Ylli Polovina in italiano
VENDLINDJA KU JETOJ DHE PUNOJ QYTETI I DY VAJZAVE TË MIA
PUBLICITIKË

HAJRI HIMA LIBRI “AMBASADOR NË BALLKAN” I YLLI POLOVINES, KONTRIBUT I VYER PËR KOHËN
”REPUBLIKA E SHTATË”
“AMBASADOR NË BALLKAN”
“LOTËT E SORKADHES”, botimi i dytë
LOTËT E SORKADHES
Artikuj të tjerë .....



kërkoni në këtë faqe



S'AFËRMI
MIRËSEVINI

FILIP KASTRIOTI, NJË TELEGRAM URIMI PËR ISMAIL QEMALIN


(Botuar në gazetën “Illyria”, Nju jork, me 20 shtator 2017)

Shkrimi i parë i ciklit

Shpallja e vetëpavarësimit shtetëror të shqiptarëve nëpërmjet Ismail Qemalit dhe një kuvendi, me të deleguar prej të gjitha hapësirave etnike, të mbajtur solemnisht dhe me guxim në Vlorë në 28 nëntor 1912, shkaktoi edhe entuziazmin e pasardhësve të Gjergj Kastriotit, të vendosur në Itali që kur këtu, në maj 1468, emigroi bashkëshortja e tij Donika bashkë me birin e tyre të vetëm, Gjonin.
Siç autori i këtyre rradhëve ka mundur ta paraqesë në tri librat e tij për pasardhësit e kryeheroit tonë kombëtar (“Gjysma e harruar e Skënderbeut”, “Gjon Muzaka i Beratit përballë Skënderbeut”, “Si u mbajtën të fshehur pasardhësit e Skënderbeut”), pas vdekjes së stërmbesës së tij, Jerinës, juridikisht dera e Kastriotëve u mbyll. U shua, siç shprehet zakonisht me këtë rast.
Por Ferrante, nipi i Skënderbeut, i ati i Jerinës, arriti t’i bëjë të njohur dhe Mbreti i Napolit t’u jepte tituj fisnikërie edhe djemve që ky pati jashtë martese. Kjo iu lehtësua sepse edhe vetë monarku i Napolit, mik shumë i ngushtë i Kastriotëve, Ferdinanti, qe vetë djalë jashtë martese i të atit të vet, Alfonsit, mbështetësit të madh të Skënderbeut.
Kështu ndodhi që pas vdekjes së Jerinës e vijuan trashëgiminë jo juridike, por natyrale (siç emërtohet në këto raste) pesë degëzime. Me kalimin e shekujve tre prej tyre u shuan dhe sot janë aktive vetëm dy: dega e Leçes dhe ajo e Napolit.
Pikërisht prej përfaqësisë së këtij degëzimi të fundit në 6 dhjetor 1912 iu dërgua “Ismail Kemal bey (albania), Vallona” një telegram urimi prej Filippo Castriota Scanderbeg.
Poshtë emrit të tij ka vendosur adresën e banimit në Napoli: Santachiara 51. Me sa duket këtë ditë ka marrë vesh lajmin e pavarësimit të Shqipërisë.
Me një shkrim shumë të qartë e të bukur Filipo shkruan: “Plandendo gloriosa impresa esprimo sensi profonda cordialissima ammirazione” (“I entuziazmuar nga sipërmarrja juaj e lavdishme ju shpreh ndjenjat më të thella të një admirimi të përzemërt”).
Filippo në pemën gjenealogjike të Kastriotëve, dega e Napolit, shënohet se ka qenë baron në Kasteluço (Castelluccio). Pati lindur në 12 gusht 1863 dhe ndërruar jetë në 8 prill 1936. Pas martesës në 26 janar 1890 me Matilde de Liguoro, familje lokale fisnike, nga që kjo vdiq, gjashtë vite më pas vuri kurorë me të motrën e saj Anna.
Tërheqim vëmëndjen e lexuesit me një fakt plotësues për çfarë paraqitëm më sipër. Pas më shumë se tri javësh nga dërgimi i telegramit përshëndetës, në 29 dhjetor 1912 Kastriotët e degës së Napolit bënë një dukje publike të rëndësishme. Në faqen 610 të botimit Nr. 52 të revistës së përjavshme mjaft të njohur “L’Ilustrazione Italiana”, me titullin “Pretenduesit për fronin shqiptar”, mes katër emrave të mundshëm për t’u shpallur princërit (ose mbretërit sovranë) të Shqipërisë së porsashpallur shtet i pavarur, përkrah “Ismail Qemalit, kryeministri aktual” si edhe princit egjiptian me origjinë nga viset tona Ahmed Fuad Pasha, gjenden edhe dy Kastriotë.
I pari është Filippo. Këtu përshkruhet si baron i Fosaçekës (Fossaceca), çfarë qe e vërtetë. Këtë kohë i pari Kastriot i degës së Napolit i ruante të dy titujt baronalë.
I dyti Kastriot kandidat për fronin e principatës shqiptare, shkruan ’’L’Ilustrazione Italiana“, është Giovanni Castriota Scanderbeg, markez i Auletës, “capo dell’attuale casa Scanderbech” (kreu i tanishëm i familjes).

(Vijon cikli)

Ylli Polovina

Tiranë, më 17 shtator 2017

Version i printueshem
Faqja paraardhese

LIBRAT

Libra të tjerë .....

LIBRI I FUNDIT
Image Title Here




LIBRA TË TJERË
Kontakt: ylli@yllipolovina.com © 2007-2017 yllipolovina.com Webmaster: taulant@topciu.com