|
PAMUNDËSIA E DESTABILIZIMIT
(Botuar në gazetën Shqip më 27 prill 2017)
Tek paralajmërohet rrëzim i qeverisë me mosbindje civile tashmë jo vetëm pak gazeta apo disa analistë shprehin bindjen se rendi publik në Shqipëri, përherë i brishtë edhe pa u futur në mes lufta partiake për pushtet individësh, do të hyjë përfundimisht në periudhën e paqendrueshmërisë së thelluar.
Janë shtuar ata që formulojnë se do të ketë një destabilizim. Më shumë se fjala shqip ky term gjuhëhuaj me të vërtetë u fut drithmat tërë shqiptarëve të çliruar në 1991 nga diktatura dhe që kanë, pas kësaj, mbi një gjysmë shekulli që shkojnë në ditëvotime me dridhje dhe ankth në shpirt mos ndodh ndonjë kacafytje lokale apo e tërë vendit, me pak fjalë një përleshje fizike masive, e cila quhet luftë civile.
Në tërë historinë tonë ajo është dëshiruar dhe nxitur prej shtetesh mosdashës dhe ata, duhet thënë, kanë pësuar fiasko. Për një gjysmë shekulli edhe dogma pseudomarksiste nuk ja doli dot, ndërsa hyri në kujtesën kombëtare si pika më kulmore e kësaj përpjekjeje doktrinare. Pas vitit nëntëdhjetë falimentuan në këtë aventurë të ligë edhe keqdashës të tjerë të huaj si edhe bashkëkombës me uri të papërmbajtur për të qenë i pari i vendit.
Rezultati i të gjithë ngasësve të stabilitetit të Shqipërisë ka rezultuar me zero.
Kjo ndodh jo vetëm prej traditës shumëshekullore tërësisht të konsoliduar të shqiptarëve për tiu shmangur dhe refuzuar çdo kurth për prishjen e kombëtarisë së tyre. Po të ndodhte e anasjella ai do të qe shuar.
Mosprishjen e vetvetes shqiptarët nuk po e lejojnë as pas rënies së Murit të Berlinit. Qe shumë e përshtatshme pika e vetëvrasjes në 1991 apo në 1997, madje ky moment përsëritet minimalisht edhe nëpër ditët e votimeve. Por lirinë e të zgjedhurit kush do ta (keq)qeverisë populli po e mbron vetë, duke qenë votues i çdo partie. Kur shkon të votojë, sepse vetëm kaq pak të drejtë politikëvendosëse i kanë lënë, duke mbajtur fort rahjet e zemrës nga meraku mos ja plaçkitin dhe manipulojnë atë copë letër, kryen gjestin e bukur dhe jetëdhënës, përtëritës, të daljes nga ngërçi dhe të rivënies në lëvizje të pluralizmit, mekanizmit shpëtimtar, të cilin disa prej pushtetushtruesve tanë, po tu krijohej mundësia, do tia bënin rëngun.
Kohezionin shtetëror dhe nacional të shqiptarëve nuk e trazon dot kurrkush, as ai që shpall se me tu miratuar vetingu do të fusë në burg Sali Berishën, as retorika fëminore se qeveria Rama është kriminale dhe se ai ose duhet flakur në Lanë ose duhet ti jap fund vetes me vetvrasje. Mbetet arsye e paarsyes kërkesa për qeveri teknike si garantuesja e vetme e votimeve të drejta, ndërsa këtë mund ta sigurojnë jo vetëm mjete të tjera, por edhe një fakt: kryetari i parlamentit si edhe forca e tij partiake, pjesëtare e qeverisjes, shprehen vendosmërisht për të qenë në krah të opozitës.
Në ballafaqimin e ardhshëm elektoral pluralizmi nuk e ka lënë vetëm partinë blu dhe kjo forcë e magjishme nuk mund ta ndihmojë atë pa i dhënë mundësinë çdo qytetari të hedhë në kutinë e votimit përzgjedhjen e tij.
Bojkoti me rrugë të bllokuara paqësisht (por duke shkelur ligjin dhe rënduar rendin publik), nuk dëshmon se e ke vënë poshtë qeverinë. Mund të jetë ajo që ka hipur mbi ty dhe këtë favor ia ke dhënë pikërisht ti. Mosbindja civile, pra thellimi i bojkotit ndaj institucioneve demokratike si parlamenti, kryen vetëbojkotimin.
Shqipëria edhe aktualisht rezulton pika më e fortë e Perëndimit, e Evropës së Bashkuar dhe e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Ballkan. Përveç shqiptarëve në roje të stabilitetit të saj janë edhe këto fuqi demokratike të mëdha. Vetëm krekosësit naivë mund të mburren se para tyre ia dalin të trimërojnë.
Ndërkohë nuk ia mbush mendjen kurrkujt kur deklaron se nuk do të thyesh asnjë xham dhe çdo veprim do ta bësh paqësisht. Rendet publike cenohen po aq rëndë sa flaka e zjarrit dhe të shtënat e armëve edhe me këtë stil të ri, por dinakëri e vjetër sa tërë bota.
Ylli Polovina
Tiranë, më 26 prill 2017
Version i printueshem
Faqja paraardhese |
|
|