|
“AEROPORT LUFTARAK 1997” A DO TË SULMOHEJ NGA BAZA AJRORE E KUÇOVËS ME NJË AVION ME RAKETA GODINA E PRESIDENCËS NË TIRANË?
Shkrimi i dymbëdhjetë
“Kryesorja dhe më e rënda është se kanë kërcënuar të hedhin bomba kundër Presidencës për të vrarë...”, po vazhdonte në receptor zëri i drejtuesit e Vendkomandës Qendrore. “Jo, kjo nuk është e mundur!”, riklithi koloneli.
Atëherë e lëshoi zërin: “Kurrkush nuk e ka kërcënuar Presidentin e Republikës që nga kjo vendkomandë e ushtrisë së popullit dhe aq më pak nga ky aerodrom që nuk i ngre avionët kundër disa grumbujve amorfë rrëmbyesish armësh e jo më kundër kryetarit të shtetit”.
Zëri përmatanë u fik.
“Hiqeni mendjen nga ky thashethem kobzi! Po të ngrihet ndonjë avion nga ky çast e këtej do të jem vetëm unë ose zëvendësi im. Prandaj asgjë e tillë nuk mund të ndodhë”.
Nga përtej edhi një si gërrvimë. Ndoshta qe një përpjekje e pafat për të nxjerrë trumbën e dytë të fjalëve pickuese.
“Unë do t\'i çoj avionët në tunel”, shqiptoi komandanti i bazës, por prej Vendkomandës Qendrore nuk i erdhi asnjë reagim. “Avionët do t\'i çoj në tunel”, përsëriti. Më në fund zëri përtej receptorit shqiptoi disa rrokje të mundimshme: “Unë të besoj”. Dhe sërish përsëriti: “Të besoj”. Heshtja ia shuajti ngadalë fjalët.
“Megjithatë dikush aty ka ngritur telefonin dhe ka folur, këmbënguli eprori i Vendkomandës Qendrore, e kanë interceptuar ata që merren me këto punë e sigurisht edhe e kanë regjistruar”.
Tashmë zëri në receptor dukej i lodhur. Komandanti i bazës ndërkohë ishte rikthyer nga ata që e rrethonin. Sigurisht dikush prej tyre duhej të kishte folur, ndoshta në çaste irritimi. Mbase edhe prej dëshpërimit që po shihte se si shkatërrohej reparti.
“Ju e dini, zoti komandant i Vendkomandës Qendrore, që bazën tonë e sulmuan. Në receptor erdhi një si mbytje: “Po, e di, njerëzit e tu më kanë mbajtur gjithë kohën në informim”.
Tani ato që shqiptoheshin prej së largu nuk ishin më fjalë, por vetëm rënkime. “Avionët shpëtuan të gjithë”, shqiptoi koloneli. Por ndërkohë dora që i mbante receptorin, iu drodh. Pastaj i gjithë trupi. Krahërori nisi t\'i digjte e cipa e lëkurës mbi bark iu rënqeth. E përmbyti vala e ngashërimit. E para gjë që bëri me të shpejtë ishte lëshimi i dorezës mbi aparat, pastaj u lëshua mbi karrige dhe rrëzoi kokën si gur mbi tavolinë. E shtrënguar mes të dy duarve koka po i dridhej, shpatullat po i shkundeshin nën ngulçe. Pa zë.
oooooo
Tani i kishin marrë edhe bazën ajrore, nga më të mëdhatë e vendit. Dhe marrshimi i marrësve ishte i pandalshëm. Si një qikllop rrëfimesh mitologjike që e kishte nisur rrugën nga viset e quajtura \"jugu\", përbindëshi gjigand po çapiste ngadalë drejt kryeqytetit. Ecte dhe gëlltiste përditë nga një qytet. Pastaj ndalej në periferi të tyre e shplodhej fare pak, sa për ta tretur ushqimin e porsagëlltitur. Më vonë rinisej, nëpër ditë e nëpër natë, ecte kur binte shi e fjollonte borë, çapiste ndërsa përreth çelnin sythet e para dhe pemët po fillonin të binin aromë pranvere. Shkelte me hapin e tij stërmadh edhe kur nata bëhej më e thellë apo agimi i zbardhylët merrte ngadalë ngjyrën rozë. Qikllopi ecte e rënonte gjthçka. Si në filmin e njohur \"Goxilla\", tek shkelte në Manhatan të Nju Jorkut e rrëzonte me rropamë njëri pas tjetrit qiellgërvishësit.
