Ylli Polovina in italiano
VENDLINDJA KU JETOJ DHE PUNOJ QYTETI I DY VAJZAVE TË MIA
PUBLICITIKË

HAJRI HIMA LIBRI “AMBASADOR NË BALLKAN” I YLLI POLOVINES, KONTRIBUT I VYER PËR KOHËN
”REPUBLIKA E SHTATË”
“AMBASADOR NË BALLKAN”
“LOTËT E SORKADHES”, botimi i dytë
LOTËT E SORKADHES
Artikuj të tjerë .....



kërkoni në këtë faqe



S'AFËRMI
MIRËSEVINI

Profesor Ramadan Sokoli
Foto: Profesor Ramadan Sokoli
Me puth patriarkun e shqiptarizmes, Ramadan Sokolin!

“Korrieri”, 24 nentor 2006

E megjithatë, edhe pse kishte kaluar tre operacione për të mposhtur një sëmundje të ligë, gjatë gjithë bisedës telefonike zëri i Dom Gjergj Gjergjit nuk u vyshk asnjëherë nga lodhja. Gjendej në shtëpinë e tij në Kosovë, Stubëll e Epërme e Vitisë. Prifti pasionar katolik, autor i shumë librave për lidhjet e forta të shqiptarëve me krishtërimin, ishte tërhequr si heremit në vendlindjen e vet. Nuk ishte vetëm sëmundja që e kishte bërë të linte shërbesën fetare. Ishte vetë mënyra se si i kishte kaluar ato mbi gjashtë dekada. Dom Gjergj Gjergji (Gashi) është një antikonformist i madh. Nuk ka dëshiruar kurrë të jetë jo vetëm puthadorës, por as oportunist. Nuk ka ditur kurrë të bënte lepe-peqen për gjëra që vetë nuk është dakort. Mëdyshjen apo dyzimin Dom Gjergj Gjergji nuk e ka pjesë të genit të tij. Njerës të padyzuar si ai nuk janë të shumtë, ca më tepër ata nuk janë të paktë kur jeta ta sjell e rrokullis fatin nëpër duart e vrazhda të regjimeve apo ideologjive të forta. Në kohë sllobodanësh apo bolshevikësh të këtij lloji ka që e roitin qendresën. Veç mes këtyre nuk mund ta gjesh kurrë priftin dhe studjuesin kosovar që kur shërbeu në Kishën e Shën Katerinës në Pejë banesën e tij e ktheu në muze të traditës nacionale. Një besimtar dhe ushtrues i një feje në një demokraci mund ta zgjidhë si të dojë raportin e tij të besimit me kombin. Ka që janë patriotë të mirë, por kur u duhet të mbajnë njerën anë, zgjedhin të parën fenë e tyre. Ka të tjerë që e duan me gjithë shpirt fenë e tyre, por kur fjala bie nëse është besimi i pari apo kombi, janë për këtë të fundit. Dom Gjergj Gjergji është ai prift dhe dijetar shqiptar që mbi fenë vë kombin. Eshtë fundi i nentorit 2006 dhe ai ka mbetur mirëfilli një rilindas. Vetëm te ata “feja e shqiptarit është shqiptaria”.
Kujtuam për një çast në atë telefonatë të pak ditëve më parë një njohje që kishim patur mes njeri-tjetrit në vitet 1999-2000, kur Dom Gjergj Gjergji ishte prift në Italinë e Jugut, në Melisa të provincës së Krotones dhe më dërgonte fragmente nga studimet e tij për deshifrimin e vulës së Gjergj Kastriotit, të përkrenares dhe të shumë simboleve dhe objekteve të heroit tonë kombëtar. Ai ka botuar disa libra e megjithatë i bëjmë të ditur lexuesit se emrin Skenderbej ai ka dëshirë përherë ta shkruajë Scendarbi, ku rrenja e fjalës Arbëri në pjesën e dytë të fjalëformimit duket sheshazit. Shtatë vite më parë, më 1999, tamam si në këto kohë, në prag të 28 nentorit, Dom Gjergj Gjergji më dërgonte një nga letrat e tij, e cila niste dhe mbyllej me urimin për Festën e Flamurit. Këtë urim kishte edhe pak ditë më parë. Veç që nga Stubëll e Epërme si dëshirë të fundit të atij kuvendimi në telefon ai kishte edhe atë, të cilën e shprehu saktësisht kështu: “Më puth patriarkun e shqiptarizmës, Ramadan Sokolin!”
