDJA KU JETOJ DHE PUNOJ QYTETI I DY VAJZAVE TË MIA
PUBLICITIKË

HAJRI HIMA LIBRI “AMBASADOR NË BALLKAN” I YLLI POLOVINES, KONTRIBUT I VYER PËR KOHËN
”REPUBLIKA E SHTATË”
“AMBASADOR NË BALLKAN”
“LOTËT E SORKADHES”, botimi i dytë
LOTËT E SORKADHES
Artikuj të tjerë .....



kërkoni në këtë faqe



S'AFËRMI
MIRËSEVINI

AGOSTINO, KOLONELI I USHTRISË ITALIANE ME MBIEMRIN ÇIFTELIA (Pjesa 2)


(Botuar në “Shqiptarja.com” në 5 nëntor 2017)

Tre vitet e njohjes me Ernest Koliqin; puna e Agostinos në shërbimin e fshehtë ushtarak italian; kushëriri Pjetër në grupin e punës të anijes kozmike amerikane SHUTTLE; pse Napoleon Bonoparti mund të ketë origjinë të largët arbëreshe

Pjesa e dytë

Karl Gurakuqi u bë intelektuali më ndikues si edhe modeli i shqiptarizmit për Agostino Kiafitelën. Ai e adhuronte profesorin edhe sepse ky në asnjë çast nuk mori shtetësinë e një vendi të huaj, as pasaportën austriake dhe as atë italiane. Mbeti me nënshtetësi shqiptare deri sa ndërroi jetë.
Pas këtij çasti, 1971, për fat për të mos e lënë të këputur pasionin e madh të Agostinos për të mbajtur lidhje të fuqishme me bashkëkombësit e atdheut, i shfaqet antikomunisti i njohur, edhe ky me origjinë nga Shkodra, Ernest Koliqi.
Ishte momenti kur e transferuan në Romë në Ministrinë e Mbrojtjes. Këtë Agostino e quan edhe “koha e Forte Braskit”.

Koha e Forte Braskit dhe e Ernest Koliqit

Në Forte Braski në Romë, në rrugën Via della Pineta Sacchetti, 216, ndodhet një kazermë në të cilën është vendosur komanda e një super njësie të specializuar me detyrë vigjëlimin e instalimeve të inteligjencës ushtarake. Me nënreparte edhe në qytete të tjera italiane kjo komandë e kazermë kryesore e Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Italiane thirret R.U.D.
Në Forte Braski arbëreshi Agostino Kiafitela punoi katër vite, deri në 1976.
Kur ishte në R.U.D. arbëreshi Agostino Kiafitela kreu dy veprime përcaktuese për jetën e tij të ardhme: u regjistrua në Universitetin e Romës dhe u njoh me Ernest Koliqin.
Për çdo arbëresh, sidomos prej atyre që nuk e donin diktaturën në Shqipëri, takimi me Koliqin konsiderohej një detyrë. Konsiderohej shqiptari personalitet më i rëndësishëm në Itali.
Shume shpejt u bënë miq. Për tre vite me rradhë kontaktet me të qenë të vazhdueshme. Kjo nuk ishte përherë punë e lehtë sepse botuesi i revistës “Shejzat” dhe profesori i letërsisë shqipe në Universitetin e Romës ishte shumë i zënë. Megjithatë Agostino e kishte një fat: banonte shumë afër shtëpisë së Ernest Koliqit, në Forte Braski. Jo rrallë i shkonte në banesë dhe bisedat e magjishme për letërsinë dhe historinë kombëtare kryheshin pranë tavolinës së tij të punës.
Veç Agostinos i bënte përshtypje anësimi i dukshëm i pofesorit jo vetëm për të folurën tradicionale shkodrane, atë të shprehur shumë lokaliste, për theksimin që i bënte nivelit të lartë kulturor të atij mjedisi, por edhe sepse Koliqi mendonte se pikërisht Shkodra qe themeli e qendra e tërë vlerave në gjuhëformim apo edhe në art e letërsi, që kishin shqiptarët.
Kështu Agostino Kiafitelës i duhej, për shkak të përdorimit nga profesori të shkodranishtes tradicionale, që duke e mos kuptuar dot, të bisedonte me të vetëm në italisht. Kjo nuk e zhgënjente, i shtonte një informacion të ri gjuhësor si edhe provë dhe rivlerësim të madh që i bënte ruajtjes së gjuhës së hapur kombëtare nga bashkësia e tij, arbëreshët në Itali.
Profesor Ernesti, siç edhe pati bërë më përpara profesor Karl Gurakuqi, i dhuroi libra të tij, të cilat Agostino ia dorëzoi muzeut të fshatit të vet të lindjes, San Costandino Albanese.
Viti 1975, 15 janari i atij moti, do t’i ndante. Ishte vdekja që kish hyrë në mes. Ernest Koliqi pati ndërruar jetë dhe prej këtij çasti Agostino Kiafitela nuk do të gjejë më një idhull tjetër të madh të shqiptarisë në Itali. Atij i ka lënë mbresë, por përgjithësisht të mugët, prania e një bashkëkombësi tjetër, të ardhur nga Kosova: shkrimtari Ramiz Kelmendi. E pati takuar në periudhën midis 2 dhe 6 nëntorit 1980 në një takim të titulluar “Gjashtë ditët e kulturës arbëreshe”, mbledhje e mbajtur në fshtrat me origjinë shqiptare të Siçilisë: në Contessa Entellina, Piana degli Albanesi (Hora e Arbëreshëve), Mezzoiuso, Cristina Gela.
Në këtë veprimtari të paharueshme nga universiteti i Prishtinës pati ardhur edhe Profesor Ali Aliu.

