|
TË TJERA HOLLËSI MBI TAKIMIN E KRISTAQ RAMËS ME FAMILJEN POPAJ
(Botuar në gazetën “Panorama” në 12 shtator 2017)
Dje “Panorama”, referuar një emisioni televiziv të gazetarit Roland Qafoku, i paraqiti lexuesit një dokument autentik të një raportimi të Kristaq Ramës për takimin e tij me përfaqësues të familjes Popa, strehuar nëpërmjet arratisjes politike, në selinë e ambasadës italiane në Tiranë.
Këtij veprimi shumë të dobishëm të kolegut do të mundohemi t’i shtojmë edhe lëndë tjetër informative, e marrë kjo shumë kohë më parë nga arkivi e Ministrisë së Punëve të Jashtme.
Përveç se Skulptor i Popullit këtë kohë Kristaq Rama qe edhe deputet i Kuvendit Popullor për rrethin e Durrësit, po ashtu edhe kryetar i Komisionit për Kulturën dhe Artet i këtij institucioni.
Shtypi italian, veçanërisht ai i Vatikanit
Sipas një informacioni që Drejtoria e Tretë në Ministrinë e Punëve të Jashtme në Tiranë, hartuar në 8 shkurt 1987, të titulluar “Rreth qëndrimit publik që u mbajt në Itali dhe në botë lidhur me gjashtë qytetarët shqiptarë”, mes të tjerash thuhet: “Provokacioni doli publikisht kur gazeta italiane “Il Giornale” tetë ditë pas ngjarjes botoi artikullin e parë për këtë çështje....Mbas këtij shkroi gjërësisht shtypi italian dhe shtypi e agjencitë e lajmeve të shumë vendeve të tjera. Fundi i dhjetorit 1985 dhe janari i vitit 1986 ishte koha kur pati më shumë shkrime e lajme të ndryshme lidhur me këtë çështje.
Nga këto shkrime vihet re sa vijon:
Në Itali: Për këtë provokacion shkruajtën mbi 65 organe shtypi si “Repubblica”, “Corriere della Sera”, “La Stampa”, “Il Messaggero” pa llogaritur lajmet e dhëna nga radiotelevizioni italian. Të gjithë ishin artikuj të cilët, ndonëse me nuanca të ndryshme, i bënin thirrje qeverisë italiane që të respektojë të ashtuquajturat të drejta të njeriut, t’u japi të gjashtëve strehim politik etj. Gazeta “Il Giornale”, e cila vazhdon të shkruajë herë pas here edhe tani për këtë çështje, karakterizohet nga qëndrimi krejtësisht fashist kundër vendit tonë. Kurse gazetat e tjera të mëdha sugjerojnë që të gjendet një zgjidhje në përputhje me parimet e mbrojtjes së “të drejtave të njeriut” si edhe në kuadrin e marrëdhënieve miqësore që ekzistojnë midis dy vendeve (“La Repubblica”). Thuhet gjithashtu që “Italia e madhe nuk do dhe nuk mund t’i lejojë vetes asnjë prepotencë, por as duhet të jetë e gatshme që ta shndërrojë flamurin e të drejtave të njeriut në një leckë”. Nuk mungojnë edhe të tilla: “Marrëdhëniet ekonomike apo tregtare po qe nevoja do të sakrifikohen” (“La Repubblica”). Por fryma e përgjithshme e artikujve përshkrohet nga ideja që zgjidhja e incidentit të bëhet nëpërmjet bisedimeve e të një kompromisi midis dy palëve.
Shtypi i Vatikanit, ashtu sikurse edhe gazeta “Il Giornale” u bën thirrje “njerëzve të kulturës katolike e laike” që të shpëtojnë jetën e Popajve dhe, nga ana tjetër ushtron presion mbi qeverinë italiane duke e quajtur këtë rast si një “bankë prove”për të treguar aftësinë e saj që të dëgjojë e të ndihmojë të burgosurit e priftërinjtë që janë akoma në burg” (gazeta “Avenire” dhe revista “Prospetive nel mondo”).
...Kjo duket edhe në veprimet konkrete që ndërmori organizata fetare “Aleanca Katolike” si mitingje, peticione, lutje në kisha etj. Në këto veprimtari ajo bashkëpunoi gjerësisht me organizatën “Konferenca Ndërkombëtare e Rezistencave në Vendet e Pushtuara” (CIRPO) në të cilën bën pjesë edhe i ashtuquajturi “Bashkimi Kombëtar i Shqiptarëve” (të arratisurit politikë shqiptarë). Veprimtaritë e tyre, sado që nuk arritën të përfshijnë në asnjë rast masa relativisht të gjëra, gjetën jehonë në “Il Giornale” e në gazeta të tjera të së djathtës ekstreme. Në këto veprimtari u aktivizuan në fillim edhe disa klerkë arbëreshë, të cilët më pas nën presionin e opinionit pozitiv arbëresh, e kufizuan së tepërmi këtë veprimtari.
