Ylli Polovina in italiano
VENDLINDJA KU JETOJ DHE PUNOJ QYTETI I DY VAJZAVE TË MIA
PUBLICITIKË

HAJRI HIMA LIBRI “AMBASADOR NĖ BALLKAN” I YLLI POLOVINES, KONTRIBUT I VYER PĖR KOHĖN
”REPUBLIKA E SHTATĖ”
“AMBASADOR NĖ BALLKAN”
“LOTĖT E SORKADHES”, botimi i dytė
LOTĖT E SORKADHES
Artikuj të tjerë .....



kërkoni në këtë faqe



S'AFËRMI
MIRËSEVINI

PO ME MAJLINDA BREGUN ÇPATËT?


(Botuar në gazetën online “Shqip” më 28 maj 2017)

Që partitë shqiptare të Republikës së Tiranës përherë e më shumë po humbasin tiparet politike të tyre dhe po shndërrohen në grupe pushteti nuk ka më dinakëri dhe ngulç propagande ta mbajë fshehur. Për pasojë ato janë duke u vënë çdo ditë e më shumë në shërbim të një individi dhe interesave të tij, duke çelur rrugë të bëhen bashkësi me liri të brendshme mjaft të kufizuar. Këto parti autoritare, në mos në disa veprime edhe me shenja të qarta totalitarizmi, kur vjen puna për hartimin e listave të deputetëve përcaktojnë jo patjetër e mbi të gjitha, siç është e detyrueshme, besnikët e partisë, por ato të kryetarit të radhës. Kështu veprimtari i spikatur në rast se nuk është më një yes man (jesmen) apo një që nuk i bën amin shefit, mbahet larg, dëbohet menjëherë, hiqet. Si tek filmi për kryengritësin popullor meksikan Emiljano Zapata apo në rast se ne, shqiptarët, do të kishim dëshirë të bënim një të tillë, ta zemë, për Haxhi Qamilin.
Para një tejfuqie të tillë të kryetarit kryeministër apo të kryetarit kandidat për kryeministër moskonformuesi këputet menjëherë si të jetë presh i mbledhur në fushë. I patë sa lehtë i shkulën gjysmën e ministrave të kabinetit Rama dhe u vunë të tjerë?
Sepse, për shembull, Jozefina Topalli për blutë është vip partiak, kryetare parlamenti, e tëra e përkushtuar për PD-në. Astrit Patozi po ashtu, një pasuri autentike, nuk e ndesh në çdo hap që bën. Sigurisht Arben Imami, një emër i djerë politik i paskomunizmit, ka shënuar tashmë fundin e karrierës së tij partiake dhe i respektuar në forma të tjera, si kandidat për deputet në 25 qershor nuk ka përse të ishte.
Por ajo që duket ka kapërcyer çdo limit edhe të një stili autoritar është mospërfillja për vlerat politike dhe partiake të një gruaje të pajisur me maturi të qëndrueshme, finesë të sjelluri dhe përputhjeje bindëse me kulturën perëndimore, Majlinda Bregun. Vërtet çpatën me të, sepse është e pabesueshme që për një mosdakordësim në çështjen e retorikës autogolase për PD-në të sloganit të Republikës së Re, apo për ndonjë nuancë tjetër, dy B-të, Berisha-Basha, t’i vënë vizë emrit të saj. Themi dy B-të sepse kurrkush nuk e beson se nga që Jozefina Topalli nuk shkonte me Lulzim Bashën u shua prej listës vetëm prej këtij të fundit. Pak ditë më parë Sali Berisha në një intervistë ngulte këmbë se roli i tij në partinë blu qe të kujdesej që secili të kishte hapësirën e vet. Po të ishte kështu nuk do të ndodhte të paktën largimi i Bregut, e cila për më shumë se një dekadë formatimi të saj të dukshëm si personalitet brenda PD-së, pa e bërtitur dhe pa bërë kurrë teatër kukullash, ka dëshmuar lidhje të fortë me kryetarin historik të partisë së saj.
Hoqën Majlinda Bregun dhe futën në lista të sigurta katër kryetarë partish periferike, të mpakura e të traumatizuara prej mosaktivitetit!!!
Nga që gjoja koalicionet parazgjedhore i maksimalizojnë rezultatet për partinë mëmë!?
Ndërsa në historinë e një çerek shekullit të pluralizmit shqiptar të pas diktaturës kjo ka qenë e vërtetë, përse, nisur nga mjaft rrethana të reja, situata të mos jetë kthyer përmbys: këto aleanca rufjaneske, që parapërgatiten prej një futaforie zhantazhesh, këto partitëza të pilafit (sepse ato gjatë gjithë mandatit bëjnë si të ngordhura, nuk kryejnë asnjë shërbim të shënuar për vendin, por të kërcejnë para syve kur bëhen listat me vendet e sigurta të deputetëve), pra koalicionet me të tilla në të vërtetë i minimizojnë rezultatet?
Një parti e mbushur me jesmenë të kryetarit nuk ia zgjat jetën politike këtij, sepse ky lloj shurdhmemecësh politikë, nga që as sheh mirë dhe as dëgjon e kupton mirë, ia kthen shpinën shefit në rastin më të parë.

Ylli Polovina

Tiranë, më 27 maj 2017





Version i printueshem
Faqja paraardhese

LIBRAT

Libra të tjerë .....

LIBRI I FUNDIT
Image Title Here




LIBRA TË TJERË
Kontakt: ylli@yllipolovina.com © 2007-2017 yllipolovina.com Webmaster: taulant@topciu.com