|
KUSH E RRËZON EDI RAMËN
(Botuar në gazetën online Shqip më 15 maj 2017)
Nuk janë pak ata që kandidojnë për këtë topmision. I pari është Lulzim Basha, i cili e ka shpallur që prej afro tre muajsh dhe për tia dalë kryen papushim gjeste sikur e ka kapur prej mezi dhe e ka vënë me shpatullat përdhe. Me rrëzimin e Edi Ramës në fund të mandatit të parë, punë tani për tani aspak e lehtë, hyn në histori, katalogohesh në faqet e saj.
Gjithsesi ky veprim këmbëngulës i Bashës është shumë i justifikuar për një parti në opozitë, ca më tepër që ajo është një nga dy partitë më të mëdha të vendit, alternuese e merituar në qeverisjen paskomuniste të Shqipërisë.
Pikërisht në çastet e kapërcyellit midis periudhës së para fushatës zgjedhore dhe vetë kësaj të fundit, e cila tashmë ka nisur, në të njëjtën kohë kur në bulevardin tiranas të Dëshmorëve të Kombit kryhej protesta e mpakur e Partisë Demokratike, që nga Vlora, para përkrahësish që thërritnin e brohoritnin pothuaj vetëm emrin e tij, kryministri u bëri thirrje votuesve blu që në 18 qershor ti hidhnin fletët e pëlqimit për partinë e tij, PS-në.
Pak ditë më parë e kishte bërë të njëjtën thirrje nënkryetarja e Lëvizjes Socialiste për Integrim, Monika Kryemadhi: përkrahësit e PD-së le ti hidhnin votat për LSI-në dhe me këtë rast, siç shqiptoi ajo, Basha ishte më mirë të largohej nga detyra partiake që mban dhe në të të rikthehej Sali Berisha.
Në sintoni me Kryemadhin është edhe kryetari i ri i eurointegristëve socialistë, Petrit Vasili, i cili shumon përherë fjalinë entuziaste se partia që ka tashmë në administrim, në zgjedhjet e datës tetëmbëdhjetë (ose në çdo ditë më tej që të mbahen, sepse LSI priret ta bëjë shtyrjen për të fashitur konfliktin PS-PD) do të dalë partia e parë në vend. Kjo do të thotë se do të jetë ai kryeministri i ardhshëm ose së paku, që Edi Rama nuk do të jetë më, pra që do të rrëzohet.
Mes këtyre dy ftesave publike si do të veprojë votuesi blu? Tek socialistët ai mund të hedhë ndonjë fletëvotimi të rrallë, krejt një masë e papërfillshme për të ndikuar në rezultat. Ai nuk jep asgjë për mbrojtjen dhe shpëtimin e kryeministrit aktual. Do të bënte gjithçka për ta shëmbur atë kullë. Por me sa duket me thirrjen e tij Ejani bashkohuni me mua! Edi Rama thjesht kundërpeshoi propagandistikisht dy drejtuesit e LSI-së, ku çudia e hedhjes së votave blu mund të ndodhë me të vërtetë, i ka të gjitha gjasat. Votuesi i PD-së e di që partia e dytë në koalicionin qeverisës, e mëkuar që prej lindjes së saj të jetë numri një i Shqipërisë, këtë herë zgjedhjesh do të ishte fare afër rastit, siç bëri katër vite të shkuara me Berishën, për ta larguar Ramën. Një rival e hoqi andej, një tjetër e bjerr nga ana tjetër. Është apo nuk është LSI parti ekuilibri?!
Në këtë situatë të re nga Lulzim Basha deri tani nuk ka ndonjë gjest për të kuptuar si do të veprojë. Ai ka shpallur aksionin e bojkotit total, ditënatë, dhe mendon ta rrëzojë Edi Ramën me veprimin e ngadaltë të bllokimit dhe rrënimit të zgjedhjeve të 18 qershorit. Vërtet, në një votim ku nuk ka opozitë reale, pra asnjë konkurues dhe ku rivaliteti do të shprehet si anomali vetëm mes dy partive ende në koalicion qeverisës, madje në këtë gjendje bashkëpunimi deri në përfundim të zgjedhjeve, votuesit rozë, të pamotivuar, të pandodhur në një ndeshje të vërtetë ndërpartiake, do të jenë një numër dukshëm më i vogël se ai që u paraqit në 2013. Ajo historia e drogës shtetërore dhe e fuqisë së saj të blejë shqiptarët mbase do të sqarohet këtë çast.
Një fitimtar i tillë me kapital votash të zvogëluar, edhe pse i shtrënguar në këtë situatë edhe prej një logjike ultraradikale e kundërshtarit, do të jetë i mjerë. Ndërkohë që bashkë me bojkotuesit e Partisë Demokratike dhe masës së të pakënaqurve nga ky kabinet qeverisës, i cili pas një mandati katër vjeçar detyrimisht është realitet normal, do të shtohen edhe mosvotuesit e përhershëm, ata që u kanë kthyer shpinën të tëra partive politike.
Kështu në 18 qershor do të ketë një masiv shkembor bojkotues të paktën dy herë më të madh se volumi i votave që do të marrë Edi Rama, i cili do të shpallet ligjërisht kryeministër edhe për një mandat të dytë.
Apo Lëvizja Socialiste për Integrim do tja dalë ti grishë mbështetësit e PD-së, ata më të përbetuarit për të rrëzuar sa më parë Edi Ramën, të vejë ku të vejë, ti konsumojë për objektivin e saj politik të të qënit në Shqipëri numri një? Ndërsa Lulzim Basha gabon në njëhsimet e tij dhe se do të tregonte fuqi të vërtetë dhe sukses të pritshëm duke e mobilizuar partinë e vet në zgjedhje, në LSI llogaritë i bëjnë mirë. Edi Ramën e heqin ata, kurse Basha është vetëhequr.
Ylli Polovina
Tiranë, më 14 maj 2017
Version i printueshem
Faqja paraardhese |
|
|