|
RILINDJE, ÇADËR LIRIE, QEVERI TEKNIKE, QEVERI BESIMI DHE DISA SHPIKJE TË TJERA
(Botuar në gazetën online Shqip me 7 prill 2017)
Demagogjinë e përdorur shpesh prej klasës politike jo vetëm në Shqipëri, por edhe në vendet më të emancipuara të kontinentit apo botës, gënjeshtrën elektorale apo joshjen publike me rrena, bashkëkombësit tanë të këtij profesioni e shoqëruan dhe e tejkaluan, në përmasa edhe të përditshme, me një dukuri mjaft çuditëse. Ata humbën aftësinë për të përdorur sensin e zbatimit të parimeve dhe rregullave më të thjeshta dhe më të domosdoshme të politikës si dituri e zanat inteligjent, si shkencë, siç është edhe në të vërtetë.
Kemi përshtypjen se pamja më e shprehur e këtij devijimi profesional ka kulmuar këto dy muajt e fundit, periudhë që për rastësi lidhet me përfundimin e mandatit të qeverisë Rama, por në thelb ka të bëjë me një përkeqësim gradual të cilësisë së politikbërjes.
Edi Rama, edhe vetë një prej autorëve të marrjes me politikë pa përdorur kriteret e saj, por në më të shumtën e herëve manovrimin frazeologjik, krijoi dhe e mbajti deri në fund, me këmbëngulje kryelartë, një slogan bazë të ofertës së tij qeverisëse: se pas rënies së komunizmit dhe dy dyzinave vite kur Shqipërinë e pas diktaturës e patën administruar disa ekipe dhe parti politike, qe ai Sami, Abdyl apo Naim Frashëri, pothuaj vetë Ismail Qemali dhe tërë bashkëpunëtorët e tij ishin as më shumë dhe as më pak por elita rilindase që solli pavarësimin.
Por edhe fuqinë e Zotit të kesh këtë gjë nuk e realizon dot, ca më pak që vetë emërtimi nuk është rezultat i një analize politike të mirëfilltë. Si mund, në fund të fundit, të zerosh kontributin e të tjerëve?
Të jesh rilindasi i vetëm i pasdiktaturës përveç se i pavërtetë është një premtim elektoral që nuk e mban dot as në vetëm disa përqindje: Atëherë përse nuk e kursen kuturisjen e mësipërme dhe shpallësi i saj të bënte aktiv një objektiv politik të cilin pjesërisht edhe mund ta kapte? Që Edi Rama është një qytetar dhe intelektual i plotë, që ai nuk është kryeministër më i keq se paraardhësit e madje do të shënohet nga koha si kontribues në forcimin e disiplinës shtetërore, pse jo edhe në imazhin modern të vendit, këtë për sa më sipër mund të mos e besojnë të gjithë, por gjithsesi nuk janë të pakët, veç që ai është me një me shtat rilindasi nuk e beson kush.
Po qeveri besimi, siç ofroi numri një i LSI-së, çdo të thotë? Nonsensi politik pas këtij formulimi thjesht tingëllues, është madje në të kundërt të logjikës. Një qeveri besimi duke hequr atë të Ramës, do të thotë se ajo, ku bënin pjesë jo një por pesë ministra të partisë së tij., ka qënë e mossbesimit. Ilir Meta, i cili është në mjaft raste, përfituar edhe nga pozicioni i tij ndërpartiak si i treti, kontribues për të zbutur grimasat e rënda dhe shpesh pa asnjë vetëpërmbajtje politike të ndeshjes mes dy formacioneve të mëdha, në të mirë të çështjes së drejtë të dhënies besim ndaj PD-së për moscënimin e lirisë së zgjedhjeve të ardhme, të propozonte një task force me përfaqësues nga jashtë Ministrisë së Brendshme, të cilët gjatë tërë procesit parazgjedhor dhe zgjedhor të vendosen këtu për të qenë afër dhe në kompetencë njohjeje të plotë të të gjitha procedurave të votimit, deri në daljen e rezultateve.
Po mbushen pesëdhjetë ditë nga protesta më e fundit e opozitës, e cila shpalli si simbol dhe shëmbulll ndjekjeje simotrën e saj në Bukuresht, por asgjë prej forcës dhe kurajës së saj nuk manifestoi, veç nguli një çadër të madhe para Kryeministrisë dhe kush e di çfarë merifeti i duhet të bëjë që ta mbushë me një aksion këtë stil letargjik dhe deklarativ e të shpëtojë nga fati që të rrëfehet më pas me humor.
Ajo është një çadër proteste pa këllqe, por nuk mund, për hir të së vërtetës dhe të sinqeritetit më minimal, të quhet çadra e lirisë. Partia Demokratike, jo për përgjegjësi të saj sepse është një masë e vyer atdhetarësh, nuk mund e nuk duhej ta emërtonte ashtu atë grehinë bezeje në vendin ku prijësi i tyre kryeministër u bë i pranishëm historikisht i vrasjes nga disa anëtarë të gardës së shtetit, të tre manifestuesve.
Po qeveri teknike, kur qeveria aktuale ende ka shumicën, çdo të thotë? Po të shpallësh mospjesëmarrjen në zgjedhje apo shtyrjen e kësaj date, kur nuk ke asnjë provë të madhe të dokumentuar, të verifikuar dhe të ushtruar nëpër rregullat e shoqërisë së hapur demokratike, se kundërshtari në pushtet do të vjedhë zgjdhjet? Dhe me se: me paratë e drogës, të cilat qenkan në dispozicion të këtij akti në shumën e stërlartë të dy miliard dollarëve?!
Që përvoja e partive politike shqiptare ka dëshmuar se përdor para droge dhe deri rebelime me armë për të marrë pushtetin, në këtë vend e dinë i madh dhe i vogël, por si mund të quhet tezë realiste, pra shkencërisht politike, të përhapësh përshtypjen fyese se ne zgjedhësit do ti nënshtrohemi blerjes me para?
Kjo ka efekt bumerangu pikërisht sepse nuk është rezultat i një analize politike, por më keq se i një stili propagande: është voluntarizëm. Them çfarë të dua, bëj çfarë të dua. Çdo gjë që më hipën në kokë.
Ku e ka elementin më të thjeshtë politik edhe oferta tjetër që Edi Rama që rrijë në kryeministër deri në 18 qershor, dhe vetëm pas kësaj të ngrohet një qeveri teknike?
Në më pak se dy muaj politikushtrues pa sens politik ka pasur shumë dhe mospërdorimi i rregullave të saj tepër të përllogaritura shkencërisht për ti dhënë zgjidhje dhe të ardhme minikrizave të vërteta të vendit tonë, do të pasojnë. Do të ketë raste të tjera të zbrazjes së vazhdueshme të politikës nga politika.
Ylli Polovina
Tiranë, më 6 prill 2017
Version i printueshem
Faqja paraardhese |
|
|