|
“AEROPORT LUFTARAK 1997” TURMA NJERËZISH SULMOJNË BAZEN AJRORE TË KUÇOVËS, POR SHKOJNË TEK DEPOT, JO TEK AVIONËT
Shkrimi i njëmbëdhjetë
Deri në orën 12.00 të 8 marsit në bazën ajrore të Kuçovës vijoi një qetësi e çuditshme. Dukej sikur të gjithë flitnin me zë të ulët, gati pëshpëritnin, por e habitshmja ishte gjë tjetër: fjalënaja me gjysmëzëri që përfshiu aerodromin, u shoqërua me një rregull e disiplinë gati të hekurt. Komandanti e ndjeu që kjo ishte qetësi para furtune. U kërkoi teknikëve të ndërlidhjes të përpiqeshin të verifikonin në se telefoni i tij ishte në përgjim. Ata u përgjigjën menjëherë: “Përgjohet intensivisht që prej 2 marsit. Përfshi edhe telefonin e shtëpisë”.
Ai nuk i pyeti përse qenë kaq të sigurt. Specialistët e aerodromit të Kuçovës ishin ndër më të mirët në ushtrinë shqiptare. Ata i dhanë edhe lajmin më të fundit: Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë qe dërguar në Vendkomandën Qendrore të Aviacionit Luftarak dhe kishte marrë atje komandën. Pas dy minutash i përcollën edhe të renë e fundit nga qyteti: një gjysmë ore më parë, pra rreth 11.30, kishte ndodhur një incident. Nëpër klube qenë shfaqur disa njerëz që kthenin gota me pije të forta dhe mburreshin se do t\'i shtypnin rebelët e kuq. Madje në bar \"Ambasador\" njëri prej tyre pati nxjerrë edhe pistoletën. Disa të rinj të ulur në tavolinat pranë e kishin pyetur menjëherë: \"Kush ta ka dhënë, kush ta ka dhënë?\". Pistolieri, edhe disi i ardhur në qejf nga avujt e alkoolit, kishte qeshur shfrenueshëm dhe përmendur policinë. Pastaj edhe një emër. Ky kishte qenë funksionar i njohur i partisë në pushtet në Tiranë.
Kështu lajmi i pistoletave të shpërndara nga policia u bë furtunë, iu sul qytetit derë më derë dhe pas pak minutash një turmë iu turr godinës së saj. Funksionari partiak, i ardhur vetëm atë mëngjes në qytet, kishte qenë ende në zyrat e komisariatit. I pari që e kishte ndjerë zhurrmërimën e grumbullit të njerëzve pati qenë komisari. Ky brofi nga poltroni i zyrës dhe e la të shtangur të ardhurin nga kryeqyteti, kur pasi njoftimin e turmës ja dhanë në radio, urdhëroi njerëzit e tij që funksionari të mos guxonte as të nxirrte fijen e flokut në korridorin e komisariatit e jo më në ndonjë dritare apo në prag të ndërtesës. Pastaj mblodhi menjëherë disa nga oficerët vendas të policisë dhe doli para portës së hekurt dykanatëshe. Turma nuk i kalonte pesëdhjetë vetët. Mezi i qetësoi. Me pendesë e gjysmë mendje grumbulli më në fund u largua pas bërrylit të rrugës. Por zhaurrima e saj gërryese u dëgjua sërish pas dhjetë minutash. Për t\'i qetësuar ndërkohë kishin mbërritur kryetari i bashkisë, ai i rrethit dhe prefekti. Dikush nga turma kishte thirrur \"Policia është me ne!\", të gjithë patën brohoritur dhe papritmas grumbulli qe rikthyer të ikte e të humbiste prapa kthesës.
Pas kësaj u krijua në qytet një qetësi e ankthshme. Befas lokalet e mbushura plot nisën të boshatiseshin me shpejtësi, rrugët e qendrës u xhveshën nga shëtitësit dhe u shfaqën disa të rinj që nuk ecnin natyrshëm, por pothuaj rendnin.
Shefi lokal i SHIK bën presion
Në orën dymbëdhjetë komandantit të bazës ajrore i thanë se e kërkonin nga dega e SHIK-ut. Nga pulti i ndërlidhjes lajmin ja dhanë me ndjenjë alarmi. Si dallgë shkumëzuese që befas të ngrihet në brinjë e të përplas e fut ujë nëpër gojë dhe flegrat e hundës, alarmi që rendi nëpër përcjellësin telefonik e përmbyti edhe atë të gjithin. Zëmra kafshoi poshtë sisës. U tha ta lidhnin. Në receptor megjithatë për disa çaste ndihej vetëm heshtja. Pastaj u dëgjua frymëmarrja e një njeriu. Fjalët erdhën më pas: “Jam kryetari i Shërbimit Informativ Kombëtar të rrethit”. Zëri i përtejshëm ishte akoma frymë dhe fjalë bashkë. “Po”, iu përgjigj, duke u përpjekur të tregohej i qetë. “Dua të të them diçka”. “Po”. “Por nuk ta them dot në telefon”. “Në rast se nuk ma thua dot...” “Jo...dua ta them...patjetër...prandaj edhe ju kërkova”.
