|
SKËNDERBEU ME LIDHJE TË SHUMËFISHTA ME SLLAVËT
(Botuar në “Shqiptarja.com” në datat 23, 25 dhe 26 korrik 2017)
Despoti serb Gjergj Brankoviç për shumë kohë u strehua në kështjellën-rezidencë të Skënderbeut
Gjoni, djali i vetëm i Gjergj Kastriotit, mori për grua një princeshë sërbe
Ylli Polovina është autor i tre librave për Gjergj Kastriotin dhe pasardhësit e tij. Të parin, “Gjysma e harruar e Skënderbeut” e publikoi në 2008, të dytin, “Gjon Muzaka i Beratit përballë Skënderbeut”, në 2012 dhe të tretin “Pasardhësit e Skënderbeut si u mbajtën fshehur”, në 2013.
Janë mbi nëntëqind faqe të botuara.
Shtyrë prej interesimit të medias dhe lexuesve për raportet e Gjergj Kastriotit dhe të pasardhësve të familjes së tij me sllavët, autori ndërtoi, duke iu referuar saktësisht tre botimeve të veta, këtë lëndë për dy numra resht të “Shqiptarja.com”.
Termi Shqipëria si “senduiç” që të paktën në 2008
Tek “Gjysma e harruar e Skënderbeut” Ylli Polovina shkruan “Kur kritikuesit e ashpër të Gjergj Kastriotit, pikërisht ata emra që kemi cituar në fillim të librit (bëhet fjalë për dikur diplomatin A.B: dhe historishkruesin H. F.-shënim i tanishëm i autorit), e akuzojnë atë si një servil të Evropës dhe të interesave të saj të çastit, po ashtu nuk harrojnë të bashkëngjisin edhe një mëri tjetër. Sipas tyre Skënderbeu në kryerjen e gjestit të tij historik ka bërë një gabim të rëndë: ka flirtuar me serbët dhe grekët, pra me ata, të cilët jo vetëm prej kritikuesve të mësipërmë konsiderohen si armiqtë tanë të pandryshueshëm. Në botimin “Skicë e mendimit politik shqiptar” H.F. shkruan se “Skënderbeu, Pjetër Bogdani etj., u ndodhën jo thjesht krahas Perëndimit, por krahas sllavëve, krahas serbëve e rusëve, krahas armiqve kryesorë sipas konceptit nacionalist shqiptar, në luftë kundër Perandorisë osmane”. Po ashtu, ai ngul këmbë se “..... Skënderbeu.....nuk ishte luftëtar i vërtetë për liri kundër të gjithë pushtuesve, por përkundrazi, ishte i prirë për bashkëpunim me pushtuesit më të rrezikshëm, pushtuesit sllavë, kundër një pushtuesi tjetër, pushtuesit osman....”.
Gjithnjë sipas këtij arsyetimi rrethanat historike i kanë shtrënguar paraardhësit tanë, të gjendur mes pushtuesve të panumërt në pozicionin e vështirë të “senduiçit”, të zgjedhin vetëm llojin e të keqes, thjesht përmasën negative të saj. Mospajtuesit me veprën e Gjergj Kastriotit sulmojnë me mendimin se shqiptarët mes të këqijave kanë zgjedhur atë më të vogël. Ata nuk mendojnë se në këtë strategji tradicionale të etnisë së vet Skënderbeu ka ditur të veprojë drejt. Për ta ai ka bërë zgjedhjen më të paduhur, më të gabuarën. Sipas tyre Gjergj Kastrioti në strategjinë e zgjedhjes së të keqes më të vogël duhej të kalonte në anën e Perandorisë Osmane dhe jo siç veproi, në krah të serbëve dhe grekëve.
Pikërisht për këtë konkluzion që kanë nxjerrë, A.B. gjykon se “....gatishmëria dhe përpjekjet e Skënderbeut për të bashkëpunuar me udhëheqësit politikë sllavë, para së gjithash serbë dhe udhëheqësit politikë grekë, nuk e kanë bërë politikën serbe e greke miqësore ndaj shqiptarëve në asnjë periudhë dhe për asnjë ngjarje”.
Në mbështetje të këtij përfundimi A.B. i jepet mendimit se “Prirja e Skënderbeut për miqësi dhe aleanca politike përveç me sundimtarin serb të Bosnjës edhe me sundimtarin serb të Kosovës, despotin Gj. Brankoviç, ka qenë shkak i armiqësisë së popullsisë shqiptare që vuante terror nën sundimin e Brankoviçit ndaj Skënderbeut. Po ashtu edhe princa dhe udhëheqës të rëndësishëm si Dukagjinasit u vunë kundër Skënderbeut për shkak të miqësisë së tij me serbët. Territoret e Dukagjinasve kufizoheshin me territoret shqiptare të sunduara nga Brankoviçi dhe aleati politik i Skënderbeut që shfaroste shqiptarët në principatën e vet (Kosova) dhe nga kjo fqinjësi ndërmjet Dukagjinasve dhe Brankoviçit kishte konflikte. Mbështetja e Dukagjinasve nga popullsia dhe kundërshtimi i Skënderbeut për arsye të miqësisë së tij me Brankoviçin kanë bërë që në traditën popullore në Krujë e sipër të jetojë Lekë Dukagjini, ndërsa Skënderbeu është dërguar vonë nëpërmjet sistemit arsimor në popullsi, kurse në kujtesën popullore dhe në odën tradicionale shqiptare ka qenë i harruar. Në këtë argument po të pyetet se pse e “tradhëtuan” dukagjinasit Skënderbeun, përgjigja është se Skënderbeu i kishte tradhëtuar më parë duke lidhur miqësi me armikun kryesor të tyre, me serbët dhe Gj. Brankoviçin. Sipas këtij argumenti Dukagjinasit përfaqësojnë politikën e armiqësisë me serbët, Skënderbeu të bashkëpunimit me serbët”.
Një skajim i kësaj mënyre të bëri analizë doemos që do ta çonte autorin A.B. në pranimin e idesë se “Bashkëpunimi i Skënderbeut me serbët dhe grekët tregon se ai ka qenë bashkëpunëtor me armiqtë dhe pushtuesit më të rrezikshëm e jo luftëtar i lirisë”.
