Ylli Polovina in italiano
VENDLINDJA KU JETOJ DHE PUNOJ QYTETI I DY VAJZAVE TË MIA
PUBLICITIKË

HAJRI HIMA LIBRI “AMBASADOR NË BALLKAN” I YLLI POLOVINES, KONTRIBUT I VYER PËR KOHËN
”REPUBLIKA E SHTATË”
“AMBASADOR NË BALLKAN”
“LOTËT E SORKADHES”, botimi i dytë
LOTËT E SORKADHES
Artikuj të tjerë .....



kërkoni në këtë faqe



S'AFËRMI
MIRËSEVINI

LLIXHAT E ELBASANIT APO EDHE TË ÇIKALLESHIT?


(Botuar në gazetën “Dita” më 11 qershor 2017)

Romakët e lashtë nuk mund ta kuptonin një vendbanim të madh të tyre pa praninë e ujrave termale. Qe njëlloj si uji i pijshëm. Skampius, Elbasani i lashtë me emërtim latin, ishte qyteti i dytë më i rëndësishëm i rrugës ndërballkanike të kohës së tyre, Via Egnatia. Pasi udhëtarët apo tregtarët, trupat ushtarake të legjioneve, zbarkonin në portin e Durrësit, pushimin ndërmjetës do ta bënin pikërisht në Skampi (tingëllimi ilir i fjalës).
Pikërisht këtë kohë nis edhe historia e llixhave, edhe pse në të vërtetë mund të jetë më e hershme. Në territorin ku ato sot ndodhen, pothuaj një dyzinë kilometrash larg Elbasanit, në të djathtë të tij kur udhëton për një Korçë, janë festuar më dukshëm se tani dy rite të lashta: “Dita e Shën Mërisë” dhe “Guri i Fatit”. Ceremonitë e tyre kryhen në të njëjtën ditë, në 28 Gusht. Banorët e zonave përreth vinë dhe lahen në ujrat termale. Tani që ka edhe botele balnearë një pjesë e kalojnë nëpër to një natë. Pas festimit të “Dita e Shën Mërisë” banorët bëjnë pelegrinazh në një shpellë që ndodhet në territorin e tyre. Aty ndezin një qiri dhe kalojnë tre herë nëpër shtigjet e shpellës. Ky ritual ka të bëjë me dëshirën e të pasurit fat dhe mbarësi.
Ndërsa Skampi pas dyndjes dhe pushtimit të vrullshëm e harbut sllav, sidomos në fazën e parë, shekulli VI-VII, e shkatërroi këtë qendër të lulëzuar banimi, qe sulltani turk Mehmeti II, i cili për ta përballuar dhe asgjësuar kryengritjen e Gjergj Kastriot Skënderbeut, e ringriti qytetin për strehimin e një garnizoni ushtarak sulmues. Prej këtij çasti emri u bë osman. Eli-Basam donte të thoshte në turqisht “vura dorë”. Deshifrues i këtij emërtimi me mendësi sundimtare ka qenë studiuesi i shkëlqyer orientalist beratas, Vehxhi Buharaja. Më pas Elbasani do të bëhej një ndër qytetet më kryesorë të Rilindjes Kombëtare, do të rilulëzonte me plot prestigj, por në atë perandori osmane në shuarje dhe po ashtu tashmë tepër të varfër, vëmendja për kurimet e trupit me ujra minerale qe lluks tepër i madh.
Personi që e riktheu famën e Elbasanit edhe tek rezervat e tij të ujrave kuruese qe Ahmet Zogu. Ishte koha kur pasi në vitin 1920 ishte shpallur kryeqytet Tirana dhe selia e administratës shtetërore qe larguar prej Durrësit, qendrës së mëparshme të shtetit, qyteti i Elbasanit u bë edhe më i afërt për të udhëtuar deri atje jo vetëm për çtresimin e diplomatëve të huaj, por edhe për shplodhjen e zbavitjen e kryeqytetasve të rinj të mirëqënë të mbretërisë. Kështu gjesti që bëri politikani matian, disa herë kryeministër dhe më pas president, për të përfunduar në mbret i shpallur me inisiativën e vet, mbeti në histori.