Në një Ditë të Flamurit ai mesazh i një prifti të mençur nga Kosova për një muzikolog dhe dijetar të spikatur nga Shqipëria, është më tej se aq. Këtu nuk është fjala se i pari është katolik dhe i dytë i besimit mysliman. Shqiptarët miqtë më të ngushtë i zgjedhin ndër besime fetare të tjera. E veçanta që e vlen të ravijësohet pak çaste para herës së nëntëdhjetë e katërt që populli dhe kombi ynë feston ngritjen e flamurit të pavarësimit ka të bëjë me një rrethanë. Dom Gjergj Gjergji dhe Ramadan Sokoli janë bërë miq të pandashëm që prej çastit kur i pari mori vesh se bashkëkombasi i tij nisi betejën e madhe të mbrojtjes së Niketë Dardanit. Në gjysmën e dytë të viteve tetëdhjetë të shekullit të shkuar për këtë emër të shquar të historisë së krishtërimit pati mjaft ndërhyrje që t’ja tjetërsonin kombësinë, duke thënë se ishte rumun, grek apo njëqind për qind serb. Mirëpo Niketë Dardani, kompozitori i “Te Deum Laudamus”, himnit të krishtërimit katolik, i cili për qindra milionë njerëz në të gjithë botën ekzekutohet të paktën çdo të dielë në Meshën e Madhe, ishte shqiptar. Agresioni kundër tij nuk ka qënë më pak i padrejtë se (përshembëll) robërimi i Kosovës. Prapsja e tij po ashtu nuk ishte më pak se çlirimi i saj. Duke u dhënë këtë peshë të dy ngjarjeve nuk duam aspak të zbehim madhështinë e të dytës e sidomos gjakun e derdhur. Dëshirojmë vetëm të spikatim madhërinë e së parës. Jo ne, kombësia me vetëm shtatë apo tetë milionë njerës, por popujt shumë të mëdhenj e të fuqishëm në këtë botë që po globalizohet e përthith, luftojnë për identitetin e tyre. Niketë Dardani është një nga themelet më të forta të kombit tonë. Dhe kur nga Vitia e Kosovës studjuesi Dom Gjergj Gjergji pasi luftoi me sëmundjen dhe vetë vdekjen dhe e mundi, i dërgon Tiranës mesazhin “Ma puthni partiarkun e shqiptarizmës, Ramadan Sokolin!” e ka fjalën për veprën e madhe dhe të pashoqe të tij për mbrojtjen e identitetit kombëtar shqiptar të Niketë Dardanit. Ky mision që do të vlente një film artistik mbresëlënës si “Udha e Shkronjave”, u krye nga Ramadan Sokoli në fund të viteve tetëdhjetë. Që nga viti 1944 pa mundur të dalë dot jashtë vendit e të grumbullojë materialisht të gjitha dokumentat e mundshme muzikologu ynë i ditur, nëpërmjet miqve të tij jashtë, e plotësoi dosjen për të përballuar këtë “gjyq” të madh e historik. Më pas duke tërhequr në luftën e tij të pazakonshme edhe të parin e atëhershëm të vendit, Ramiz Alinë, u përgatit nga Kinostudio edhe një dokumentar. Në krah të Ramadan Sokolit këto çaste doli edhe Ismail Kadare, duke mundësuar botimin në frengjisht (“Les Letres Albanaise”) dhe pastaj përhapjen e studimit të tij mbrojtës për Niketë Dardanin. Dhe Ramadan Sokoli triumfoi: në vitin 1991 doli dekreti papnor që konfirmonte përfundimisht kombësinë shqiptare të njërit prej emrave të parë të historisë kulturore të krishtërimit dhe një nga themeluesit e kësaj kulture. Niketë Dardani (340-414), teolog, vjershëtor dhe muzikant, është shqiptar Kosove. Ai ka lindur në Ramesianë të Dardanisë, hapësirë shqipfolëse midis Prishtinës dhe Nishit. Ja përse para se më 1999 të ndodhte çlirimi teritorial i Kosovës nga pushtues me armë kishte qënë Ramadan Sokoli që kishte paraprirë me çlirimin e identitetit të saj dhe të të gjithë kombit nga ozurpatorë me laps.