Rrjeti i aleancave ndërballkanike, inteligjenca e shquar e Skënderbeut
Prerja e kordonit ombikal, jetë ushques, mes Gjergj Kastriotit dhe Evropës, nuk do të bëhej plagë më pak e rëndë duke i shtuar të njëjtin veprim: prerjen e lidhjes së tij edhe me popujt e Ballkanit, përfshi edhe grekët e serbët e kohës. Në rast se ai do të kishte ndërtuar lidhje të ngushta me qendrën e kontinentit, duke shpërfillur rajonin, në të vërtetë nuk do të kishte bërë gjë tjetër veç do të kishte dobësuar dhe mpakur kontributin e tij evropian.
Bashkëpunimi i Skënderbeut dhe ndërtimi i një rrjeti aleancash me pushtetushtrues të rajonit e bëri më të gjërë dhe më të natyrshme, më të plotë dhe më harmonike, më të fortë dhe më funksionale, më largpamëse dhe më historike gjestin e tij të kryengritjes çlirimtare kundër pushtimit osman. Po ashtu edhe rreshtimin e tij me qytetërimin perëndimor.
Dobinë e lidhjes së shumëfishtë të Gjergj Kastriotit me Ballkanin dhe Evropën e shohim tani, kur rajoni përgatitet pjesë-pjesë për t’u integruar në BE. Sot as që mund të kuptohet që një proçes i tillë në Bruksel apo në qendrat më të mëdha të eurokontinentit do të përfytyrohej i realizueshëm duke lënë jashtë rajonin ballkanik. Madje kjo gjë as mund të merret me mend qoftë edhe sikur, në një formë “ndëshkimi” apo “karantine” të përkohshme, do të braktisej për një kohë vetëm një shtet apo popull i gadishullit. Bashkimi Evropian do të konsiderohet identitet i plotë vetëm në rast se në Ballkan nuk do të lihet asnjë centimetër tokë pa u përfshirë në integrimin me të. Skënderbeu në kohën e kryerjes së veprës së tij do ta krijonte një gropë të tillë në rast se do të përjashtonte nga bashkëpunimi qoftë edhe një popull të gadishullit, ca më tepër që të gjithë ata ishin përfshirë në rezistencën ndaj pushtimit osman.
Tjetër gjë, disi më elastike, do të ishte strategjia e krijimit të aleancave të Gjergj Kastriotit me pushtetushtruesit e veçantë në rajon. Atëhere nuk kishte shtete të krijuara sipas përputhjeve me atë që më pas u quajt komb. Serbët si etni administroheshin nga disa zotër të tyre, siç ndodhte që një pushtetmbajtës i tillë kishte në sinoret e feudit të vet edhe vendbanime shqiptare. E njëjta gjë ndodhte edhe me zotërit e pjesëve të ndryshme të etnisë sonë. Nën këtë këndvështrim situata gjeopolitike e atëhershme ka fare pak përngjasim me të sotmen dhe akoma më pak me dekada apo një shekull më parë. Feudalë të veçantë serbë në kohën kur veproi Skënderbeu, por edhe shumë më parë e më pas tij, kur ende nuk gjendeshin të pushtuar nga Perandoria Osmane, kanë tentuar daljen në det. Kjo dalje ka qënë përherë jetike për të gjithë pushtetushtruesit e ngujuar në brendësi e thellësi të territoreve të Ballkanit. Nuk duhet të harrojmë se edhe vetë Gjon Kastrioti, trashëgimtar nga i ati i vetëm dy fshatrave në Dibër, me agresivitetin e vet të njohur principatën e vet nuk e shtriu nga lindja por nga perëndimi, andej nga ishte deti.
Kështu veproi edhe i biri i tij, Gjergji. Skënderbeu vuri në dorë dhe gjatë gjithë kohës që jetoi mbajti nën kontroll të plotë zonën bregdetare në grykëderdhjen e lumit Mat, ku ndërtoi skelën, qendrën doganore dhe pranë tyre kriporen e Shënkollit.
Ka qënë po ashtu shumë e vërtetë që Gjergj Kastrioti ka bërë aleancë të ngjizur fort me mbretërinë e Malit të Zi, me Çërnojeviçët, për të penguar daljen e despotëve serbë të Rashkës në bregdetin e kontrolluar prej tyre. Veç kjo ende ka lidhje të pakta me kontekstin e zhvillimeve të mëvonshme, kur serbët jo vetëm krijuan shtet mbi hapësirat e etnisë së tyre, por nëpërmjet mbretërisë, republikës federative apo regjimit komunist përpunuan dhe zbatuan një strategji të tërë për të dalë edhe në Lezhë e Durrës, pse jo edhe në Vlorë. Për këtë arsye ata, para dhe pas vitit 1912, vunë në jetë një politikë për dobësimin dhe më pas pushtimin e trojeve të shqiptarëve.
Gjergj Kastrioti në përputhje me kohën e vet dhe tendencat e zhvillimeve gjeopolitike që po ndodhnin, kreu veprime në favor të mbrojtjes së Evropës. Vetë Ballkani ishte pjesë e këtij kontinenti e qytetërimi. Mbrojtja e Evropës ishte mënyra më e mirë për të mbrojtur Shqipërinë. Mbrojtja e Ballkanit mbetej po ashtu siguria më e mirë për lirinë e shqiptarëve.
Despoti serb Gjergj Brankoviç, për t’i shpëtuar hakmarrjes së sulltanit, për shumë kohë u strehua në kështjellën-rezidencë të Skënderbeut
Po ta tentonte aventurën e prishjes me ballkanasit Gjergj Kastrioti do të mbetej i rrethuar nga Perandoria Osmane, i izoluar, me krahë e shpinë të zbuluara. Nuk kishte mallim sentimental Skënderbeu për Gjergj Brankoviçin, despotin serb që kontrollonte edhe një pjesë të etnisë së shqiptarëve të vendosur në hapësirën e Kosovës së sotme, por atje ishte shpina e tij. Po të ndërtonte marrëdhënie armiqësore, atëhere në trupin e rezistencës së vet në mungesë të mburojës do të hynin lehtësisht majat e heshtave dhe të jataganëve të mprehtë osmanë.
Kur pas pushtimit nga turqit ai e strehoi për disa kohë aleatin e tij në trojet shqiptare, nuk bëri ndryshe nga sa bënë edhe hungarezët, ndjekësit e Janosh Huniadit. Brankoviç u strehua edhe atje për t’i shpëtuar hakmarrjes sulltanore.
Në rast se despoti serb Gjergj Brankoviç i kishte dhënë sulltan Mehmetit II të bijën për grua, kur Skënderbeu bënte aleancë me të ai i kishte përkeqësuar raportet me Portën e Lartë.
