Ylli Polovina in italiano
VENDLINDJA KU JETOJ DHE PUNOJ QYTETI I DY VAJZAVE TË MIA
PUBLICITIKË

HAJRI HIMA LIBRI “AMBASADOR NĖ BALLKAN” I YLLI POLOVINES, KONTRIBUT I VYER PĖR KOHĖN
”REPUBLIKA E SHTATĖ”
“AMBASADOR NĖ BALLKAN”
“LOTĖT E SORKADHES”, botimi i dytė
LOTĖT E SORKADHES
Artikuj të tjerë .....



kërkoni në këtë faqe



S'AFËRMI
MIRËSEVINI

TRE VËNDE TË PARA, ASNJË I DYTË


(Botuar në gazetën online “Shqip” më 25 maj 2017)

Është bërë pse jo zbavitëse çështja e fitores së vendit të parë në zgjedhjet politike të pritshme: këtë e duan tre parti. Janë PS, PD dhe LSI. Edi Rama sepse kërkon të qeverisë edhe një mandat të dytë, Lulzim Basha sepse pas katër vitesh të tensionuara në opozitë kërkon rikthim në timon. Petrit Vasili me të tijtë sepse është i bindur se këtë herë në elektorat do të ndodhë një surprizë: ai nuk do t’ua japë të drejtën e shumicës as PS-së dhe as PD-së, por drejtpërsëdrejti LSI-së.
Sigurisht që të tre nuk do t’i nxërë një derë që është sa për vetëm një parti. Mazhorancë politike mund të bëhet vetëm një. Po si do t’ia bëjnë? E shpjegojnë këtë vetë, por më së pari ne jemi të shtrënguar t’i kujtojmë lexuesit se ka mote e mote që partitë kryesore shqiptare, rozët dhe blutë, nuk marrin dot prej elektoratit që me shpirt në dhembë mezimbahet nga pakënaqësia, shumicën absolute. Ato ciklikisht futin në duar mazhorancën relative. Për pasojë që të qeverisin pa pësuar tërmete të shpeshta, u duhet mbështetja e një apo dy partive të tjera me deputetë realë në Kuvend. Kjo gjendje edhe u bë periudha e artë të LSI-së, e cila prej prijësit dhe stërvitësit të saj, Ilir Metës, realizoi të begata të papara, rast i jashtëzakonshëm për studim.
Pra, dy parti me tashmë të stabilizuar një shumicë relative kërkojnë të kërcejnë tek shkalla e përmasës absolute. Në kuptimin e strategjisë propagandistike zgjedhore as PS dhe as PD nuk mund të vendosin si objektiv të qendrojnë në vend, sepse kjo nuk mobilizon kërkënd. Në garë finishi i arritjes me vrapim pozicionohet maksimalisht. Për të stimuluar këtë situatë hovimi të detyruar Edi Rama po shpalos tezën e tij të Rilindjes, të cilën, i sigurt se mes popullit kanë ngenë ende t’ia dëgjojnë non stop, se në tre vite e gjysmë ka bërë jo sa të tërë qeverisjet e pasdiktaturës, madje më shumë se to. Kështu logjika e gjithsecilit që ka durim ta dëgjojë shkon tek arsyetimi se po i dhanë një mandat tjetër Rama do t’i kontribuojë vendit të vet me gjysmë shekulli arritje, një të tretë mandat qeverisjeje me treçerek njëqindvjeçari dhe po u shkau dora e i dhanë votë për një mandat të katërt, zhvillimi shqiptar i drejtuar prej tij do të barabitet me një shekull të dymijëvjeçarit.
Në fakt Edi Rama është bërë gjakftohtë e shumë racional tek parulla bazë e fushatës së tij elektorale (“Për një Shqipëri që duam”) dhe kërkon që PS të fitojë vetëm 71 deputetë. Habi si kjo maturi po shoqërohet dhe kompromentohet me përrallën se po rilind një Shqipëri të vdekur që në Lëvizjen e Dhjetorit dhe më pas. Pritej që këtë def të çarë propagande ta sfumonte pak nga pak, për ta hequr qafe, sepse i merr vota dhe nuk i jep.