Pritja dhe sistemimi i njëqind refugjatëve shqiptarë

Në vitin 1981 Agostino Kiafitela u emërua në Sardenjë, në qytetin-port të Olbias. Funksioni ishte ai i nënkomandantit të Rojes Bregdetare. Misioni që iu dha me këtë rast, qe fort i ndërlikuar. Do të bënte reformën e trupës së shpërbimit në port. Për realizimin e saj përkujdesej vetë ministri i Mbrojtjes. Numri i personelit do të përgjysmohej, hiqeshin ata që pothuaj nuk kryenin asnjë punë. Nga 170 vetë do të qëndronin në detyrë vetëm 60. Do të rishikoheshin po ashtu edhe rrogat, të cilat duheshin shfryrë prej gjithfarë përfitimesh të paarsyeshme.
Kjo periudhë ishte moment i vështirë për të. Pësoi shumë presion. Olbia qe port nëpëmjet të cilit transportoheshin çdo vit tre milion pasagjerë, duke qenë në këtë profil më i madhi në të gjithë Italinë. Mbante ndër vendet e para edhe për transportimin e mallrave, qe me jo pak rëndësi edhe si port turistik.
Ndërkohë detyra e nënkomandantit që shkurtonte personel dhe pësonte gjithfarë intrigash i dha një lumturim të madh, magjepës, shpërblim sa për tërë jetën. Kjo ndodhi pas dhjetë vitesh: në korrik 1991.
Pati ngjarë një valë e madhe e emigrimi e refugjatëve shqiptarë, e cila në Itali mbahet mend me pamjen e vaporit “Vlora” të mbingarkuar me ikës.
Agostinon e thirri Meloni, nënprefekti i Sasarit, kryeqytetit të Sardenjës dhe e ngarkoi me detyrë që të ndihmonte në organizimin e pritjes dhe përkthimin e bisedave me njëqind emigrantë shqiptarë të caktuar prej qeverisë së Romës që të sistemoheshin në ishull. Ky e porositi që të bënte kujdes edhe për të identifikuar të arratisurit prej burgjeve shqiptare, me qëllim që ata t’i sistemonin në vende të posaçme, patjetër ku mund të mbaheshin nën vëzhgim dhe vetëpërmbajtje për të mos cënuar sigurinë dhe rendin publik.
Kur shkoi në vendgrumbullimin e refugjatëve dhe këta, edhe pse ai qe nën uniformën e një oficeri të lartë, e kuptuan se kishin të bënin me një arbëresh, fjala “vëlla” ishte më e përdorura mes njëri-tjetrit. Nga autoritetet e vendit u ndihmuan të gjithë për t’u ndarë në qytetet të ndryshme të Sardenjës. Ndërkohë u identifikuan edhe katër të ikur prej burgjeve të Shqipërisë.