Një nga Brankoviçët, Vuku, në krye të një ushtrie kishte luftuar kundër turqve në betejën e përgjakshme të Fushës së Mëllënjave, në Fushë Kosovë, më 1389. Ndërkohë sipas një dokumenti autentik kur Skënderbeu vdiq në varrimin e tij në Lezhë patën ardhur \"të gjithë princat serbë dhe bujarët e tjerë përreth\".
Ka mjaft arsye për të besuar se Gjergj Kastrioti kishte ndërtuar me zotërit e parë të popullit fqinj marrëdhënie të qarta partneriteti dhe aspak lëshimesh etnike, pasurish apo trojesh. Nuk kishte as raporte vasaliteti. Madje ndodhte të kishte epërsi morale. Skënderbeu adhurohej prej serbëve dhe nuk ndodhte që ndërkohë shqiptarët të kishin idhull ndonjë prijës apo gjeneral të serbëve. Ai nuk mund të akuzohet për shitje apo kompromentim interesash etnike ndërsa ka ndikim të madh shpirtëror te sllavët. Në parim është ai që i ka “pushtuar”.
Gjoni, djali i vetëm i Gjergj Kastriotit, mori për grua një princeshë sërbe
Në librin “Gjon Muzaka i Beratit përballë Skënderbeut”, botuar në 2012, për temën e raporteve të kryeheroit kombëtar shqiptar me sllavët e Ballkanit, Ylli Polovina vë në dukje: “Gjithçka që do të tregojmë në këto radhë nis në fillim pranverë të vitit 1468, kur pas vdekjes së Gjergj Kastriotit, bashkëshortja e tij, princesha Donikë, e shoqëruar nga djali i vetëm, Gjoni trembëdhjetë vjeçar, si edhe disa vejusha komandantësh shqiptarë të rënë në luftë, kapërceu detin për t’u vendosur në Itali. Ajo nuk po ikte si një emigrante që nuk do të rikthehej më në principatën e vet. Në atë pragpranverë po e kapërcente detin bashkë me princin trashëgimtar për ta vijuar luftën përkohësisht prej andej dhe në rastin më të parë për t’u rikthyer.
Kastriotët qenë një familje e vjetër autoktone, madje me lëvizshmëri të dukshme në hapësirën verilindore të arbërve, por si dinasti pushteti në trojet shqiptare zotëronin historinë e vetëm katër brezave. Veç qenë një familje me etje të fortë për të ushtruar ndikim e qenë të parët, me vullnet të madh për t’i mbërritur synimet e tyre politike dhe pasurore, me këmbëngulje të papërmbajtur zgjerimi dhe me rregulla shumë të rrepta të ruajtjes të së drejtës së trashëgimisë.
Gjergj Kastrioti i pamartuar për një kohë të gjatë dhe çështja e kalimit tek pasardhësi i principatës së tij e sidomos i statusit të kryekomandantit të Lidhjes Shqiptare të Lezhës, qenë preokupuese për jo pak qarqe e individë të fortë të kohës. Dihet, pastaj, që kur martesa e vonë me Donika Arianitin e dha frytin e gëzuar të një djali (Gjoni lindi afërsisht në vitin 1455) ndodhi edhe tradhtia e madhe e nipit të tij, Hamzait, atij që pas vdekjes së të ungjit, në kushte të mungesës së një fëmije mashkull nga Donika dhe Gjergji, do t’i takonte kurora e Arbërisë.
Si ndodhi që më vonë, pas lindjes së shëndetshme të Gjonit, çifti princëror Kastrioti nuk bëri më fëmijë të tjerë, se e provuan por nuk ia dolën dot apo u mjaftuan me lindjen e parë, për fat një mashkull dhe jo femër, është një temë joshëse jo vetëm për historianët.
Sidoqoftë jeta e trembëdhjetëvjeçarit në atë ikje drejt brigjeve të gadishullit të Apenineve si edhe ajo e pasardhësve të tij meshkuj në Itali merr rëndësi të veçantë. Madje në tokat përtej detit e mbart këtë peshë edhe më të madhe se në trojet amtare. Në Itali dhe në Evropë Skënderbeu kishte një emër tepër të madh dhe familja e tij, pra trashëgimtarët, një vlerë shumë të posaçme për t’u përdorur qoftë edhe në mënyrë propagandistike në luftën e gjatë që kontinenti i krishterë po bënte kundër perandorisë osmane me fe zyrtare islamizmin.
Zhvillimet që ndodhën pas mërgimit të përkohshëm të familjes së Gjergj Kastriotit ishin të tilla që brenda një dekade pothuaj e shuan mundësinë e rikthimit të tyre. Megjithëse vetë Gjoni dhe të paktën dy nipër të tij dëshmohet se në krye të komandove të ndryshme të financuara e pajisura nga Republika e Venedikut apo Mbretëria e Napolit kanë rihyrë në Shqipëri për akte diversioni, kapje plasdarmesh apo edhe operacionesh të gjëra çlirimi, ajo ikje e pragpranverës 1468 kishte qenë pa rikthim. Që prej këtij çasti familja princërore Kastrioti e vazhdoi jetën e saj larg trojeve të shqiptarëve dhe për fat të trishtë edhe larg lidhjeve e vëmendjes reciproke të dy palëve, duke krijuar kështu një nga gropat më të mëdha të kujtesës sonë kombëtare...
...Gjoni u martua në mërgim me Jerina Brankoviç, vajzën e princit serb Llazar. Edhe këta, për shkak të pushtimit osman, qenë të emigruar. Siç dihet vetë Erina ishte bijë e lidhjes martesore të Llazarit me Helena Paleologun, pjesëtare e familjes perandorake të Bizantit. Mund të thuhet se me atë martesë në shkallën e fisnikërisë Gjon Kastrioti realizoi një ngjitje më të madhe se i ati i tij i lavdishëm dhe më të lartën në të gjithë historinë e derës së tyre. Jo pak libra dhe disa enciklopedi të mesjetës shkruajnë se në rast se në Itali dhe më tej saj duan të gjejnë një dëshmi pranie të vijuar të perandorit bizantin Manuel Paleologu, këtë gjë duhet ta bëjnë duke kërkuar në pasardhësit e Skënderbeut.
Gjon Kastrioti u martua në vitet 1475 apo 1476. I takon të ishte njëzetë e apo njëzetë e një vjeç.
