|
SI MUND TË DALIN ZGJEDHJET
(Botuar në gazetën online Shqip më 21 qershor 2017)
Rezultatin numerik do ta japë verifikimi konkret votë më votë, kurse sondazhet paraprakë, të dështuar së fundi që prej ballafaqimeve presidenciale në SHBA dhe ato të Brexit në Britaninë e Madhe, ndihmojnë të paktën për të kuptuar një lloj stresimi të opinionit publik ndaj partive politike si edhe praninë e zhvillimeve të befasishme tek zgjedhësit në marrjen e vendimit në orët apo minutat e fundit. Ndërkaq përpjekjet e çdo politikani apo partie për të paradhënë një pamje reale të përfundimeve elektorale mbeten më të pabazuarat dhe më të pavërtetat. Janë të ngjeshura tej për tej me yndyrë dhjamore dhe kolesterol gënjeshtrash.
Por edhe përpjekja e çdo qytetari apo edhe analisti për të paraqitur publikisht klasifikime rezultatesh zgjedhore, kur nuk është pasojë e ndonjë allishverishi sepse për fushatë votimi politik shpërndahet para e madhe, mbetet të jetë edhe në rastin e çiltërsisë një gjest i pakuptimtë protagonizmi.
Ajo që gjithsecili prej nesh mund të ofrojë, duke mos u marë me shifrat dhe kështu sjellë sadopak dobi, është vëzhgimi i prirjeve që do të kenë zhvillimet në ballafaqimin e 25 qershorit.
Prej përvojës së gjysmëshekullit paskomunist mendojmë se të dielën e ardhshme do të rikonfirmohet më së pari përpjekja e vendosur e elektoratit të Shqipërisë, e popullit votues aktiv të saj, për të ruajtur sistemin shoqëror politik: pluralizmin. Jo shumëpartitizmin, sepse tashmë shqiptarët e lirë mendërisht e kanë kuptuar se të kesh shumë parti nuk do të thotë patjetër shoqëri pluraliste dhe po ashtu demokraci. Edhe multipartitë krijojnë oligarki dhe përhapin demokratura. Me pak fjalë votuesit edhe këtë herë, siç kanë bërë për plot një çerek shekulli, do ta rregullojnë përzgjedhjen e detyruar mes partive dhe kandidatëve për deputetë të caktuar prej vetëm kryetarëve, në favor të ndarjes së qartë të pushteteve. Kjo është një vijë e papërthyer në historinë e zgjedhjeve tona pasdiktatoriale. Duke silluar prej marsit 1992, kur ja dhanë besimin e qeverisjes antikomunistëve të dalë nga Blloku. Pastaj më 1994-1995, për zgjedhjet lokale dhe votimin e kushtetutës së re duke ua hequr mbështetjen dhe shkaktuar me këtë rast, prej të humburve, dhunimin shtetëror të garës elektorale të vitit 1996, çfarë solli vuajtjen e pasojave me anë të trazirave 1997 dhe 1998. Në vijim ndodhi alternimi ciklik i dy rivalëve kryesorë në qeverisje, çfarë përbën rregull deri sot.
Ndarja e pushteteve do të thotë se zgjedhja e Ilir Metës si President i Shtetit do të konsiderohet e mjaftueshme për LSI.
Pushtetin ekzekutiv të Kryeministrit zgjedhësi shqiptar e të paktën pas moteve 1997-1998, ia ka dhënë opozitës. Veç me një kusht: partia në qeverisje të ketë kryer dy mandate. Tetë vite iu dhanë rozëve dhe tetë të tjera bluve. Edi Rama ka shansin edhe të një mandati tjetër, në përfundim të të cilit do të largohet me votë edhe sikur të jetë ylli i botës.
Duke hamendësuar se tetëvjeçari (jo mandati oktapod) do të vazhdojë rregullin e kohës së bollshme për të verifikuar e çmuar një kryeministërim, çfarë përmase pushteti do ti jepet Ramës?
Tradita e deritanishme e përpjekjes së vyer të shqiptarëve me kryeqytet Tiranën ka dëshmuar se kjo e drejtë nuk u jepet fillikatëve, pra një partie dhe vetëm një personi. Me autoritarët, siç ka qenë klasiku Sali Berisha, u veprua me mpakje të shtatit elektoral të partisë dhe ka shumë përtej një dekade që PD përfton vetëm statusin e partisë së dytë. Parti e parë vijon PS, por edhe kësaj votuesi pluralist shqiptar ia ka gjetur mekanizmin e rregullimit: nuk u jep rozëve shumicën absolute. Autoritarit modern me stil artistik, Edi Ramës, me sa duket do ti jepet në dorë mazhoranca relative dhe detyrimi të hyjë në dialog me të tjerë për të ngritur në këmbë kabinetin e ardhshëm.
Këtu mund të jetë çështje shifrash, të cilat tani askush nuk mund tani ti dijë saktësisht. Por edhe mendësie për të parë larg. Duke pritur mbrëmjen e vonë të 25 qershorit mbetet kërshëri e madhe si do të veprojë votuesi shqiptar mjaft inteligjent: do të ofrojë numura matematikorë për aleancë mes të majtës (PS dhe LSI) apo edhe kuptimorë mes demokratikasve dhe socialistëve.
Siç e shihni të dy tipet e aleancave nuk janë aspak të pëlqyeshme, të dëshiruara, por do të jenë të imponuara. Në 25 qershor, në të vetmin fat që i jepet çdo katër vite, zgjedhësi shqiptar, nuk ka përse ti shmanget gjestit të tij vital dhe po aq madhështor: ruajtjen e pluralizmit funksional.
Ylli Polovina
Tiranë, më 20 qershor 2017
Version i printueshem
Faqja paraardhese |
|
|