Sidoqoftë që të gjithë refugjatët u sistemuan me strehim dhe pjesërisht me punë. Tërë ky aksion u realizua me humanizëm të madh dhe kjo, patjetër, falë edhe pranisë së Agostino Kiafitelës. Kur gjithçka shkoi në vendin e duhur këtë herë do të qe vetë prefekti i Sasarit që do t’i dërgonte arbëreshit dhe oficerit të lartë të Marinës Detare një letër përgëzimi, të datuar 13 korrik 1991.
Mes të tjerash në të prefekti Dr. Mario Licciardiello, i shkruante se gjithçka që Agostino kishte bërë në atë operacion pritjeje dhe sistemimi të shqiptarëve qe “një akt fisnik dashurie dhe solidariteti, për të cilin të falënderojmë me gjithë zemër”.
Në këtë aksion të madh mirësie Agostino Kiafitela u njoh me refugjatin Gëzim Gradica, të cilin e mbajti për dyzetë e pesë ditë në shtëpinë e tij, duke e rregulluar më pas të strehohej në një apartament me qera modeste. Edhe tani ai e thërret atë “vëllai shqiptar”, sepse historia e tyre do të vijonte e bukur edhe më pas. Ajo gjallëron hijeshi edhe tani.
Gëzim Gradica, i cili në Shqipëri qe diplomuar për agronom, përveshi mëngët pa bërë asnjë ditë pushim. Përveç punës kryesore në një ndërmarrje, të shtunë dhe të diel merrej me kopshtet e disa banesave. Për të kursyer hante gjellë me mishin më të lirë të mundur në Itali: krahë pule, kaposhi deti dhe mish deleje. Pikërisht në një gjendje të tillë shtrëngimi Gezimit i ndodhi që një bankë, ku i pati dërguar firma pagesën e disa muajve, t’ia refuzonte dhënien e parave. Ia mohonte. Atëherë, me ta marrë vesh, për atje u nis Agostino Kiafitela dhe u kërkoi nëpunësve t’i jepnin emigrantit shqiptar liretat e veta. Përsëritjes së refuzimit ai iu përgjigj ashpër: u tha se në ndodhte që nuk ia jepnin do t’i arrestonte menjëherë.
Ishte e drejtë ligjore e tij, sepse oficerët e Rojes Bregdetare Italiane janë edhe pjesëtarë të Policisë Gjyqësore.
Banka pa një pa dy i dha paratë Gëzim Gradicës.
Pas vitit të parë të punës ditë-natë Gëzimi grumbulloi 4 milionë lireta dhe me to bleu një apartament në Tiranë, duke sjellë aty prindërit prej Shijakut. Vitin e dytë u fejua me një shqiptare dhe e solli në Sardenjë. Shumë mote më pas emigroi familjarisht në Nju Jork, ku punon si kamarjer. Tashmë disa herë në vit ai i telefonon Agostinos dhe shmallen. Një herë edhe erdhi në Sardenjë për t’i vizituar.
Në këtë shpirt të fortë mbijetimi të Gëzim Gradicës arbëreshi Agostino me nga pas pesëqind mote histori emigrimi, sheh fatin e vet dhe të mijra arbërve që lanë atdheun e tyre.