Pas këtyre artikujve e aktiviteteve të fillimit të muajve të parë të vitit që shkoi, nuk mund të thuhet që kjo fushatë në shtyp vazhdoi. E vetmja gazetë që ka folur herë pas here duke e mbajtur ngritur problemin ka qenë “Il Giornale”.
Me rastin e kapjes së tetë peshkatarëve në janar të këtij viti shtypi italian u tregua tepër i ndjeshëm. Në disa artikuj nuk u mungua të bëheshin hamëndësira se mos ne e përdornim këtë rast për t’i shkëmbyer tetë peshkatarët italianë me gjashtë qytetarët shqiptarë. Gazeta si “La Repubblica”, “Il Giornale” etj nënvizuan se “prapa peshkatarëve të arrestuar fshihet një qëndrim hakmarrës i Shqipërisë” dhe se “mbase është një lidhje me rastin e vëllezërve Popa...”
7 janar 1987
Takimi Kristaq Ramës me familjen Popaj në mjediset e ambasadës italiane në Tiranë ka një histori të tërë përtej ditës së kryerjes, 23 janarit 1987. Sipas një informacioni të diplomatit të rëndësishëm në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Shqipërisë, Piro Bita, kryer në 7 janar 1987, atë ditë, në orën 8.00, ai pati thirrur në Ministri të Ngarkuarin me Punë a.i. të ambasadës së Republikës Italiane Patrizio Fondi, të cilit mbasi i pati uruar Vitin e Ri, i kishte komunikuar: “Deputeti i rrethit të Durrësit në Kuvendin Popullor, Kristaq Rama, i cili është edhe kryetar i Komisionit për Kulturën dhe Artet, dëshiron të takohet me gjashtë qytetarët shqiptarë që ndodhen në ambasadën italiane. Dëshira e tij është që ky takim të bëhet shpejt”.
“P. Fondi mbasi dëgjoi sa më sipër, thuhet në raportin e Piro Bitës, tha se këtë çështje do t’ia transmentojë MP Jashtme dhe se ai nuk sheh pengesë për këtë takim. Ai shtoi se e njeh K. Ramën, e ka takuar në një pritje në ambasadën egjiptiane dhe se është një skulptor i njohur që ka punuar monumentin “Partizani” etj. I thashë se është një skulptor i shquar e personalitet i njohur shoqëror.
I ngarkuari me punë a.i. italian në formë pyetjeje shprehu mendimin se K.Rama do të bisedojë me të gjashtët për shkakun që i bën ata të mbajnë atë qëndrim.
Ju përgjegja P. Fondit se nuk e di me saktësi çfarë do të bisedojë shoku K.Rama, por sigurisht çështja ka të bëjë me zgjidhjen e problemit të të gjashtëve...Tani në vendin tonë zhvillohet fushata e zgjedhjeve të deputetëve...dhe kandidatët për deputetë, sipas rregullave, marrin kontakte të gjëra me popullin. Duket se në këtë takime që ka patur deputeti Kristaq Rama (i cili është propozuar përsëri si kandidat për deputet në rrethin e Durrësit) ka dalë problemi i gjashtë qytetarëve shqiptarë, që janë banorë të këtij rrethi dhe ai dëshiron të flasë vetë me ta.
I ngarkuari me punë a.i. P. Fondi përsëriti se nuk ka asnjë problem që të mos bëhet ky takim. Nesër, tha ai, do të vijë ambasadori Xhentile dhe do ta bisedojë me të këtë çështje, por që sonte do të lidhet me MPJ për të transmentuar këtë kërkesë. Ai pyeti në se deputeti Kristaq Rama i njeh personalisht gjashtë “refugjatët”. Ju përgjigja se shoku K. Rama është nga Durrësi, ashtu si edhe ata, e ka mundësi që t’i njohë. Me ndonjë prej tyre ai është edhe moshatar e mund ta kenë kryer shkollën bashkë...
