Ylli Polovina in italiano
VENDLINDJA KU JETOJ DHE PUNOJ QYTETI I DY VAJZAVE TË MIA
PUBLICITIKË

NJĖ SURPRIZĖ QĖ FSHIHET NĖ JAVOREN VJENEZE “DAS INTERESSANTE BLATT” NĖ NUMRIN E SAJ TĖ 28 NĖNTORIT 1912
FESTAT 28-29 NĖNTORIT 1945 DHE LOJA E ENVER HOXHĖS ME FJALĖN DEMOKRACI Pjesa e dytė
FESTAT 28-29 NĖNTORIT 1945 DHE LOJA E ENVER HOXHĖS ME FJALĖN DEMOKRACI Pjesa e parė
LAJMI I SAJUAR MBI NGRITJEN E FLAMURIT DHE SHPALLJEN E PAVARĖSISĖ NĖ DURRĖS
AGOSTINO, KOLONELI I USHTRISĖ ITALIANE ME MBIEMRIN ĒIFTELIA (Pjesa 2)
Artikuj të tjerë .....



kërkoni në këtë faqe



S'AFËRMI
MIRËSEVINI

“AEROPORT LUFTARAK 1997” GJENDEN FLETËT E RAPORTEVE TË FSHEHTA QË PËRGJONIN KOMANDANTIN E BAZËS AJRORE TË KUÇOVËS


Pseudonimi i spiunit: “Tekniku”

Shkrimi i trembëdhjetë

Dhjetë marsi qe ditë me një diell që shndriste pa pushim, gjer në lodhje. Retë e para u shfaqën në skajin perëndimor të qiellit sapo atë e kishte përfshirë dritëzimi i mëngjesit.
Në Ministrinë e Mbrojtjes punonjësit ishin si të mardhur, të mpakur, të rralluar. Administratë në prag të ndërrimit.
Tek ngjitej nëpër shkallë dikush nga nëpunësit, pasi qëllimisht kishte lënë derën gjysmë të hapur, po thoshte në telefon me zë të lartë e të gëzuar: \"Kryeministri socialist Bashkim Fino ka bërë thirrje për një pajtim kombëtar\".
I gremisur në poltron ministri shfletoi me të shpejtë postën. Pastaj e pyeti sekretaren e tij në kishte ndonjë telefonatë nga Presidenca apo Kryeministria. Deri tani jo, u përgjegj ajo kujdesshëm.
Nuk do të ketë as deri nesër, i therri atij gjoksi. As deri pasnesër. Kurrë. Dhe ai i marri njëzetë e katër orë më parë kishte shpresuar se do ta emëronin të paktën prefekt në vendlindje.