Çuditërisht në objektivin normal për vend të parë dhe mundësisht shumicë absolute Lulzim Basha, fitimtar i një presioni opozitar të ndihmuar fuqimisht nga Ilir Meta, kontribut i vyer madje historik për pluralizmin shqiptar, por që ende nuk dihet nëse për PD-në do të funksionojë si stimul kërcimi apo si vënie këmbe për rrëzim, ka aktivizuar me shumë ngut parrullën e simotrës rozë me atë të Rilindjes: Republikën e Re. Një formulim i tillë, tejet i ngjashëm për Shqipërinë e Re të PKSH-së, një slogan që nuk e gjen dot në arsenalin propagandistik të asnjë vendi të njohur demokratik të Perëndimit (e shumta andej flitet për Republikë të Parë, Republikë të Dytë etj), por me bollëk në të gjitha fatet totalitare të mjaft vendeve të tjera, është shumë vetëgoditës. Përse i duhet të premtojë një utopi që nuk e realizon dot as ai dhe as kurrkush, përfshi Lenin-Stalinin? Këtë herë kishte një rast të shkëlqyer të shfaqej ndryshe prej skematikës propagandistike të Rilindjes, ndaj të cilës nuk e ka kursyer pa pushim as kritikat dhe as ironinë. Por një gjë është e sigurt: ninulla e Republikës së Re ia përgjum ndjekësit dhe ia mpak votuesit.
Kundërprodhuese, madje një harakiri e vërtetë, është ngulëkëmbja ditënatë e udhëheqjes së LSI-së për të kryer një mrekulli elektorale që nuk e gjen në kontinent. Pas tre mandatesh në qeverisje, kur edhe vetë Uinston Çurçilli do të mpakej, patjetër edhe e magjishmja kancelarja Merkel, LSI jo vetëm do të ruajë përmasën e deritanishme të grupit të deputetëve, por edhe do ta....pesëfishojë. Arsyetimi se ky shumim legjendar do t’i vijë prej pasojave të shenjave të para të bashkëpunimit PS-PD, duket jo real. Dy pretenduesit e tjerë të vendit të parë gjenden në detyrimin për të harmonizuar disa veprime të tyre politike dhe elektorale, sepse partia e tretë ka javë të tëra që i frikëson. Thotë do të jem unë forca e parë e qeverisjes për mandatin 2017-2021. Dhe ato, veç ambicieve dhe të drejtave të tyre për të fituar të njëjtin status, nuk u lihet shteg tjetër veç ta shenjojnë si kundërshtar politik numër një dhe të bëjnë gjithçka ta ndërpresin këtë përpjekje të ëndërrt. Sepse po të jetë e menduar esëll ajo është alarmante. Pasi kanë Presidencën dhe bashkë me të gjykatat dhe Ushtrinë, do të shtjenë në dorë parlamentin dhe qeverinë. Kjo do të thotë tërë pushtetet. Mirëpo demokracia funksionon prej rregullit të kundërt.
Në fund të fundit përse duhet t’i vendoset vetvetes një objektiv i tillë, që nuk e realizon dot kurrë, sepse ka shifra të tjera, më të përmbajtura. Apo mbase nuk e dinë që jo vetëm në elektoratin e dy partive kryesore rivalizuese, por sidomos tek pjesa gri e zgjedhësve, atyre që nuk votojnë për ndonjë fanatizëm partiak, masë shqiptarësh e cila po shtohet dukshëm, perceptimet japin papushim sinjale se këtë herë LSI-së do t’i japin një ndukje.
Për shumëpartitizmin shqiptar dhe për vetë Ilir Metën kjo do të qe shumë pak e dëshiruar. Ne duam një Opozitë të fortë, një Kryeministër të fortë, por mbi të gjitha edhe një President të hekurt që të mund të vijojë misionin e baraspeshimit ndërpartiak dhe rolin konstruktiv në Ballkan, po ashtu qendrueshmërinë e brendshme.

Ylli Polovina

Tiranë, më 24 maj 2017

Version i printueshem
Faqja paraardhese

LIBRAT

Libra të tjerë .....

LIBRI I FUNDIT
Image Title Here




LIBRA TË TJERË
Kontakt: ylli@yllipolovina.com © 2007-2017 yllipolovina.com Webmaster: taulant@topciu.com