|
22 NËNTOR 1944, QYTETI I TIVARIT: ARRATISJA E BALLIT KOMBËTAR NËPËR NJË DET TË MINUAR
Për t’i shpëtuar kapjes prej nacionalçlirimtarëve si ikën 140 vetë me në krye Mit’hat Frashërin dhe Ali Këlcyrën
(Botuar në “Shqiptarja.com” në 27 shtator 2017)
Shmangia e ikjes bashkë ne autokolonat gjermane në tërheqje nëpërmjet territorit jugosllav dhe sigurimi i anijes për të kapërxyer detin dhe shkuar drejt Italisë, ku ndodheshin anglo-amerikanët, për njëqind e dyzetë nacionalistët e grumbulluar në Shkodër në atë fundnëntor 1944 qe punë mjaft e ndërlikuar. Në grupin e tejmadh gjendeshin anëtarët e Komitetit Qendror të Ballit Kombëtar dhe mjaft veprimtarë të tij, përfshi në disa raste edhe familjarë. Ali Këlcyra qe me të shoqen, Advije Vrionin si edhe vajzën e vetme, tetëvjeçaren Hana. Në shoqërim të disa krerëve gjendeshin edhe truproja. Kjo donte të thoshte se për nga numri i ikësve mbase do të nevojiteshin jo një anije, por dy të tilla.
Kjo e bënte edhe më të pashpresë gjendjen. Nga kjo situatë pa dritë në fund të tunelit, ndërsa çdo vonesë u afronte rrezikun të binin në duart e nacionalçlirimtarëve, i nxori Vehbi Frashëri, djali i madh i Mehdi Frashërit. Ky i fundit, babai, pas pushtimit gjerman të Shqipërisë pati pranuar dhe kryer detyrën e anëtarit të Regjencës, por i biri, ndryshe prej vëllait të tij, Rakipit, i përzjerë në pranverë të atij moti si i dërguar i të atit dhe i Mit’hat Frashërit për të bërë një marrëveshje antikomuniste me autoritete shtetërore greke dhe turke, nuk qe përzjerë fort me gjeste politike të dukshme. Në veprimtarinë e tij të pëlqyer qe tregtia, por muajt e fundit, me Eqerem Vlorën si ministër i Jashtëm, kishte ushtruar edhe rolin e zëvëndësit të tij.
Ishte kushëri i Ali Këlcyrës.
Vehbiu me vullnetin e tij shkoi tek gjermanët. U kërkoi ndihmë për largimin e eksponentëve nacionalistë dhe të familjeve të tyre, si edhe e ushtarëve që kishin me vete. Këta u treguan të gatshëm për t’ua krijuar këtë lehtësi, ca me tepër që bëhej fjalë për fatin e tërë komitetit qendror të Ballit. Saktësisht u shprehën kështu: “Ne e dimë që Balli Kombëtar na ka sulmuar shumë herë, por këtë e ka bërë për oportunizëm sepse misionet britanike ia kërkonin të mbante këtë qëndrim. Njëkohësisht dimë që edhe asnjë nga Komiteti Qendror i Ballit nuk ka zbrazur pushkë për të vrarë një gjerman. Për këtë arsye tërë Komiteti Qendror mund të iki me ne. Por nuk do të vijë me ne asnjë ushtar, sepse nga ushtarët nuk dimë se kush ka vrarë gjermanë e cili jo”.
Vehbiu pas kësaj nuk gjeti dot shteg ta rihapte bisedën me kërkesën për ndonjë anije. Kështu u rikthye tek Mit’hat Frashëri dhe i trasmentoi çfarë i ofruan gjermanët. Ky vuri në dijeni menjëherë disa nga krerët e Ballit. Asnjë nga këta nuk ra dakord me ofertën për ndarjen nga grupi i tyre i ballistëve që ishin thjesht ushtarë. Madje dikush tha më drejtpërdrejti: “Më mirë të vrasim veten dhe ushtarët të mos i lëmë”.
Ndërkaq Vehbiu, plot merak që t’i shpëtonte të njëqind e dyzetë ikësit prej rënies në dorë të nacionalçlirimtarëve, pati një ide të dytë, shumë e volitshme për Mit’hatin dhe të tjerët në krah të tij. Sipas Vehbiut, ai mund të rihynte në bisedime me gjermanët dhe t’u propozonte të ndihmoheshin me dhënien e ndonjë anijeje prej katër të tillave që kishte mësuar se patën rënë në duart e tyre dhe i kishin sekuestruar në Tivar. Dy pothuaj qenë vaporë të vegjël. Për të mos u rrëmbyer prej askujt ato i ruante e armatosur gjer në dhembë një skuadër me ushtarë.
