|
PD, KU PO SHKON
(Botuar në gazetën online “Shqip” më 5 korrik 2017)
Tashmë zhvillimet e ngjarjeve paszgjedhore tek “blutë” u ngulitën në përcaktimin e vetëm dy kandidatëve për drejtues të partisë së tyre. Këtë vendim e mori, pasi shqyrtoi kërkesat garuese përkatëse, vetë kryesia e PD-së.
Mbetesh i pagojë për këtë rregull.
Kur u paraqitën listat për deputetë dhe në opinionin publik u ngrit dyshimi se si për to vendosnin vetëm kryetarët, e njëjta gjë si për Edi Ramën e të tjerë, u tha edhe për Lulzim Bashën. Në mbështetje të këtij të fundit qe Sali Berisha, i cili ia konfirmoi: është e drejta e tij.
Kjo është disiplinë totalitare, kufizuese e frikshme e lirisë brenda një partie, të cilat janë bashkimet vullnetare më të gjera të mundshme. Ato funksionojnë në formë “populli”. Njihet në politologjinë perëndimore përdorimi i termave “populli i majtë” apo “populli i djathtë”, “populli kristiandemokrat”, “populli monarkist” apo “populli republikan”. Sigurisht rregulla bashkëjetese ka, por jo të modelit bolshevik, ku mosbindës me kryetarin shpalleshin tradhëtarë dhe, tepër e dhimbshme, PKSH apo PPSH disa i çoi edhe në pushkatim.
Pjesë e kësaj moskulture politike perëndimore qe përjashtimi në listat e kandidimit të të gjithë demokratikasve që nuk shkonin individualisht me Bashën. Tashmë me Eduard Selamin rival në ballafaqim u zgjodh një figurë e hapur mendërisht, por shumë “paqësore” me të gjithë e ca më tepër me kryetarin aktual. Asgjë nuk do t’i ndodhte Partisë Demokratike po të mbante në këmbë rregullin që ta shpallnin dhe sipërmerrnin konkurimin cili të deshte prej anëtarëve të saj. Asnjë licensë zyrtare të mos jepej. Në një parti moderne gjithçka vetërregullohet, nuk rrezikon kaos, sepse fiton argumenti dhe arsyeja. Këto janë “kryesia” më e mirë.
Sidoqoftë kjo ndodhi. Dy përfaqësues të një fryme gjenerate të re dhe jo konfliktuale do të ndeshen së afërmi apo do të bëjnë si të tillë. Shumica e shenjave paralajmëruese lënë të kuptosh se PD do të rikonfirmojë Lulzim Bashën. Ngjarjet, madje, po shtyhen ngultësisht në këtë drejtim.
Ky djalë i mirë, por jo i plotësuar fort me aftësinë agresive të politikanit, disi retorik dhe i prirë të mos i bëjë dot ballë trysnisë nepotike, pak realizues, mund të prodhojë një mandat opozite të flashkët, plot dilemë dhe pavendosmëri, kur “timonieri” Rama, tashmë “goxillë”, ka nevojë të përballet herë pas here me furinë e një të ngjashmeje.
Por kjo gjendje, në emër të stabilitetit të domosdoshëm të vendit dhe të pakteve PS-PD për të zbatuar reformat e mëdha evropianizuese, gjithnjë në kuadër të anëtarësimit në BE, mund të pranohet sadopak, por si do të gjejë justifikim një çështje e madhe nonsensi, e cila gjeneron bumerang të vazhdueshëm. Sali Berisha nuk i fitoi zgjedhjet në 2013 pas tetë vitesh qeverisjeje, kurse Lulzim Basha pas katër motesh opozite.
Dhe në 2017 bëhet fjala për një humbje numerike tepër të rëndë.
Eduard Selami qytetar dhe i sjellshëm, me mungesën e adrenalinës së mjaftueshme politike nuk garanton rikthim të shpejtë të PD-së në qeverisje, ç’ka në këtë mandat të dytë të socialistëve është jo vetëm e domosdoshme për pluralizmin, por edhe tepër e mundshme. Sepse kanë nisur katër vitet e ringritjes së Partisë Demokratike.
Ndërkaq Basha i mbetur në krye do të jetë me një pikë të dobët personale, me një “thembër Akili”: humbjen e rëndë të partisë së tij. Duke mos i pasur kurrsesi të gjitha përgjegjësitë, madje i vënë në atë pozicion për t’iu shkarkuar ato dhe lehtësuar të tjerë, ai deri tani në historinë e shqiptarëve të viteve dymijë, në titujt Gines të tyre, hyn si kampioni i humbjes së PD-së.
A shkohet kështu drejt fitores?
Ylli Polovina
Tiranë, më 4 korrik 2017
Version i printueshem
Faqja paraardhese |
|
|