|
PROVOKUESIT SHQIPTARË TË HISTORISË KOMBËTARE DHE KROATI MILAN SHUFLAJ
(Botuar në gazetën “Panorama” më 4 gusht 2017)
Disa ditë rresht të fundkorrikut të nxehtë të këtij viti opinioni publik gjithëshqiptar u gjend nën furinë e papërmbajtur të disa deklarimeve në fushën e historisë kombëtare, të cilat një pjesë e shtypit, nxitës i paraqitjes dhe i shumimit të tyre, i quajti si “provokime”.
Me pak fjalë si mënyra pozitive për të na zgjuar prej ndonjë letargjie, dremitjeje intelektuale apo bllokimi të papritur të trurit.
Tezat gjoja shkundëse, të vjetra e të stërthëna nëpër dy, tre e më shumë njëqindvjeçarë, kishin të bënin me vetë shtyllat e kombformimit tonë: Nëna e Skënderbeut qe serbo-sllave, në luftën e tij ky qe i motivuar më shumë si i krishterë se sa shqiptar dhe se nuk është plotësisht e konfirmuar se vijmë prej ilirëve.
Me pak fjalë as nëna e kryeheroit tonë kombëtar, Gjergj Kastriotit, nuk është nga etnia jonë, por edhe vetë kjo etni është pa baba e nënë. Jetim si i thonë fjalës më të butë në kësi rastesh, sepse ka edhe të tjera, më të vrazhda dhe fyese: kur je “dobiç”.
Duhet thënë se në librat shkollorë serbë dhe dikur ish-jugosllavë (në kohë të monarkisë dhe më pas të komunizmit), as në historiografinë zyrtare të fqinjit tonë sllav (përjashto tepër rrallë ndonjë gazetë), nuk thuhet as e para, as e dyta dhe as e treta tezë.
Këto riformulohen ciklikisht dhe shpërndahen mediatikisht, si “sfida”, vetëm në Tiranë.
Kohë më parë i ka bërë këto gjeste një koleg tjetër, gjithsesi patriot i padyshimtë, shumë i ndjerë në prirjen e çmontimit të miteve të brendshme të shqiptarizmës. Ditët e fundit i kreu një tjetër koleg, atdhetar edhe ai, po ashtu publicist me talent, por që edhe si i mëparshmi, aspak historishkrues prej rradhës së profesionistëve, ku kemi mjaft të shumë ditur. Nuk janë as prej atyre që nuk e kanë këtë status zyrtar, por në historishkrim mbështeten tek dokumenti. Po ashtu edhe tek rregulli themelor etik: e shpallin një rishikim ngjarjeje apo karakteristike nacionale vetëm kur vetë, nëpërmjet mundit nëpër arkiva që deshifrohen duke ditur disa gjuhë të vjetra e të reja, gjejnë paketën e domosdoshme dokumentare që ua mbështet revizionimin, përmbysjen, “revolucionin”.
Mbetet gjest i pasjellshëm që të mbledhësh gjykime të të tjerëve dhe t’i paraqesësh se t’i ketë zbuluar mendja tënde.
Gjithsesi, për ta mbyllur këtë pjesë hyrëse të shkrimit, për të shpëtuar nga tërë kjo vapë vetëprotagonizmi që me siguri do të përsëritet shumë shpejt, kam një propozim miqësor. Kur këta “provokuesë” të botojnë ndonjë libër, siç ngjau herën e fundit, në të ardhmen mirë do të ishte të bëhej e mundur që lajmi të jepet njëlloj si për ritin e betimit të Presidentit: me dymbëdhjetë të shtëna me top.
Historianët profesionistë heshtin, por nuk është faji i tyre
Me siguri, ku më të revoltuar dhe ku më gjakftohtë, shqiptarët e gjendur përballë këtij pseudorevizionizmi të radhës, kanë vuajtur thellë në shpirt. Një njeri që di ku dhe sa e ka vendin në një popull, shoqëri dhe shtet, e ndërton jetën e tij mbi tre kolona: Nderin, Familjen dhe Atdheun. Rradhën e përparësive të tyre e zgjedh vetë. Ai nuk dëshiron që këto t’ia prekë ndokush dhe nuk e lejon veten tua cënojë të tjerëve.