Urdhri nga komanda eprore ishte që ato, të katra, në rast se nuk do të përdoreshin prej vetë gjermanëve, të hidheshin menjëherë në erë. Partizanëve të Titos nuk duhej t’u binin në dorë, edhe pse këta ua kishin vënë synë dhe patën dërguar lajm se për to mund të gjenin një marrëveshje të favorshme.
Entuziazmit të krerëve të Ballit Kombëtar për t’i mbushur mendjen gjermanëve t’u jepnin një apo dy nga anijet e Tivarit, Vehbiu një çast iu përgjigj me rikujtesën për të gjithë: Kujdes, udha nëpërmjet Adriatikut është mjaft e rrezikshme, ajo ka plot mina.
Eksponentët antikomunistë të Ballit u shprehën të një mendjeje se më mirë të vdisnin nga minat se prej pushkës së komunizmit. Kështu në parim u vendos për të ikur me anije.
Vehbi Frashëri shkoi tek gjermanët dhe u bëri propozimin. Ata e dhanë lejen që njëra prej anijeve të vihej në dispozicion të komitetit qendror të Ballit.
Kapidani Gjon Marka Gjoni: Përse nuk rrini të luftoni komunistët?
Kështu më në fund, në tetëmbëdhjetë nëntor 1944, të njëqind e dyzetët, të hipur në disa kamionë të hapur, u nisën menjëherë drejt portit të Tivarit. Binte shi, shumë shi dhe prej tij qe e vështirë, edhe me ombrella apo mushama, të mbroheshe.
Kur mbërritën në Tivar makina e fillimit e autokolonës ja doli të hynte në port. Gjermanët nuk e penguan, por nuk e ndalën as edhe disa civilë të armatosur me pushkë të gjata dhe që ngjanin me malësorë shqiptarë. Ndërsa deshi të hyjë kamioni i dytë disa persona të tjerë, me armë që i vërtitnin plot nervozizëm nëpër duar, hije që nuk u kuptuan se prej kujt këndi të molit dolën aq papritur, thanë me zë të lartë të frenonte menjëherë. Mes atyre që ndodheshin hipur në karroceri, si edhe në dy kamionët e mëpasshën, u krijua përshtypja se të armatosurit qenë partizanë vendas dhe për pasojë aventura e ikjes do të mbyllej aty.
U përpoqën të merreshin vesh me ta dhe u kuptua që në fillim se ishin ushtarë të kapedanit të Mirditës, Gjon Marka Gjonit. Ose, së paku, e dy djemve të tij. Këta u thanë njerësve të Ballit, mes të cilëve qe edhe Ali Këlcyra si edhe familja e tij: “Është tradhti që po ikni! Duhet të rezistoni, të luftoni kundër komunizmit!”
Ishte e pamundur të merreshe vesh. Qenë shumë të zemëruar. Atëherë Ali Këlcyra urdhëroi kamionin të kthehej dhe t’u largohej sa më shpejt. Po ashtu vepruan edhe makinat e tjera. Të rikthehej në Shkodër ishte si të hyje në gojën e ujkut. Duhej të qëndronin në Tivar dhe të ripërpiqeshin të iknin.
Kërkoi ku ndodhej komandanti i ushtarëve të bajraktarit të Mirditës dhe të gjithë i përgjigjeshin se atë mund ta takonte, por një vendim mund ta marrte vetëm po të takohej me vetë kapidanin ose së paku njërin prej djemve. Tek shkoi bashkë me Mit’hat Frashërin dhe Kadri Cakranin këtë e gjetën dhe e takuan pothuaj një ditë më pas. Qe djali i madh i bajraktarit, Mark Gjon Marku. Në dhomën-zyrë ku po rrinte kishte gjithkund shumë fotografi, në poza të ndryshme, të Ahmet Zogut.
Dukej që nuk vendoste dot, prandaj iu dërgua lajm vetë Gjon Marka Gjonit. Këtij i kujtuan se dy vjet më parë u patën kërkuar tërë bajraktarëve të veriut që të vinin të luftonin komunizmin në jug, por ata e patën refuzuar. U qenë përgjigjur se në viset e tyre nuk kishte komunizëm. Kurse tani që situata pati ndërruar krejtësisht në favor të bolshevikëve dhe tashmë Shqipëria ndodhej nën hyqmin e këtyre, qenë kujtuar të bashkoheshin.
Por qe vonë.
