Ylli Polovina in italiano
VENDLINDJA KU JETOJ DHE PUNOJ QYTETI I DY VAJZAVE TË MIA
PUBLICITIKË

HAJRI HIMA LIBRI “AMBASADOR NË BALLKAN” I YLLI POLOVINES, KONTRIBUT I VYER PËR KOHËN
”REPUBLIKA E SHTATË”
“AMBASADOR NË BALLKAN”
“LOTËT E SORKADHES”, botimi i dytë
LOTËT E SORKADHES
Artikuj të tjerë .....



kërkoni në këtë faqe



S'AFËRMI
MIRËSEVINI

Kasem Trebeshina
Foto: Kasem Trebeshina
Kryeredaktori i “Republika“ dhe Kasem Trebeshina

Korrieri, 14 dhjetor 2006

Për atë që nuk e njeh kryeredaktorin e të përditshmes “Republika”: quhet Nuri Dragoj. Gazetar prej gati tre dekadash ai vitet e fundit është edhe autor i disa librave. Këtë krijimtari të fundit e ka përshkallëzuar në mënyrë interesante: në fillim monografi për figura të spikatura të krahinës së tij të Përmetit, më pas një trevëllimësh për vendlindjen e vet, Dëshnicën (sprovë e tipit enciklopedik) dhe disa muaj më parë kreu një scoop mediatik. Hodhi në treg librin tjetër, dyqindfaqëshin “Eshtra që akuzojnë”, i cili hidhte shtat publicistik mbi rastin tronditës të zhvarrimit të eshtrave në Kosinë të Përmetit. Për shkak të kësaj teme të nxehtë televizioni “Klan” e ftoi menjëherë në një intervistë spektakolare te emisioni “Zonë e lirë”. Pa u mbyllur ky vit Nuri Dragoj realizoi librin tjetër “Kasëm Trebeshina dhe prapaskenat e Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve”. Treqind e ca faqëshin e ri ra dakort ta bëjë të dukshëm në televizionin News 24. Kërkonte goditjen tjetër mediatike. Por kësaj rradhe si edhe në rastin e “Eshtra që akuzojnë” jo fort për veten e tij. Nuk donte të hidhej e grumbullohej ndriçim te emri Nuri Dragoj, por te ai Kasëm Trebeshina. Studio e News 24 ra dakort që në bisedën, e cila mund të shkonte deri treçerek ore, të ishte i ftuar edhe vetë shkrimtari. Çdo gjë mbase do të shkonte normalisht siç edhe ishte planifikuar sikur një njeri që u gjet rastësisht në çastet parapërgatitore të bisedës të mos thoshte se Kasëm Trebeshina mund të kishte fat më të mirë, bashkë me veprën e tij, sikur të bënte një sjellje më elastike me regjimin bolshevik dhe Enver Hoxhën. Kaq mjaftoi që bashkëkombasi i njohur dhe i pranuar nga të gjithë si shkrimtari më i vërtetë disident i diktaturës komuniste të çohej i fyer dhe të ikte. Çdo lutje e përgjërim të rikthehej në studio ishte e kotë. Në të vërtetë Kasëm Trebeshina mund t’ja kthente përgjigjen e duhur njeriut të rastësishëm që nuk u muarr vesh se me atë “këshillë” deshi të shiste mend apo dëshironte qëllimisht ta provokonte. Pastaj të hynte në studio e të fliste. Mungesa e tij në media ndihet, ca më shumë në një vend si yni, i cili për të ruajtur e plotësuar identitetin e tij kombëtar ka nevojë urgjente për rehabilitimin e vlerave të mohuara. Në rastin Trebeshina opinioni publik ndjen boshllëkun e borxhin qytetar që ka me shkrimtarin e vet më përfaqësues të disidencës antikomuniste.