Kur shpërtheu agresioni i fundit ndaj historisë kombëtare, i cili, e theksojmë, qe shumë i përdhunshëm dhe në të njëjtën kohë vanitoz, si shumë edhe unë jam ndjerë mjaft keq. Ma kanë pohuar edhe të tjerë që na ka ndodhur të mblidhemi kruspull nga dhimbja shpirtërore dhe mendore, të tendoseshim nga padurimi për të hyrë në debat e bërë rezistencë.
Sepse kjo është luftë çlirimtare për historinë kombëtare.
Prisnim të ndërhynin profesionistët, sepse historishkrimi ka autoritetet dhe penat e saj të forta. Duhej të parët të qenë ata. Veç ata heshtnin. Vepronin kështu jo sepse nuk dinin, por ngaqë druheshin mos binin në lojën dhe grackën e topshtënësit, “plakut Mere”, i cili kish hall dukshmërinë e tij publike dhe bashkuar me të, disa gazeta edhe tirazhin. Gjithsesi “larg e larg”, nga mosdurimi, e krye edhe autori i këtyre rreshtave detyrimin e vet: botoi në një të përditshme (“Shqiptarja.com), një cikël treditor shkrimesh me thjesht informacion për raportet e Skënderbeut me popujt sllavë të kohës së vet.
Kjo fillimisht u duk si e mjaftueshme, sadopak vetëqetësuese, por papritur u rishfaq në faqe të parë të disa të përditshmeve teza tjetër rishikuese e historisë kombëtare: nuk vijmë domosdoshmërisht prej ilirëve. Atëherë shpëtimin prej këtyre gurëve që na hidhnin mbi kokë e gjetëm jo tek një libër-album dygjuhësh mjaft të argumentuar të arkeologut Neritan Ceka për ilirët, as edhe një botim të profesorit të paharuar dhe kryetar Akademie, Aleks Budës, shkruar posaçërisht për etnogjenezën e shqiptarëve. As tek një botim tjetër i studiuesit Myzafer Korkuti për etnogjenezën e ilirëve. As tek botimi prestigjioz dhe më popullor i historisë së qytetit italian të Barit me autor Lino Patruno (“Bari”, Mario Edda Editore, 1997), i cili shpjegon si popullsia formuese e tij vjen prej ilirëve.
Vetëqetësimin e brendshëm, mbrojtjen nga agresioni i “provokuesve”, e gjetëm por tek njëri nga librat më të dashur dhe të çmuar: “Serbët dhe shqiptarët” e Milan Shuflaj.
Fat që e kam dhe e rilexoj (në momente të vështira poshtërrimi të historisë tonë kombëtare), që prej vitit të botimit nga Toena, 2004, përkthyer mjeshtërisht nga Prof. dr. Hasan Çipuri.
Nuk mund veç të ndjesh kënaqësi dhe të marrësh kurajë kur sheh se të njëjtën ndjenjë e ka provuar patjetër edhe historiani shqiptar i sprovuar Pëllumb Xhufi në një studim të plotë të tij të para tetë moteve. Ai e ka quajtur kroatin Shuflaj “emancipuesi i madh i historisë së Shqipërisë e të shqiptarëve”. Po ashtu ka shkruar se “Shekujt IV-XI, shekujt e errët të përmbysjeve sociale e etnike gjetkë në Ballkan, për trevat e Ilirisë së Jugut ishin për Shuflajn shekujt e një beteje titanike për mbijetesë të farës së vjetër ilire”.
Xhufi këmbëngul se “Ndërhyrja shpëtimtare, plot autoritet e kompetencë, por edhe e guximshme e Shuflajt në debatin mbi vendin dhe rolin e shqiptarëve, bëri që t’u hiqej guri i themelit tezave... me prapavijë të qartë politike e antishqiptare, që deri atëherë kishin kontaminuar studimet albanologjike. Ndaj edhe dikush nuk ja fali një guxim të tillë”.