Inxhinier Doktori çek Beno: këto ujra kanë fuqi të madhe shëruese

Në një farë mënyre Zogu mbetet themeluesi i Llixhave të Elbasanit. Ky kërkoi t’i vinte një specialist i rëndësishëm prej vendit më çudibërës të ujrave termale në Evropë, Çekosllovakisë. Personi që u ftua dhe erdhi quhej Ing. Dr. Beno Winter, vetë drejtori i Mariánské Lázně, llixhave të famshme në krahinën e Karlovi Varit, të shumënjohura nëpër botë me emrin gjerman të tyre Marienbad, çfarë donte të thoshte “Banjat e Maries”. Këtu disa herë kishte qenë i pranishëm për t’i vizituar, por edhe për t’u kuruar, vetë poeti Gëte.
Pas përfundimit të misionit të Beno Pallati Mbretëror në Tiranë doli me një njoftim publik, tashmë të njohur për shkak të paraqitjes së tij jo vetëm në arkivat e shtetit, por edhe në vetë Llixhat e Elbasanit. Ky lajm interesant thoshte: \"Naltmadhenia e Tij, Mbreti Jone, Zogu i sikurse interesohet për marëvajtjen e Shqipnis, denjoi me u interesua për ujnat minerale, me famë shëruese, të Llixhës s\'Elbasanit edhe urdhënoi Qeverin me sjellë në vend specialistin me famë Ing. Dr Beno Winter, drejtorin e Banjës së Marienbad-it të Çekoslovakis.
Ky si bani analizën e duhun, u këshillue edhe me mjekë e specialistë të kësaj degë, dhe u gjet se këto ujna janë nga ma të rrallat në botë për fuqinë shëruese të tyne, sikurse e tregon raporte që pason :
• 1. Goutte (Sëmundje e gjymtyrve të durve e të kamave).
• 2. Congestion (Mbështjelle të gjakut në nji vend të trupit si në mëlçi të zezë).
• 3. Calcusbiliaires (ndodhej gurësh në tëmthin e mulçisë së zezë).
• 4. Hemorroidet.
• 5. Sëmundje të organeve të frymëmarrjes (nefezi).
• 6. Rematizëm e randë e vjetër.
• 7. Sëmundje të gjymtyrëve dhe deformime të tyre.
• 8. Dhimbje nervash, në nji pjesë trupi ose në të gjithë trupin, ose të kokës.
• 9. Rematizëm sëmundje nervoze.
• 10. Të marronit gjymtyrësh shkaktue nga reumatizma e sëmundjete të lidhjeve.
• 11. Anemi (kur mjekimi me hekur nuk ka sjellë dobi mjafton të pijë ujë llixhe).
Kështu nisi edhe historia moderne e Llixhave të Elbasanit. Në motin 1932 atje u ngrit bujtina e parë kurative: “Hotel Park”. Të modernizuar atë “pionier” të parë të kurimit termal e gjen edhe tani

Ajër i pastër, klimë mesdhetare, zonë sizmike e qendrueshme, ujra edhe me kurim kozmetik

Hapësira balneare dhe për pasojë edhe e mundshme për terapi mjekësore, me kalimin e dekadave, rezultoi më e gjerë nga sa qe në fillim përshtypja. Kjo risi është një nga arsyet pse do të “anashkalojmë” llixhat tradicionale të njohura si të Elbasanit, për të shkuar në fshatin e djeshëm vetëm bujqësor, por tashmë të shndërruar në qytezë termale, të Çikalleshit. Sepse në rast se zona e Llixhave Qendër përfshin një territor me përmasë 54 ha dhe pra nuk është hiç e vogël, zona e Llixhave Hidraj, siç ajo e Çikalleshit thirret, zotëron një dimension me 9.5 ha. Llixhat mëmë, të Vjetrat, siç quhen shpesh me të folurën popullore, kanë në përdorim kurativ 15 burime, kurse ato Hidraj vetëm 3. Temperatura e ujrave në dalje është deri 65 gradë dhe fluksi i tyre i rjedhjes në 7-15 litra/sekondë. Klima e territorit përreth shumë favorizuese, krejt mesdhetare. Sipërfaqja gjelbëruese shkon në 35 hektarë dhe lartësia mbi nivelin e detit nis nga 185 gjer në 284 metra. Çikalleshi, vetëm dy kilometra e gjysmë në vijë ajrore prej Llixhave Qendër, është në mal, për rjedhojë krejtësisht i ajrisur. Lugina kodrinore, ku ai është vendosur, tërë ditën është e mbushur me dritë dielli, aq sa të lë përshtypjen se prej këmbënguljes shekullore të kësaj ngrohtësie të ardhur nga qielli janë krijuar edhe ato burime të nxehta nëntokësore. Të mos harrojmë po ashtu se territori i dy llixhave ka një qendrueshmëri sizmike mjaft të dukshme dhe po ashtu, u duhet kujtuar bashkëkombësve se ujrat e burimeve të tyre kanë edhe vlera kozmetike. Autori i këtyre radhëve, i cili i ka frekuentuar dy herë Llixhat Hidraj të Çikalleshit dhe ka prenotuar vajtjen e tretë, këtë cilësi rigjeneruese, të cilës inxhinier doktorit çekosllovak Beno nuk i ra në sy, mbase thjesht se në ato kohë të shkuara kësaj vlere nuk i jepej ndonjë përparësi siç ndodh sot në motet moderne të hijeshisë së pamjes, e vuri re menjëherë. Shfaqet me përtëritje lëkure menjëherë pas një cikli kurues, i cili shkon nga 10 deri 14 ditë. Të mos harrojmë po ashtu me kryesoren: pagesa për të gjitha shërbimet e ndënies, ushqimit në të tre vaktet, të një apo dy banjove ditore me vaskë, kushton 10-11 euro në ditë. Në Çikallesh vijnë, të hipur mbi autobuzë edhe mjaft shqiptarë të Kosovës.

