|
AGOSTINO, KOLONELI I USHTRISË ITALIANE ME MBIEMRIN ÇIFTELIA (Pjesa 1)
(Botuar në “Shqiptarja.com” në 4 nëntor 2017)
Çertifikata amerikane qe në 1890 provon mbiemrin Çiftelia. Korçë, tetor 1943, si i ati i Agostinos, ushtari Pietro Kiafitela (Çifletia) klithi në shqip një “Jooooo! dhe shpëtoi nga pushkatimi disa oficerë italianë arbëreshë.
Pjesa e parë
Do të vinte në Tiranë dhe më pati shkruar se do t’i pëlqente shumë një takim. Deri ato çaste njiheshim vetëm virtualisht: nëpërmjet FB. Me postën e facebook-ut patëm shkëmbyer të dhëna të ndryshme, sepse duhet thënë se ai, Agostino Chiaffitella (Agostino Kiafitela) nuk është vetëm oficer i lartë i Marinës Detare Italiane, tani në pension. Në Flotën Luftarake të vendit fqinj gradat zyrtare kanë një hierarki të rreptë, nga poshtë lart. Më e ulta mes tyre është “Guardiamarina”, pastaj Sottonente Vascello, në vijim Tenente di Vascello. Kjo është e barabartë me atë të kapitenit në ushtrinë tokësore.
Prej këtij niveli nisin gradat e larta: Capitano Corvetta, Capitano di Fregata dhe kulmimi është tek Capitano di Vascello (Korveta është anije e vogël, fregata më e madhe dhe Vashelo më e madhja fare).
Në karrierën e tij Agostino Kiafitela arriti Capitano di Vascello, çfarë është e njëllojtë me atë të kolonelit në forcat e armatosura tokësore dhe ajrore.
Kolonel në pension i ushtrisë italiane, arbëresh dhe veprimtar aktiv i ruajtjes dhe i gjallërimit të kontakteve shpirtërore mes shqiptarëve në trojet etnike me paraardhësit e tyre të emigruar në brigjet italiane pesë shekuj më parë, Agostino është edhe intelektual me interesa të gjëra diturore.
Kështu më në fund në 5 shtator të këtij viti takimi ynë u bë në kafen verore të hotelit “Colosseo”, i cili në Tiranë, tepër i hijshëm në arkitekturë dhe modern në nivelin e shërbimit, ndodhet në një nga pikat më të shumënjohura të kryeqytetit: atje ku gjenden “Rruga e Ambasadave”, gjimnazi “Sami Frashëri”, kryqëzimi “Zogu i Zi” dhe shtatorja e Adem Jasharit.
Agostino qe me bashkëshorten e tij, Pala Marinella, e cila është një italiane, por që e ka mësuar arbërishten. Prej vjehrës së saj në disa raste dhe sidomos nga Stela, gjyshja e të shoqit.
Gjatë bisedës kërshëria ishte reciproke, por autori i këtyre rradhëve qe edhe më shumë, sepse i duhej lëndë për një shkrim të mundshëm. Tek Agostino Kiafitela, për disa vite edhe punonjës i Ministrisë Italiane të Mbrojtjes në sektorin e shërbimeve speciale inteligjente, fshihej edhe një “sekret”.
Mbiemri i tij qe pasojë e italianizimit të fjalës shqip çiftelia.
Historinë ai do të ma tregonte që në çastet e para.
Mbiemri Çiftelia i familjes së vet që mbijetonte pa u shuar prej qindravjeçarësh, ishte vetë thelbi i identitetit të tij. Ndërsa italisht jetonte me emrin Agostino Kiafitela, në arbërisht (shqip), preferonte formën Gustin Çiftelia.