Kapedani iu bind kësaj logjike dhe u dha urdhër të dy djemve tij që t’i linin njerëzit e Ballit të shkonin për në Itali. Po ato çaste u tha të bijve se edhe ata duhej të bëheshin gati të iknin. Duhej madje të nxitonin. Do të largoheshin me autokolonat gjermane.
Në Tivar, ku po i prisnin të tjerët, bashkë me Mit’hatin dhe Ali Këlcyrën u hipën dy kamionëve dhe shpejtuan për në port. Ishte dita 22 nëntorit 1944.
Në hyrje të portit grupi i ushtarëve të bajraktarit të Mirditës, edhe pse ende vijonte t’i vërtiste me padurim armët nëpër pëllëmbët e duarve, kur kamionët u shfaqën tek porta e molit detar, i përshëndetën. Kur hynë më në fund në port dhe po ndiheshin të lehtësuar, u mor vesh se ndërkaq kishte ndodhur një e papritur. Shokët e tyre të futur me makinën e parë qenë nisur që atë ditë të hyrjes në mol. Patën përdorur njërën prej katër anijeve. Ndërkohë kishte lënë portin për një arsye që nuk u shpjegua prej rojeve gjermane edhe një anije tjetër. Kështu në mol patën mbetur vetëm dy.
E vetme asnjëra prej tyre nuk mund t’i mbarte mbi njëqind njerëz që kishin mbetur. Prandaj u detyruan dhe i kërkuan që të dyja, por skuadra e pesë rojeve gjermane tha vendosmërisht se kishin urdhër t’u jepnin vetëm një anije. Për ndonjë kompromis as që bëhej fjalë, prandaj hyri në bisedime sërish vetë Vehbi Frashëri.
Më në fund u gjet një marrëveshje. Edhe anija e dytë mund t’u vihej në dispozicion, veç duhej të pagonin, ta blinin. Pyetjes “Sa?” komandanti i skuadrës gjermane iu përgjigj me një shumë marramëndëse.
Krerët e Ballit, të cilët nuk donin aspak të vonoheshin, filluan të dorëzonin shuma të ndryshme që kishin me vete, madje edhe të premtonin se kur komunizmi në Shqipëri të shëmbej dhe kjo do të ndodhte tepër shpejt, ata do t’i jepnin komandanit të skuadrës gjermane edhe prona toke. Mjaftonte që ky t’u jepte një adresë apo llogari bankare rrjedhëse. Tjetri nuk e pëlqeu këtë propozim dhe nguli këmbë t’i hidhnin në dorë sa më shumë monedhë e veçanërisht verdhushka floriri.
Të mbi njëqindët e komitetit qendror të Ballit Kombëtar bashkë me ushtarë të tyre truproja si edhe pjesëtarë të familjeve, hipën me rregull në të dy anijet. Edhe pse gjiri i portit qe disi i mbrojtur nga erërat, dukej që përtej në det kishte furtunë të fortë, shumëballëshe.
Më në fund u nisën, por ndërkaq kapiteni shqiptar e pyeti Ali Këlcyrën: “Nga të shkojmé? Pastaj saktësoi: “Në të djathtë apo në të majtë?” Me këtë nënkuptonte ose ngjitjen në veri të Adriatikut ose uljen drejt jugut të tij. Aliu iu përgjigj me një pyetje tjetër: “Ku është më shkurt?”
Fjalët e kapitenit qenë të prera: “Më shkurt është Greqia”.
Ndërkohë hyri në bisedë Advija. Sapo kishte hedhur një fall. Ajo shqiptoi fjalët “Pastaj duhet të marrim në të djathtë”.
Kapiteni ia nguli vështrimin me habi. “Sigurisht që kur të mbërrijmë afër Vlorës do të lundrojmë në të djathtë, sepse andej është Italia”. “Unë nuk e di nga cili krah bie Italia”, tha Advija me në sy shkëlqimin e një fuqie të brendshme magjistareje, për djathtas më doli falli”.
Nisën zbritjen nëpër Adriatik. Për t’i shpëtuar minave në brendësi të detit rrëshqitën pranë brigjeve shqiptare në një largësi e shumta deri në pesëmbëdhjetë kilometra. Kur iu avitën ishullit të Karaburunit morën djathtas dhe hynë në Ngushticën e Otrantos. Prej aty mund të dilnin në Brindizi. Për fat nga bregu shqiptar nuk u erdhi asnjë kanosje. Komunistët e kishin vënë nën kontroll të gjithë territorin tokësor, por atë detar jo, sepse nuk zotëronin mjete lundruese apo artilerike të mjaftueshme t’i pengonin. Ndërkaq kanalin otrantin e kishin lënë të lirë prej minave, për nevojat e tyre të kalimit, të gjitha flotat ndërluftuese.