Genetikisht prej të atit dhe të ëmës, Kastriotët dhe Arianitët, kishte traditë për lindje djemsh. Me siguri e ëma, Donika, e cila u kujdes për këtë martesë, nuk pati asnjë merak se të birit do t’i ndodhte ndryshe. Kështu edhe ngjau. Çifti lindi mashkull dhe menjëherë atij iu vu emri i gjyshit të famshëm: Gjergj. Trashëgimia ishte siguruar. Gjoni, i cili edhe vetë, sipas rregullave dinastike feudale, pati ringjallur në emër gjyshin e tij, nuk e mbylli këtu çështjen e pasardhësve. Ndërsa Gjergji u lind në fillim të vitit 1477, pothuaj më pak se një vit më pas serbja Erina (siç më lehtësisht e shqiptonin emrin e saj italianët) dhe Gjoni u bënë me djalin e dytë. I vunë emrin Kostandino (Costandino). Djali i tretë doli në jetë po kaq shpejt. U quajt Federiko (Federico). Afërsisht rreth vitit 1495 lindi mashkulli i katërt si edhe pa u vonuar një vajzë,që u pagëzua me emrin Maria. Mund të ketë ngjarë edhe e kundërta: Maria të jetë e lindura para Federikos. Në kontrollin që disa studiues italianë e veçanërisht Prof. Valone i kanë bërë librave të famullive të vendndodhjeve të Kastriotëve në Pulia, nuk gjendet asnjë ditëlindje e regjistruar e të katër fëmijëve të tij. Sigurisht kjo u ndodhte shumëve atë kohë”.
Qyteti i Ohrit ka pasur një lagje me emrin e Skënderbeut
”Gjergj Kastrioti e ka Ballkanin në gjakun e vet.
Familja e tij e kishte origjinën nga Dibra. Madje edhe sikur t’u hapim rrugë hipotezave të tjera, përshembëll lindjes së tij në krahinën e Hasit në tejveri të Shqipërisë, gjithsesi një gjë është mjaft e qartë: Skënderbeu dhe prindërit e tij kanë jetuar në troje jo krejtësisht të pastëra etnikisht, siç ishin hapësirat në brendësi të vendit. Në Dibër apo në Has gjendeshin kufij të bashkëjetesës me pakica sllave, pra serbe, malazeze apo maqedonase. Kjo afëri jo vetëm inkurajonte përzjerjen nëpërmjet martesave, por edhe i bënte më shumë të hapët e tolerantë me njëri-tjetrin. Ishte kohë kur sadopak mes etnive të ndryshme mbetej shija e mirë, gjë që tre-katër shekuj më pas, kur filloi shteformimi, këto pika kontakti me sllavët në zona të tëra u ashpërsuan.
E jëma, Vojsava, ishte bijë e sundimtarit sllav të Pollogut, territor që sot harmonizon me një pjesë të Maqedonisë dhe pak hapësirë nga Bullgaria. Ndoshta jo patjetër për vetëm këtë arsye në trojet maqedonase të sllavëve princi shqiptar përherë ka qënë një figurë e afërt, thua si të ishte i familjes. Në një dokument të vitit 1852 shënohet se në qytetin e Ohrit ka patur një lagje, e cila mbante emrin e Skënderbeut. Qarkullon edhe një gojëdhënë për këtë. Ohri ishte një qytet pothuaj ushtarak, ku osmanët përqendruan një garnizon mjaft operativ. Ky jo vetëm ruante rrugëkalimin e armatave turke për në veri, drejt Beogradit dhe zëmrës së Evropës, por edhe drejt Lidhjes së Lezhës dhe veçanërisht principatës së Gjergj Kastriotit. Ndërkohë edhe vetë Skënderbeu të gjitha ushtritë që niseshin posaçërisht kundër tij nga ky drejtim taktik, pasi nisej nga Kruja, i priste në luginat përreth Ohrit. Në të gjitha ato ndeshje kishte fituar. Mbajtja e emrit të tij në një lagje të vendbanimit strategjik buzë liqenit me të njëjtin emër dëshmon se me tepër nga zelli në të kundërt i administratës osmane, ajo ishte dëshirë popullore e banorëve shqiptarë e sllavë të qytetit.
”Skënderbeu i Ri” si shqiptaro-serb
Në librin “Gjon Muzaka i Beratit përballë Skënderbeut“ Ylli Polovina mes të tjerash e informon lexuesin se “Nga Donika e Skënderbeu lindi Gjoni”, shkruan princi i Beratit, Gjon Muzaka, në testamentin e tij të shumënjohur. Pastaj shton: “Gjoni ishte Dukë në San Pietro të Galatinës dhe pat për grua Donna Erina Paleologun, vajzën e Llazarit, Princit të Serbisë. Nga martesa e tyre lindën shumë fëmijë, të gjithë të vdekur, vetëm dy mbijetuan, një mashkull dhe një femër: Don Ferrante Kastrioti, Duka i San Pietros dhe Donna Maria Kastrioti”.
Saktësojmë: Djali i vetëm Gjon, i martuar në Napoli të Italisë në moshën njëzetë e një apo njëzetë e dyvjeçare, siç vumë në dukje në shkrimin e djeshëm, me serben Erina, përveç dy vajzave pati edhe të paktën tre djem. Kastriotët zakonisht janë një fis që lindin më shumë meshkuj. Njëri djalë, Kostandini, që nga fundviti 1497 ishte ipeshkv i qytezës së Izernias, dy vite më vonë u sëmur rëndë dhe rreth 1500-tës, në moshë fare të re, ndërroi jetë. Tjetri djalë vdiq herët, por jetuan gjer në moshë plakjeje Gjergji dhe i fundit i meshkujve, Ferrante. Të gjithë këta mund të quhen shqiptaro-serbë. Në rast se përjashtojmë mundësinë që e shoqja e Skënderbeut ka qenë një zonjë me origjine etnike serbe dhe mbështesim idenë se djali i tyre i vetëm Gjoni, është një pastërtisht shqiptar, në mënyrë tepër të sigurtë kjo cilësi etnike nuk vijon më pas. Familja Kastrioti në brezin e dytë e më tej vazhdon si e përzjerë me gjak të dy kombësive.
Biri i shqiptarit Gjoni dhe i sërbes Erina, Gjergji, edhe pse viti i qartë i lindjes së tij deri tani nuk është gjetur, me arsyetimin e thjeshtë se mban emrin e gjyshit, lë të kuptojë se ka qenë djali i madh i tyre. Edhe me djalin e tij të vetëm Skënderbeu kishte vepruar po njëlloj, pati vënë emrin e të atit të tij, çfarë qe rregull bazë për të drejtën e trashëgimisë.