ooooo

Mbi qiellin e Kuçovës sa kapërceu mesdita retë e pakta nuk ja dolën dot ta zënë diellin. Deri sa ra mbrëmja mbetën të varura në fund të horizontit. Vetëm para se të binte nata, dielli që po ikte, u ndezi trupin dhe u dukën si shpendë kozmikë me krahë të argjendë. Me të rënë nata krahët iu shndërruan me shpejtësi në të zinj dhe ato filluan fluturimin e heshtur nëpër qiellin e pikluar nga yjet.
Atë ditë në bazën ajrore shumë oficerë nuk u paraqitën. Që prej mbrëmjes së kaluar në qytet dhe rrethinat e tij qëllohej në ajër papushim. Ishte sërish ditë kaosi dhe grupe njerëzish hipnin me nxitim nëpër kamionë e niseshin drejt fjalëve që përhapnin lajmet për depo të reja të hapura apo që duheshin shpërthyer. Në aeroport herë pas here erdhën disa turma të vogla e të çoroditura. Ato shqyen depon e veshmbathjes dhe të magazinën ushqimore. Aeroportin e mbërritën brenda paradites edhe gazetarë televizionesh të huaja, mes të cilëve edhe grekët. Ata filmuan me nxitim kudo, por kamerat e tyre dukeshin më të interesuara për depot e plaçkitura, pistën e zbrazur, mbeturinat e hedhura gjithandej, katër avionët e mbetur ende në bazën e lëshimit, disa zogj pendëlaramanë që atë ditë vërtiteshin mbi bazë të ardhur kush e di prej ku.
Intervistuan edhe pilotë. Një gazetar me nxitim iu afrua edhe komandantit. I rrokulliste fjalët njëra pas tjetrës, pa pritur të merrte përgjigje, ndërsa një koleg i tij po i fiksonte kamerën drejt fytyrës: “A është e vërtetë se paga mujore e një piloti është 70-80 dollarë?”
Një dritëzë e kuqërremtë u ndez mbi trupin e kamerës.
“Thonë se një komandant si ju nuk arrin të marrë në muaj më shumë se 120 dollarë?”
Koloneli shqiptar bëri një \"no coment\" dhe i shtyu këmbët përpara. Syri tinzar i kamerës u fik. “Babiloni e mallkuar!”, shfryu me vete.
Përreth tij flitej greqisht, gjermanisht, anglisht, italisht...
Ndërkohë kishte halle të tjera. Të gjitha makinat e aerodromit ua shpërndau shoferave që t\'i merrnin pranë shtëpive të tyre e t\'i ruanin deri në urdhërin për t\'i risjellë. Transportuan po ashtu të gjithë motorrat rezervë të Migëve që kishin në park, duke i vendosur për ruajtje në hyrje të tuneleve. Depon teknike e përforcuan me roje dhe e lanë që të nesërmen të fillonin largimin e tyre drejt vendeve më të sigurta.
Po kështu bashkë me njerëzit e tij koloneli e hoqi të gjithë dokumentacionin sekret dhe tepër sekret dhe e mbylli në tunel. Përfshi edhe dosjet e personelit e ato të financës. Në tunel u vendosën edhe dy flamujt ushtarakë, ai i artilerisë kundrajrore dhe i aeroportit.
Jashtë mbetën vetëm pesë avionë që tunelet nuk i nxinin më.
E ndërsa errësira kishte rënë gjithkund ndriçuan ethshëm hyrjen e tij shkëndijat e saldariçeve. Grykën e tunelit të mbyllur me një derë të betontë dhe më pas e salduan me pllaka të rënda çeliku.

ooooo

Prej atyre që akoma dëgjonin radiot apo u mblodhën para televizorit të komandës u përhapën fjalë se togfjalëshi i ri \"Qeveri e Pajtimit Kombëtar\" tejmbushi edicionet e lajmeve. Ato thoshin se shpirtrat e rebelëve të jugut ishin qetësuar, por ndërkohë këmbëngulnin se kishin rënë në duart e tyre edhe qytete të tjerë siç ishin ai i Beratit dhe Skraparit, kurse i quajturi Komitet i Mbrojtjes i Gjirokastrës kishte bërë të ditur se për momentin armët e marra nuk do të dorëzoheshin.
Fjalë të shpërndara kuturu aty këtu vijonin t\'i mbushnin rrëfimet e tyre me detaje të pafund. Për shembull se në qytetin e Elbasanit, vetëm disa dhjetra kilometra larg kryeqytetit të vendit, shteti kishte shpërndarë tridhjetë mijë fletëthirrje për mobilizim ushtarak të rezervistëve dhe të njerëzve të ndryshëm jashtë këtyre listave, por asnjë prej tyre nuk hipi në makinat që do t\'i dërgonin në jug.
Vetëm kur punët e asaj dite mbaruan dhe një nga një pilotët, teknikët dhe oficerët po i thoshin njëri-tjetrit natën e mirë, komandanti i bazës e dalloi se atë ditë nuk qe paraqitur në punë edhe shefi i SHIU-t.
Pas pak e harroi këtë fakt. Atë çast vendosi të flinte aty. Kur më në fund kishte hyrë në dhomën e tij dhe eskorta jashtë kishte ndehur mbi makina grykat e tre mitrolozave, në derë dikush trokiti lehtas. Pastaj ajo u shty ngadalë. Qe njëri nga teknikët e ndërlidhjes. Mbante në dorë një çantë të lëkurtë.
“Këtu janë të gjitha kasetat me regjistrimet e bisedave mes komandës qëndrore dhe pilotëve gjatë fluturimeve të fundit”.
Koloneli e pa i hutuar. Ishte në mëdyshje.
“Shiritat e regjistruara janë një sekret i padyshimtë”, po fliste i porsaardhuri.
“Përse nuk m\'i dhatë që t\'i mbyllnim në tunel?”
Tjetri i dha fytyrës shprehjen e njeriut që i dinte më me kompetencë këtë punë.
“Më mirë se të saldohen nën tokë janë në duart tuaja”.
Komandanti i bazës buzëqeshi e ia mori çantën. I tha faleminderit. Ndërlidhësi përshendeti ushtarakisht dhe iku.
Shumë vonë, ndoshta atë çast kur dremitja po e mundte, ai thirri nëpër kllapi “Po ditari i fluturimeve?”
Një zë i alarmuar brenda vetes po përpëlitej e thërriste \"Kush e ka ditarin e fluturimeve? Kush?\"