Në Brindizi i çarmatosin
Udhëtimi i të mbi njëqintëve të Ballit Kombëtar zgjati 17 orë. Shumica u krye nëpër natë. Gjatë lundrimit për shkak të detit shumë të trazuar, përveç vetëm pesë udhëtarëve, gjithë të tjerët vuajtën rëndë nga të vjellat.
Qe 23 nëntor kur mbërritën. Në portin e Brindisit i priste policia britanike, e cila i kontrolloi të gjithë meshkujt për armë. Kujt iu gjet iu muar në vend. Ia morën pistoletën edhe Ali Këlcyrës. Ky i çarmatosur nuk e deshi veten. “Keni ardhur nga zona gjermane e luftës, u përpoq të sqaronte një oficer britanik, nuk mund të veprojmë ndryshe”.
Pastaj i vendosën, për të kaluar atë natë, të gjithë refugjatët shqiptarë të Ballit Kombëtar në një ahur të pastër me kashtë të shtruar përtokë. Gjithsesi vinte erë kuajsh, të cilët patën qëndruar aty më parë. Por shumicës, shumë të lodhur nga lundrimi i vështirë dhe i gjatë, kjo stallë kafshësh iu duk si një hotel i vërtetë. U shtrinë mbi kashtë dhe u mbuluan me teshat e tyre. Gjumi shumicën e zuri menjëherë.
Ndërkohë të pagjumët, mes tyre edhe Mit’hat Frashëri, morën vesh se anija e nisur nga porti i Tivarit dy ditë para tyre, më 19, kishte zbarkuar më poshtë bregdetit italian, në Manopoli, në datën njëzetë e një. Anglezët diku i kishin sistemuar, por ku saktësisht që e vështirë ato çaste të mësohej.
Advija ndërsa, duke i shtruar mbi kashtë çarçafë të pastër, u përpoq të vinte në gjumë Hanën, kjo shpërtheu në të qara. Fijet e kashtës i çponin shpinën dhe kish turbullirë të madhe në shpirt. Për të mos zgjuar të tjerët e jëma e nxori jashtë ahurit. Pastaj e pyeti me zë të butë e të mallëngjyer përse po qante.
E vogla iu përgjigj se qante sepse kishin ikur nga Shqipëria dhe nuk do të ktheheshin dot më atje. Advija e shtrëngoi fort të bijën në krahëror dhe vetëm ato çaste, më qartë se kurdoherë tjetër, e bija e kuptoi sa shumë e donte nëna e saj.
“Pse mendon se nuk do të rikthehemi më”, e pyeti pas pak.
“Sepse e ndjej në zemër”, u përgjigj Hana.
“Do të kthehemi, do të kthehemi, i mëshoi fjalët Advija, pas tre javësh apo e shumta tre muajsh”.
Festimi i pikëlluar i 28 Nëntorit 1944
Të nesërmen i dërguan në një kamp afër qytetit të Barit, vend i cili quhej Santa Fara. Atje gjendeshin bashkë nazistë gjermanë, të izoluar krejtësisht nga të tjerët si edhe hebrenj, doemos jo të blokuar. Kishte serbë, kroatë, polakë, deri edhe kinezë e çeçenë. Lufta ende nuk kish mbaruar dhe refugjatë të tjerë vinin pa rreshtur.
Sidoqoftë kampi i Santa Fara-s i kishte kushtet më të mira se të Brindizit. Shtretërit qenë prej druri, në disa dhoma të mëdha mund të flinin deri në njëzetë vetë. Ndërkohë për ata që ishin bashkë me familjet e tyre kishte edhe dhoma me përmasa të vogla. Nëpër to u sistemuan Ali Këlcyra me të vetët, Kadri Cakrani me të tijtë, po ashtu edhe familjet e Eqerem Peshkëpisë dhe të Faik Qukut.
Në kamp burrat nuk kishin të drejtë të dilnin, por gratë qenë të lira të shkonin në qytetin e Barit për të blerë ndonjë gjë, rrobë ose ushqim. Kështu një ditë u nisën për atje edhe Advija me Hanën për dore. Aliu i porositi që të blinin sa më shumë gazeta, të çdo date të ishin apo krahu politik. I duheshin, për të marrë sa më tepër informacion, gazeta të së majtës dhe të djathtës.
Kur hynë në Bari tetëvjeçarja Hana i mbajti këmbët tek vitrinat e xhamta të një dyqani lodrash. Mbeti e pagojë, por nuk i kërkoi të jëmës asgjë prej atyre mrekullive që po shihte. Por, ndërsa priste që Advija ta përhiqte përdore për të shkuar më tej, atje ku ishin gazetat, ndodhi çudia. I tha të bijës të hynin. Shtoi se do t’i blinte diçka.
