|
PROCESVERBALI I THEMELIMIT TË PKSH-së HUMBI, U FSHEH, U DOGJ APO DIKU RUHET? Pjesa e parë
Intrigimi i Spartak Ngjelës deri tek Ramiz Alia
(Botuar në “Shqiptarja.com” më 30 qershor 2017)
Kur në librin “Dokumenta kryesore të PPSH”, vëllimi i parë, botim i dytë 1971, përgatitur prej Institutit të Studimeve Marksiste-Leniniste pranë Komitetit Qendror të Partisë së Punës të Shqipërisë, në kapitullin e parë “Mbledhja e Grupeve kryesore Komuniste për krijimin e PKSH-së” do të shkruhej “Për udhëheqjen e Partisë u zgjodh Komiteti Qendror i Përkohshëm prej 7 vetësh. Për drejtimin e tij u zgjodh shoku Enver Hoxha”, pati ndodhur gjer atëherë një qerthull i tërë shtrëngimi politik ndaj historisë. Asaj iu vu lak. Pak a shumë qe kryer një linçim.
Ishin kyçur mjaft gojë, mbyllur shumë sy dhe prerë pa mëshirë koka dëshmitarësh të së kundërtës: faktit që Enver Hoxha nuk kishte qenë aspak jo vetëm themeluesi, por as drejtuesi partiak ose edhe thjesht teknik i Partisë Komuniste Shqiptare. Për plot 17 muaj që nga ditëthemelimi-
Presioni deri në terror për t’ia dalë këtij falsifikimi ka një kulmim shumë të dhimbshëm, të cilën historia jonë kombëtare nuk duhet kurrë ta harrojë: Tuk Jakovën. Një libër i botuar së fundi prej studiuesit Nikollë Loka do t’u jepte një pamje të plotë të kësaj kryeintrige dhe krimi makbethian.
Ndërkohë opinioni publik pak ditë më parë, pra në mes qershor të këtij viti, 2017, do të merrte vesh edhe një hollësi tjetër rreth censurimit dhe falsifikimit të së vërtetës mbi gjoja statusin e Enver Hoxhës si themelues e udhëheqës i PKSH që në 8 nëntor 1941. Kjo hollësi duket si çështje periferike, si thjesht një nga rastet fatlume për të rritur përkohshëm tirazhet e gazetave, por realisht përbën një target fenomeni, një kuptimësi të saj, një simbol. Ajo që u zbulua pak ditë më parë si një lloj “scoop” kalimtar, përmban brënda vetes të gjitha karakteristikat e një dëshmije sa tronditëse qe gjatë gjysmëshekullit “socialist”, të prekje fushën e minuar të parcelës ku Hoxha pati ngritur monumentin e vetes.
E paraqiti si supersekret
Episodi i ri është një letër të cilën Spartak Ngjela, bir i dy partizanëve dhe po ashtu komunistëve të rezistencës kundër pushtimit fashist italian dhe gjerman gjatë Luftës së Dytë Botërore, në vitet tetëdhjetë i burgosur politik, i pati dërguar nga qelia e Burrelit numrit një të regjimit, Ramiz Alisë, një letër shumë të shkurtër, pothuaj një telegram, e cila në pallatin e pushtetit do të shkaktonte tërmet.
Kjo ndodhi në 5 mars 1986.
Letra thoshte: “Po ju njoftoj se procesverbali i mbledhjes së themelimit të Partisë Komuniste Shqiptare (nëntor 1941), i cili deri tani është konsideruar i humbur, ekziston. Bashkë me të gjendet edhe një material prej qindra faqesh që ka të bëjë me veprimtarinë e grupeve komuniste para themelimit në fjalë.
Unë në këto çaste jam në dijeni të plotë për vendin e saktë ku ndodhet i gjithë ai material dokumentar që flet për faktogjenezën e partisë suaj. Nëse ju nevojitet për ta pasur, jam i predispozuar të bashkëpunoj”.