Mirëpo ai iku. E kishin fyer dhe shpërfillur vetinë më kryesore të identitetit të tij. Kasëm Trebeshina ai është bërë sepse nuk ka dashur kurrë të konformohej me padrejtësitë dhe ca më shumë se kaq, me krimet e regjimeve dhe të politikanëve totalitarë. Ai është një antikonformist i madh edhe tani, kur disa muaj më parë, më 5 gusht, mbushi plot tetëdhjetë vjeç. Për “elasticitetin” me pushtetin abuzues, qoftë politik apo deri edhe artistik, Kasëm Trebeshina ka një opinion, qendrim e skemë të vetën. Në përputhje me të ka kaluar jetën e tij dhe ka krijuar veprën. Raporti që ai ka me përmasën e kompromisit, konformizmit, servilizmit, idealizmit, fanatizmit politik apo letrar është shumë i veçantë dhe përbën vetë kodin e qënies e të individualitetit të tij.
Eshtë një rast i rrallë jeta e Kasëm Trebeshinës, e partizanit dhe komunistit që gjatë luftës antifashiste mori disa plagë zjarri në trup, por që në fillim të viteve pesëdhjetë të shekullit të shkuar denoncoi regjimin e sistemin e ngritur mbi ideologjinë që e kishte besuar me idealizëm. Duke u bërë ndërgjegjshëm antikomunist, kur kjo ishte fatale. Akoma më e rrallë nga forca e guximit është vepra e tij, e cila në themelet e veta ka “Promemorjen” për Enver Hoxhën. Ky është edhe dokumenti i denoncimit të metodës së realizmit socialist. Historia e lindjes ish-komuniste nuk mund të njihet aq mirë edhe nga autori i këtyre rradhëve sa për të deklaruar se ajo “Promemorje” kundërrealsocialiste mund të jetë edhe më e madhja dhe më e guximshmja e periudhës diktatoriale bolshevike në këtë gjysmëkontinent. E megjithatë e beson se e ka dhe ka për ta ruajtur përherë këtë status. Ajo është shkruar më 5 tetor 1953 dhe ja tre fragmente “Vetë emri realizëm socialist bëhet garanci për shtrembërime të përbindshme që edhe tashti kanë nisur të duken me tërë qartësinë e formës dhe të përmbajtjes së tyre”, “Ka ardhur koha që të kuptohet se një letërsi si ajo që po kërkoni ju, na kthen mbrapa në kohën e Luigjit të Katërmbëdhjetë”, “Në përfundim të këtij proçesi historik ju do të detyroheni të vrisni njëri-tjetrin dhe populli do të mbytet në gjak. Mendoj se jemi plotësisht në kohë që ta shmangim një të keqe kaq të madhe dhe kjo është arsyeja që po ua dërgoj këtë \\\\\\\"Promemorie\\\\\\\" të shkruar në mënyrë të ngutshme”.
Por t’i rikthehemi shtegut që zgjodhëm në fillim të shkrimit. Në rast se në studion e News 24 Kasëm Trebeshina u largua vetë, nuk e pati më pas fajin e përgjegjësinë të mos delte në ekranin e dy televizioneve të tjera të mëdha. Kësaj rradhe mbase ishin telegazetarët, drejtuesit e emisioneve përkatëse, kryeredaktorët, drejtorët apo edhe vetë pronarët që e shmangën me kërkime ndjese për pamundësi thjesht teknike, sepse (përshembëll) kishin në duar tema të tjera të planifikuara që më parë e kështu me rradhë. Por nuk janë vetëm këto dy raste që e bëjnë të munguar tronditshëm praninë mediatike të Kasëm Trebeshinës. Ka edhe të tjera, të cilat nuk kemi përse t’i përgojojmë. Eshtë barrë e madhe që kërkon prova të pakundërshtueshme ideja sipas të cilës përreth shkrimtarit më të madh disident qerthon hija e murrmë e ndonjë strategjie pengimi mediatik. Kjo edhe për të mos ushqyer një përfolje apo hamendje se ka qarqe apo individë të caktuar të botës së letrave që nuk duan të rikthehen në kujtesë ngjarje dhe intriga të katër apo pesë dekadave më parë. Kjo mund të jetë vetëm një pjesë e të vërtetës, por në këtë histori heroike e po kaq të dhimbshme të denoncuesit të regjimit dhe të metodës artpenguese të realsocializmit, mbase nuk është më kryesorja. Libri i Nuri Dragoit “Kasëm Trebeshina dhe prapaskenat e Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve” pikërisht për këtë ekuilibër dhe maturi mesazhi përbën një rast që duhet të njihet si kumt i një debati qytetërues. Ai libër është një lloj “Dosjeje K”, mënyrë origjinale dhe e lirë për të shkruar e njohur të kaluarën. Veç libri i Dragojt për Kasëm Trebeshinën është një lloj tjetër “dosjeje K”. Autori ka bërë mençuri që me sa ka mundur të mos e zhysë librin e tij në gjiratoren e intrigave dhe sherreve të ditës. Polemikat mes tyre mund t’i bëjnë ata që vetë dëshirojnë e janë protagonistë të jetës politike apo letrare. Si Rexhep Qosja e Ismail Kadare edhe Kasëm Trebeshina mund të rihyjë në një apo disa polemika. Kryesorja është që ky vullnet dhe e drejtë e tyre nuk duhet të marrë me vete apo përdorë autorë që analizojnë jetët, veprat apo edhe biografitë e tyre. Nuri Dragoj e njeh deri ku e ka atë masë që nuk e bën as servil, as puthadorës dhe po ashtu as mercenar për t’u bërë, në emër të mbrojtjes së një vlere, pritë asgjësimi vlerave të tjera.
Jeta është kjo që është, po ashtu edhe e shkuara jonë. Në të nesërmen shkohet kur të kaluarën e njohim me shpirt të qetë dhe jo turbullirë pasionesh. Nga gjysëmshekulli dramatik komunist shumë vlera shpëtuan dhe ky është një lajm i gëzuar. Të tjera duhet të shpëtojmë pa e bjerrë kurajën dhe jo të fundosim. Duke mos humbur ato që kemi fituar, duhet të mos lejojmë të na humbasin ato që meritojnë shumë më tepër. Antikonformistët kanë jetë të vështirë, por në fund të saj mbeten më të nderuarit. Janë puthadorasit e të fuqishmëve të neveritshëm, porse ndërkaq nuk mund të konsiderohen të tillë përshembëll konformistët apo ata që bënin kompromise të vështira për të ruajtur veprat e talentuara. Po ashtu mund të quhen fatkeqë idealistët apo naivët që besuan gjer në zgrip të vitit 1990 atë gënjeshtër që madhërishëm e kishte çjerrë që në tetor 1953 Kasëm Trebeshina. Në “Promemorjen” e tij shkrimtari i vërtetë disident i Shqipërisë, më i madhi në llojin e vet, ka shkruar se “Shoqëria e vjetër greke ka vdekur me kohë, por përjetësisht të gjalla janë veprat e Homerit, Eskilit, Sofokliut e të tjerëve. Të njëjtën gjë mund të themi edhe për Danten që nuk pësoi ndonjë gjë me vdekjen e Mesjetës”. Kështu vdiq edhe diktatura komuniste dhe helmeta e tij e realizmit socialist. Por mbetën Dritëro Agolli dhe Ismail Kadare, Fatos Arapi dhe Gjergj Fishta, Migjeni dhe Faik Konica. Para vendimit të kohës të gjithë rrinë të përunjur.
Po Kasëm Trebeshina? Edhe ai i është nënshtruar kohës. Vetëm para saj antikonformisti i hekurt nuk mund ta ushtrojë fuqinë e cilësisë së tij proverbiale. Deri tani ai ka shpëtuar sa ka mundur nga vlerat e tij të pazakonshme. Sa e dëshiruar do të ishte që edhe media apo vetë shteti të angazhohej më shumë për të shpëtuar e ruajtur vlera të tjera që mund t’i rrezikojë dashakeqja e tërthortë apo moskuptimi i këtij rebeli e kryengritësi të madh. Një përpjekje të tillë, edhe pse individuale, bëri edhe njeriu i mirë, kryeredaktori i të përditshmes “Republika”, Nuri Dragoi.


Ylli Polovina


Version i printueshem
Faqja paraardhese

LIBRAT

Libra të tjerë .....

LIBRI I FUNDIT
Image Title Here




LIBRA TË TJERË
Kontakt: ylli@yllipolovina.com © 2007-2017 yllipolovina.com Webmaster: taulant@topciu.com