Kur Dom Gjergj Gjergji dërgon mesazh “Më puthni patriarkun e shqiptarizmës, Ramadan Sokolin!” ka parasysh edhe një betejë tjetër të muzikologut të nderuar tashmë tetëdhjetë e gjashtë vjeçar: atë për Jan Kukuzelin. Për bashkëkombasin tonë nga Durrësi (1078-1088) kishin ndërmarrë një aksion total fqinjët tanë të jugut për t’i helenizuar rrenjët. Jan Kukuzeli për nga rendësia në kulturën e krishtërimit ortodoks është pothuaj si ai i Niketë Dardanit për kulturën e krishterë katolike. Kukuzeli jo vetëm njihet botërisht si kompozitari dhe kengëtari më i madh i Kostandinopojës në shekullin e vet, por ai është edhe shpikësi i një nocioni muzikor që u përdor për disa shekuj në muzikën kishtare bizantine.
Autor i njëzetë librave në njërin prej tyre, “16 shekuj”, Ramadan Sokoli evidenton dhe argumenton qënësinë shqiptare për dhjetra e dhjetra figura të ndritura. E nënvizojmë këtë për të nxjerrë në pah se dy misionet e tij të mëdha për Niketë Dardanin dhe Jan Kukuzelin janë pjesë jo vetëm të një vepre studimore, por edhe të një bëmë të ndritur patriotike. Se si ka ngjarë që një dijetar i besimit mysliman ka luftuar për të mbrojtur identitetin shqiptar të dy prej themeleve të kulturës së krishterë ndoshta vetëm në Shqipëri mund të ndodhë. Ka mijra e mijra prova të mëdha që konfirmojnë këtë bashkëjetesë e bashkëpunim mes tre feve tona, veç kjo e muzikologut Ramadan Sokoli është pak për t’u shkruar në një monument në sheshin më të madh të Shqipërisë apo Kosovës.
Dom Gjergj Gjergji (Gashi) ndoshta këtë gjë kishte parasysh kur e quajti patriark të shqiptarizmës. Dhe që t’i shkojmë gjer në fund kësaj të vërtete na duhet patjetër t’i kujtojmë lexuesit se Ramadan Sokoli ka patur gjysh Hodo Pashë Sokolin, mbrojtësin legjendar të Hotit e Grudës, pashanë me uniformë turke, që e xhveshi atë dhe u shpall komandant i trupave të Lidhjes së Prizrenit për qytetin e Shkodrës dhe rrethinat. Osmanët më pas e burgosën dhe e internuan në Armeni, ku edhe vdiq. Të tre nipërit e tij, Ibrahim, Hodo dhe Ramadan Sokoli, me vendosjen e regjimit komunist u arrestuan dhe u dënuan me burgime të gjata 24 dhe 26 vite. Muzikologu bëri pesë vite birucë. E motra, Safete Sokoli, një kengëtare me zë të mrekullueshëm, kaloi në qeli 6 vite të mundimshëm. Në rast se për një çast bëhemi disi “konservatorë” për vijimësinë mashkullore të dyerve të ndritura të kombit, për turp të turpeve diktatura që kërkonte të fabrikonte “njeriun e ri”, e mbylli atë. Ibrahimi kur doli nga qelia lidhi me një bijë nga Dostët, por tashmë ishte i moshuar. Shumë vonë për t’u martuar ishte edhe për Hodon. E arrestuan pak ditë para se të bënte dasmën. Ramadan Sokoli me të mirën dhe të paharruarën e tij, Lilin, lindën vetëm dy vajza.
Në këtë luftë për ta shkretuar këtë familje të shquar duhet të kesh forcë të madhe qendrese dhe një shpirt të paepur atdhetar, duhet të jesh me të vërtetë një patriark e demon mirësie të ringrihesh e t’i bësh shërbesë të vyer kombit. Shërbesë? Ajo që ka bërë Ramadan Sokoli nuk ka fjalë që ta përshkruajë. Ose kërkoni në fjalorin e gjuhës shqipe mos gjeni ndonjë të përshtatshme! Unë gjeta “vetflijim” dhe m’u duk fare pak.

Ylli Polovina

Version i printueshem
Faqja paraardhese

LIBRAT

Libra të tjerë .....

LIBRI I FUNDIT
Image Title Here




LIBRA TË TJERË
Kontakt: ylli@yllipolovina.com © 2007-2017 yllipolovina.com Webmaster: taulant@topciu.com