|
AS FOTOGRAFI PËR NGRITJEN E FLAMURIT NË 28 NËNTOR 1912, AS AUTORË PËR FOTOT E BËRA EDHE NJË JAVË MË PAS
(Botuar në “Illyria” në 20 tetor 2017)
Shkrimi i pestë
Në kërkim se çfarë qëndron e mbajtur fshehur pas mungesës së fotos për momentin e ngritjes së flamurit në Vlorë në pasditen e vonë të 28 nëntorit 1912 dhe duke mbajtur në reliev si shkak të parë jo prag rënien e natës dhe për rrjedhojë pamundësinë e çdo aparati fotografik të fiksonte pamjen, as pikëpamjen se atë ditë në qytet nuk ka pasur ndonjë fotograf apo sepse ajo ka humbur nëpër njëqind e ca dekada, por sepse flamuri i huajtur qe i një pasardhësi fals të Skënderbeut, vijojmë më tej rrugëtimin e interpretimit tonë.
Nuk kishte vërtet asnjë fotograf në Vlorë në 28 nëntor 1912?
Nëpërmjet studiuesit të fotografisë Qerim Vrioni, këshillimit dhe ndihmës së tij, zotërojmë në “arkivin” tonë katër foto. Kaq janë gjithsej që lidhen me ngjarjen e madhe.
Janë që të gjitha të bëra publike dhe njërën prej tyre, atë me pamjen kolektive të përfaqësuesve të Kuvendit të Vlorës për shpalljen e pavarësimit dhe ngritjen e qeverisë së parë shqiptare pas pesë shekujsh sundim perandorak osman, ia paraqitëm lexuesit të “Illyria” në shkrimin e mëparshëm të ciklit.
Ajo duhet të jetë bërë në 4 dhjetor 1912, aspak më parë.
Përse mendojmë kështu?
Sepse në pasditen e 28 nëntorit qenë të pranishëm vetëm 43 të deleguar me statusin e përfaqësuesit të krahinës, qarkut apo qytetit të tyre.
Të nesërmen dhe përditë u shtuan të tjerë, duke u bërë në 4 dhjetor 63 vetë.
Vetëm kur u mbërrit ky numër, nga Kuvendi i Vlorës u bë seanca e posaçme ku u zgjodh qeveria kombëtare me Ismail Qemalin kryeministër.
Nga një numërim i të dallueshmëve në atë foto të përbashkët të delegatëve dhe anëtarëve të qeverisë shifra nuk del nën gjashtëdhjetë. Kaq janë me dukshmëri të qartë.
Në interpretimin e tij për nevojat e këtij shkrimi Qerim Vrioni na shkruan: “Fotoja e përbashkët, thuajse me të gjithë përfaqësuesit e krahinave: në mes I. Qemali, 4 persona në të djathtë të tij ku është edhe I. Boletini. Me shumë gjasë e kryer atë ditë kur është bërë fotoja dyshe Ismail-Isa. Shiko në të djathtë portën me hark!”
Studiuesi Vrioni me theksimin e hollësisë së fundit e ka fjalën se fotografimi i grupit maksimal të delegatëve të Kuvendit të Pavarësisë është realizuar brenda sarajeve të Vlorajve. Këtë spikatje ai e ka bërë edhe në shpjegimin e fotos së përbashkët mes Ismail Qemalit dhe Isa Buletinit (Qerimi në shpjegim të saj na shkruan kështu: “I. Qemali dhe I. Boletini brenda Sarajeve të Vlorajve, vëre re portën me hark në të majtë të personave!”)
Kjo ndërkohë do të thotë se fotua kolektive dhe ajo Ismail-Isa janë bërë ndoshta në të njëjtën ditë apo mjaft afër 4 dhjetorit 1912.
Atëherë më afër 28 nëntorit dhe hetimit tonë përse këtë ditë mungon pamja e ngritjes së flamurit, mbetet të jenë dy pamjet e tjera. Sipas studiuesit Vrioni, njëra prej tyre paraqit “I. Boletinin me luftëtarët e tij duke zbritur nëpër rrugën \"Liria\" (sot “Justin Godard”) nga lagjia “Tophana”, ku banonin. Në krye të saj ishte vendfushimi i kuajve dhe i pajisjeve dhe ky vend prej atëherë quhet Kaçanik, sepse luftëtarët kosovarë ishin kthyer nga beteja e Kaçanikut”.