Vrasje sepse mbrojti dhe jo “provokoi” historinë nacionale të shqiptarëve
Siç e dini, siç edhe shkruan më hollësisht studiuesi më i mirinformuar për Shuflajn, Musa Ahmeti, “Në mbrëmjen e 18 shkurtit të viti 1931, aty rreth orës 20.15 minuta, në rrugën Dalmatinska nr. 6 (në Zagreb), Milan Shuflaj goditet për vdekje. Plagët ishin të rënda dhe ai vdiq të nesërmen, më 19 shkurt. Kishte vetëm një ditë që sapo ishte kthyer nga Shqipëria, ku kishte qenë për vizitë disaditore”. Të tre vrasësit pranuan në hetuesi dhe gjyq se urdhrin e patën marrë nga Beogradi.
Ngjarja shkaktoi tronditje jo vetëm në Tiranë dhe kontinentin tonë, ku në Romë e denoncoi krimin gazeta “Tribuna” dhe në Gjermani “Berliner Tagblat” me “Frankfurter Zeitung”, por deri edhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës (“New York Times”). E dënuan këtë vrasje po ashtu që nga matematikani botëror Albert Anshtajn dhe shkrimtari i shumënjohur në glob Hajnrik Man. Nuk munguan edhe shqiptarët e ditur Faik Konica dhe Mit’hat Frashëri.
Ekstremistët serbë e patën vrarë sepse Milan Shuflaj shkruante, mes të tjerash, se “Qytetet, të cilët në kohën e vjetër të lulëzimit në bregun lindor të Adriatikut, kanë themele ilire, më vonë morën trajtën e vjetër helene, kurse në mesjetë morën fizionomi romake. Toka e hapur që atëherë shtrihej përgjatë bregdetit të Adriatikut nga Epiri deri në Panoni, ishte krejt ilire dhe në shek. IX para Krishtit i shohim ilirët edhe në Italinë e Jugut (Mesapet dhe Japigët)...” (fq. 4 e librit “Serbët dhe shqiptarët”).
Po ashtu në faqen 30 thuhet: “Prej kaosit etnik të Ballkanit, të mbuluar me hijen politike të Bizantit, dallohet dhe hyn në histori dukshëm një popull jashtëzakonisht interesant. Baza etnike e këtij populli, që në kohën e vjetër njihej me emrin Ilir, krijoi një faktor të fuqishëm të historisë” (fq. 30).
Milan Shuflaj i kujton lexuesit që në vitin 1925, kur “Srbi i Arbanasi” e botoi, se fusha e Myzeqesë, emrin e të cilit ua kishte dhënë familja princërore e Muzakajve, pronarët e saj me rezidencë në Berat, më parë quhej “fusha ilire”.
Tek “Codex Diplomaticus” Shqipëria qe një befasi
Të mirëkuptohemi. Milan Shuflaj nuk u rrah qëllimisht deri në vdekje sepse qe mik i Shqipërisë. Të tillë ka jo pak dhe këtë ndjenjë shumë e kanë për arsye dhe motive të ndryshme, ndonjëherë edhe thjesht emocionale. Shuflajt iu mor jeta jo sepse në atdheun e vet, Kroaci dhe Mbretërinë Jugosllave, ishte propagandist politik apo veprimtar i ndonjë çështjeje rregullimi kufijsh të pas vitit 1913. As sepse zhvillonte aktivitet ilegal për shpërbërjen e vendit të tij në favor të bashkimit të Kosovës me Shqipërinë.
Milan Shuflaj nuk qe irredentist, as ultranacionalist kroat që e përdorte lidhjen me Tiranën me dinakërinë për t’iu kundërvënë serbëve. Ai ishte një albanolog, pra dijetar i historisë së etnogjenezës së shqiptarëve.
Tek dashuria për popullin tonë nuk e çoi me dredhi ndonjë takim “kokë më kokë” me diplomatë të Tiranës në Legatën e Mbretërisë Shqiptare në Beograd apo hamendja e një afërie interesi botimesh me ndihmë financiare prej Ahmet Zogut. Tek shqiptarët Milan Shuflajn e dërgoi shkenca, kërkimet e tij studimore për etnitë ballkanike. Vetë thelbi i jetës së tij. Prandaj edhe ia morën jetën, sepse po të besonin ndryshe, do t’ia linin dhe do të prisnin ta kompromentonin me favore për të heshtur.