Ky nip i Gjergj Kastriotit në fund të shekullit të katërmbëdhjetë në kujtesën e të afërmeve të tij si edhe të arbërve, po ashtu edhe në studime të historianëve, ka hyrë me emrin “Skënderbeu i Ri”.
Historia e çuditshme e tij zë e bie në sy kur në vitin 1499, pas një kompromisi e paqeje të radhës të Republikës së Venedikut me Perandorinë Osmane. Të parës, për interesa tregtare, i duhej rifillimi i luftës. Pikërisht në shtatorin e këtij viti në Senatin e saj u paraqit, i ardhur nga Arbëria, frati me emrin Françesku i Krujës. Kërkonte përkrahje për të realizuar çlirimin e Shqipërisë. Ai dëshmoi se këtu më shumë nga njëzetë mijë burra qenë bashkuar e patën shpërthyer një kryengritje. Rebeluesit më të shumtë ishin nga trojet e principatës së Kastriotëve, por qendër të revoltës nuk kishin Krujën. Qe Lezha. Ata po përlesheshin me osmanët, disa herë edhe i kishin mundur repartet ushtarake të perandorisë, por që të ngadhënjenin e të çliroheshin përfundimisht kishin nevojë për një udhëheqës.
Emrin e tij e kishin shumë të qartë dhe ia patën deklaruar frat Françeskut. Ky do të ishte Gjergji i Ri, nipi i Skënderbeut. Për këtë mision jetik do të kishin kërkuar edhe vetë të atin e tij, Gjonin, sepse patën dëgjuar që në Itali kishte zhveshur pa frikë shpatën kur në 1480 turqit me një flotilje të nisur nga Vlora patën sulmuar qytetin e Otrantos, mirëpo ai tashmë qe në një moshë që nuk i përballonte dot mundimet e luftës. I biri, Gjergji, ishte i ri dhe plot energji. Le të vinte. Ata do t’i bindeshin si një perëndie.
Në Senat e mbajtën shënim kërkesën e të mbërriturit nga Arbëria. Pati ardhur në kohën e duhur. Në vitin 1477 ata kishin ftuar për të kryer një ekspeditë antiosmane në tokat e arbërve edhe vetë Gjonin. Ky kishte rënë dakord pa u lëkundur. Patën bërë edhe një marrëveshje të shkruar, veç ngjarjet u vërtitën në një kahe paqësimi me sulltanin dhe plani i parashikuar u ndërpre.
Kur në Republikën e Venedikut në atë shtator 1499 qenë të një mendjeje për t’i bërë thirrje Gjergj Kastriotit të Ri të vijonte jo vetëm punën e lavdëruar të të gjyshit, por edhe projektin e lënë në mes të të atit, ky kishte kryer një shërbim të veçantë për monarkun e Napolit, Ferdinandin. Gjashtë vite të shkuara, në pranverë 1493, duke qenë se mbreti dëshironte jo përleshjen, siç e nxiti kur jetonte Skënderbeu, por mbarëqetësinë me Perandorinë Osmane, nisi për në Stamboll, me dhurata në duar, një delegacion miqësor. Sipas kronikave atë e kryesonte Gjergj Scannalibech apo Scannalibecha. Historianët nuk kanë asnjë dyshim: ky qe pikërisht i biri i Gjonit, Gjergj Kastrioti.
Tashmë kur kishin kapërcyer gjashtë e më tepër vite dhe shekulli po mbyllej, Senati Venecian nipit të Skënderbeut përvojën e dikurshme në rolin e diplomatit të paqes ia ngarkoi për të kundërtën: luftën. Prandaj më 1 tetor mori vendim që një i ngarkuar special i Republikës, bashkë me Françeskun e Krujës, të niseshin për në Napoli dhe ta ftonin Gjergjin e Ri të sipërmerrte misionin e çlirimit të principatës së familjes së tyre si edhe të gjithë arbërve. Në krah do të kishte fratin e kryeqytetit të tyre të dikurshëm, si edhe një anije për të dalë në bregun tjetër, në Lezhë, ku prej shumë kohësh ziente shpirti kryengritës. Për të përballuar të gjitha shpenzimet e këtij operacioni politiko-luftarak Senati do t’i jepte edhe 500 dukate.
Njeriu i Republikës së Lagunës erdhi në Napoli dhe nuk iu desh shumë t’ia mbushte mendjen nipit të Skënderbeut. Nga që druhej nëse i ati do të qe dakord apo jo me çfarë i patën propozuar, Gjergji ia tha vetëm të gjyshes. Ajo nuk e kundërshtoi. Tashmë besonte se autoriteti i saj do ta ndihmonte për të mos u penguar nga i ati, Gjoni si edhe e ëma, serbja Erina. Kur ia bëri të ditur të atit, ky e kundërshtoi vrullshëm. Arsyetimi i tij qe shumë i qartë. Duke shkuar në shërbim të Venedikut, rivales së Mbretërisë së Napolit për kontrollin e Ballkanit dhe të deteve të ngrohtë të jugut mesdhetar, ai do të zëmëronte monarkun që i kishte strehuar, përkrahur e mbrojtur, mbretit që Kastriotëve u pat dhënë prona në Itali si edhe çdo ndihmë të nevojshme me të holla.
Edhe Erina, e cila nuk dallohej shumë se e dëgjonte për gjithçka të shoqin, por në të shumtën e herëve ngjante e kundërta, u bashkua me Gjonin. Gjesti i të birit mund t’i lëndonte shumë marrëdhëniet e tyre me oborrin, pse jo edhe të rrënonte gjithçka. Kur për çfarë kishte rënë dakord i biri i tyre u vu në dijeni mbreti, ky nuk e fshehu nervozizmin. Po të shkonte në shërbim të Republikës së Venedikut Gjergji do të kryente jo një gabim, por një faj. E konsideronte tradhti. Si i tillë të mos shpresonin se do ta toleronte.
Pas kësaj gjendja e nderë përfshiu jo vetëm Kastriotët, por të gjitha familjet fisnike shqiptare të emigruara në Napoli. Ndaj nipit të Skënderbeut u shtua trysnia të ndërronte mendje jo vetëm nga prindërit, nga e motra shpirtmirë dhe e zgjuar Maria, si edhe nga vëllai i vogël me emrin e mbretit, Ferrante, por nga të gjithë arbrit e tjerë me ndikim. Por edhe pse ndeshi në një mur të lartë refuzues, në një mosmiratim të plotë, me gjithë lutjen e prindërve të kthente mendje, Gjergj Kastrioti i Ri në shkurt 1500 u nis për në Republikën e Venedikut.