Shteti i ngathët për të krijuar një Karlovi Vari shqiptar

Gjatë periudhës së realkomunizmit ekzistonin vetëm Llixhat qendrore, të mbajtura mirë dhe me shërbim mjekësor të efektshëm. Çikalleshi dhe llixhat e tij hidraj u krijuan kur nisi pluralizmi dhe hapja e Shqipërisë ndaj botës dhe zhvillimit demokratik. Siç në Llixhat Qendër ndërtues i hotelit të parë ishte familja Nosi, në Çikallesh është ajo Mema. Në vitet e pasdiktaturës dhe të lirisë së iniciativës private qe një vendim i Këshillit të Ministrave me numrin 88, i datës 1 mars 1993 që territorin e Llixhave mëmë e shpalli “Zonë Turistike Kombëtare”. Dy vite më pas një vendim tjetër e emërtoi si “Zona Turistike Llixha Elbasan”. Tashmë, pas viteve dymijë, saktësisht në maj 2006, janë shpallur zonë turistike të dy territoret termale me të 18 burimet e tyre. Në këtë territor, të cilit administrativisht i takon si përkatësi komunës së Treganit, jetojnë afro pesë mijë banorë. Çikalleshi hyn në vendbanimet e vogla satelite të kësaj komune, por që nuk po zvogëlohet për shkak të mungesës së burimeve të punës dhe të mjeteve të jetesës. Ai po shtohet. Profili termal që ka marrë po sjell pak nga pak punë dhe mirëqënie. Në Çikallesh mund të gjesh pranë banesave veturat më cilësore apo aparatet televizive më të fundit, sigurisht pa munguar edhe traktori apo i pazëvëndësueshmi për transport operativ, gomari. Janë pulat e gjelat, dhitë e racës. Në Çikallesh, në këtë luginë të Diellit, mbillen deri edhe portokallet.
Me këtë hov pranie e nismës private të individit nuk përgjigjet shteti. Ai mezi duket, mezi shfaqet, përton të jetë dorë e fortë ndihme dhe nxitjeje për këtë territor termal që po rilind. Nuk janë pak: afro 65 hektarë, në të cilën hapësirë jo tetëdhjetë apo nëntëdhjetë hotele të mëdhenj e të vegjël mbijetojnë, siç tani, por edhe pesëfishi i tyre. Tirana dhe Durrësi, kjo hapësirë prej mbi një milioni shqiptarësh, por edhe disa qytete të afërt si Fieri dhe Lushnja, Vlora po ashtu, mund të kurohen këtu, në këtë “Karlovi Vari” të vogël. Nga Tirana distanca e kësaj mrekullie termale është vetëm 60 kilometra. Autostrada dhe tuneli i madh bashkues i kryeqytetit me Elbasanin dhe tërë Jugun shqiptar, e ka bërë mbërritjen deri tek Llixhat e Qendrës apo ato Hidraj të Çikalleshit, çështje të dyzetë apo pesëdhjetë minutave.

Ylli Polovina

Tiranë, më 3 qershor 2017




Version i printueshem
Faqja paraardhese

LIBRAT

Libra të tjerë .....

LIBRI I FUNDIT
Image Title Here




LIBRA TË TJERË
Kontakt: ylli@yllipolovina.com © 2007-2017 yllipolovina.com Webmaster: taulant@topciu.com