ooooo

Në mbrëmjen e asaj dite të 10 marsit 1997 ai u kthye në shtëpi. Shteti vijonte të ishte në gjendje të jashtëzakonshme, por qyteti i tyre i Kuçovës përjetonte akoma të kundërtën: kaosin. Natën njerëzit mbylleshin nëpër shtëpi njëlloj si më parë.
Ndërsa e shoqja ja mbante akoma duart nëpër pëllëmbët e saj të nxehta, mori vesh edhe lajmet më të fundit: shefi i SHIK-ut një natë më parë, duke përfituar nga errësira, qe larguar nga qyteti. Në një drejtim ende të përgojuar, thuhej gjithkund, herë shpjegohej si ikje drejt Tiranës, herë si marrja e një avioni të linjës dhe dalja jashtë kufurit. Kush e rrëfente këtë variant të fundit numëronin shtetet e imagjinuara: Bullgari, Greqi, Turqi, Arabi Saudite.
Kurse \"Tojota\" e këtij tashmë ish drejtuesi të shërbimit të fshehtë ishte rrëmbyer nga disa të rinj, të cilët duke i rënë fort buries së saj bënë disa parakalime të zhurrmshme nëpër rrugët e qytetit.
Lajmi i fundit, por edhe i vetmi që i bëri përshtypje, qe ai i kapjes së shefit të SHIU-t të bazës ajrore në të dalë të qytetëzës në udhëkryqin e rrugës nacionale me emrin Vajgurore. Fjalënaja fliste për disa të rinj të armatosur të një grupi vullnetar që e kishte zënë duke u përpjekur të ikte drejt kryeqytetit. Me vete, ndërsa po e ndiqnin në një pllajë të pjerrët buzë lumit, kishte patur një çantë të madhe me dokumente sekrete e që e pati flakur për t\'u lehtësuar.
Fletë të bardha qenë shpërndarë nëpër erë.
Kështu kishin rënë në duart e shumë njerëzve dhe dokumentet top-sekret të shërbimit informativ ushtarak të një prej bazave ajrore më të mëdha të Shqipërisë. Kur i panë njerëzit gjithfarësoj vunë re se fletët e shkruara kishin trazuar jetën e të gjithëve. Përmendeshin emra banorësh të qytezës në udhëkryq, të oficerëve e civilëve të aeroportit, njerëz të njohur të qytetit buzë tij e deri në Berat, mijëra banesat tek këmbët e kështjellës mesjetare.
Komandanti i bazës, si të deshte të shpëtonte nga ky vërshim i turbullt lajmesh, mbylli një çast sytë dhe shkundi fort kokën. Nuk donte të dëgjonte më për kaosin e shtetit të vet. Pastaj vuri buzën në gaz dhe i nisi t\'u puthë duart të shoqes që klithte nga gëzimi dhe djemve krejt të shushatur prej kësaj sjelljeje konfuze të të atit.