P. Fondi tha se përfiton nga rasti për të shtruar një problem që nuk ka të bëjë me familjen Popa. Më 5 gusht ambasada italiane ka dërguar një notë verbale, me anë të të cilës kërkon që pala shqiptare të mbështesë kandidaturën italiane për në gjykatën ndërkombëtare të Hagës. Ai falënderoi që pala shqiptare ka mbështetur kandidaturat italiane në raste të tjera, si në Këshillin e Sigurimit të OKB etj. Prandaj, tha ai, duke u mbështetur në këtë praktikë tradicionale, qeveria italiane e konsideron të rëndësishme përkrahjen e Shqipërisë edhe për këtë kandidaturë dhe e quan atë çështje prestigji. U lut që të ketë përgjigje.
I thashë se nuk kam dijeni për këtë kërkesë dhe se do të bisedoj me drejtorinë që merret me këtë çështje”.
23 janar 1987, “La Stampa” është optimiste
E vëmë në dijeni lexuesin se misioni i Kristaq Ramës për t’u takuar me familjen Popa ishte pjesë e një zinxhiri të tërë takimesh me këta të arratisur politikë, ku nuk munguan deri edhe grupe parlamentare italiane. Qëllimi ishte të zgjidhej ky incident mes dy vendeve me qëllim që të çliroheshin raportet mes Shqipërisë dhe Italisë, të cilat para se të ndodhte kjo ngjarje qenë në rritje të vijuar dhe pastaj, në pesë motet e pranisë së Popajve në selinë e ambasadës në Tiranë, ngrinë në vend dhe u tkurrën në mënyrë të rëndë.
Siç dihet të dy palët nuk ranë dakord veçanërisht për shkak të qëndrimit dogmatik ideologjik të palës sonë dhe koha e zhvillimeve në lindjen komuniste drejt rënies së Murit të Berlinit dhe shoqërive të hapura, bëri që më në fund të triumfojë edhe e drejta e natyrshme e Popajve për të emigruar jashtë, në Perëndim, kahje lëvizjeje që ata e theksonin vazhdimisht.
Ndërkohë e informojmë lexuesin se ditën kur u zhvillua, në orën 10.00, në prani të ambasadorit italian Karlo Xhentile, takimi i Kristaq Ramës me dy përfaqësues të familjes Popa, gazeta italiane “La Stampa” pati botuar shkrimin “Popajt së shpejti të lirë”. Nëntitulli qe “Gjashtë vëllezërit e motrat do të mund të ikin nga ambasada jonë në Tiranë”.
Në shkrim thuhej: “Romë-Trembëdhjetë muaj pas hyrjes ilegale në ambasadën italiane, për vëllezërit e motrat shqiptare Popa, të strehuar si të arratisur në përfaqësinë tonë diplomatike, po afrohet një zgjidhje. Bisedimet midis Farnezinës dhe qeverisë së Alisë duket se po arrijnë në një çast vendimtar.
Akile, Nikola, Ileana, Irena, Zhaneta e Ermioni, këto janë emrat e të strehuarve, do të mund të largohen nga Shqipëria pas bisedimeve diplomatike, po qe se qeveria e Tiranës do të heqë dorë nga quajtja e tyre fajtorë ashtu si edhe babai i tyre, Moisi, farmacist (i diplomuar në Napoli) për bashkëpunim me fashizmin në kohën e pushtimit italian. Të gjashtë vëllezërit e motrat janë strehuar në përfaqësinë tonë në Tiranë, qysh nga 12 dhjetori i vitit 1985, Ata gëzojnë një sistemim të përshtatshëm nga të gjitha pikëpamjet, na kanë konfirmuar nga ambasada: shohin televizionin italian, lexojnë gazetat e librat e bibliotekës sonë, janë të strehuar në një krah të ndarë të vilës”.
Vijon më tej “La Stampa”: “Optimizmi që ndihet qysh prej pak ditësh në Tiranë rrjedh nga mënyra si u mbyll ngjarja me anijen e peshkimit të Otrantos. “Lirimi i ekuipazhit, thotë në telefon ambasadori Karlo Xhentile, tregon korektësinë e qeverisë shqiptare. Unë jam diplomat, besoj në bisedimet e në miqësinë midis dy vendeve. Rasti është i vështirë, por besoj se mund të zgjidhet”.
“Kujdesi i Xhentiles lë të nënkuptohet, shkruan “La Stampa”, punën e heshtur për një zgjidhje që do të mund t’i lejonte të gjashtë Popajt që të zgjedhin rrugën e Perëndimit, siç ka bërë vëllai i shtatë, Rolandi, i arratisur në 1952”.