Siç dihet, në mënyrë të provuar Isa Buletini me një fuqi të armatosur prej njëqind luftëtarësh mbërriti në Vlorë në pasditen e 29 nëntorit. Duhej të vinte në njëzetët tetë dhe vonesa qe pasojë e mosllogaritjes së mirë të vështirësive të udhëtimit nëpër një terren të rënduar prej shirave dhe fryrjes së lumenjve, po ashtu ndikimit të rrethanave të tjera, por kurrsesi të ndonjë prite prej turqve. Më i rrezikuar pati qenë në marrshimin e tij drejt Vlorës Ismail Qemali se Isa Boletini.
Qerim Vrioni pohon se kjo foto shumë kuptimplote dhe teknikisht mjaft shprehëse duhet të jetë kryer, së paku, në 30 nëntor. Njëkohësisht ai na rikonfirmon faktin e shumëditur për vëzhguesit dhe studiuesit e ditës së shpalljes së pavarësisë: për të tre fotot e porsa komentuara nuk dihet asnjë autor i tyre.
Në 23 qershor 2014 për këtë temë, mungesën e emrit apo emrave të fotografive rrëfyese për shpalljen e Pavarësisë, Vrioni ka marrë një opinion prej albanologut të paharuar Robert Elsje. Ky në mesazhin e vet i shkruan se prej kërkimeve të tij nënshkrimi në fund të fotos Isa Boletinit me të tijtë me emrin Groß nuk do të thotë në mënyrë të sigurt se është autori i shkrepjes së aparatit. Në Luftën e Parë Botërore, shkruan ai, ka qenë një \"A. Gross, Illustrations-Verlag, Berlin\" me adresën Zimmerstrasse 48B, Berlin”. “Kjo rrugë, thotë Elsje, ekziston. Ndodhet afër Checkpoint Charlie”.
Gjithnjë sipas albanologut të njohur “Zoti Gross kishte një firmë për shpërndarjen e fotografive të Luftës së Parë Botërore. Nuk është fotograf vetë (besoj unë). Por nuk di...
Foton e Isa Boletinit e kam parë, por duket se gjete origjinalin këtu, sepse cilësia është më e mirë.
Fotografi mund të ishte shqiptar, por lirisht mund të ishte edhe italian, gjerman, austriak...
Në Vlorë 1912 kishte gazetarë”.
Ndërkohë ajo foto që mund të na ndihë sadopak për të zbardhur enigmën është pamja e katërt nga ngjarja e pavarësishpalljes. Studiuesi tjetër i fotografisë shqiptare, Niko Kotherja, e ka rivendosur atë në një album të publikuar në 2010 dhe të titulluar “Enciklopedi e fotografëve korçarë”.
(Siç dihet, foton e vetme të qeverisë së Ismail Qemalit në ballkonin e ndërtesës përkatëse në Vlorë, me rastin e përvjetorit të parë të Pavarësisë, e ka bërë fotografi korçar Petro Dhimitri).
Në foton e riparaqitur posaçërisht nga studiuesi Kotherja tekstin shoqërues e ka hartuar me fjalët: “Udhëtimi i shpalljes së pavarësisë kombëtare. Një pushim i delegatëve në ullishtat e Vlorës para hyrjes në qytet. Nga e majta në të djathtë: Dh. Zografi, Dh. Beratti, Dh. Emanoil Mborja, P. Cale, Q. Kokoshi, etj. Fotograf Vani Burda”.
Po t’i besojmë këtij shpjegimi në ditën e 28 nëntorit, kur në pasditen e vonë u ngrit flamuri kombëtar në Vlorë qe të paktën një fotograf. Ishte muzg i thellë apo edhe më errët se kaq, çfarë e pengonte fiksimin e pamjes, është çështje tjetër.
(Vijon)
Ylli Polovina
Tiranë, më 15 tetor 2017
Version i printueshem
Faqja paraardhese |
|
|