Për t’ia zbuluar rrënjët këtij mbiemri, emërtim i njohur i një vegle muzikore popullore në viset e veriut të Shqipërisë, pasi qe këshilluar me shumë shpjeguesë ishte bindur më shumë nga padre Sofroni, kryemurgu i Kishës Bizantine San Nilo të Grottaferrata-s, pranë Romës. Kjo seli kulti fetar ortodoks edhe sot është me shumë autoritet midis arbëreshëve. E konsiderojnë institucion të tyre.
Padre Sofroni i pati arsyetuar se hapësira territoriale prej nga ku familja (fisi) Çiftelia kishte marrë rrugën e mërgimit pas pushtimit myslimano-osman ishte ajo që shtrihej prej vendndodhjes së Pogradec-Korçë-Voskopojës e deri në portin e Vlorës. Gjithnjë sipas tij, në një vend për të cilin gjeografikisht se ku ndodhej nuk qe i qartë, gjendej një gur miljar (shenjë që në rrugët e vjetra romane ndante distancën e një miljeje prej një tjetre), ku shënohej fjala Çiftelia. Padre Sofroni pati ngulur këmbë se ky do të qe emri i lashtë i një fshati aty rreth e rrotull, më pas përpirë nga misteret dhe thellimat e historisë. Ndoshta ishte edhe emër fisi aty rrotull.
Gjurmë të tanishme të këtij versioni tashmë nuk gjen edhe ndër të dhënat e studiuesve profesionistë bashkëkohorë, por teza e padre Sofronit mund të besohet. Sipas Hasan Aliaj, botues dhe kryeredaktor i gazetës me temë historike, dygjuhëshesh shqip-italisht “Rrënjët-Le Radici” me seli në Romë, konkretisht në Grottaferra, person i cili e ka njohur nga shumë afër padre Sofronin, na pohon se ky “ishte një njohës i mirë i gjuhës, i historisë dhe i gjeografisë shqiptare. Kishte mbaruar Universitetin e Romës dhe pati shërbyer gjatë tërë kohës në Siçili, në vendbanimet arbërore. Më vonë u vendos në manastirin “San Nilo, në Grottaferrata. Padre Sofroni ka qenë në kontakt me shumë figura politiko-kulturore shqiptare në Itali dhe mbi të gjitha ishte një patriot i flaktë. Ka qenë ndër të parët që në krahinën e Lacios, ku kryeqendër është Roma, kleriku që ka zhvilluar meshën në gjuhën shqipe. Kishte njohje të thellë për albanologjinë dhe në fushën e përkthimeve”.
Me një fjalë, tani nuk ka dëshmi, por hamëndja për origjinën e fjalës Çifteli, na ofron anësimin në logjikën e padre Sofronit.
1534, ikja nga Korona dhe zbarkimi në Bazilikatë të Italisë
Misteri i ardhjes së mbiemrit Çiftelia në Itali dhe këtu shndërrimi i tij i ngadalshëm fonetik në Chiaffitella nis afro pesë shekuj më parë, në shpëtim prej pushtimit osman, në një prej dallgëve të emigrimit të arbërve prej tokave të tyre amtare. Konsiderohet se “vala e katërt”.
Saktësisht nis nga Korona, në Poleponez të Greqisë. Sipas Agostinos dhe sigurisht një fije të vërtete, edhe pse tashmë të legjenduar, në shekullin e katërmbëdhjetë, kur vijonte ende famën dhe frymën inkurajuese qëndresa e madhe e dikurshme e Gjergj Kastriotit kundër turqve, në qytetin-kështjellë të Koronës ose mbase në fushat e luginat e lulëzuara përreth saj, jetonin bashkë me të tjerat edhe dy familje me mbiemrin Çiftelia njëra dhe Çiftelinjtë tjetra.
Kur pas një rezistence të gjatë të vendasve, sulmi pushtues osmano-mysliman u bë i papërmbajtshëm, arbërit Çiftelia dhe Çiftelinjtë vendosën të gjenin ndonjë barkë e të emigronin përtej detit. Në pritje të kësaj mundësie familja e parë në qytetin-kështjellë të Koronës u strehua në kishën e Shën Kostandinit, kurse e dyta tek ajo e Shën Palit.