Arbëreshi Pjetër në grupin e punës të anijes kozmike amerikane SHUTTLE

E quajnë Peter Abitanto, është nga San Costandino Albanese, jeton në New Jersey dhe është kushëri i Agostino Kiafitelës (gjyshi i tij nga nëna është vëlla i gjyshit të inxhinierit në NASA).
Peter vlerësohet si një specialist i spikatur për satelitët e komunikimit, por prestigj profesional bëri me grupin themelues të projektit të anijes kozmike SHATTLE.
Në 2009 Agostino bashkë me të shoqen, Pala Marinelën, i bënë një vizitë. Kushëriri, edhe pse vetë pati lindur në SHBA, gjellët ia shtroi sipas mënysë arbëreshe të San Costandinos.
Në 2010 inxhinieri shkencëtar ia riktheu vizitën. Fillimisht shkoi në vendlindjen e prindërve dhe të familjes së tij, ku çdo gjë e mrekulloi dhe në vijim në Olbia, tek Agostino.
Në 12 korrik 2012 ishte shtojca kulturore e “Shqiptarja.com”, “Rilindasi”, e cila botoi shkrimin “Nga Shën Kostandini një zemër lukane për zbarkimin në Hënë”, me autore Mariapaola Vergallito.
Në të ajo thotë se “gjyshërit e tij emigruan në Shtetet e Bashkuara në gjysmën e parë të vitit 1900 nga Shën Kostandini Shqiptar, fshat në të cilin Peter Abitanto është kthyer për të përforcuar lidhjet e gjakut dhe të miqësisë. Ai është lukani i tretë në renditje kohore që ka kontribuar në zbarkimin në Hënë të vitit 1969”.
Në vijim ajo shkruan se Peter ka deklaruar: “Jam kthyer në Shën Kostandin për të parë fshatin nga vinin gjyshërit e mi dhe zbulova se kam ende kushërinj ekzistencën e të cilëve as që e dija. Kam ruajtur kontaktet me ta, kanë ardhur të më takojnë në New Jersey dhe me atë rast më ftuan të rithehesha këtu”.
Autorja Vergallito nuk e citon konkretisht Agostino Kiafitelën, protagonistin kryesor të rilidhjes me Peter Abitanton, por ne tashmë kemi shumë foto nga takimi i tij në San Costandino, dy prej të cilave po i botojmë shoqëruar këtij shkrimi me dy pjesë, dje dhe sot.
Sipas Mariapaola Vergallito, “Peter tregon eksperiencën e jashtëzakonshme të pjesëmarrjes në zbarkimin në Hënë.
“Pasi u diplomova në universitet në vitin 1965 fillova të punoj në një kompani aerospaciale dhe punuam në projekte të ndryshme për NASA-n, për Departamentin e Mbrojtjes dhe kur ishim pranë zbarkimit në Hënë kishim një projekt special të zhvilluar në moment të fundit: të ndërtonim një telekamerë që duhej vendosur mbi makinën që përdorej në Hënë.
Kishim shumë pak kohë për të projektuar telekamerën në mënyrë të tillë që të lejonte të shihej sipërfaqja e Hënës për të fotografuar nisjen kur astronautët riktheheshin në orbitë. Ishte një nder për mua që punova në atë projekt”.
Sipas Vergallito-s “Abitanto ka marrë pjesë edhe në studimet për të vizituar Marsin, projekti i quajtur “Viking” nga NASA”.
Nga çfarë na tregoi Agostino Kiafitela “Ne familjen e kushëririt tim Pjetër të gjithe meshkujt sapo lindin quhen Pjetër: Gjyshi i parë Pjetri 1-rë, i biri: Pjetri i Dytë, pastaj është i Treti, Pjetri, kushëriri im. Pjetri i Katërtë është biri i tij dhe Pjetri i Pestë nipi”.
Të mos harrojmë se edhe djali i vetëm i Agostinos quhet Pietro, si i gjyshi, ushtari në Shqipëri (jeton në Olbia dhe punon në shoqërinë “La Meridiana”). Ka moshën 44 vjeçare dhe është martuar me një arbëreshe nga San Costandino Albanese. Kjo quhet Xhulia Bazile (Giulia Basile). Petro ka një bir, emrin e të cilit e ka vënë Agostino. Ai po shkon drejt shtatëmbëdhjetë viteve jetë. Si edhe një vajzë, 10-vjeçaren Françeska.
Të mos harojmë se ky emër, Pjetër, erdhi i bartur nga përtej Adriatikut, nga trojet etnike, që kur emigruan në 1534.
Të kujtojmë po ashtu se ndjenja e përkatësisë arbërore është aq e fuqishme tek shkencëtari Abitanto, sa ai studion dhe boton vëzhgime për jetën në San Costandino, duke nisur prej këngë-valleve e deri tek përshkrimi i kostumeve.
(Agostino Kiavitela ka edhe një kushëri tjetër që mban drejt për së drejti mbiemrin e tij, pra Çiftelia. Edhe ky ndodhet në SHBA. Quhet Majk Kiafitela dhe në karrierën e vet ka shkuar deri në postin e rëndësishëm të nënpresidentit të siguracioneve të të gjithë Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Gruaja e tij quhet Perla. Gjyshi kishte emrin Xhuzepe.
Pikërisht ky emigroi nga San Costandino Albanese dhe duke ndjekur nga pas Garibaldin shkoi në Meksikë. Në këtë vend u bë kolonel).