E mbërritur në destinacion, pra aspak e anashkaluar, letra për mundësinë e ekzistencës reale të procesverbalit të mbledhjes themeluese të PKSH bëri që Ramiz Alia të vinte menjëherë në dijeni për këtë zhvillim anëtarët e Byrosë Politike si edhe nga një kopje e letrës së Spartak Ngjelës t’u dërgohej krerëve të kulturës në parti e qeveri, Foto Çamit dhe Manush Myftiut. Ministri i Brendshëm Hekuran Isai u ngarkua vetëtimshëm të mblidhte të dhëna sa më të plota për çfarë dinte i burgosuri politik. Kështu për në burgun e Burrelit u nisën të ngarkuar specialë, të cilët morën kontakt me letërdërguesin.
Rezultati nuk qe inkurajues. Spartak Ngjela i përcolli emisarëve të fshehtë të Isait se qëndrimin ngulëkëmbës se do ta shpjegonte më hollësisht se si mund ta gjenin këtë procesverbal, deri ato çaste të trajtuar si të humbur, vetëm në rast se vinte ta takonte “një anëtar i PPSH që nga themelimi i saj, intelektual dhe të ketë ndonjë funksion shtetëror ose partie”.
Kjo ende nuk ishte mbyllje porte, por kusht i fortë qe patjetër. Çfarë sekreti të madh dinte i burgosuri politik Ngjela që kërkonte garanci se të dhënat e tij speciale do të binin në një dorë të sigurt politike, por edhe profesionale dhe se patjetër çfarë do të thoshte ai do të mbërrinte deri tek numri një i vendit: Ramiz Alia?
Sipas sjelljes dhe veprimeve të Spartak Ngjelës në atë mars 1986, vit kapërcyelli i mundshëm e i dëshiruar prej Perëndimit, por edhe forcave liberale brenda Shqipërisë, që të shënonte nisjen e një shkëputjeje të butë të Alisë prej doktrinës dhe modelit të qeverisjes së Enver Hoxhës, atë të dhënë që zotëronte rreth fatit të procesverbalit të diskutimeve të mbajtura gjatë seancave themeluese të PKSH, nuk e dinte njeri tjetër.
Thua ishte e vërtetë kjo?
Heshtje në burg për shtatë vite
Spartak Ngjela burimin e tij të informacionit të mbajtur top-sekret në mars 1986 dhe për pasojë jo të dorëzuar tek autoritetet e vendit, ia shpjegoi lexuesit shqiptar pak ditë më parë, në 22 qershor 2017, si të vendosur në këto rrethana: “Nga fillimi i vitit 1980 Zef Mala u ekzaminua me kancer në mushkëri. Befas unë e takova atë në Burgun e Tiranës, ku që të dy ishim tranzitë: unë shkoja në Burgun e Burrelit, kurse ai mbas spitalit për në një burg tjetër. Takimi ishte i përditshëm. Ai e dinte se do të vdiste dhe në këto çaste më dha dy porosi”.
E para ishte fati i një libri të tij qindrafaqësh në dorëshkrim, e dyta ajo e procesverbalit të mbledhjes themeluese të Partisë Komuniste Shqiptare. Mala i pati thënë bashkëvuajtësit Ngjela, gjithnjë sipas këtij të fundit, se pasi italianët e riarrestuan në ishullin Ventontene, ku e patën internuar, mes dokumenteve shkresore për masën e re ndëshkuese, i paraqitën edhe procesverbalin e themelimit të PKSH-së. Këtë prani të sigurt të këtij dokumenti Zef Mala ia shpjegoi me arsyen se atje emri i tij përmendej si organizator i revoltave kundër fashizmit dhe doemos ia patën futur në dosjen penale për të mbështetur akuzën e tyre të re. Ato çaste, siç e tregon Spartak Ngjela, Mala i kishte pohuar se e pati lexuar me një frymë këtë material, për të cilin nuk dinte më parë asgjë. Më 8 nëntor 1941 ai qe i dënuar prej italianëve dhe jo i pranishëm në Shqipëri për t’u ndodhur në mbledhjen themeluese.