Ashtu ai po vinte drejt Tiranës. Me duart e rënda dhe të frikshme, të varura tëposhtë. Duke hungërritur. Me syrin e vetëm që i digjej si zjarr mbi ballë.
Ministrit të Mbrojtjes iu bë se qikllopi ishte tashmë tek pragu i kryeqytetit. Kishte nxjerrë kokën me syrin e kuq mbi malin që mbyllte jugun e Tiranës dhe po shihte mizërinë e dritave, të njerëzve, rrugëve, pallateve, magazinave ushtarake, aeroporteve. Para se gjithçka ta bënte mishmash me putrat e tij.
Pas pak ditësh atë do ta linin pa ushtri. Po jetonte fundin e vet. Presidenti i kishte hequr peshën e ministrit, duke ngarkuar si komandant të operacioneve për shtypjen e rebelimit të jugut shefin e madh të SHIK-ut, tashmë po e bënte fakt këtë katastrofë vetë qikllopi i trazirës me armë. Të dy, Presidenti dhe përbindëshi jugor po i merrnin nderin, po e shtrëngonin për mezi që ta thyenin. Ai tani vërtitej nëpër ajër si një flluskë e mbushur me frymë.
I duhej të shpëtonte, të bënte një lëvizje, qoftë edhe të vogël sa një fragment sekonde në mënyrë që t\'i largoheshin fare pak putrat e të dyve. Me çdo kusht i duhej ky çast i shkurtër shpëtimtar. Pastaj do t\'ja mbathte, do të ikte, do të arratisej. Pas malit, pas horizontit, pas detit.
Ndoshta rasti i përpjekjes për t\'i shpëtuar shtrëngimit mbytës i ishte paraqitur. Nga Vendkomanda Qendrore e lajmëruan se në bazën ajrore të Kuçovës, ndërsa aerodromi ishte pushtuar dhe pilotët po mundoheshin të ruanin avionët e mbetur në pistë, midis zërave të shumta që mbërrinin në telefon njëri prej tyre kishte bërtitur: Të sulmojmë presidencën!
Ministri kërkoi menjëherë verifikimin e lajmit dhe shumë shpejt nga Vendkomanda Qendrore iu përgjigjën se sapo kishin biseduar me komandantin e bazës dhe ai i kishte siguruar se prej andej nuk kishte absolutisht asnjë rrezik, asnjë kërcënim. Asnjë avion nuk do të ngrihej e drejtohej kundër Tiranës.
Atij i rrihte furishëm zemra, por tani jo aq nga frika. I buçiste nga zbulimi që kishte bërë. Kanosja e atij zëri të veçuar në aeroportin ushtarak të jugut i jepte shansin të luante, t\'i tregonte besnikërinë Presidentit.
ooooo
Ra telefoni, kuisi. Ai e ngriti dorezën. Qe djersitur dhe zagushia e saj i kishte nisur në qafë, ndërsa tani po i rridhte nëpër ullukun e shpinës kurrizore. Mori frymë thellë. Në receptor po fliste ministri. Ky nisi t\'i thotë se sapo ishte informuar që në bazën ajrore të Kuçovës njerëz të armatosur kishin rrëmbyer një pilot dhe me grykën e kallashnikovit po e detyronin që t\'i hipte një avioni e të nisej për në Tiranë. Urdhri ishte që të bombardohej presidenca e të vritej Sali Berisha.