Skedat pa datë dhe udhëzimet e ashpra të ministrit të Jashtëm Reiz Melile
Në arkivin e MPJ në Tiranë ka një lëndë shkrimore të datuar në 23 janar 1987. Mjaft rrethana, sidomos disa skeda të mbushura me shkrim dore dhe të padatuara, e bëjnë shumë të dyshimtë kohën e hartimit të këtij materiali, më pas të daktilografuar. Patjetër ai është thurrur më parë, të paktën më 22 janar. Lënda ka disa udhëzime të ministrit të Jashtën Reiz Malile se si duhet të përgjigjet gjatë takimit Kristaq Rama në rrethana kundërpyetjesh të ndryshme të familjes Popa.
Në krye të tekstit të skedave me shkrim dore, por të daktilografuara tashmë në një fletë A4 të përthyer mëdysh, me një si laps-stilo, shumë majë hollë, janë shkruar këto fjalë: “Shënim. Teksti i bisedës të sh. Kristaq Rama me armiqtë Popaj që mbahen në ambasadën italiane”.
Firma tepër e kuptueshme: Reiz Malile. Pastaj ka një vizë dhe poshtë është vënë data 23.1.87.
Ndërkohë që takimi i Ramës me dy përfaqësuesit e Popajve u krye tek zyra e ambasadorit Karlo Xhentile po këtë ditë në orën 10.00, vërtet i dërguari Rama i ka marrë udhëzimet po këtë ditë të 23 janarit para kësaj ore?
E vëmë në dijeni lexuesin se në fletën e parë të daktilografimit të skedave nuk ka asnjë korigjim, por në të dytën janë disa ndërhyrje, patjetër të ministrit Malile. Pas tekstit “...ne shqiptarët kurrë nuk lozim dhe askujt s’i bëjmë lëshime, vijon i daktilografuar teksti, i futur më pas në kuadrat me të njëjtin stilo majëhollë, “A ju kujtohet historia me jugosllavët, me sovjetikët apo me kinezët? Kur ata deshën të marrin nëpër këmbë sovranitetin tonë, as për ata ne nuk pyetëm”. Reiz Malile në anën e djathtë të këtij teksti porosit: “Kjo pjesë na tha Sh. Ramiz, të mos thuhet”.
Ndërhyrja tjetër e ministrit të Jashtëm Shqiptar është një paragraf më pas, në vazhdim të tekstit “përfitimi nga aministia nuk është pakufi”. Këtu Malile shënon: “Unë jam interesuar pranë organeve juridike dhe jam informuar se efekti i amnistisë ndoshta nga muaji mars mbaron”. Në tekstin e daktilografuar qe shkruar e pastaj prishur nga Malile se ajo amnisti skadon në 1 mars.
Ndërkohë ka një fletë të katërt, së gjëri, ku është shkruar “Në qoftë se ata tregohen agresivë dhe shprehen me fjalë armiqësore të ashpra ndaj (teksti në vazhdim nënvizohet-shënimi ynë) shtetit tonë ose vetë Kristaqit (këtu ndërpritet nënvizimi), ky me qetësi t’u përgjigjet, se nga mënyra (rifillon nënvizimi) si flisni si trajtoni dialogun dhe dëshirën e mirë për zgjidhjen e drejtë (ndërpritet nënvizimi) të fajit që keni bërë (nënvizon sërish) tregon (ndërpritet nënvizimi) që ju nuk e keni kuptuar më parë, as e kuptoni tani (nënvizohet) zemërmirësinë (ndërpritete nënvizimi) e pushtetit tonë popullor, tregon që ju jeni njerëz (nënvizohet) pa personalitet e pa moral. Megjithë këtë qëndrimi im nuk ndryshon. Reflektoni për ato që ju thashë. Tjetër rrugë nuk ka”.
Më tej Reiz Malile komandon përgjigjet e Kristaq Ramës: “Në qoftë se thonë ju na keni vrarë babën ose nënën etj. Etj. Kristaqi me qetësi t’u thotë, së pari nëna ju ka vdekur e se ka vrarë njeri. Por më mirë t’i lëmë këtë mohabete, se po të flasim për të vrarët, popullit tonë i janë vrarë 28 mijë veta nga fashistët italianë, gjermanë dhe bashkëpunëtorët e tyre. Prandaj më mirë të flasim për situatën tuaj dhe rrugët që të dilni këtej e të jetoni si qytetarë të lirë”.
Çfarë për takimin pohoi me shkrim Kristaq Rama
Më në fund, në 26 janar 1987, u plotësua dosja për këtë ngjarje, e nisur si proces në 7 janar. Në të ndodhet në gjashtë fletë, e hartuar me kaligrafi shumë të bukur, por ku në shumicën e rasteve rasteve autori nuk përdor “ë”-të, ky raportim autentik i Kristaq Ramës: “Zgjedhësit më kanë pyetur për ju dhe më kanë kërkuar t’u sqaroj drejtpërsëdrejti pozitën tonë, duke ju bërë thirrje të reflektoni.