Shefit të degës së SHIK-ut për qytetin po i hollohej zëri.
“Atëherë më fol në telefon çfarë ke për të më thënë”, i tha komandanti i bazës. Tjetri u duk sikur nuk po merrte dot më frymë. Edhe fjalët po i mbeteshin pezull. “Jo, belbëzoi, nuk e them dot në telefon. Po vij në aerodrom”. Këto fjalë i kërcitën si guralecë.
Erdhi tek postoblloku pas dhjetë minutash. Makina e tij \"Tojota\" kishte dashur të hynte në bazë, por njerëzit e eskortës së komandantit e bllokuan menjëherë para portës së hekurt. Kështu ai shtyu derën e veturës hijerëndë. Shoferi i tij vrapoi deri tek ai, por ndërkohë shefi lokal i SHIK pati dalë. Brenda kabinës dy njerëz të tjerë nuk lëvizën nga vendi. Vështirë t\'u dalloje tiparet e fytyrës.
Komandanti i bazës erdhi pas pak. Që nga xhamat e makinës së tij e pa njeriun e Shërbimit Informativ Kombëtar tek rregulloi disa herë syzet. Dukej më i dobësuar nga sa e kishte parë në mbledhjen e fundit të shtabit të gjendjes së jashtëzakonshme.
“Duhet ta dini se në qytetin tonë të Kuçovës, por as edhe në atë të Beratit, nuk ka asnjë shqetësim të rendit publik”, shqiptoi pothuaj në mënyrë ceremoniale drejtuesi vendor i SHIK. “Nuk ka asnjë problem edhe në rrugën nacionale”, shtoi tjetri. Megjithatë komandanti i pa se si bebëzat po i zhyteshin në prag mbytjeje. “Edhe rreth nesh ka qetësi”, vijoi i porsaardhuri. Tashmë sytë e tij ishin krejt të bardhë, si prej qorri. Njeriu i shërbimit të fshehtë kishte ardhur deri tek ai për ta paralajmëruar se në këtë ishull qetësie nuk duhej krijuar destabilitet prej bazës ajrore. I hipi në kokë një zemërim, por e përmbajti. “Mos ka ndodhur ndonjë gjë pak kilometra më në jug?”, e pyeti me ironi. “Populli është i qetë, prandaj rri edhe ti i qetë!” Pas këtyre fjalëve shefi i SHIK i zgjati dorën. Po ikte. Rojet e bazës ia çelën përgjysmë portën e hekurt dhe ai më në fund doli. Ishte bërë një bohçë e vogël rrobash.
“Mos hapni zjarr!”
Ishte ora 12.25 dhe ndoshta kishte bërë vetëm njëzetë hapat e para drejt vendkomandës kur në radio u dëgjua zëri i shefit të shtabit: “Nga qyteti janë nisur turma të mëdha për të sulmuar bazën”.
Fjalët e tij ishin amorfe, masë e lëngët që nuk qëndronte dot as në ajër. Komandanti klithi dy herë copëfjalën pyetëse \"Si, si?\" dhe pa se si qielli iu err para syve dhe u rrëzua me shungullimë që nga lartësia e mijra kilometrave.
Papritmas zëri i shefit të shtabit përhumbi. Në shurdhërinë e beftë që u krijua, një vorbull zhurrmash i vërtit sikur nga kozmosi po zbriste një ortek asteroidësh dhe kometash që përflaknin bishtat. Pastaj u dëgjua një zë i butë dhe i njohur. Ishte e shoqja. Po thoshte se qenë nisur, po vinin drejt tyre, kërkonin armë, bënin si të çmëndur. Por tashmë komandanti nuk fliste dot më. Ndihej sikur qe përfundi një mali të madh që ishte përmbysur i gjithë mbi të.
Tashmë një zë tjetër kishte mbërritur deri tek ai, i dobët, si regëtimë. Po thoshte gjysmëfjalët \"njerëz\", \"janë nisur\", \"mbroni repartin\", \"janë shumë\", \"shumë, vëlla, shumë, shumë, shum, shu,shshsh\".
Ai zë i kujtonte një shok, pilot i sëmurë nga një marrje mendësh që nëpër vite iu shtua aq shumë sa nuk ecte dot më dhe zuri shtratin. Pastaj nisi të dobësohej me shpejtësi dhe mjekët nuk i kishin dhënë më shumë se tre muaj jetë.