Të ridënuarit i pati bërë përshtypje prania e thekshme në këtë ngjarje e komunistit jugosllav Miladin Popoviç, i cili nga lënda e shkruar të linte përshtypjen se kishte fuqinë e plotë të kryetarit të partisë. Për Enver Hoxhën Zef Mala, siç i pati pohuar Ngjelës, kishte lexuar se ky pati marrë pjesë në diskutime “shumë pak dhe pa peshë”.
Amaneti konkret i Malës për Spartak Ngjelën qe ky: “Nesër do të ndahemi....Procesverbali i themelimit është në dosjen time penale në Romë. Nuk ka zot që të humbasë, dhe nuk e kanë vrarë mendjen italianët që ta kërkojnë. Ai procesverbal i duhet historisë”.
Në këtë ditë kur për sa më sipër Ngjela e njoftoi me një bisedë për gazetën “Panorama”, shtoi edhe këto fjalë: “Me anë të kësaj interviste dhe të tjerave që do të jap, i kërkoj qeverisë shqiptare të marrë zyrtarisht në arkivat italiane, me marrëveshje të veçantë po të jetë nevoja, dokumentin e historisë tragjike të Shqipërisë komuniste”.
Siç del edhe nga kjo deklaratë publike avokati emërnjohur vijon të ketë përshtypjen se ky procesverbal ekziston edhe këto çaste në Itali dhe se këtë histori, pas më treçerek shekulli ai po e nxjerr nga sekreti.
Saktësojmë se Zef Mala ka ndërruar jetë në spitalin e burgut të Tiranës në 27 dhjetor 1979 dhe nuk ka se si ai të jetë takuar me Spartak Ngjelën në fillim të vitit 1980. Por kjo mund të jetë një pasaktësi e paqëllimtë, kohë e përcaktuar edhe me hamendje. Periudha e ngjarjes mbetet precize: në momentet e fundit të jetës së Malës.
Ndërkohë duhet të mbajmë shënim, për ta interpretuar në momentin e duhur se që prej çastit të besimit të amanetit, 1979, deri kur Ngjela hartoi letrën për Ramiz Alinë, kanë kaluar shtatë vite.
Reagon vetëm Kastriot Dervishi
Në pjesën përmbyllëse të raportit informues të Hekuran Isait për reagimin shumë kushtëzues të Spartak Ngjelës për të dhënë sekretin e vendndodhjes së shënimeve protokolluese të mbledhjes themeluese të PKSH-së, i thuhej Ramiz Alisë se, krahas refuzimit të të dërguarve, letërdërguesi pati mospranuar edhe një raportim të shkruar për këtë çështje. Ministri i Brendshëm e njoftonte shefin e vet se Spartak Ngjela “gjatë vuajtjes së dënimit zhvillon veprimtari të hapur armiqësore” dhe se pikërisht për këtë arsye “është ridënuar dhe kohët e fundit është demaskuar para të dënuarve e është paralajmëruar”.
Kështu çështja u mbyll pa i çuar bisedimet e marrjes së sekretit më tej. Prej kreut të shtetit u risiglua gjykimi se Ngjela ishte një armik dhe se me dërgimin e letrës dhe kushtet që vinte për të treguar çfarë dinte ku gjendej e fshehur tërë lënda e procesverbalit të diskutimeve për themelimin e PKSH-së, pati kryer thjesht një provokacion. Dosja u mbyll me siglën “Tepër sekret”.
Nuk duhej hapur dhe trazuar prej asnjë dore.