Korona bëri qëndresë të madhe, të njohur nga historia, por më në fund filloi të jepej.
Kur e morën rrugën e detit dhe më në fund zbarkuan në 1534 në bregun përtej, në Bazilikatë, në zona pothuaj të shkreta, të banuara me ndonjë emigrant të rrallë e të hershëm, ndonjë prej tyre edhe arbër i ardhur aty shumë dekada më parë me gardën e Skënderbeut (e cila në fillim të viteve gjashtëdhjetë të atij njëqindvjeçari kishte luftuar në ndihmë të mbretit të Napolit, spanjollit Alfons), nuk u vendosën në të njëjtin vend. Familja Çiftelia (bashkë me disa të tjera) zbarkoi e para dhe territorin ku qëndroi e quajtën, në mirënjohje të kishës ku qenë strehuar në Koronë, San Costandino. Sot thirret zyrtarisht San Costandino Albanese (Shën Kostandini i Shqiptarëve).
Çiftelinjtë, po ashtu në nderim të kishës ku i kishin marrë në mbrojtje, e emërtuan vendbanimin e emigracionit San Paolo. Sot ky fshat quhet San Paolo Albanese (Shën Pali i Shqiptarëve).
Në historitë zyrtare të krijimit të këtyre banimeve arbëreshe në krahinën e Bazilikatës në Itali, në provincën e Potencës, vit themelues është konsideruar ai i zbarkimit: moti 1534.
Çertifikata amerikane qe provon mbiemrin Çiftelia
Një kuriozitet: Një dokument martese i vitit 1890 i hartuar në shtetin Nju Xhersi (New Jersey) të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dëshmon se si të afërmit e Agostinos e përdorën mbiemrin e tyre jo në formën e italianizuar, Chiaffitella, por drejt për së drejti Chiftelia.
Konkretisht kjo është çertifikata e martesës së gjyshit të kushëririt të Agostinos, Pjetrit për të cilin do të flasim më pas. Si dëshmitar i kësaj martese qe një i afërm me emrin Giovanbattista (Xhovanbatista). Po ashtu nga ai fis.
Forma e të shkruarit dhe e të shqiptuarit Chiftelia (çiftelia ose qiftelia, sepse arbëreshët nuk e shqiptonin dot tingullin “q”, duke e bërë si vendasit me “chi”), i paprishur pas katër shekujsh jetese mes popullsisë latine është një tregues shumë shprehës i shkallës së lartë të qëndresës që i bënte kjo bashkësi e viseve tona asimilimit të huaj.
I përhapur shumë, sidomos në Itali dhe SHBA fjala Chiaffitella (Çiftelia) në vetëm 5 për qind të rasteve përdoret si emër, kurse në 95 të tjera si mbiemër. Kjo sërish rivërteton ruajtjen e identitetit arbëror jo vetëm në hapësirat përreth Adriatikut, por kudo në botë, tepër larg trojeve etnike.
Fjala Chiaffitella si mbiemër gjendet edhe në Francë (shoqëruar kryesisht me emrin Pierre), si edhe në Argjentinë, ku ruan format origjinale bashkëngjitur emrave Maria, Domeniko dhe Pietro.
Duhet spikatur se dy familjet Chiaffitella që u larguan nga qyteti i Koronës dhe u vendosën në brigjet italiane duke krijuar, së bashku me bashketnikë të tjerë, fshatrat San Costandino Albanese dhe San Paolo Albanese, janë kontribuesit më të mëdhenj të popullit tonë për ruajtjen dhe përhapjen nëpër glob të fjalës shumë përfaqësuese të identitetit shqiptar: Çifteli.
