|
KUJTESA KOMBËTARE NËN AGRESION
(Botuar në gazetën online “Shqip” më 22 korrik 2017)
Para fare pak kohësh autori i këtyre radhëve u ndje shumë i lehtësuar prej disa dokumenteve dikur të kyçura në arkiva, por tashmë të hapura publikisht në 29 prill të këtij viti, të cilat provonin se i burgosuri politik i regjimit të para nëntëdhjetës, Daut Gumeni, në një rrëfim personal mbi jetën e tij, nuk na pati gënjyer. Pikërisht në këtë të përditshme, “Shqip”, shumë vite të shkuara, kisha botuar në dy mumra rresht dyfaqëshe mbi përgjimin, arrestimin, procesin gjyqësor dhe qëndresën në burg të Gumenit.
Interesimi për këtë jetë më qe shkaktuar jo si dëshirë për të nxjerrë më në pah një jetë individi, një biografi personale, sado e shquar të ishte, sepse Dauti është edhe intelektual i spikatur, autor librash si edhe përkthyes me sqimë. Synimi i autorit të këtyre reshtave qe tjetër gjë: të paraqitja prova se në Shqipërinë e vënë nën kontroll të rreptë dhe sundim total prej një grupi personash të vetëquajtur “komunistë”, nuk kishte pasur konformizëm të shtrirë sa gjatë-gjerë, as mungesë të plotë rezistence. Teza manipuluese, trushplarëse e pas motit 1991, e nxitur dhe e përhapur posaçërisht prej disa shumë të fuqishmeve dhe të privilegjuarve të së kaluarës bolshevike, të cilët simuluan për qëllime ripërfitimi, bashkë me konvertimin artificial politik, edhe një falsifikim të së shkuarës së tyre, ishte se në Shqipëri gjatë gjysmëshekullit të “diktaturës së proletariatit” nuk u dha asnjë shenjë disidence. Me pak fjalë ajo pothuaj nuk pipëtiu. Sipas tyre, asnjë lloj rezistence antikomuniste, ndoshta më saktë kundërhoxhiste, nuk mund të bëhej.
Sipas asaj që më rrefëu dhe unë ja përcolla opinionit publik nëpërmjet një gazete me tirazh të madh, duke ndikuar kështu sadopak në kujtesën kombëtare, Daut Gumeni e pati bërë një qëndresë të tillë. Ai qe mirëfilli një disident politik. Madje nuk ishte as i vetmi.
Sidoqoftë, duke e patur një merak mos në rrëfimin e vet ai e kishte tepruar, siç ndodh rëndom edhe me ata që kanë përjetuar burgime politike, publikimi i dokumenteve zyrtare në fundprill të këtij viti më lehtësoi shpirtërisht shumë. Madje Daut Gumeni qëndresën e tij na e kish përshkruar me tone më të përmbajtur.
Ishte një sjellje e tij shumë e ndershme. Mbi të gjitha mjaft korekte ndaj historisë dhe kujtesës kombëtare, pasurisë së madhe të përbashkët që kemi, e cila na jep identitet dhe na dallon mes popujve të tjerë. Iu gëzuam sjelljes së sinqertë të Daut Gumenit sepse tashmë mund të thuhet, pas një çerek shekulli shoqërie të hapur, se jemi të rrethuar nga gënjeshtra. Është mbi të gjitha kujtesa kombëtare e sulmuar prej saj. Një agresion më i pabesë se ai i 7 prillit 1939. Kërkon t’ia marrë pavarësinë dhe shkatërrojë sovranitetin.
Për fat të keq mes shqiptarëvc gjithnjë e më tepër gënjeshtra po ndihet si në shtëpinë e vet. Kjo ndodh jo se jemi popull mashtrues, por sepse me të metën e jetës kolektive mjaft të dobët dhe prani shteti nën minimumin jetik, nuk arrijmë dot t’i frenojmë tërë ata që i janë vërsulur historisë kombëtare për ta bërë lesh e li. Gjeneralin shtatlartë Gjergj Kastrioti Skënderbeu ta bëjnë me trup xhuxhi, Esat Pashë Toptanin të justifikuar në tradhëtinë e tij sistematike vetëm sepse u vra me një gjest paligjor, se për hir të antikomunizmit hidhet poshtë një kontribut i tre gjeneratave që bënë gjithçka, sa dinin dhe besonin, për ta mbrojtur dhe përparuar atdheun.
Kaq e shtrirë shumë është kjo brerje e historisë kombëtare sa ngjan sikur leshelija ose më saktë Rumpalla, është mënyra jonë e të jetuarit. Kjo patjetër nuk është pamje reale. Shqiptarët mund ta lejojnë apo tolerojnë rrumpallimin kur zënë toka të të tjerëve dhe ndërtojnë shtëpitë e tyre, madje me ndonjë flamur kuq e zi sipër. Ose kur shtyjnë gardhin e oborrit. Apo në mote të vështirë si 1913 ose vite të trazuar rëndë si 1997. Sepse për shembull kanë 1912-tën, një kulmim i aftësisë për të rilindur si shtet dhe shoqëri. Kanë 1990-tën, nga më shkëlqimtarët për maturinë dhe forcën shndërruese progresive. Kanë po ashtu motin 1999 me solidaritetin mahnitës të luftës për çlirimin e Kosovës. Shqiptarët janë krejt normalë në të gjitha sjelljet njerëzore në raport me familjen dhe njëkohshëm të hapur ndaj vlerave qytetare.