Sigurisht në mars 1986 Ramiz Alia për procesverbalin e mësipërmë dinte shumë më tepër se Spartak Ngjela dhe këtë rrethanë do ta shpjegojmë më poshtp, por alarmimi i tij kishte të bënte me një shqetësim të madh: merakun se mos vërtetë ajo dëshmi që Enver Hoxha nuk qe zgjedhur drejtuesi i partisë ekzistonte vërtet në një qoshe të fshehur fort, në pamje origjinale apo edhe në formë fotokopjeje, çfarë do t’i hapte atij personalisht një telash të madh. Do t’i digjte duart dhe nuk do ta kish të lehtë ta ruante në arkivin e tij apo edhe të Shtetit.
Atë dokument Enver Hoxha e kishte dënuar me mosgjetje, pse jo edhe me asgjësim në rastin më të parë që do të gjendej në arkivat e shtetit që mori në dorëzim në 28 nëntor 1944. Pikërisht nëse njerëzit e tij e gjetën apo jo, këtu nis edhe enigma e intriga bashkë. Sepse vërtet mund të mos ketë rënë në dorë të tij asnjëherë, veç nuk ka prova se nuk ka ndodhur edhe e kundërta.
Kur shtypi (gazeta “Panorama” fillimisht) bëri të ditur historinë e letrës së Spartak Ngjelës për Ramiz Alinë, ai që reagoi pas furisë së kësaj risije informative për historinë e PKSH-së, qe studiuesi dhe njëkohësisht ish-drejtori i arkivit të Ministrisë së Punëve të Brendshme, Kastriot Dervishi.
Do të mbetej edhe i vetmi, ndërkohë që për çështje të tilla tepër të rëndësishme të historisë kombëtare mund dhe duhet të shprehen, të paktën edhe në rolin e qytetarit, por edhe si profesionistë, punonjës të Institutit të Historisë, i cili institucion është një qendër studimore mjaft e kualifikuar.
Sipas të vetmit të prononcuar deri tani, Kastriot Dervishit, realisht njohës i mirë i kësaj çështjeje dhe në vijimësi disavjeçare pasqyrues i saj në botime, “Procesverbali i themelimit të PKSH-së është zhdukur në Shqipëri e jo në Itali”, se “Fletoret e themelimit të PKSH-së kanë qenë gjithë kohën në Tiranë. Ato u përfshinë si prova hetimore të një procesi të madh politik që është zhvilluar për pjesën më të madhe të komunistëve në mungesë”. Po ashtu se “Zef Mala është burgosur në Itali, por dënimin e mori në Shqipëri rreth korrikut 1943 dhe këtu u vendos dënimi i tij. Edhe nëse pranojmë faktin se Zefi i ka parë fletoret, këto i ka parë vetëm në Shqipëri kur është dënuar dhe hetuar dhe jo në Itali. Fletoret nuk mund të ishin pjesë e një procesi të veçantë në ngarkim të Zefit pasi ai nuk ishte themelues i PKSH-së, madje ndodhej në Itali. Përfundimisht e them me bindje se fletoret mbi themelimin e PKSH-së nuk kanë qenë kurrë dhe nuk janë në Itali. Ato kanë humbur në kohën kur komunistët morën pushtetin në fund të vitit 1944. Në këtë kohë, komunistët, pasi hoqën nga puna të gjithë arkivistët “e shtetit borgjez”, përveç katastrofave të shumta që i shkaktuan vendit, shkatërruan, dëmtuan dhe asgjësuan shumë dokumente me vlerë të jashtëzakonshme historike”.
Dervishi, siç e shihni, mendon se procesverbali i themelimit të PKSH-së duhet të jetë asgjësuar nga padija prej punonjësve jo profesionistë që solli në krye të arkivave pushteti komunist, pra jo me ndonjë synim të ndërgjegjshëm, të posaçëm, të qëllimshëm, të komanduar.