Kërceu menjëherë në makinën e tij dhe e thirri shefin e shtabit t\'i delte përpara. Xhipi i makinës së eskortës ulëriti nga pas. Shefin e shtabit e rrëmbeu në ikje. Ai ishte i zbehtë si të mos kishte më pikë gjaku në fytyrë. Të dy makinat rendnin e gërryenin fushën e mbuluar nga një cipë bari të thatë e të kalbur. Po vraponin drejt telave rrethues. Por kur mbërritën në afërsi të tyre ishte shumë vonë, nuk mund t\'i ndalnim më. Turma ishte 10-15 metra larg bazës. Orteku i njerëzve bënte një zhurrmë si të mos lëshonte klithma e thirrje, por të rrokulliste gurë të pafund.
Teknikë, pilotë, ushtarë, të gjithë rrinin nëpër pozicione zjarri. Tytat e armëve ishin ndehur drejt turmës ulëritëse. Komandanti klithi: \"Në asnjë mënyrë zjarr pa ju thënë unë!\" Në të majtë të tij, prej andej nga kishte ardhur pak sekonda më parë, rruga e madhe që të çonte tek porta e hekurt e hyrjes së bazës ishte e mbushur me njerëz. Një mizëri përmbi tre kilometra. Mijra. Si i të ishte shkulur qyteti dhe periferia e tij, banorët e buzëkodrave dhe të atyre që rrinin përmatanë tyre, banorët e pallateve të larta dhe të shtëpive përdhese, njerëzit e bulevardit të qendrës dhe ata të shtëpive më të largëta të shpërndarë nëpër fushë. Të shpërfytyruar. Sikur gjatë asaj rendjeje të marrosur u kishin rënë përdhe diku sytë njerëzorë, më pas balli i pluguar nga mendimi, më vonë mollzat mbuluar nga një hijëze gëzimi. Rënë këty e aty vetullat, buzët, hunda. Dhe kishin mbetur me një fytyrë të rrafshët, të sheshtë, si copë dërrase apo si shpinë tulle prej balte të papjekur.
“Zjarr në ajër!”, brriti komandanti i bazës.
Njerëzit e tij të armatosur e panë të shtangur.
“Zjarr në ajër!”, ulëriti.
Breshëria e armëve e ngriti peshë të gjithë ajrin mbi aerodrom dhe sikur e flaku drejt fundit të luginës. U duk sikur u shkund i tërë gjithë qielli dhe, ashtu i mezikapur pas ndonjë cepi reje, ai do të lëkundej për pak çaste e menjëherë do të rrëzohej mbi tokë. Papritmas turma kishte ngrirë me hapin e nderur pezull. Fytyrësheshtët kishin ngrirë. Të ngurrosur. Në pjesën e tultë e të rrafshuar të kokës iu tkurrën muskujt, si në ngërç.
“Ndaloni aty!”, u thirri ai duke nxjerrë bashkë me fjalët frymën e fundit që i kishte mbetur në krahëror. Një batare tjetër zjarri shkundi copëqiellin e mbetur mbi kokat e tyre. Komandantit të bazës i ngjau sikur vala e fuqishme e ajrit i kishte shkulur nga trupi kokën dhe e kishte lënë atë në mes sheshit si një copë trungu. Megjithatë trupi i tij apo ajo kokë që ishte ngritur pezull nëpër ajër, klithi edhe njëherë: “Çfarë doni? Nuk keni punë me repartin!”
Qenë fundosur njëherësh në heshtje turma e pafund e fytyrësheshtëve dhe muri me armë i ushtarakëve. Nga qielli i thërrmuar prej plumbave binin herë pas here mbi kokat e të gjithëve copra resh, vrunduj ajri, jehona zërash.
“Ne jemi me ju!”, thirri një zë nga turma e pafrymë. “Jemi me ju, jemi me ju!”, bërritën të tjerë. Më në fund turma u shmpi, nisi të lëvizë ngadalë gjymtyrët. Pastaj kreu i saj u trazua. Dikush po shtynte përpara dy fëmijë. Qenë fare të vegjël dhe të pistë. Duar të tjera po lëviznin dhe shtynë disa gra. Më pas fëmijë të tjerë. Hapësira para turmës u mbush me gra e fëmijë.
Grykat e armëve të njerëzve të bazës vështronin pjerrtazi qiellin.