Atëherë, për të shmangur edhe pasojat që mund t’u binin ndesh, Gjoni dhe Erina e mohuan djalin e tyre të madh, trashëgimtarin e drejtpërdrejtë të emrit dhe të pasurisë së Kastriotëve. Që prej këtij çasti dhe jo më vonë, duhet të kenë kryer edhe veprimin tjetër, atë zyrtarisht rikonfirmues. Shpallën se pasues i ligjshëm i familjes së tyre do të qe i vetmi djalë që u kish mbetur gjallë, Ferrante.
Kështu akti publik i mohimit ndaj Gjergjit plëngprishës u bë i plotë, pa asnjë shpresë pendimi”.
Shqiptaro-malazezi Skënderbej Cërnojeviçi
“Vajza e dytë, Vojsava”, e vijon më tej testamentin e tij princi i Beratit, Gjon Muzaka, “pat për burrë Ivan Çërnojeviçin, Zotin e Malit të Zi dhe të Cetinës. Prej tyre lindën dy fëmijë: i pari u quajt Gjergj, i dyti u thirr Skënderbeg. Gjergji u martua dhe pati dy djem e tri vajza. I pari nga djemtë quhej Solomon, ndërsa i dyti Kostandin.
Solomoni vdiq, kurse Kostandini u martua në Venecia.
Ndërsa dy nga vajzat u martuan në Hungari dhe e treta në Venecia.
Djali i dytë, Skënderbeu, kaloi në fenë islame dhe sot sundon territoret e vëllait të vet që ia kanë dhënë turqit”.
Siç e bën të ditur Gjon Muzaka që një gjysmë mijëvjeçari më parë, por që shqiptarët për po aq kohë, pesë shekuj, as që e dinë dhe as u ka rënë në vesh, ka ekzistuar edhe një Skënderbej tjetër, njëfarësoj nip si edhe i biri i mohuar i Gjon Kastriotit.
Në të vërtetë kur lindi ai u pagëzua me emrin Stanisha (Stanko shkurtimisht). Gjyshi i tij Stefan Cernojeviçi qe martuar me të motrën e madhe të Skënderbeut, Marien. Kështu i biri i princit malazez, lordi Ivan, i cili u martua me vajzën e dytë të Gjergj Arianitit dhe të një Marieje tjetër, bijë Muzake, kur lindi dhe jetoi ishte një bashkim i fisit sllav Cërnojeviç dhe i tre familjeve arbërore: Kastrioti, Arianiti dhe Muzaka.
I biri i tij me emrin Stanisha qe po ashtu përzierje gjenetike e këtyre katër “gjaqeve”, por këtë rast të tretë edhe dy herë më shumë Arianit. Ndërsa i ati Stefan ishte martuar me arianitasen Marie, i biri Ivan pati lidhur kurorë me mbesën e saj, Vojsavën.
Pikërisht ky nip i derës fisnike të Arianitëve, i Muzakajve, por më së pari edhe i Kastriotëve, ndërsa lindi në 1457 dhe ndërroi jetë në vitin 1530, u kthye në fenë islame. Emri i tij i ri zyrtar qe Skënder Bej.
Ndryshe veproi i ati. Ai nuk e braktisi tingëllimin sllav të emrit të vet. Kur u pushtua nga turqit dhe bëri një lloj pajtimi me regjimin e ri, e la Ivan. Thjesht shtoi ofiqin fisnik osman Bej. Skënderbeu, i biri i Ivan Beut, u emërua nga sulltani guvernator i Malit të Zi, me një fjalë qe sanxhakbej. Këtë post të lartë e ushtroi prej vitit 1513 deri në 1528.
Në mërgimin e tij, tek shkruan testament-kronikën, siç cituam pak më lart, princi i Beratit shkruan edhe këtë frazë: “Djali i dytë, Skënderbeu, kaloi në fenë islame dhe sot sundon territoret e vëllait të vet që ia kanë dhënë turqit”. Ky informacion lë të kuptosh se i ka ardhur sapo ka ndodhur.
I biri i dytë i malazezo-shqiptarit Ivan (dhe i Maries) filloi si qeverisësi më i lartë i vendit të vet në vitin 1513. I vëllai i Stanishës (Skënderbeut), Gjergji V, vijuesi i drejtpërdrejtë i familjes Cërnojeviç, pasi Malin e Zi në periudhën 1499-1515 e qeverisi Ivani II (Bej), qe i pari i vendit vetëm për një vit. Në 1516 ai abdikoi në favor të arqipeshkvit Vavil dhe iku për të jetuar në Republikën e Venedikut.
Kështu këtë mot ekzistonin dy principata apo territore me emrin Mali i Zi. Njëri qe i drejtuar prej Vavilit, një lloj peshkopi-princ dhe shteti që ai kontrollonte, një krijesë teokratike. E dyta ishte provinca turke me të njëjtin emër. Kjo qe krijuar nga Perandoria Osmane në 1514. Më pas ajo u zgjerua me përfshirjen në të edhe të provincës së Shkodrës.
Pikërisht në krye të këtij të dyti Mali i Zi, shtet paralel me atë të hierarkut të krishterë ortodoks Vavil, deri në vitin 1528 qe Skënderbeu, dikur Stanisha. Duke qenë se kronika e historisë e provon këtë, duke qenë po ashtu se Gjon Muzaka shkruan se stërnipi i arbrit të famshëm Skënderbeu pati qeverisur edhe tokat e të vëllait, pra Gjergjit, hamendja për vitshkrimin e testamentit shtyhet edhe më shumë. Të paktën jo më herët se 1516, kur ky abdikoi.
Por le t’i largohemi ftillimit të mëtejshëm të kësaj teme, sepse nuk përbën objekt të parë të librit tonë, e të rikthehemi tek malazezo-shqiptari, madje shumë më saktë shqiptaro-malazezi Skënderbej. E themi këtë sepse në një rreth të ngushtë të krishterësh ai thirrej edhe Stanko Bushatlliu, mbiemër i marrë nga krahina e Bushatit në Shkodër.
Ky Skënderbej me mbiemrin Cërnojeviçi, por më shumë me identitet Arianitasi, Kastrioti e Muzake, ndërsa supershtetin turk e drejtonte sulltan Selimi I, provincën e vet e priu me një talent të rrallë administrativ. Në veri të Perandorisë Osmane ajo qe më e lulëzuara, një model zhvillimi për të tjerët. I fortë edhe ushtarakisht (mobilizonte 3000 ushtarë sulmues), Skënderbej Cërnojeviçi kishte lidhje mjaft të ngushta me personalitete të njohura të kohës, veçanërisht me Gazi Husrev Beun, gjeneral, strateg dhe politikan i shkëlqyer boshnjak, themeluesi i Sarajevës së sotme. Ky qe dhëndër i sulltanit Bajazid II dhe në 1521 u emërua guvernator i provincës otomane të Bosnjës.