Mendimi ynë, i cili nuk përjashton aspak pakujdesjen e të emëruarve politikë të regjimit të pas dyzetë e katrës, arkivat komuniste nuk do të qenë kaq shkatarraqe sa tash bëhet propagandë, kur dihet se edhe pas vitit 1990 në arkivat shqiptare të trashëguara prej gjysmë shekullit bolshevik janë kryer zhdukje dhe manipulime të tyre prej vetë nëpunësve të caktuar nga pushteti i ri antikomunist. Arkivat e para nëntëdhjetës, ku në vitet e fillimit injoranca profesionale patjetër ka shkaktuar dëme, do të ruanin jo vetëm tërë lëndën e plenumit të dytë të Beratit, të nëntorit 1944, ku Enver Hoxha pranon pothuaj gjithçka që konfirmon se ai nuk qe as themeluesi i PKSH-së dhe as drejtuesi i saj për plot shtatëmbëdhjetë muaj, nga ditëkrijimi deri në Konferencën e Parë të Vendit të partisë, të mbajtur në Labinot nga 17 deri në 22 mars 1943, ku në krye të 15 anëtarëve të Komitetit Qendror si edhe të 5 kandidatëve Hoxha për herë të parë u zgjodh realisht Sekretar i Përgjithshëm i PKSH.
Këto arkiva nuk kanë zhdukur, siç e bëri të ditur për herë të parë vetë Kastriot Dervishi, provat shkresore se Nexhmije Hoxha kishte qenë e afërt me Rininë Fashiste Italiane. Ato fije letre mund lehtësisht të asgjësoheshin, por nuk u prekën.
Doemos që vetë procesverbali i mbledhjes themeluese të PKSH-së ishte diçka tepër e veçantë, shumë provuese, qe një “bombë” politike kundër Enver Hoxhës dhe tërë mitit politik të krijuar rreth famës së tij si themelues dhe udhëheqës që në minutat e para të Partisë Komuniste Shqiptare. Historia e fatit të këtij procesverbali ende pa u çliruar vendi e sidomos në ditët e para të gjendjes së re, duhet të jetë ndjekur me përparësi nga Hoxha, po ashtu edhe me ankth çdo fjalënajë për ekzistencën reale të tij. Nuk mundej ai të bënte për këtë çështje indiferentin e moskokëçarësin e madh.
Këtë gjendje vigjëlimi dhe ngulmimi që hante koka, duhet ta kenë përjetuar shumë nga ata që e dinin të vërtetën.
Sepse, mes të tjerash, të bën përshtypje përse Zef Mala sekretin e ekzistencës së këtij procesverbali ia besoi në 1979, para se të mbyllte sy, të burgosurit tjetër politik, Spartak Ngjela, kur atë që ky bëri me letër për Ramiz Alinë në mars 1986, e bënte vetë Zefi me Enver Hoxhën pothuaj dyzetë mote të shkuara, në vitet 1949-1952, kur qe drejtor i Arkivit të Shtetit.
Apo këtë gjë nuk mund ta kryente dot, sepse do të shfarrosej prej Hoxhës?
Dhe një gjë e tillë duket ka ngjarë vërtet: në 1955, në motin e tmerrshëm të ndëshkimit të Tuk Jakovës vetëm sepse tha se Enveri nuk ishte as themeluesi i PKSH-së, por as edhe u zgjodh në fillim nëntor 1941 drejtues i saj, Zef Mala u fut në burg me akuzën “I dyshuar për lidhje me eksponentë të së majtës në perëndim”.
U mbajt në birucë deri në 1959.
Pas këtij shantazhi të qartë frikësues, i internuar familjarisht një pjesë të kohë dhe gjithë tjetrën në situatë përgjimi, ai sërish u rifut në izolim, ku edhe ndërroi jetë në fund të vitit 1979.
Pas Tuk Jakovës Zef Mala përbën rastin e dytë shumë të rëndësishëm të provës se për të falsifikuar biografinë e tij politike Hoxha ka marrë jetë njerëzish.
Një tablo të plotë të kësaj që ka ngjarë e jep historiani Paskal Milo në librin e tij “Shqiptarët në Luftën e Dytë Botërore”.
(Vijon)
Ylli Polovina.
Version i printueshem
Faqja paraardhese |
|
|