Ylli Polovina in italiano
VENDLINDJA KU JETOJ DHE PUNOJ QYTETI I DY VAJZAVE TË MIA
PUBLICITIKË

HAJRI HIMA LIBRI “AMBASADOR NĖ BALLKAN” I YLLI POLOVINES, KONTRIBUT I VYER PĖR KOHĖN
”REPUBLIKA E SHTATĖ”
“AMBASADOR NĖ BALLKAN”
“LOTĖT E SORKADHES”, botimi i dytė
LOTĖT E SORKADHES
Artikuj të tjerë .....



kërkoni në këtë faqe



S'AFËRMI
MIRËSEVINI

KOLONJARI


(Botuar në gazetën “Dita” më 14 maj 2017)

Kolonjari nga natyra është tip krenar, ndonjëherë edhe me shfrime të tepruara të kryelartësisë, pra duke u bërë ndopak kapadai. Veç kjo nuk do të thotë se patjetër janë fodullë. Herë pas here ta lënë këtë përshtypje, por kujdesen të mos u duket shumë në pamjen e jashtme. E ndryjnë brenda vetes, e mbajnë atë dhe e ruajnë si tipar të fshehtë.
Kolonjari dëshiron të jetë i pari, por pa u dukur në rresht të parë.
Ai nuk rri dot jashtë ngjarjeve. Futet atje sapo ajo nis. Nuk është ajo që e përfshin dhe e merr me vete atë, këtë çudi force e kryen vetë kolonjari. Ai as e shkon nëpër mend se ka edhe një shteg tjetër: t’i shmanget vrullimës dhe përmbytjes së saj. Nëse ndodh që një banor i kësaj krahine u vetëmënjanua nga ngjarjet e mëdha, do të thotë se duhet vëzhguar nëse origjinën e tij e ka vërtet prej atyre viseve.
Banori origjinal i Kolonjës më shumë se me bujqësi e blegtori ka pasion të merret me politikë. Duke qenë se këtu i pëlqen të ndihet i pari, do të thotë se përpiqet mbi të gjitha të lerë gjurmë në histori. Politikën nuk e zgjedh si profesion për të ngrënë bukë dhe vënë pasuri. Në këtë kuptim ata janë ambiciozë, madje me rreze të gjatë veprimi. Duan të ushtrojnë prani dhe pushtet jo vetëm deri në Korçë, por mbi të gjitha në qendër të Shqipërisë, sidomos aty ku në vitet njëzetë u vendos edhe kryeqyteti.
Kolonjari nuk është përherë gjakftohtë, më shpesh priret të mos e përmbajë sa duhet të nxehtin e kokës dhe të mendjes. Tepër i vrullshëm, ai, pse jo, është edhe i papërmbajtshëm.
Shumë i shpejtë në të menduar dhe i vetëtimtë në veprim, kolonjari ka shkathtësinë dhe zgjuarsinë ta kapë një mesazh apo sinjal sapo ai shfaqet. Vonesën në çdo gjë ai nuk e ka aspak qejf. Është i shpejtë mbi të gjitha për të kuptuar orët e kohës, për të ndjekur akrepat e saj.
Duke qenë të rrufeshëm kolonjarët nuk janë prej atyre tipave që ritmin e përshpejtuar e kanë prej impulseve emocionalë. Emocionet ndikojnë tek ta, por banori i këtyre viseve në kufi me grekët dinakë është mësuar dhe përshtatur të mos jetë i ngutur. Ai është temperament dinamik, çfarë do të thotë se shpejtësia brenda tij është cilësi thelbësore, madje shekullore, identitare. E kultivuar mbase prej të qenit në takim me një komb tjetër, sidomos territor që më së shumti i ka sjellë mjaft të papritura dhe pasiguri.
Armën kolonjarët e kanë qejf, mbetet pasion i tyre i përhershëm. E vënë në brez, e hedhin në krah, por kënaqësia më e madhe është t’i nderin edhe nëpër muret e shtëpisë. Bardhësia e gëlqerortë e tyre ngazëllen sa më shumë pushkë e pisqolla varen në to. Arma për kolonjarin nuk është për gjah, edhe pse ndokush prej tyre e ndjek këtë hobi. Pushka është autoritet tepër i lartë që të mund të angazhohet për të vrarë pas kaçubeve një thellëzë apo lepur. Sepse armën kolonjarët e duan për gjëra të rëndësishme, sidomos për t’u mbrojtur. Por jo pak edhe për t’u imponuar. Ja pse në Kolonjë në rast se dëshiroje të fitosh të drejtën e të qenit derë e madhe, të duhej të krijoje një çetë. Kolonjari fillikat, qoftë edhe me armë të shumta në brez apo hedhur krahëqafë, nuk është ndonjë pamje që tërheq patjetër përfillje. Ai admirohet i vënë në mes prej të tjerësh armëngjeshur.
Njohës i terrenit kolonjari të del atje ku ti nuk e pret.
Blegtorë e njëherazi bujqër, ata sjelljen dhe veshjen e kanë krejtësisht si qytetarë.
Ndërsa përtej krahinës së tyre, në qendrën e madhe të zhvillimit dhe të parjes së botës, në Korçë, njerëzia janë më dorëmbledhur, kolonjari e ka për kënaqësi të jetë dorëdhënë. Kopracia atij i krijon bezdi. Jo rrallë banori i këtyre viseve e përdor bujarinë edhe për t’u ndjerë person i domosdoshëm, i rëndësishëm.
Kolonjarët nuk punojnë në grup ose më saktë pëlqejnë të punojnë e të fitojnë individualisht. Hovi i tyre karakteristik shumohet kur janë vetëm dhe pakësohet kur bëhen kolektiv.