“Të vritet presidenti”, gërrvishi zërin ministri që t\'i dukej i ngjirrur, i përmallshëm, plot dhimbje, zemërim, dëshirë për t\'i bërë shkrumb e hi ata banditë në aeroportin e Kuçovës. “Duan ta vrasin, përsëriti, ta vrasin në rast se ai nuk jep dorëheqjen deri në orën 14.00”. “Është urdhër i qendrës\" së tyre, thirri më pas, është i formës së prerë. Ti e di që tani në Presidencë po zhvillohet mbledhja e të gjitha partive politike për pajtim kombëtar. Këtë pajtim kombëtar duan të bombardojnë, të vrasin, të masakrojnë. Por nuk do t\'i lejojmë”.
“Unë natyrisht, vijoi pas pak, nuk mund t\'i transmentoj Presidentit këtë paralajmërim të turpshëm. Jam kategorikisht kundër akteve të tilla barbare. Detyra ime është ta mbroj atë”. “Unë do ta mbroj gjer në fund presidentin”, thirri sërish ministri dhe e uli dorezën e telefonit.
Pastaj mori frymë thellë. Një herë, dy herë, tre herë. Një’ çast më vonë ia nguli sytë përsëri aparatit. E rikapi dorezën dhe formuloi numërin e Vendkomandës Qendrore. I u përgjigjën në çast. E njohën nga zëri.
“Do të keni lidhje të vazhdueshme me mua. Njëri nga drejtuesit të rrijë vazhdimisht me telefon të hapur për të marrë urdhërat e mia. Por edhe për të më raportuar në çdo kohë”.
“Si urdhëroni!”, erdhi përgjigja e vendosur.
“Urdhëroj, shqiptoi ministri solemnisht, gadishmërinë numër një për të gjitha repartet kundërajrore, të brigadës së raketave si edhe të tre çifteve të avionëve roje në aeroportin e kryeqytetit! Gadishmnëria të jetë absolute! Një çift të ngrihet e të jetë vazhdimisht në ajër!”
Heshti një çast. Gjoksi po i digjej dhe buzët i ishin tharë nga etja. Shqiptoi prerë: “Çdo avion që do të vijë drejt Tiranës të asgjësohet!” Pastaj e uli dorezën. Mori frymë thellë, thithi ajër, thithi sërish. Pa me bisht të syrit aparatin telefonik të veçantë që e lidhte vetëm me Presidentin, komandantin e përgjithshëm të Forcave të Armatosura të vendit. Mori përsëri frymë, thellë, akoma thellë, shumë thellë. E mbërtheu dorezën. Pastaj e la. Nuk do ta kërkonte drejtpërdrejt Presidentin. Nuk mundte. Duhej të përdorte një mënyrë tjetër. Ngriti dorezën e telefonit të zakonshëm dhe formoi një nga numrat e administratës së Presidencës.
Një zë i ntrashur e pyeti se çfarë kërkonte. Nxitoi t\'i thoshte emrin dhe tjetri një çast u step, por pastaj e kapërceu lehtë shastisjen. I lëshoi zërin e rëndë me fjalët \"Atëherë çfarë problemi kini?\" Ai i tha se kërkonte të lidhej me Presidentin. Zëri i ntrashur iu përgjegj se kryetari i shtetit ndodhej në mbledhje me partitë në \"tryezën e pajtimit\". Ai bëri sikur hezitoi. “Ta thërrasim, është urgjente”, pyeti tjetri. “Jo, lëreni, kur të mbarojë do t\'ja them. Më lajmëroni shefin e rojeve të Presidentit”.
Përgjegjësi i rojeve doli shumë shpejt. Ministri iu zbraz njëherësh. I tha se në bazën ajrore të Kuçovës banditë të kuq kishin rrëmbyer një pilot dhe i kishin vënë pistoletën në tëmth. Piloti ishte njeri trim dhe deri tani po rezistonte. Por çdo gjë mund të ndodhte, edhe mund të thyhej. Banditët i kishin rrëmbyer gruan dhe fëmijën, duke e kërcënuar se do t\'ja vrisnin po të mos zbatonte urdhërin e tyre.