Ju duke hyrë në ambasadën italiane keni bërë faj të rëndë. Ishit të lirë, ishit në punë. Në qoftë se kishit ndonjë ankesë ose kërkesë, kjo duhej bërë duke iu drejtuar autoriteteve të vendit e jo një shteti të huaj që (këto fjalë nënvizohen, yp) nuk ka asnjë të drejtë ligjore ndërkombëtare as t’ju japë strehim dipllomatik, as t’ju zgjidhë gjë. (ndërpritet nenvizimi, yp) Shqipëria është vend i pavarur, ajo ushtron sovanitetin e vet mbi gjithë qytetarët e saj dhe nuk i lejon askujt të përzihet në punët e saj të brendshme.
Unë dëshiroj t’ju sqaroj se (nënvizohet) Qeverija jonë (hiqet nënvizimi) ja ka bërë të qartë Qeverisë italiane që (fillon nënvizimi) nuk njeh as të drejtën e strehimit të qytetarëve tanë në ambasadën italiane, as lejon që ajo t’ju nxjerrë nga Shqipëria (mbaron nënvizimi) Zgjidhja e vetme është të dilni vetë nga ambasada dhe për të dalë jashtë Shqipërisë duhet t’u nënshtroheni rregullave të vendit si qytetarë shqiptarë që jeni.
E thashë, që duke hyrë në ambasadë keni bërë faj të dënueshëm. Megjithëkëtë (nis nënvizimi) unë si deputet (mbaron nënvizimi) ju siguroj se po të dilni vetë, të gjithë do të jenë të lirë, të jetoni e të punoni pa asnjë konseguencë për veprën që kryet. E bëjmë këtë për humanizëm, sepse kemi parasysh moshën dhe shumica jemi gra, për këtë do të ju përfshijë amnistia e shpallur, por e bëjmë edhe për të ruajtur marëdhëniet miqësore me Qeverinë italiane, dhe për fjalën që japim ne nuk presim në besë njeri.
Duke qendruar këtu në ambasadë ju po i rëndoni fajet. Marëdhëniet e Ambasadës italiane me autoritetet shqiptare janë zbehur, në mes ka hyrë mosbesimi, gjë që nuk është as në të mirën e Italisë, as të Shqipërisë. Sa më shumë zgjat kjo gjëndje më keq është.
Ju e dini se (nis nënvizimi) me sovranitetin kombëtar, me pavarësinë (mbaron nënvizimi) ne shqiptarët kurrë nuk lozim dhe askujt s’i bëjmë lëshime.
Dua t’ju them edhe se sa më gjatë të qëndroni këtu brenda në ambasadë, edhe për ju personalisht vështirësohet puna, përfitimi nga amnistia nuk është pa kufi. Ndoshta skadon nga muaji mars (kështu qe shkruar edhe më parë, por një i dytë i ka koregjuar me një stilolaps dhe kaligrafi tjetër, duke e mbajtur të njëjtën përmbajtje dhe afat-shënimi ynë). Pas kësaj nuk vepron më automatikisht amnistia, por do të veprojnë ligjet për fajin që keni bërë, dhe vetëm Presidiumi i Kuv. Popullor mund t’ju falë.
Nga ana tjetër përse të rrini këtu benda, si në burg: mosha ka halle, ka sëmundje. A i mendoni këto? Ju do ta vini në situata shumë të vështira edhe vetë ambasadën italiane, sepse, sidoqoftë ju jeni qytetarë shqipëtarë dhe për gjendjen tuaj dhe për çfarëdo që mund t’ju ndodhë, përpara autoriteteve shqiptare përgjigjet ambasada italiane që ju mban.
Mendosi seriozisht për këto që ju thashë. Dhe mendoni pa vonesë. Tani më 1 shkurt janë zgjedhjet. Atmosfera është e favorshme për të kapërcyer këtë situatë të pakëndshme.
Unë pres përgjigje nga ju, në mos sot, nesër, pasnesër, sa më shpejt që të mundeni. (nis nënvizimi) Ju theksoj se hyj unë garant për çdo gjë (hiqet nënvizimi). Në qoftë se doni, dilni që tani 2-3 nga ju. Të shihni në praktikë që ne e mbajmë fjalën. Pastaj dilni të tjerët.
Mendohuni mirë”.
Ylli Polovina
Tiranë, më 8 shtator 2017
Version i printueshem
Faqja paraardhese |
|
|