Mallim i madh i të rinjve shqiptarë për arbëreshët
Ndërsa në kafen verore të Hotel “Colosseo” patën kaluar minutat e para të përshëndoshjes dhe të dy palët ishim gati për të hyrë në thelbin profesional të çështjes arbëre, ku Agostino, është fort mirë me njohuri të përditësuara, pyetjes time rutinë në se u pati pëlqyer Shqipëria, burrë e grua iu përgjigjën si ajo të qe çështja më kryesore e atij takimi. Shqiptuan, befasisht për mua, fjalët shumë të papritura: “Në dy vite Shqipëria ka bërë hapa gjigande”.
Në dy vjet?!
Për të mos e lënë habinë time të binte në grackën e entuziazmit të tyre patriotik, duke e menduar të pasaktë edhe pse të sinqertë, ripyeta nëse këto hapa të stërmëdhenj në vetëm dy mote patën ngjarë nëpër ndërtime godinash dhe rrugësh apo edhe në mendësi.
Përgjigja e Agostino Kiafitelës dhe e Pala Marinelës qe sërish mjaft e prerë: në të dyja. Madje, duke e dalluar mosbesimin tim, të njeriut që e jeton përditë një realitet dhe për këtë arsye e ka mjaft të vështirë që dallojë ndryshimet në dinamikën e gjërave, shqiptuan: “Sa herë që vijmë Shqipëria ka ecur përpara”.
Në të vërtetë ata dy kishin parë në vazhdimësi që prej vitit 2015, kur patën ardhur për herë të parë në vendin tonë, vetëm Tiranën. Për pak çaste kishin qenë në një dasmë në Durrës, ku qenë mahnitur prej 28 pjesëtarëve të saj që një çast, sa hap e mbyll sytë, qenë veshur me kostume popullore të veriut dhe ia patën nisur vallzimit.
Sigurisht çifti Kiafitela pati vizituar edhe Krujën, muzeun e saj për Skënderbeun.
Duke e anashkaluar këtë temë dhe hyrë në atë lëndë bisede për të cilën kishim më shumë nevojë, kur ndërkohë pati kapërcyer më tepër se një gjysmë ore nga fillimi i takimit, u zbulua hovshëm arsyeja përse Agostino dhe Pala kishin rënë edhe ca më shumë se më parë në dashuri marramëndëse me Shqipërinë.
Patën qenë vetë shqiptarët ata që ua kishin shprehur dhe përkushtuar më dukshëm këtë ndjenjë. Pala Marinela dhe Agostino Kiafitela treguan se gjatë vizitës së parë në tetor 2015, kur shkuan në Krujë, pasi vizituan muzeun kombëtar të Gjergj Kastriotit, u ulën në një restorant. Quhej “Panorama”.
U erdhi kamarieri, i cili e kuptoi që në vështrimin e parë se ishin italianë. Me një italishte të përkryer u kërkoi porosinë dhe pikërisht në këtë çast Agostino iu përgjigj në arbërisht. Kamarjeri u mpi nga emocioni, donte fillimisht të thoshte diçka, por gjesti i parë që bëri ishte vendosja e dorës në zemër. Pastaj disa herë u përkul para tyre. Ishte fare i ri dhe Pala e Agostino rrinin të mahnitur para një dëshmie se si dashuria e shqiptarëve për arbëreshët mbijetonte dhe madje rritej tek brezi më i ri i vendit.
Kamarjeri i ri, me shpenzimet e tij, nisi t’i qerasë me bibite dhe ëmbëlsira.
Një vit më vonë, ndërsa patën ardhur për herë të dytë, në Fushë-Krujë u ulën në një restorant. Për t’u marrë porosinë, duke e parë që ishin të huaj, në tavolinën e tyre erdhi vetë pronari. Prej bujtësve ende asnjë prej tyre nuk kishte pa folur, kur ai u shpreh në italisht. Agostino u përgjigj në gjuhën arbëre. Në çast ndodhi shpërthimi i lumturisë jo vetëm tek pronari, por edhe tek kamarjerët që rendën në tryezën me dy miqtë e shtrenjtë. Të gjithë vunë duart në zemër dhe nuk i hiqnin prej andej.