Duke qenë të ndjeshëm dhe të shumë interesuar ndaj historisë së tyre të formimit si etni, komb dhe shtet, ata duken të tronditur shumë me çfarë po u ndodh prej kaq kohësh, pa u ndërprerë. Përveç Ismail Qemalit, i cili në veprimin e tij politik, por edhe në librin e vet të kujtimeve, nuk ka qoftë edhe një fjalëzë të gënjeshtërt, për fat të mirë më pas edhe Fan Noli, Ahmet Zogu në disa gjymtyrë të rëndësishëm të jetës së vet manipuloi. Do të ishte me pak dëm nëse mashtrimi do ta reflektonte pasojën vetëm tek biografia e tij personale, por shtrëmbërime të tilla për interesa vetiake detyrojnë gjymtime të të gjithë historisë nacionale.
Ndaj kësaj të fundit, historisë kombëtare, u krye një deformim i vërtetë kur Shqipërinë e drejtonte çifti Enver dhe Nexhmije Hoxha, të cilët nëpërmjet të ashtuquajturit Institut i Studimeve Marksiste-Leniniste ja dolën të hedhin në treg qëndra mijë “vepra”, “përmbledhje dokumentesh”, “kujtime”, ku e vërteta qe fare e vogël dhe gënjeshtra një pirg i madh. Kur modeli i tyre personal dhe ideologjik ra, në historinë kombëtare jo vetëm u krijuan gropa të mëdha që duheshin mbushur, por edhe u krye një proces i shplarjes së trurit, pasojë tepër vështirësisht e riparueshme. Janë pikërisht trushplarësit e shkuar që po bëjnë me zell tani një nga paudhësitë më të mëdha, të papajtueshme me vetë demokracinë dhe parimet e funksionimit të shoqërisë së hapur. Prej tyre dhe ndjekësve e mbështetësve që kanë, Shqipëria po gënjehet më shumë se para nëntëdhjetës. Nuk ka më Institut Marksist-Leninist, por disa zabërzanë që të dashuruar patologjikisht pas vetes dhe mbetjes së tyre si gozhdë në vëmendjen e opinionit publik, janë shndërruar dhjetëfish më shumë në shtrëmbërues të të vërtetave historike.
Sot, tek po shkruajmë këto radhë, 21 korrik 2017, u varros një bashkëkombës, Flamur Çani. Ka qenë para nëntëdhjetës deri edhe kryetar i komitetit ekzekutiv të Gjirokastrës dhe më pas deputet. Në fund të viteve tetëdhjetë kreu me një aftësi diplomatike nga më të rrallat një mision të dobishëm që ja dha Rami Alia: komunikimin me autoritetet greke për hapjen sa më të plotë të marrëdhënieve mes dy vendeve. Këto ai i ka shkruar në një libër, siç edhe ka botuar edhe disa të tjerë. Atë kohë shumë pak njerëzve dhe mediave u ra në sy kjo punë dhe kështu ndikimi i tyre në të vërtetën historike qe tepër i vogël, një e mijta e një zhurmaxhiu të ditëve të sotme.
Në tetë libra dhe mbi dymijë e pesëqind faqe Flamur Çani, i cili politikisht është e anasjella e Daut Gumenit, nuk ka gënjyer në asnjë rresht. Dëshmoi një çiltërsi të madhe dhe patjetër duhet të kujtohet dhe konsiderohet një prej mbrojtësve të sovranitetit të historisë shqiptare. Për ta bërë sa më të mundshëm ngulitjen tek lexuesi i emrit dhe veprës së tij të pabujshme, po sjellim një fragment prej librit të tij “Leximi i shpirtrave”. Tregon diçka për Zef Malajn, emri i të cilit u lakua shumë në rumpallën e fundit të debatit mbi humbjen e procesverbalit të mbledhjes themeluese të Partisë Komuniste Shqiptare. “Zef Malajn, shkruan Flamuri, unë nuk e kam njohur më parë. Ai ishte i internuar në Labovë të Zhapës, në Odrie, ndaj edhe nuk isha takuar e të bisedoja me të. Nga librat dhe sidomos nga Historia e PKSH kisha mësuar shumë për të, i cili kish qenë kryetar i Grupit Komunist të Shkodrës. Kish bërë disa vite burg dhe tani ishte në internim, në Labovë”.
Më pas Flamur Çani tregon se me dy miq të tij, njëri i Punëve të Brendshme, i ardhur nga Shkodra, po drekonin, ndërsa para klubit qëndronte makina “Gaz” e degës së së qytetit verior. Atje brenda qëndronte i mbyllur dhe i prangosur Zef Malaj, të cilin po e dërgonin në qytetin e Shkodrës për të marrë pjesë në funeralin e të motrës. Zefi i mbyllur brenda “Gaz”-it thërriste se donte të urinonte dhe njeriu që pati ardhur për ta marrë, përtypte mish, pinte raki dhe nuk ia hapi derën për një kohë të gjatë, aq sa Malajt i erdhi të fikët. Kur më në fund ia çelën derën dhe Zefi derdhi ujin e hollë (“ishte një burrë rreth të pesëdhjetave”, shkruan Çani), kryekomunisti i Grupit të Shkodrës, u tha torturuesve: “Talluni, tani, talluni, pse të mos talleni me mua, mor djem. Por unë kam hall, më ka vdekur e mira, e bukura motër, rreth 40 vjeçe. Më mëshironi mua, se unë nuk jam për t’u tallur. Kur kam qenë në lulen e rinisë ndoshta gabova, e tani po shlyej ato gabime”.
Ylli Polovina
Tiranë, më 21 korrik 2017
Version i printueshem
Faqja paraardhese |
|
|