Hana shqiptoi papritur fjalën “jo”, madje tingullin e saj duke e tërhequr zvarrë për ta theksuar sa më shumë.
E jëma nguli këmbë të hynin, e bija sërish refuzoi. Këtë herë Hana shpjegoi mosdashjen e saj. Ato duhej të shkonin vetëm atje ku kishte gazeta dhe t’i blinin të gjitha datat. Kjo qe porosia e marrë. Para me vete kishin sa për to. Në kamp ruanin në një kuletë më shumë, por edhe këto qenë vetëm sa për të blerë, në rast sëmundjeje të papritur, ilaçe.
Por Advija nuk u dha. U bë kokëfortë. Duhej të hynin në atë dyqan lodrash patjetër. Këto çaste pranë tyre kaloi një italian dhe i ndali hapat. I pyeti se çfarë gjuhe po flisnin. “Jemi shqiptarë, u përgjigj italisht Avdija, të ardhur këtu pak ditë më parë”. “Çfarë po ndodh mes ju të dyjave?”, u kuriozua tjetri. Pastaj priti me buzë në gaz shpjegimin. Kur e dëgjoi u shpreh i habitur: “Më falni që ju bëra kaq shumë pyetje, por deri tani kisha parë fëmijë që duan me këmbëngulje, madje duke i tërhequr zvarrë prindërit, të hyjnë në dyqanet e lodrave dhe këta që rezistojnë të mos ua plotësojnë tekat. Për herë të parë po shoh një rast të kundërt, ju doni të hyni ndërsa vajza juaj jo!”
Italiani pas kësaj iku në punën e vet, kurse Advija dhe Hana më tej, në ndonjë dyqan ku duhej të kishte gazeta. Pasi i blenë dhe me to u mbush një çantë e madhe dore, ndërsa tashmë duhej të merrnin rrugën e kthimit, Hana pa si e jëma i ndali këmbët para një dyqani të vogël kinkalerie. U bë gati t’i kujtonte se nuk kishin aq para sa të blinin ndonjë gjë tjetër, kur instiktivisht vendosi të mos nxirrte nga goja asnjë fjalë.
Advija i tha shitësit nëse kishte shirita të hollë me ngjyrë të kuqe dhe të zezë. Tjetri pohoi. Atëherë ajo zgjodhi dy topa të vegjël, secila me shiritin përkatës, si edhe një kuti me gjilpëra me kokë.
Atëherë Hana e pyeti se mos e jëma kish ndërmend t’i qepte ndonjë fustan nga ato shumë të bukurat, siç e kishte për talent të vërtetë t’i bënte herë pas here. Të shoqit Advija ia delte t’ia rregullonte këmishat e përdorura dhe të ngrëna tek jaka apo në fund të mëngëve, duke i shndërruar në pothuaj krejt të reja.
Këtë herë qe radha e të jëmës të shqiptonte një “jo”, por gjithsesi nuk e shpjegoi arsyen e asaj blerjeje të çuditshme. Sa u kthyen në kamp ajo e uli Hanën pranë vetes dhe i tregoi si të priste dy shiritat kuq e zi edhe t’i kryqëzonte pastaj me një gjilpërë me kokë.
Doli imazhi i flamurit kombëtar.
E nesërmja qe data 28 nëntor.
Që në mëngjes, herët madje dhe ndonjë ishte ende në gjumë, Hana shkoi nëpër dhomat e shqiptarëve edhe u uroi Ditën e Flamurit. Pastaj gjithësecilit ua nguli mbi tesha, në gjoks, dy shiritat kuq e zi të kryqëzuara. Shumë prej tyre përloteshin. E puthnin. Qante edhe e vogla. Kur e pati nisur për këtë veprim lotët nuk i ndaleshin mbi mollzat e faqeve as Advijes.
Ishte një festë e bukur ai 28 nëntor 1944, por në një kohë të hidhur.
Qe pa atdheun e tyre”.
(Ky botim bëhet në kujtim të përvjetorit të vdekjes së Ali Këlcyrës, ndodhur në 24 shtator 1963 fare papritur dhe pa pasur më parë asnjë problem shëndetësor. Në fotot shoqëruese èshtè edhe njè pamje nga ceremonia e varrimit, e cila u krye në Romë në mesditën e 26 shtatorit 1963).
Ylli Polovina
Tiranë, më 24 shtator 2017
Version i printueshem
Faqja paraardhese |
|
|