Që të jemi sërish edhe më të qartë: Shuflaj nuk qe ndonjë intelektual që merrej me historishkrim letrar apo publicistik. Ai ishte shkencëtar i madh, fuqi mendore për njohje dhe analizë me përmasë kolosale, pothuaj afër gjeniut. Leximi i veprave të tij të lë pa mend për intensitetin dokumentar, thellësinë e depërtimit dhe stilin e magjishëm të të shkruarit.
Sipas biografit të tij shqiptar Musa Ahmeti, në gjimnazin klasik në Zagreb ai u diplomua si nxënësi më i mirë i gjeneratës së vet. Po ashtu Shuflaj studioi shkencat shoqërore në Universitetin e Zagrebit, duke u doktoruar në 1901. Menjëherë pas kësaj iu vu punës për sistematizimin, mbledhjen dhe përshkrimin e dokumenteve mesjetare nga arkivat e qyteteve bregdetare dalmatinase për “Codex Diplomaticus”.
Këtu ai u befasua: atje qe, si të ishte një komb numerikisht dhjetra milionësh, një tepër e vëllimshme dhe e pahulumtuar nga kurrkush për Shqipërinë.
Në vitet 1902-1903 Shuflaj u specializua në Vjenë në Institutin Austriak për Kërkimin Historik për paleografi latine, diplomatikë, kronologji dhe notariat. Në vitiet 1913 dhe 1918, ai qe bashkëautor i botimit të vëllimeve I dhe II të lëndës shumëvëllimore për aktet diplomatike të shtetit shqiptar të kohës mesjetare.
Sepse Ahmet Zogu i dha mbështetje financiare për përkthimin dhe botimin e vëllimeve III dhe IV, Milan Shuflajt do t’i ndalej rruga me vrasje. U likujdua me dhunë një sipërmarrje gjigande e tij për një histori Shqipërie me pesë vëllime.
Tiranë, bëj diçka më shumë për Milan Shuflajn!
Në kryeqytetin e Republikës së Shqipërisë për Shuflajn ka një rrugë. Vitin e shkuar, në 85 vjetorin e vrasjes së tij, tek pllaka-memorial që shënon vendin e këtij krimi në Zagreb, ambasada jonë kreu një veprimtari përkujtimore. Ende tepër pak për ta kujtuar dhe ngulitur në rreshtin e parë të kujtesës kombëtare këtë shkencëtar të madh ballkanik dhe mirëdashës së miqësisë së popujve të gadishullit, ca më tepër dëshmor i dashurisë për Shqipërinë.
Kur në vitin 1985 u hartua Fjalori i parë Enciklopedik Shqiptar, zërin “Milan Shuflaj” e hartoi vetë kryetari i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, Profesor Aleks Buda. Po sipas tij, sepse është amanet dijetarësh, edhe kur u hartua e u botua në tre vëllime varianti i dytë i këtij Fjalori (2009), teksti mbeti po ai.
Në mbyllje të tij Buda, shkencëtari shqiptar që pati studiuar 17 vite në Vjenë, shkruan: “Në punimet e M.Sh. bie në sy pasuria e materialit burimor. Historia e Shqiptarëve është për të, kryesisht historia e një identiteti etnokulturor të dalluar, me rrënjë të lashta autoktone e vazhdimësi të pandërprerë, me aftësi të madhe rigjeneruese; ajo përfaqëson për Sh. thelbin autentik të historisë së Ballkanit”.
Në të dy fjalorët ka edhe një zë tjetër, i cili shpjegohet prej Aleks Budës, ndërkohë që është një studim i gjerë i tij, botuar më vete: “Etnogjeneza e shqiptarëve”. Studiuesi dhe një nga punonjësit e ngarkuar në Akademi për fjalorët enciklopedikë, Hysen Kordha, tregon se Profesori deri në fund, edhe pak minuta pasi lënda të shkonte për shtyp, kërkoi të rishihte tekstin e tij shpjegues. Nuk qe në mëdyshje për asgjë nga sa firmosi si autor.
Atje, pra në vitin 1985 dhe përsëritur në 2009, shkruhet qartësisht: “Procesi i etnogjenezës së Shqiptarëve mbështetet në vazhdimësinë iliro-shqiptare dhe në autoktoninë e tyre në truallin e Ilirisë Jugore”.
Ylli Polovina
Tiranë, më 3 gusht 2017
Version i printueshem
Faqja paraardhese |
|
|