Një ditë tjetër ishin në aeroport. Duhej të ktheheshin për në Itali. Në shërbim, tek bëhet çekini i biletave dhe dorëzohen për bagazh valixhet e çantat e mëdha, vajza, e cila edhe ajo ishte mjaft e re në moshë, u tha në anglisht nëse kishin ndonjë gjë për të deklaruar. Agostino sërish përdori “hilenë” e tij të këndshme, e cila ua gufonte zemrën prej reagimit që shihnin tek shqiptarët: iu përgjigj në arbërisht.
Vajza e çekinit nuk priti të çelte derën e ulët që ia ndante vendpunën, banakun, prej udhëtarëve, por e kapërceu si një kaprolle dhe i përqafoi të dy, njëri pas tjetrit.
Dhe nuk i lëshonte.
“Apo duhet të rrëfej edhe entuziazmin që kanë për ne këtu në Hotel “Colosseo”?, shtojnë Agostino dhe Pala, por tashmë këtë e kisha dalluar edhe unë prej shërbimit që u bëhej.
Korçë, tetor 1943. Si Pietro Kiafitela (Çifletia) klithi në shqip një “Jooooo! dhe shpëtoi nga pushkatimi disa oficerë italianë arbëreshë
Agostino Kiafitelën me Shqipërinë nuk e lidh vetëm përkatësia arbër, por edhe jeta e të atit, Pietros. I lindur në San Costandino Albanese në 24 qershor 1916 mosha e mobilizimit e zuri me të nisur Lufta e Dytë Botërore. Shërbeu për disa kohë si ushtar i thjeshtë në Malin e Zi, në kryeqytet, në Cetinjë. Gjithsesi shumicën e përgjakjes së kësaj lufte e përjetoi në vendin tonë.
Këtu edhe u plagos në pulsin e dorës së djathtë, duke shkaktuar pothuaj vdekjen e saj, mospërdorimin. Kjo fatkeqësi i ndodhi kur sapo Italia fashiste pati kapitulluar dhe Pietro Kiafitela u bashkua me atë ushtarakë italianë që nuk ndoqën rrugën e gjermanëve, por u rreshtuan kundër tyre.
Një ditë ranë në duart e nazistëve dhe ata filluan pushkatimin, siç ishte urdhri i Hitlerit, vetëm të oficerëve italianë. Kjo ngjau në Korçë, tetor 1943. Në një çast të tillë kur skuadra gjermane drejtoi një mitroloz ndaj një grupi të tyre, Pietro dëgjoi se dikush prej italianëve që pritej të vriteshin, foli arbërisht.
Atëherë me të gjithë forcën e krahërorit dhe pa pyetur se kjo sjellje mund t’i kushtonte shtrenjtë, klithi “Jooooo!”
Pas kësaj thirrme një grup oficerësh shqiptarë që bashkëpunonin me gjermanët nga përdorimi i papritur i kësaj fjale shqip brofën nga vendi dhe vrapuan drejt komandantit të skuadrës së pushkatimit. I thanë diçka, me siguri që oficerët nën shenjë të mitralozit qenë arbëreshë.
Dhe çudia prej asaj “Jooo” të fortë ndodhi: nuk i pushkatuan.
Kur u kthye në Itali Pietro Kiafitela, bir i një familjeje të varfër të San Costandino Albanese, u përpoq të rihynte në punët e bujqësisë, kullotjen e bagëtive dhe plugimin e tokës, por tashmë ishte me vetëm një dorë, të majtën. E djathta qe një copë dru që përditë e më shumë mpakej dhe vdiste.