Shefi i rojeve e dëgjonte në heshtje. Ai u ngut t\'i zbrazte dallgën tjetër të fjalëve, sepse i depërtoi në një skutë të trurit ideja se njeriu përmatanë telefonit po e pikaste që ministri e zmadhonte situatën.
“Urdhri i \"qendrës\"...ti më kupton kush është qendra. Ti më kupton se ata janë të tillë që mund të ulen në një tavolinë e të premtojnë për pajtim kombëtar e nga ana tjetër të kenë bërë gati një plan për ta përmbysur gjithçka”.
Njeriu që komandonte sigurinë e jetës së Presidentit, prodhoi në receptor një si shfrim fryme.
“Po, po”, përsëriti ministri. Pastaj lëshoi dallgën e tretë të fjalëve. I tha se banditët i kërkonin pilotit të rrëmbyer që të ngrihej me avion e të shkonte drejt Tiranës. Aty të bombardonte vetëm Presidencën.
Shefi i rojeve kërciti diçka. Ndoshta majën e gjuhës.
“Në të vërtetë ata kërkojnë që zoti President të japë dorëheqjen brenda orës 14.00, ndryshe do ta bombardojnë godinën me qëllim që ta vrasin.
“Po në është kështu, shqiptoi përgjegjësi i rojeve, ata do të vrasin edhe të gjithë politikanët shqiptarë të mbledhur, pra edhe shefat e tyre”.
Ministri një çast u nemit. Pastaj vijoi: “Unë dhashë urdhër menjëherë që të jenë në gatishmëri të gjitha repartet e mbrojtjes kundërajrore, përfshi edhe njësitë e raketave tokë-ajër. Tre çifte avionësh janë gati të ngrihen në ajër brenda dyzetë sekondave. Një çift tjetër do të rrijë vazhdimisht në ajër. Kështu urdhri i çmendur për të vrarë zotin President nuk do të realizohet kurrë, sepse avioni barbar do të bëhet menjëherë copë e thërrime”.
Por shefi i rojeve të kryetarit të shtetit nuk reagoi. Dukej pa entuziazëm. “E dhashë këtë urdhër, përsëriti ministri i Mbrrojtjes, çdo avion që do të vijë drejt Tiranës do të asgjësohet. Të më falë ai pilot, do ta vrasim. Këtë urdhër do të jepja sikur avionin ta drejtonte çdo pjesëtar i familjes time apo vetëm të ndodhej në të”. “A ka strehim të sigurtë presidenca?”, pyeti pas pak.
“Ka”.
“Është i sigurtë?”
“Po, mjaft i sigurtë”.
“Edhe sikur avioni të hedhë një bombë 250 kilogramëshe?”
“Nuk e di çfarë efekti shkakton kjo bombë”.
“Është e tmerrshme. Megjithatë në se strehimi është nëntokësor nuk ka çfarë t\'i bëjë zotit President edhe bomba atomike.
“Si të veproj?”, pyeti tjetri shefi i rojeve të institicionit të kryetarit të shtetit.
“Për sa kohë mund ta dërgoni Presidentin nga zyra apo salla e mbledhjes deri në strehim?”
“Për një minutë”.
“Po personelin?”
“Për jo më shumë se tre minuta”.
“Atëherë strehimi kundërajror ka vend për të gjithë?”
“Për të gjithë”.
“Mirë, mëshoi fjalët ministri i Mbrojtjes, mbaje telefonin të hapur e të lidhur me mua!”
“Dakord”.
“Edhe radion!”
“Patjetër”.
“Merr masat, por pa shkaktuar panik”. Edhe pa lajmëruar njeri! Askush nuk duhet ta dijë çfarë biseduam dhe dimë ne të dy”.
Përgjegjësi i rojeve të presidencës lëshoi vetëm një krismë të përplasjes së buzëve me majën e gjuhës.
oooooo
Turmat e vogla që kërkonin veshmbathje e mbeturina ushqimesh vijuan plaçkitjen në bazën ajrore deri sa u afrua muzgu. Një trill i tyre kishte qenë shkatërrimi i makinave të nxjerra me kohë jashtë përdorimit e të lëna prej vitesh në skaj të aeroportit.