ooooo

Ishte mesditë ndërsa komandanti i bazës ajrore po i vështronte i shtangur ato copra fletësh të zhubrosura e të shkelura me këmbë. Ja kishin sjellë disa ish-ushtarë të aerodromit, duke këmbëngulur se ja patën gjetur në çantë shefit të SHIU-t.
Ai i kishte lexuar të gjitha me një frymë e po i rilexonte sërish.
\"Në lidhje me kolonelin, komandantin e bazës, lidhjet me Idajetin i mban ky. Ky i ka dërguar makinën nga Italia. Vajta nëpër vendet ku kishin vajtur të dy bashkë në Përmet...\". \"Tekniku\".
Të gjitha raportimet firmosur nga po i njëjti pseudonim. Mbushur me të njëjtin shkrim.
\"Koloneli në këto biseda është shprehur: e kam motrën e gruas në Greqi. Sepse gruaja e tij e ka motrën në Greqi, ka qenë edhe ajo atje. Idajeti, ish-pilot në repart, i larguar fillimisht në Gjermani, tani ndodhet në Itali. Idajeti i ka sjellë Agimit makinën dhe Idajeti me Agimin mbajnë lidhje midis tyre\".
Komandantit i oshëtinte koka. E kishin përgjuar dhe spinuar tek shteti. Tek e vetmja gjë që ai besonte pa u lëkundur në jetë.
I kujtohej se \"Tekniku\" kishte qenë në dukje njeri i sjellshëm dhe i pafjalë. Gjer ditën kur ai shpërndau lajmin se i pati dalë llotaria e vizës për në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Bëri pranë komandës kërkesën me shkrim e iku jashtë shtetit. I dha dorën edhe atij.
Komandanti e fshiu pëllëmbën pas stofit të ashpër të pantallonave dimërore të uniformës. Ajo iu duk përsëri si e bërë pis nga prekja e atyre fletëve, si e përjargur nga pështymat e sish-shefit të SHIU-t. E fshiu për të dytën herë. Pastaj për herën e tretë.
\"Të dy kanë qënë në një pallat, në katin e tretë. Çelsat e shtëpisë së Idajetit i mban akoma komandanti. Idajeti erdhi në repart, e takoi kolonelin, kishte qenë në shtëpinë e komandantit dhe gruaja i kishte thënë që është në shërbim. Kam biseduar më pas me kolonelin si rastësisht dhe më tha se Idajeti është pa punë në Itali. Do të rrijë disa ditë e pastaj do të kthehet në Itali, atje ku ka gruan dhe vajzën\".
Komandantit të bazës ajrore i ishin errur sytë. Tashmë nuk dallonte më asgjë. Truri i përsëriste pavullnetshëm copëzat shpifëse \"Çelsat e shtëpisë së Idajetit i mban akoma komandanti. Idajeti erdhi në repart, e takoi kolonelin, kishte qenë në shtëpinë e komandantit dhe gruaja i kishte thënë që është në shërbim. Kam biseduar më pas me kolonelin si rastësisht dhe më tha se Idajeti është pa punë në Itali. Do të rrijë disa ditë...\".
Tashmë nuk dallonte asgjë, por megjithatë truri i punonte në ethe: \"...kishte qenë në shtëpinë e komandantit dhe gruaja i kishte thënë që është në shërbim. Kam biseduar më pas me kolonelin si rastësisht...\".
Raporti i firmosur nga “Tekniku” datonte 18 shkurt 1997, ora 18.30.
Spiunimi kishte ndodhur më pak se një muaj më parë.

ooooo

Në Tiranë u përhap lajmi se në bazën ushtarake ajrore të kryeqytetit, në Rinas dhe përreth, pas marrjes së armatimit të lehtë nga turma e plaçkitësve grupe të caktuara njerëzish u patën vënë zjarrin depove ku mbahej optika e artilerisë dhe instrumentat e saj e të tankeve. Qenë shkatërruar stacionet e radiondërlidhjes, u ishte vënë zjarri zyrave të llogarisë dhe të financës, të dokumentave sekretë, qenë rrëmbyer dhe djegur flamurët luftarakë.
Tashmë në atë orë të vonë të njëmbëdhjetë marsit gërmat e ftohta të teleteksteve të televizioneve dhe agjencive të huaja shkruanin: \"Takimi i ri pas mbledhjes së djeshme që u mbyll pa rezultat mes përfaqësuesve të partive dhe presidentit Berisha për krijimin e Qeverisë së Bashkimit Kombëtar, vijoi sot në orën 12.00. Deri tani kanë është rënë dakort për numrin e ministrave, që duhet të jenë pesëmbëdhjetë.
Kryeministër i ri. Pas dy ditësh bisedimesh të vështira...do të jetë një njeri i quajtur Bashkim Fino...ishte në 1992-96 kryetar i bashkisë së Gjirokastrës, një nga qytetet rebele të jugut...
Në veri armatosen mbrojtësit e Berishës. Kriza shqiptare duket sikur po bie. Një grup mbrojtësish të presidentit kanë shpërthyer një depo armësh në Barjam Curri, në veri-lindje të vendit...
Kryengritja fiton veriun, kryengritja e jugut po i afrohet Tiranës\".

(Vijon)

Ylli Polovina

Version i printueshem
Faqja paraardhese

Kontakt: ylli@yllipolovina.com © 2007-2017 yllipolovina.com Webmaster: taulant@topciu.com