Atëherë grumbulli fytyrërrafshuar çapëleu gjymtyrët dhe nisi të ecë me një hap drejt murit të ushtarakëve. Disa gryka armësh u ulën mbi kokat e njerëzve dhe po i shihnin vëngër. Por ata u turrën. Po vraponin drejt depove. Komandanti nisi të klithë në tejmundimin për t\'i sqaruar se nëpër to nuk kishte armë: “Nuk ka, nuk ka, nuk ka, nuk ka!” Por qe e pamundur të shkonin klithmat e tij gjer në masë amorfe që po shtrinte gjymtyrët e saj me shpejtësi në të gjitha ndërtesat e magazinave të bazës ajrore. Atëherë vrapoi drejt njerëzve të tij dhe me krahët nderur në ajër thirri: “Mos hapni zjarr!” Lugina ia përpiu menjëherë fjalët dhe la mbi ajër rënkimin \"mooooossss!\"
Urdhër nga qendra: “U derdhni vajgurin dhe u çponi gomat avionëve!”
Vrapoi që të mbërrinte në depon e armatimit. Pa tjetër duhej të arrinte i pari në të. Shumë njerëz ndërkohë kishin shpërthyer dy depo të vogla, të mbushura më e shumta me pjesë të mbetura e të konsumuara automjetesh. Një plaçkitës po tundëte në duar tesha ushtarake të një modeli të vjetër, kurse disa të tjerë e pyetnin me klithmat \"Ku, ku?\". Atëherë komandanti vuri re se mes turmës kishte edhe të dehur, të rinj qytetas që dalloheshin për problemet me policinë, ish-ushtarë të bazës, hajdutë të njohur, kriminelë me aktivitet. Jo pak vërsulës vërtiteshin të çoroditur dhe rendnin brenda një rrethi si të zënë në grackë. Ai filloi të kapte pikërisht disa prej tyre e t\'u shpjegonte se aerodromi nuk kishte armë. Madje në kishte ato qenë fare pak. I kishte gjarpëruar në tru një dhelpëri: të paktën ato armë qe ishin, tua shpërndante njerëzve të pjekur e jo fëmijëve, pijanecëve apo botës së krimit.
Por ndërkohë depon e armatimit e kishin shqyer. Po merrnin çfaré kishte. Armët e rrëmbyera i ngrinin mbi të dy duart, i shtrëngonin në gjoks, i varnin nëpër supe, i futnin nën pallto e zhakaventa. Për afro dy orë, sa zgjati plaçkitja, turma e madhe e zallamahitëse më shumë u shty se arriti të merrte ndonjë pushkë apo automatik, një grusht fishekësh ose ndonjë kapë të vjetër ushtarake. Në brinjë të tyre, barkas, ulur nëpër pozicione përpara avionëve, pilotët, teknikët dhe ushtarët i shihnin me sy të ngrirë. Por askush nga turma nuk u shkëput, qoftë edhe për një çast, t\'i prekte Migët. As depot e tjera me armatim për ta nuk u cënuan. Kishin sulmuar vetëm atë të këmbësorëve. Pastaj në orën 14.30 pothuaj të gjithë u larguan.
Qe përfundi i këtij çasti, kur në radio i thanë se e kërkonte në telefon komandanti i Vendkomandës Qendrore. Ndërlidhësit fjalët ia këpuste një frymëmarrje e zorshme. Kur koloneli mbërriti në vendkomandën e bazës disa oficerë që po rrinin aty, u hapën menjëherë, madje u shpërndanë si të trëmbur. Ndërkaq ai rrëmbeu dorezën e telefonit. Zëri i komandantit të Vendkomandës Qendrore iu vërsul në vesh si një trumbë bletësh që kanë braktisur kosheren dhe kapen pas të parës pemë që ndeshin: “Duhet t\'u shposh menjëherë gomat avionëve!” “Përse duhet të veproj kështu?” “Jo vetëm kaq, por t\'u derdhësh edhe vajgurin!” “Pse, të lutem?” “Sepse që nga ajo vendkomandë po thonë se do të ngrejnë avionë kundër Tiranës”. “Nuk është e mundur!”
Këto fjalë të fundit koloneli i kishte klithur. U kthye vrulltaz. Trupat e oficerëve përreth u lëkundën si kallama të njomë nën shkulmin e një stuhie. Ai pati përshtypjen e vetëtimtë se dikush prej tyre, ndërsa ai po fliste në telefon, duhej të qe larguar.
“Kryesorja dhe më e rënda është se kanë kërcënuar të hedhin bomba kundër Presidencës për të vrarë...”, po vazhdonte në receptor zëri i drejtuesit e Vendkomandës Qendrore. “Jo, kjo nuk është e mundur!”, riklithi koloneli. Pa si dikush nga njerëzit përreth tij po tundëte dorën në shenjë mohuese. Ngulmoi me vështrim, por tjetri e përsëriti heshtur gjestin e tij. Pra nga vendkomanda e bazës askush nuk kishte telefonuar qendrën dhe kanosur.
(Vijon)
Ylli Polovina
Version i printueshem
Faqja paraardhese |
|
|