Një dinakëri ushtarake e Skënderbeut

“Në fshatin tim, thotë Agostino Kiafitela, në dialektin lukan për të emërtuar një lartësi terreni përdorin fjalën “pedarjet”, e cila është arbëreshe. Origjinën e ka që prej kohës kur në Itali, për të ndihmuar mbretin e Napolit, Alfonsin, Skënderbeu erdhi bashkë me dymijë luftëtarë të tij. Për të bërë një manovër krahmarrjeje kundër ushtrisë armike të Alfonsit ai ua mbathi kuajve paktonjtë në të kundërt dhe gjurmët tregonin një drejtim të gabuar të lëvizjes së njerëzve të Gjergj Kastriotit. Kështu armiqtë e mbretit Alfons u gënjyen, duke rënë pastaj në grackë të princit shqiptar, dinak i madh në luftë”.

Gjaku që nuk prishet

Madje edhe dhurohet.
Arbëreshët kanë si merak të përjetshëm të tyre të mos asimilohen nga latinët (italianët) dhe të ruajnë gjuhën dhe tërë traditën e tyre shqiptare. Këtë shqetësim dhe po ashtu mobilizim të përhershëm të tyre e emërtojnë “gjaku i shprishur”.
Një histori gjaku e solli në Shqipëri dhe Agostino Kiafitelën. Kur erdhi për herë të parë në Shqipëri, në tetor 2015, i dalë në pension, qe president i shoqatës së dhuruesve të gjakut të Olbias (AVIS). Një ditë kolegu i tij nga Tirana, edhe ai italian, por jo arbëresh (të tillë kishte bashkëshorten), i shkroi për ta ftuar në një bashkëpunim. Natales (kështu quhej presidenti i shoqatës së dhuruesve vullnetarë të gjakut në Shqipëri) prej shkëmbimeve në fb i pati bërë përshtypje përdorimi i gjuhës shqipe prej kolegut të tij të Olbias dhe pas një interesimi të shpejtë kuptoi gjithçka.
Dr. Natale Capodicasa ia bëri ftesën në gusht 2015, duke rënë dakord që të dy palët të shtonin sa të mundnin masën e njerëzve që do të dhuronin gjak për spitalet shqiptare dhe kështu ta ulnin në maksimum praktikën e mëparshme kur shumica e tij shitej për të sëmurët.
Kur u bë mbledhja e përbashkët e tetorit, ajo mes dy shoqatave Tiranë dhe Olbia, Agostino papritur, në Kodrat e Liqenit, u gjet pranë kryetarit të bashkisë së kryeqytetit dhe ministrit të Shëndetësisë, të cilët qenë të vëmëndshëm për këtë veprimtari bashkëpunimi. Qe kjo palë që i ofroi mundësinë e dhënies së një interviste televizive dhe për këtë u zgjodh Vision Plus.
I rekomanduan që në tv të mos fliste italisht, madje as shqipen e sotme, gjuhë që e njeh tepër saktë, por vetëm në arbërisht. “Kjo do të bëjë përshtypje dhe do të pëlqehet shumë”, i thanë.
Agostino veproi pikërisht si e këshilluan dhe pasi doli nga studio dhe u gjet mes njerësve, përfshi këtu edhe kolegët e nismës për dhurimin e gjakut, u bë objekt vështrimesh me simpati dhe përqafimesh spontane.
Në janar të vitit 2017, ndërsa Agostino Kiafitela bëri vizitën e dytë në Shqipëri, për veprimtarinë e tij Bordi i Drejtorëve të \"Organizata Shqiptare e Dhuruesve Vullnetare të Gjakut në Tiranë” e caktoi anëtar të Këshillit të Urtëve. Më 4 shkurt në Olbia u nënshkrua zyrtarisht marrëveshja e binjakëzimit me Shqipërinë tashmë edhe të organizatës kolege franceze të Korsikës. Nga Tirana kishte ardhur Natale Capodicasa dhe prej gjakdhuruesve të Korsikës, presidenti i shoqatës Patrick Fallet. Kjo u shoqërua me një sasi të madhe gjaku dhuratë për spitalet jo vetëm në Tiranë.
Agostino Kiafitela ishte aty, si një prej organizatorëve të nivelit të parë të kësaj ngjarjeje. Për veprimtarinë e tij ka interesim edhe të shtypit vendas. Artikuj dhe lajme për aktivitetet që ai kryen, pasqyrohen rregullisht në gazetën kryesore “La nuova Sardegna” si edhe në të tjera, më periferike.