Aq e madhe qe miqësia midis Skënderbej Cërnojeviçit dhe Gazi Husrev Beut sa që pas vdekjes së të parit dhe për pasojë krijimit të një boshllëku të madh pushteti në provincën turke të Malit të Zi, ky luftoi pa pushuar kundër disa kryengritjeve të popullsisë së krishterë, duke ia dalë të mos e lërë ta marrin, por t’i mbetej osmano-myslimanëve.
Prania e bujshme e këtij Skënderbeu tjetër, sigurisht atë kohë më e rënë në sy se ajo e të birit të Gjon Kastriotit, Skënderbeut të Ri, sot është zbehur e pothuaj shuar. Tek shqiptarët nuk hyri dot, por edhe tek malazezët, ku ndërsa shënohet në shumë nga tekstet për historinë e shtetit të tyre, paraqitet gjithsesi e mpakur.
E zvogëluar së tepërmi ajo është në të njëjtën kohë edhe e kritikuar, e mos pëlqyer. Sipas hartuesve të kronikave të vjetra të Malit të Zi Skënderbej Cërnojeviçi qe një njeri shumë i ashpër. Sistemi i tij i taksave, i zbatuar në vitin 1519, gjithnjë sipas tyre, ishte shumë i dhunshëm e shtypës, pothuaj i pashpirt.
Megjithatë Skënderbeu malazez dhe njëkohësisht arbër ka një vijë jete e bëme mjaft më të merituar për t’i hedhur dritë. Duke qenë se ka lindur në 1456, kur Gjergj Kastriot Skënderbeu gjëmonte lavdi, të tërheq fillimisht arsyetimi se emri i është vënë në nderim të dajës së vogël. Veç nuk është aspak kështu. Në kishë iu vu Stanisha.
Nuk duket se edhe në një formë të tillë pagëzimi i është kryer për një arsye tjetër po aq të lidhur me familjen e të gjyshes, Marie Kastriotit. Stanishi qe vëllai i saj i dytë. Nuk të ndihmon këtu as fakti se daja i madh pati ndërruar jetë në vitin 1446. Disi e vështirë të mendohet se për këtë “ngjallje” nëpërmjet emrit është pritur plot një dekadë.
Depërtimi në ato pak të dhëna të jetës së tij na çon në një shteg tjetër. Ngjan si i kopjuar prej Gjergj Kastriot Skënderbeut. I lindur në shtëpinë e Cërnojeviçëve i ati, Ivani, në vitin 1485 e dorëzoi në oborrin e sulltanit, ku u arsimua dhe u formua si kuadër i administratës së perandorisë. Ndërsa detyrimisht u bë mysliman Stanisha mori emrin turk Skënderbeu.
Sipas asaj pak që shkruhet në jetëshkrimin e historisë së Malit të Zi, ky emër dhe titull bashkë, birit të Ivan Beut iu dha për aftësinë e tij të veçantë (ishte si Aleksandri i Maqedonisë). Kështu në oborrin e sulltanit ai u thirr Skënderbej Cërnojeviç. Njëlloj edhe më pas, kur nisi të shërbejë në administratën e perandorisë. Me këtë emër mbeti edhe në pesëmbëdhjetë vitet e qeverisjes së provincës turke të Malit të Zi. Po me Skënderbej Cërnojeviç e mbylli jetën dhe u ruajt në kujtesën historike të malazezve.
Ndërsa vëllai i gjyshes, Skënderbeu i famshëm, mbeti në memorien e kontinentit, madje edhe të globit, si një i krishterë, nipi i tij e mbylli jetën si osmanlli. Në dukje të parë ndryshimi është vetëm kaq. Një pyetje këtë rast nuk mund të shmanget: ngjashmëria mes të dyve me vetëm këtë jopërputhje në mes, mos është punë e organizuar?
Imazhi i princit të krishterë të Krujës që pati aleat Evropën dhe Papën e u përball për një çerek shekulli me dy sulltanë shumë të fuqishëm ushtarakisht, por mjaft të zotë edhe si politikanë, në fillim të shekullit të pesëmbëdhjetë qe edhe më i përndritur se kur ishte gjallë. Ai do të ngrihej më lart në të paktën edhe dy njëqindvjeçarët e ardhshëm. Si i tillë, imazh dhe jo njeri i gjallë, ai për Perandorinë Osmane përbënte një armik të ri, edhe më të rrezikshëm. Nuk ka dyshim se mes masave të rrepta që brenda territorit shqiptar morën për ta shuar rrezatimin e kësaj shëmbëlltyre, oborri sulltanor duhet të mos ketë anashkaluar edhe një mënyrë tjetër asgjësimi. Kjo teknikë është e njohur për njerëzit që kryejnë luftë për pushtet: rikrijohet një imazh tjetër, ballafaques e njëkohësisht kundërvënës.
Ai nuk mund të ngjizet nga hiçi, si një mashtrim i rëndomtë. Kështu do të qe mjaft jetëshkurtër dhe për pasojë i paefektshëm. Stanisha, siç edhe e dëshmua jo pak por në pesëmbëdhjetë vite të administrimit të tij të provincës osmane të Malit të Zi, qe plot dhunti. Ai ishte politikan mjeshtër. Si i tillë, por tërësisht mysliman dhe në shërbim besnikëror ndaj Perandorisë Osmane, nipi i Skënderbeut është nxitur, stimuluar. Ka gjasë që tipare e karakteristika të tij të jenë rafinuar apo zmadhuar ndopak, sidomos kur ndesh në përpjekjen e oborrit sulltanor për ta propaganduar administrimin e tij si një model për të gjithë provincat veriore të perandorisë.
I trajtuar kështu Skënderbeu mysliman e ka pëlqyer këtë rol përderisa në territorin ku qeverisi, të krishterët nuk e kanë ndjerë veten aq mirë sa të mos ia kursejnë mosbindjen për sa ishte gjallë dhe urrejtjen po ashtu më pas. Vdekja e tij lehtësoi shpërthimin e menjëhershëm të një cikli kryengritjesh të tyre, të cilat nuk rezultuan me fitore për shkak të ndërhyrjes me forcë të mikut të hekurt, Gazi Husrev Beut.