Popullsia kolonjare si rregull nuk pakësohet numerikisht, e ka për zakon të mbetet po ajo. Në raste që nuk varen prej saj, në një fshat apo bashkësi të tyre, mund edhe të rrallohet, por vendbanimin nuk e braktis. Kolonjari nuk lë pas dhé të braktisur. Edhe kur ikën në qytet, rikthehet herë pas here në shtëpinë apo vendlindjen e të parëve të tij. Banori i kësaj krahine i shkëmben brezat me njëri-tjetrin në tokën e vet..
Kolonjari rri, por edhe lëviz, këmbët i ka ngulur mbi tokë, por edhe nuk i zënë dhe.
Ai e respekton shumë gruan, po aq kur është nënë sa edhe vajzë e re. Duket sikur kjo është dhunti e meshkujve të krahinës, tolerancë dhe kulturë e tyre, por në të vërtetë është pasojë e cilësive të femrës vendase. Kjo është shumë e zonja për të mbajtur një shtëpi të tërë, me sado pjesëtarë të ketë. Kolonjarja është mësuar me shërbimin dhe administrimin e një fisi të tërë, edhe po të jenë, të futur brenda mureve dhe kateve të të njëjtës banesë, një çetë vëllezërish. Nuk i nxë ajo, ngjitur ngrihet ndërtesa tjetër. U tejmbush edhe kjo, hapen menjëherë themelet e grehinës së tretë.
Femra kolonjare brenda familjes ka autoritet më të madh se burri. Ky, në të vërtetë, duke dashur të ketë kohë të lirë për punët e rëndësishme jashtë mureve të shtëpisë, pra që të gjendet atje ku shkruhet historia, ia ka lënë çelsat asaj në dorë. Megjithatë pushteti i madh femëror në familje vjen jo ngaqë ajo gatuan për të ngrënë gjindja e madhe e shtëpisë dhe lan tesha për t’u veshur një ushtri e tërë e tyre. Aspak nga që ajo shtron dhe ngre rrobat e gjumit, pastërton shtretërit, kullot e mjel lopën apo mbush qilarin.
Autoriteti i kolonjares vjen sepse ajo është krahu i djathtë i burrit në ngjarjet më rreziksjellëse të jetës. Ajo lufton me armë në krah të tij, vdes po aty, në majë të shkrepit apo në bri të shkëmbit. Syshkëndijë, mjerë kë vë në shenjestër thepi i pushkës së saj!
Nuk ka qenie njerëzore më të paepur se femra kolonjare në kohë varfërie. E ka mësuar të mbijetojë vendi, ajo tokë, aspak reliev i bollshëm dhe i pasur. Ku mali ngrihet ngado dhe nuk do t’i hapë vend fushës.
Shtëpitë kolonjare, siç i ka interpretuar arkitekti Emin Riza, janë të forta si njerëzit: ndërtohen me gur dhe dru e janë dykatëshe, me oborr dhe shkallë të brendshme. Kështjella të vogla mbrojtjeje ato janë njëkohësisht edhe kopshte me lule. Kolonjari është në çdo kohë gati për luftën në mbrojtje të trojeve, por zemra i rreh dhe muza i këndon për paqen.
Duke qenë besimtarë jo fanatikë, pra të tillë që fenë nuk e patën zgjedhur për të hyrë e dalë nga xhamia dhe në dyshemenë e saj me shpinë ulur përherë, kolonjarët myslimanë pëlqyen bektashizmin. Zgjodhën dervishin krenar në vend të hoxhës, që u dukej më tepër sa duhej njeri i përvuajtur dhe i bindur. Besimi i ri shpëtimtar për kryelartësinë e tyre u erdhi nga trojet e Skraparit. Themi “u erdhi” nga Skrapari, por në të vërtetë kolonjarët shkuan vetë atje për ta marrë dhe e sollën në vendlindjen e tyre.
Shumë e afërt me Skraparin, ngjitur gjeografikisht me të, madje me vise të ndërfutura tek njëri-tjetri si në një përqafim të pandashëm, Kolonja po ashtu shkon deri në zemrën e Labërisë. Këtu takohet dhe merr përndritje të shpirtit dhe të mendjes tek vetë kryevepra e lebërve, tek polifonia, thesari më i madh dhe më autentik i trashëgimisë parakrishtërore të shqiptarëve.
Labi, kolonjari dhe skraparlliu janë polifonë. Mali i Tomorit dhe shtati i tij madhështor i shumëngarkuar me mite, nuk shihet vetëm prej tokave fushore të Myzeqesë, por edhe nga majëmalet kolonjare e labe. Tomori është simboli i njëhershëm i tyre, monument i dëshmisë së paprishjes kurrë të trojeve shqiptare. Kolonja po të qe vend i humbur dhe pa asnjë vlerë gjeostrategjike në ruajtje dhe në mbrojtje të identitetit nacional, nuk do të qe fole shkëmbore për ison e kësaj kënge konkuruese me “Iliadën” e grekëve të vjetër.













Version i printueshem
Faqja paraardhese

LIBRAT

Libra të tjerë .....

LIBRI I FUNDIT
Image Title Here




LIBRA TË TJERË
Kontakt: ylli@yllipolovina.com © 2007-2017 yllipolovina.com Webmaster: taulant@topciu.com