Erdhi një çast kur në bazën ajrore të Kuçovës pothuaj e gjithë turma e ardhësve qe larguar. Vërtitej së koti dhe si i dalë mendsh vetëm ndonjë vetmitar. U përhapën fjalë se një pjesë e të ikurve ishin bashkuar me një grumbull marshuesish nga një qytezë buzë rrugës nacionale dhe kishin sulmuar disa kilometra më larg një depo të madhe me armë e municion këmbësorie.
Pilotët përfituan nga qetësimi i gjendjes dhe futën në tunel pjesën më të madhe të avionëve. Lanë vetëm dhjetë prej tyre: katër të shërbimit, katër të ndërrimit, dy të rezervës. Që të gjithë të çarmatosur.
Vonë, ndërsa muzgu po binte i heshtur mbi aeroport, në hyrjen e saj, tashmë sërish të bllokuar nga rojet ushtarake, erdhi një grumbull rezervistësh. Kërkonin të mbronin bazën. Pas pak edhe dymbëdhjetë veteranë të luftës së dytë botërore zbarkuan nga një kamionçinë. Thanë se kishin qënë partizanë dhe, edhe pse mosha u kishte zbardhur flokët, nuk e kishin harruar akoma zanatin e luftës.
TVSH. 9 mars 1997
Dy minuta para edicionit të lajmeve të mbrëmjes u luajt një pjesë me piano nga Bethoven.
Ora 20.00. Filloi lajmi \"Forcat politike pjesëmarrëse në këtë takim të përbashkët hartuan këtë deklaratë si zgjidhje politike për situatën e krijuar.
Marrëveshje e partive politike shqiptare.
Partitë politike të ftuara në një tavolinë nga presidenti i Republikës Sali Berisha u njohën dhe diskutuan platformën e pajtimit kombëtar lidhur me situatën aktuale në vend. Partia Demokratike, Partia Socialiste, Partia Republikane, Partia Bashkimi për të Drejtat e Njeriut, Partia Balli Kombëtar, Partia Socialdemokrate, Partia Aleanca Demokratike, Partia Bashkimi Socialdemokrat, Partia Lëvizja e Legalitetit dhe Partia Demokristiane bien dakort që:
1. Parlamenti shqiptar të shpallë aministinë e përgjitshme për të gjithë ata civilë dhe ushtarakë që u implikuan në revoltën e fajdeve.
2. Të krijohet një qeveri e pajtimit kombëtar me përfaqësimin e të gjitha forcave politike në dialog.
3. Brënda një afati njëjavor të dorëzohen armët dhe municionet nga të gjithë qytetarët në të gjitha rrethet e Shqipërisë.
4. Dita e diel, datë 16 mars 1997, të shpallet ditë zie kombëtare, duke i kujtuar të gjithë ata që humbën jetën gjatë kësaj periudhe.
5. Të zhvillohen zgjedhjet parlamentare në një periudhë jo më larg se muaji qershor 1997.
6. Zgjedhjet parlamentare të zhvillohen nën mbikqyrjen e plotë ndërkombëtare.
7. Qeveria në bashkëpunim me institucionet ndërkombëtare dhe të vendit duhet të marrë të gjitha masat për të ndihmuar me përparësi zonat e dëmtuara.
8. Të fillojë lehtësimi i gjendjes së jashtëzakonshme deri në heqjen e saj sa më të shpejtë.
9. Partitë të vazhdojnë dialogun.
Kësaj marrëveshjeje i bashkëngjitet edhe ftesa drejtuar Partisë Socialiste nga të gjitha partitë për t\'u futur në parlament, duke vlerësuar se kjo do të ndikojë pozitivisht në situatën aktuale.
Partia e Ballit Kombëtar është dakord për këtë platformë, por thekson se qeveria duhet të quhet qeveri e mirëkuptimit kombëtar”.
(Vijon)
Ylli Polovina
Version i printueshem
Faqja paraardhese |
|
|