Kështu luftën për të mbijetuar e vijoi e shoqja, Domenica, çfarë në arbërisht thuhej Diela ose më shkurtimisht Dila. Edhe ajo qe vendase, bijë nga fshati San Costandino, pra ishte arbëreshe. Në punën e vështirë të bujqësisë u përfshinë edhe fëmijët e tyre fare të vegjël, pa përjashtuar trup voglin Agostino. Për fat i kishin afër edhe xhaxhallarët, të cilët u dhanë ndihmë.
Pietro vdiq shpejt, kur qe vetëm 56 vjeç. Ndërroi jetë në 14 korrik 1972. Por jetoi gjatë e shoqja. E lindur në 3 tetor 1918 Domenica iku nga kjo botë në ditën e 23 nëntorit 2016, kur ishte 98 vjeçare.
Jetë që u formua vetëm pranë profesorëve shqiptarë
Kur lindi Agostino ishte 7 korrik 1943, tre-katër muaj para se i ati të plagosej fatalisht në rrethinat e Korçës. Shtatëdhjetë e katër vitet e jetës së tij, çfarë do t’i rrëfejmë shkurtimisht, dëshmojnë shpirtin e tij vital, tipik arbëresh. Ai është ushtarak në pension me dy kulmime të dukshme në karrierën e tij profesionale: kur punoi në Ministrinë e Mbrojtjes, në sektorin e shërbimit të fshehtë dhe kur u emërua nënkomandant i Rojes Bregdetare të portit të Olbias në ishullin e Sardenjës, i cili është edhe më i madhi për pasagjerë në Itali.
Rrugëtimin e maturimit të tij e nisi si marinar në qytetin e Madalenës, në Sardenjë, ku kreu një kurs për financier në Marinë. Këto studime i plotësoi në vijim, deri sa u diplomua në vitin 1971.
Ishte kjo periudhë kur në pjesën e parë të saj (1957-1960) iu dha rasti të ulej në bankat e shkollës të Institutit Basilian Italian-Shqiptare “Andrea Reres” në fshatin arbëresh të Siçilisë, Mezzojuso (Palermo). Në motet 1960-1962 kreu studime në Badia-n (manastirin) greko-shqiptare të Grottaferratës, pranë Romës.
Këtu bëri edhe njohjen e parë me një personalitet nga Shqipëria mëmë, priftin nga Zvërneci i Vlorës, Ati Sofron Prençe. Ai qe mësuesi i tij shumë këmbëngulës për gjuhën shqipe.
Në motet 1967-1968 bëri njohjen e dytë të rëndësishme prej bashkëkombësve të ditur nga toka amë: me Prof. Karl Gurakuqin.
Karl Gurakuqi ishte pedagog në Universitetin e Palermos. Qe shkodran me studime të nivelit të mesëm të kryera në Salzburg dhe të lartat, në degën e filozofisë, në fakultetin përkatës në Gratz të Austrisë. I ardhur në atdheun e vet në fund të 1944 shkoi, këtë herë për pushime të shkurtra në Vjenë, por me të marrë vesh se në Tiranë u vendosën në pushtet komunistët, nuk u rikthye. Nga Austria më pas shkoi në Itali dhe u vendos në Palermo, pranë universitetit, ku u bë bashkëthemelues i Qendrës Ndërkombëtare të Studimeve Shqiptare.
Kjo ishte edhe qendra albanologjike më e rëndësishme në të gjithë territorin italian.
Ndërkohë u mor edhe me politikë: më 1957 u emërua këshilltar i Komitetit \"Shqipëria e Lirë\", të drejtuar nga Rexhep Krasniqi, Mehdi Frashëri dhe Ali Këlcyra.
Vitet e fundit të jetës i kaloi pranë të birit, Gilbert në Bressanone (Bolzano), por vdiq, pas 27 vitesh mërgim, në Palermo më 6 dhjetor 1971.
(Vijon)
Ylli Polovina
Version i printueshem
Faqja paraardhese |
|
|