Pse Napoleon Bonoparti mund të ketë origjinë të largët arbëreshe

Kjo historia e ruajtjes së paprishur të gjakut si shenjë e identitetit shqiptar ka të përfshirë edhe një episod tjetër.
Agostino Kiafitelës i është mbushur mendja se Napoelon Bonoparti është me origjinë të largët arbëreshe. Ai arsyeton kështu: “Si president i dhuruesve të gjakut të Oblias unë shkoj në Korsikë dhe kam qenë edhe në qytetin Ajaço, i cili është konsideruar si vendlindja e Bonopartit. Afër tij, në bregdet, është edhe një vendbanim me emrin Cargese (Karxheze). Napoleoni ka lindur jo në Ajaço, qytet pastërtisht francez, por në Karxheze. Franca për arsye shtetërore, por edhe vetë Napoleon Bonoparti për të realizuar dëshirat e tij për pushtet, e kanë sajuar historinë e vendlindjes nga Ajaço”.
Argumentet që Agostino paraqet, janë ende naive, thjesht të nxitura prej dashurisë së tij pa kufi për shqiptarët dhe tërë etninë e tij historike. Sipas Agostino Kiafitelës, Bonopartit i ka ngjarë e njëjta histori si me të atin gjatë Luftës në Dytë Botërore, ushtar italian në Korçë.
Ne po e quajmë si dukuri me emërtimin “Thirrja e gjakut”.
Petros, të atit, kur gjermanët kishin vënë para pushkatimit disa oficerë italianë të paskapitullimit, të cilët duhej të qenë arbëreshë, për t’i shpëtuar ai thirri me zë të lartë një “Joooo!” Prej këtij tingulli shqip disa oficerë shqiptarë që bashkëpunonin me trupat pushtuese ndërhynë menjëherë tek komandanti gjerman dhe vrasja e tyre u ndërpre.
Napoleon Bonoparti kur ish një oficer i zakonshëm në Korsikë, ndërsa pa që një skuadër nga ushtarët e vet, nën komandën e një vartësi të tij, po bëhej gati të pushkatonte disa ushtarakë të porsakapur rob, pasi dëgjoi një çast gjuhën ndryshe që të dënuarit po shkëmbenin me njëri-tjetrin, i vuri komandantit të skuadrës së pushkatimit pisqollën në kokë dhe ky u tërhoq menjëherë.
Agostino është i sigurt se gjuha enigmatike që i kish shpëtuar nga ndërhyrja e menjëhershme e Napoleon Bonopartit, qe patjetër arbërishtja.

Ylli Polovina

Tiranë, më 2 nëntor 2017


Version i printueshem
Faqja paraardhese

LIBRAT

Libra të tjerë .....

LIBRI I FUNDIT
Image Title Here




LIBRA TË TJERË
Kontakt: ylli@yllipolovina.com © 2007-2017 yllipolovina.com Webmaster: taulant@topciu.com