Oborri sulltanor patjetër e ka përdorur këtë imazh kundërvënës ndaj Skënderbeut princ i Krujës dhe gjeneral i shumënjohur nga Evropa përderisa tek malazezët, popull tradicionalisht i krishterë, i biri i Ivanit nuk hyri dot në zemër. Stanisha me emrin e konvertuar si paraardhësi i tij i famshëm, në rast se duke qenë realisht i aftë nuk do të pëlqente të përdorej për diversion politik, do të mbetej shumë më dashamirësisht në kujtesën e vendasve. Ai bëri lojën e Parandorisë Osmane dhe kështu u ndëshkua.
Kujtojmë se provinca e tij, e zgjeruar më pas edhe me qytetin e rrethinat e Shkodrës, qe e banuar nga shqiptarë. Kështu të dy etnitë në të njëjtën provincë kanë ndikuar tek njëra-tjetra për t’i bërë bllokadë imazhit të tij rivalizues me Gjergj Kastriot Skënderbeun. Në këtë njëmendjeje të dy palët, në një harmoni të plotë, e kanë fundosur në sgafellat e historisë, shumë larg vëmendjes dhe kureshtjes së shqiptarëve dhe malazezëve pasardhës”.
Ylli Polovina
Tiranë, më 19 korrik 2017
”Gjon Muzaka i Beratit përballë Skënderbeut”
“Pasardhesit e Skënderbeut, si u mbajtën fshehur”
Si u shpik vajza e Skënderbeut me emrin Vojsava
.
Libri për gjenealogjinë e pasardhësve të Skënderbeut, “Di Giorgio Castriota Scanderbeg e de’ suoi discedenti”, i Karlo Padiliones, doli në jetë kur, për të zënë një pozicion tepër strategjik në Ballkan, qenë Italia dhe Austrohungaria që së bashku apo veç e veç, u përpoqën të realizonin krijimin e shtetit të pavarur të Shqipërisë. Në një situatë të tillë, të paktën në rastin italian, aksioni i dëbimit të turqve dhe i pushtetit të tyre kërkonte një emër të përveçëm, i cili të kishte autoritetin e mjaftueshëm për ta udhëhequr luftën çlirimtare ose për ta administruar shtetin e ri që do të dilte prej kësaj beteje. Të paktën për italianët cili mund të qe më i përshtatshëm se një pasardhës i Skënderbeut, ndërsa këta prej qindra vitesh jetonin aty dhe ishin nënshtetas të atij vendi? Përveç të kaluarës historike të famshme këta garantonin edhe mbajtjen e një lidhjeje të fortë jo vetëm me Romën si kryeqytet i shtetit të tyre laik, por edhe me vetë Krishterimin, nëpërmjet Vatikanit. Ndërkaq nuk qe veprues vetëm ky projekt i Perëndimit. Ishte edhe një i Lindjes, ku pretendenti do të dilte prej kthinave të Perandorisë Osmane apo, për një manovër më elastike interesash, edhe prej asaj egjiptiane, të mbretëruar nga një dinasti, asaj të Mehmet Aliut, me origjinë të njohur shqiptare.
Veç në Lindje funksiononte edhe një linjë tjetër, ajo sllave, e cila qe rrjetë që thurej në kryeqendrën e Rusisë cariste, në Shën Petërsburg. Kjo kishte dorë të gjatë të saj serbët. Pas vdekjes së Skënderbeut, mes jo pak përpjekjeve për ta bërë atë me origjinë jo shqiptare, por greke dhe sllave, nuk kishte qëndruar duarkryq edhe Mavro Orbin, autor i një libri me mjaft autoritet tek kombësia e vet: “Mbretëria e sllavëve”. Qe botuar në 1601 në qytetin italian Pesaro. I njohur në Perëndim me emrin Mauro ai pati lindur në qytetin e Kotorit, në një hapësirë mjaft të afërt dhe të pleksur me etninë shqiptare, sot territor i Malit të Zi. Emri i tij i pagëzimit qe Fran dhe kjo të bën ngasje të madhe të hamendësosh se duhej të ishte shqiptar.
Vetëm kur ky u bë pesëmbëdhjetë vjeç dhe hyri në urdhrin monastik Benediktin e shndërroi atë në një variant tepër të përhapur mes tyre: Mavro. Ky e sajoi historinë e një fëmije të dytë të Gjergj Kastriotit dhe Donikës, kur dihej që patën lindur vetëm një djalë. Në vitin 1599, me që në viset e tij nuk kishte shtypshkronja, Mavro shkoi në Itali për t’u kujdesur për botimin e librave të vet. Këtu vizitoi bibliotekën e dukës së Orbinos, ku mundi ta përhapte punën e tij edhe në sajë të ndihmës që i dha përkujdesësi i vet i pasur, Marin Bobaljeviç. Pas kësaj shkoi në Raguzë, ku jetoi deri sa vdiq.
Tashmë Mavro Orbin është vlerësuar si një shkrimtar pansllav dhe vepra e tij kryesore, cituar më sipër, mbetet një krijesë tërësisht ideologjike dhe e ngarkuar me mitologji sllave. Qe kjo arsyeja përse në 1723 libri i tij u përkthye në gjuhën ruse dhe u botua në Shën Petërsburg.
Kur filloi të formësohej shteti sllavojugor, ai i porsadalë dalë nga pushtimi osman dhe që ashtu, në kërkim të një hegjemonie ballkanike Serbia po hynte në shekullin e njëzetë, për të justifikuar përpjekjet shovene, me synim edhe tjetërsimin etnik të shqiptarëve, u mbështetën tek doktrina Orbin. Qe ky momenti kur, për fat, përherë e më shumë u shtua numri i historianëve që filluan ta vlerësonin atë si të pasaktë.
Këtij, Mauros, i duhej shpikja e Vojsavës vetëm ideologjikisht. Synonte të forconte në identitetin sllav të Gjergj Kastriotit dhe të dinastisë së tij e t’i jepte përparësi absolute, mbi atë arbëre, kësaj përkatësie etnike. Nënën e tij, Vojsavën, Orbin, pra i pagëzuari gjer në pesëmbëdhjetë vjeç me emrin e viseve tona Fran, e konsideronte tërësisht serbe dhe prania (e fantazuar) e një mbese me të njëjtin emër, do ta paraqiste jo si rastësi, por si një origjinë të vijuar, të vetëdijshme, ngulmuese, të themeltë e të shndërruar në rregull e traditë trashëgimi.
Version i printueshem
Faqja paraardhese |
|
|